Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 55

Një djalë i vogël i shërben Perëndisë

Një djalë i vogël i shërben Perëndisë

SHIKO sa i mirë që është ky djalë i vogël! E quajnë Samuel. Burri që i ka vënë dorën te koka Samuelit është Eliu, kryeprifti i Izraelit. Burri tjetër është babai i Samuelit, Elkanahu, kurse gruaja është mamaja e tij, Hana. Ata po e sjellin Samuelin tek Eliu.

Samueli është vetëm katër ose pesë vjeç. Por ai do të jetojë këtu te tabernakulli i Jehovait bashkë me Eliun dhe me priftërinjtë e tjerë. Pse Elkanahu dhe Hana e japin djalin e tyre të vogël, Samuelin, që t’i shërbejë Jehovait në tabernakull? Le të shohim.

Disa vjet më parë, Hana ishte shumë e trishtuar. Arsyeja ishte se ajo nuk mund të bënte fëmijë, por dëshironte shumë që të kishte një fëmijë. Prandaj një ditë, kur ishte në tabernakullin e Jehovait, Hana u lut: ‘O Jehova, mos më harro! Nëse më jep një djalë, unë premtoj se do të ta jap ty, që të të shërbejë gjithë jetën.’

Jehovai iu përgjigj lutjes së Hanës dhe, muaj më vonë, ajo lindi Samuelin. Hana e donte djalin e saj dhe, që kur ishte akoma shumë i vogël, filloi t’i mësonte për Jehovain. Ajo i tha burrit të saj: ‘Sapo Samueli të rritet pak, që të mos ketë më nevojë ta ushqej me qumësht, do ta çoj në tabernakull që t’i shërbejë Jehovait atje.’

Siç e sheh në figurë, këtë po bëjnë Elkanahu dhe Hana. Meqë prindërit e kanë mësuar shumë mirë Samuelin, ky është i gëzuar që mund t’i shërbejë Jehovait këtu në tendën e Tij. Çdo vit, Hana dhe Elkanahu vijnë për të adhuruar Perëndinë te kjo tendë e veçantë dhe për të vizituar djalin e tyre të vogël. Dhe çdo vit, Hana i sjell Samuelit një rrobë të re pa mëngë që e bën enkas për të.

Kalojnë vite dhe Samueli vazhdon të shërbejë në tabernakullin e Jehovait. Jehovai dhe njerëzit e pëlqejnë atë. Kurse Hofni dhe Finehasi, djemtë e kryepriftit Eli, nuk janë të mirë. Ata bëjnë shumë gjëra të këqija dhe i shtyjnë edhe të tjerët që të mos i binden Jehovait. Eliu duhet t’i heqë si priftërinj, por nuk e bën këtë.

Samueli i vogël nuk lejon që ato gjëra të këqija që ndodhin në tabernakull të bëhen shkak për të mos i shërbyer më Jehovait. Por ngaqë shumë pak njerëz e duan vërtet Jehovain, ka shumë kohë që Ai nuk ka folur me asnjë njeri. Ja çfarë ndodh kur Samueli rritet pak:

Samueli po fle në tabernakull, kur një zë e zgjon. Ai përgjigjet: ‘Ja ku jam.’ Ngrihet, shkon me vrap tek Eliu dhe i thotë: ‘Më thirre, ja ku jam.’

Por Eliu i përgjigjet: ‘Nuk të kam thirrur, shko prapë të flesh.’ Kështu Samueli shkon në shtrat.

Pastaj e dëgjon për herë të dytë zërin: ‘Samuel!’ Samueli çohet dhe përsëri vrapon për tek Eliu. ‘Më thirre, ja ku jam’,—thotë ai. Por Eliu përgjigjet: ‘Nuk të kam thirrur, bir. Kthehu të flesh.’ Atëherë Samueli kthehet në shtrat.

‘Samuel!’—e thërret zëri për herë të tretë. Samueli vrapon tek Eliu. ‘Ja ku jam, ti duhet të më kesh thirrur këtë herë’,—thotë ai. Eliu tani e kupton se duhet të jetë Jehovai që po thërret. Prandaj i thotë Samuelit: ‘Shko, shtrihu prapë dhe nëse të thërret përsëri, duhet të thuash: «Fol Jehova, se shërbëtori yt po të dëgjon.»’

Kështu thotë Samueli, kur Jehovai e thërret përsëri. Jehovai atëherë i tregon Samuelit se do të ndëshkojë Eliun dhe djemtë e tij. Më vonë, Hofni dhe Finehasi vdesin në betejë me filistinët dhe, kur Eliu dëgjon çfarë ka ndodhur, bie mbrapsht, thyen qafën e vdes edhe ai. Kështu fjala e Jehovait vërtetohet.

Samueli rritet dhe bëhet gjykatësi i fundit i Izraelit. Kur plaket, njerëzit i thonë: ‘Zgjidh një mbret që të sundojë mbi ne.’ Samueli nuk dëshiron ta bëjë këtë, sepse Jehovai është mbreti i tyre i vërtetë. Por Jehovai i thotë që t’i dëgjojë njerëzit.