Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 82

Mordekai dhe Estera

Mordekai dhe Estera

LE TË kthehemi disa vjet para se Ezdra të shkonte në Jerusalem. Mordekai dhe Estera janë izraelitët më të rëndësishëm në mbretërinë e Persisë. Estera është mbretëresha, kurse kushëriri i saj, Mordekai është i dyti pas mbretit, në pushtet. Le të shohim si ndodhi kjo.

Prindërit e Esterës vdiqën kur ajo ishte shumë e vogël, kështu që e rriti Mordekai. Asueri, mbreti i Persisë, ka një pallat në qytetin e Shushanit, dhe Mordekai është një nga shërbëtorët e tij. Një ditë, gruaja e mbretit, Vashti, nuk i bindet atij, prandaj mbreti zgjedh një grua tjetër për mbretëreshë. A e di kë zgjedh? Po, Esterën e re dhe të bukur.

A e sheh këtë burrë krenar para të cilit po përkulen njerëzit? Ky është Hamani. Ai është një njeri shumë i rëndësishëm në Persi. Hamani do që t’i përkulet edhe Mordekai, të cilin mund ta shohësh të ulur këtu. Por Mordekai nuk përkulet para tij. Ai mendon se nuk është e drejtë t’i përkulesh një njeriu të tillë të keq. Kjo e zemëron shumë Hamanin. Prandaj, ja si vepron.

Hamani i thotë mbretit gënjeshtra për izraelitët. ‘Janë njerëz të këqij që nuk u binden ligjeve të tua,—thotë ai.—Ata duhet të vriten.’ Asueri nuk e di që gruaja e tij, Estera, është izraelite. Prandaj e dëgjon Hamanin dhe bën një ligj që të gjithë izraelitët të vriten në një ditë të caktuar.

Kur e merr vesh këtë ligj, Mordekai shqetësohet shumë. I dërgon një mesazh Esterës: ‘Ti duhet t’i thuash mbretit dhe t’i lutesh që të na shpëtojë.’ Në Persi, të shkosh ta takosh mbretin pa qenë i ftuar, është kundër ligjit. Por Estera hyn pa ftuar. Mbreti i zgjat asaj skeptrin e tij të artë, që do të thotë se ajo nuk duhet të vritet. Estera e fton mbretin dhe Hamanin në një gosti të madhe. Atje mbreti e pyet Esterën çfarë favori kërkon prej tij. Estera thotë se nëse ai dhe Hamani do të vijnë përsëri në një gosti të nesërmen, do t’ia thotë çfarë kërkon.

Në atë gosti Estera i thotë mbretit: ‘Njerëzit e mi dhe unë do të vritemi.’ Mbreti zemërohet. ‘Kush guxon ta bëjë një gjë të tillë?’—pyet ai.

—Ai njeri, armiku, është ky Hamani i keq!—thotë Estera.

Tani mbreti është fare i zemëruar. Ai urdhëron që Hamani të vritet. Pas kësaj, mbreti e bën Mordekain të dytin pas vetes, në pushtet. Me ndihmën e Mordekait, del një ligj i ri, i cili i lejon izraelitët të luftojnë për jetën e tyre, ditën që është caktuar për t’i vrarë. Meqë Mordekai tani është kaq i rëndësishëm, shumë njerëz i ndihmojnë izraelitët dhe ata shpëtojnë nga armiqtë e tyre.

Libri biblik i Esterës.