Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 90

Me gruan te pusi

Me gruan te pusi

JEZUI ka ndaluar të çlodhet te një pus në Samari. Dishepujt e tij kanë shkuar në qytet për të blerë ushqim. Gruaja me të cilën po flet Jezui, ka ardhur të mbushë ujë. Ai i thotë: ‘Më jep të pi pak ujë.’

Gruaja habitet shumë nga kjo. A e di pse? Sepse Jezui është jude, kurse ajo është samaritane. Shumë judenj nuk i pëlqejnë samaritanët. Ata madje as nuk flasin me ta. Kurse Jezui i do të gjithë njerëzit pa dallim. Prandaj thotë: ‘Po ta dije kush të kërkoi ujë, ti do t’i kërkoje dhe ai do të të jepte ujë jetëdhënës.’

—Zotëri,—i thotë gruaja,—pusi është i thellë dhe ti nuk ke as kovë. Ku do ta marrësh këtë ujë jetëdhënës?

—Në qoftë se ti pi ujë nga ky pus, do të kesh prapë etje,—shpjegon Jezui,—Por uji që do të të jap unë, mund ta bëjë një njeri që të jetojë përgjithmonë.

—Zotëri,—thotë gruaja,—ma jep këtë ujë. Kështu nuk do të kem etje përsëri. Dhe nuk duhet të vij më këtu për të mbushur ujë.

Gruaja mendon se Jezui po flet për ujin e zakonshëm. Por ai po flet për të vërtetën rreth Perëndisë dhe mbretërisë së tij. Kjo e vërtetë është si ujë jetëdhënës. Mund t’i japë një njeriu jetën e përhershme.

—Shko, thirre burrin tënd e ktheu,—i thotë tani Jezui kësaj gruaje.

—Unë s’kam burrë,—përgjigjet ajo.

—Drejt u përgjigje,—i thotë Jezui.—Në fakt, ti ke pasur pesë burra dhe burri me të cilin po jeton tani nuk është burri yt.

Gruaja çuditet, sepse e gjithë kjo është e vërtetë. Si i dinte Jezui këto gjëra? Po, Jezui i dinte sepse është Ai që Perëndia kishte premtuar të dërgonte dhe Perëndia i jep këto informata. Në këtë çast kthehen dishepujt e Jezuit, të cilët habiten që ai po flet me një grua samaritane.

Çfarë mësojmë nga e gjithë kjo? Kjo tregon se Jezui është i mirë me njerëzit e çdo race. Kështu duhet të jemi edhe ne. Nuk duhet të mendojmë se disa njerëz janë të këqij vetëm sepse janë të një race tjetër. Jezui dëshiron që të gjithë njerëzit ta njohin të vërtetën që të çon në jetën e përhershme. Edhe ne duhet të dëshirojmë t’i ndihmojmë njerëzit që të mësojnë të vërtetën.