Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 91

Jezui mëson njerëzit në një mal

Jezui mëson njerëzit në një mal

SHIKO Jezuin të ulur këtu. Ai po mëson gjithë këta njerëz, në një mal në Galile. Këta që i janë ulur më afër, janë dishepujt e tij. Jezui ka zgjedhur 12 prej tyre që të jenë apostuj. Apostujt janë dishepuj të veçantë të Jezuit. A ua di emrat?

Dy janë Simon Pjetri dhe vëllai i tij, Andrea. Pastaj janë Jakovi dhe Gjoni, edhe këta vëllezër. Ka edhe një apostull tjetër që quhet Jakov e një tjetër që quhet Simon. Dy apostuj e kanë emrin Juda. Njëri prej tyre është Judë Iskarioti, kurse Judën tjetër e njohin edhe me emrin Tadeu. Pastaj janë Filipi dhe Natanaeli (që e quajnë edhe Bartolome), si edhe Mateu e Thomai.

Pasi u kthye nga Samaria, Jezui filloi të predikonte për herë të parë: ‘Mbretëria e qiejve është afër.’ A e di çfarë është kjo mbretëri? Është një qeveri e vërtetë e Perëndisë. Mbreti i kësaj mbretërie është Jezui. Ai do të qeverisë nga qielli dhe do t’i sjellë paqe tokës. Mbretëria e Perëndisë do ta bëjë të gjithë tokën një parajsë të bukur.

Jezui këtu po u mëson njerëzve për mbretërinë. ‘Duhet të luteni kështu,—shpjegon ai.—Ati ynë që je në qiell, u nderoftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë, ashtu si në qiell.’ Shumë njerëz e quajnë këtë edhe ‘Lutja e Zotërisë’. Të tjerë e quajnë lutja ‘Ati ynë’. A mund ta thuash të gjithë lutjen?

Jezui po u mëson njerëzve edhe se si ta trajtojnë njëri-tjetrin. ‘Bëni për të tjerët atë që doni t’ju bëjnë ata juve’,—thotë ai. A nuk të pëlqen kur të tjerët sillen mirë me ty? Prandaj, Jezui thotë që duhet të sillemi mirë me të tjerët. A nuk do të jetë e mrekullueshme në tokën parajsore, kur të gjithë të sillen kështu?