Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 94

Ai i do fëmijët e vegjël

Ai i do fëmijët e vegjël

SHIKO Jezuin këtu, duke përqafuar këtë djalë të vogël. Duket qartë se Jezui interesohet vërtet për fëmijët e vegjël. Burrat që po e vështrojnë janë apostujt e tij. Çfarë po u thotë atyre Jezui? Le ta shohim.

Jezui dhe apostujt e tij sapo janë kthyer nga një udhëtim i gjatë. Gjatë rrugës, apostujt po bënin fjalë me njëri-tjetrin. Prandaj, pas udhëtimit, Jezui i pyet: ‘Për çfarë po debatonit rrugës?’ Në të vërtetë, Jezui e di për çfarë po bënin fjalë. Por i pyet për të parë a do t’ia thonë apostujt.

Apostujt nuk përgjigjen, sepse rrugës kishin debatuar se kush ishte më i madhi ndër ta. Disa apostuj duan të jenë më të rëndësishëm se të tjerët. Si t’ua shpjegojë Jezui se nuk është e drejtë të duash të jesh më i madhi?

Ai e thërret djalin e vogël dhe e vë përballë tyre. Pastaj u thotë dishepujve: ‘Dua që ta dini se, po të mos ndryshoni dhe po të mos bëheni si fëmijët e vegjël, nuk do të hyni kurrë në mbretërinë e Perëndisë. Më i madhi në mbretëri është ai që bëhet si ky fëmijë.’ A e di pse e tha Jezui këtë?

Fëmijët që janë shumë të vegjël nuk shqetësohen që të jenë më të mëdhenj apo më të rëndësishëm se të tjerët. Prandaj apostujt duhet të mësojnë që të jenë si fëmijët në këtë kuptim, dhe të mos grinden se kush është më i madh apo më i rëndësishëm.

Ka edhe raste të tjera kur Jezui tregon se sa shumë kujdeset për fëmijët e vegjël. Disa muaj më vonë, disa njerëz i sjellin fëmijët e tyre që të shohin Jezuin. Apostujt përpiqen t’i largojnë. Por Jezui u thotë: ‘Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos i ndaloni, sepse mbretëria e Perëndisë u takon njerëzve që janë si ata.’ Pastaj Jezui i merr fëmijët në krahë dhe i bekon. A nuk kënaqemi kur dimë që Jezui i do fëmijët e vegjël?