Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 95

Si i mëson Jezui njerëzit?

Si i mëson Jezui njerëzit?

NJË ditë, Jezui i thotë një burri se duhet të dojë të afërmin e tij. Burri e pyet Jezuin: ‘Kush është i afërmi im?’ Jezui e di se çfarë mendon ky burrë. Burri mendon se vetëm njerëzit e racës dhe të fesë së tij janë të afërmit e tij. Le të shohim atëherë se çfarë i thotë Jezui.

Nganjëherë Jezui i mëson njerëzit duke treguar një histori. Kështu bën edhe tani. Tregon një histori për një jude dhe një samaritan. Tashmë e kemi mësuar që shumë judenj nuk i pëlqejnë samaritanët. Ja çfarë historie tregoi Jezui:

Një ditë, një jude po ecte nëpër një rrugë malore për të shkuar në Jeriko. Por ia prenë rrugën hajdutët. I morën paratë dhe e rrahën derisa e lanë gjysmë të vdekur.

Më vonë, në atë rrugë kaloi një prift jude. Ai e pa burrin e plagosur. Si mendon, çfarë bëri ai? Kaloi në anën tjetër të rrugës dhe vazhdoi të ecte. Pastaj kaloi një njeri tjetër shumë fetar. Ishte një levit. A ndaloi ai? Jo, asnjëri nga ata nuk ndaloi për ta ndihmuar të plagosurin. Mund t’i shohësh priftin dhe levitin pak më larg, duke ikur.

Por shiko kush është këtu me njeriun e plagosur. Është një samaritan. Ai po e ndihmon judeun. Po i vë pak ilaç te plagët. Pas kësaj, e çon judeun në një vend ku mund të pushojë dhe të shërohet.

Pasi e mbaron historinë, Jezui i thotë burrit që e pyeti: ‘Cili nga këta të tre mendon ti se po vepronte si i afërmi i burrit të plagosur? Prifti, leviti apo samaritani?’

—Samaritani, sepse ai i tregoi dashamirësi burrit të plagosur,—përgjigjet burri.

—Ke të drejtë,—thotë Jezui.—Shko dhe trajtoji të tjerët në të njëjtën mënyrë siç bëri ai.

A të pëlqen mënyra se si i mëson Jezui njerëzit? Mund të mësojmë shumë gjëra të rëndësishme, po të dëgjojmë se çfarë thotë Jezui në Bibël, apo jo?