Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 104

Jezui kthehet në qiell

Jezui kthehet në qiell

ME KALIMIN e ditëve, Jezui u shfaqet shumë herë dishepujve të tij. Një herë e shohin rreth 500 dishepuj. A e di për çfarë u flet Jezui kur u shfaqet atyre? Për mbretërinë e Perëndisë. Jehovai e dërgoi Jezuin në tokë për t’u mësuar njerëzve rreth Mbretërisë. Ai vazhdon ta bëjë këtë edhe pasi ringjallet.

A të kujtohet çfarë është mbretëria e Perëndisë? Po, Mbretëria është një qeveri e vërtetë e Perëndisë, që ndodhet në qiell, dhe Jezui është Ai që Perëndia zgjodhi për të qenë mbret. Siç kemi mësuar, Jezui e tregoi se sa mbret i mrekullueshëm do të jetë, duke ushqyer të uriturit, duke shëruar të sëmurët, madje edhe duke kthyer në jetë të vdekurit!

Prandaj, si do të jetë toka kur Jezui të qeverisë si mbret që nga qielli, për një mijë vjet? Po, e gjithë toka do të bëhet një parajsë e bukur. Nuk do të ketë më luftëra, as krime, as sëmundje, madje as vdekje. Ne e dimë se kjo është e vërtetë, sepse Perëndia e bëri tokën që të ishte një parajsë ku njerëzit të jetonin të kënaqur. Ja pse e bëri kopshtin e Edenit në fillim. Jezui do të kujdeset që, më në fund, të përmbushet ajo që dëshiron Perëndia.

Tani ka ardhur koha që Jezui të kthehet në qiell. Për 40 ditë, ai u është shfaqur dishepujve të tij. Prandaj, ata janë të sigurt se ai është përsëri gjallë. Por, përpara se të largohet nga dishepujt, ai u thotë: ‘Qëndroni në Jerusalem, derisa të merrni frymën e shenjtë.’ Fryma e shenjtë është forca vepruese e Perëndisë, si era që fryn, e cila do t’i ndihmojë dishepujt e tij të bëjnë vullnetin e Perëndisë. Në fund, Jezui thotë: ‘Do të predikoni për mua deri në vendet më të largëta të tokës.’

Pasi Jezui thotë këtë, ndodh një gjë e çuditshme. Ai fillon të ngrihet në qiell, siç mund ta shohësh në figurë. Pastaj, një re e fsheh dhe dishepujt nuk e shohin më Jezuin. Jezui shkon në qiell dhe, që aty, fillon të sundojë mbi dishepujt e tij në tokë.