Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 112

Në një ishull, pasi fundoset anija

Në një ishull, pasi fundoset anija

SHIKO! Anija është në një gjendje të keqe! Ajo po copëtohet! A i sheh njerëzit që janë hedhur në ujë? Disa janë afër bregut. Mos është Pavli ky këtu? Le të shohim çfarë ka ndodhur me të.

Të kujtohet, Pavli ka dy vjet që është i burgosur në Cezare. Pastaj, atë dhe disa të burgosur të tjerë i hipin në një anije dhe i nisin për në Romë. Kur kalojnë pranë ishullit të Kretës, i godet një stuhi e fortë. Era është kaq e fortë, sa njerëzit nuk mund ta drejtojnë anijen. Nuk arrijnë të shohin diellin gjatë ditës dhe yjet gjatë natës. Më në fund, pas shumë ditësh, ata që janë në anije humbin çdo shpresë shpëtimi.

Atëherë, Pavli ngrihet dhe thotë: ‘Asnjë nga ju nuk do ta humbë jetën; vetëm anija do të fundoset. Këtë e di sepse mbrëmë më erdhi një engjëll i Perëndisë dhe më tha: “Mos ki frikë, Pavël! Ti duhet të paraqitesh te qeveritari romak, Cezari. Dhe Perëndia do t’i shpëtojë të gjithë ata që po lundrojnë me ty.”’

Rreth mesnatës, ditën e 14-të pasi kishte filluar stuhia, marinarët vërejnë që ujërat nuk janë më aq të thella. Nga frika se mos përplasen nëpër shkëmbinj ngaqë është errësirë, ata hedhin spirancën në det. Të nesërmen në mëngjes shohin një gji deti. Vendosin ta drejtojnë anijen drejt atij bregu.

Kur i afrohen bregut, anija godet një breg rëre dhe ngec atje. Pastaj, dallgët fillojnë ta godasin me egërsi dhe anija fillon të copëtohet. Oficeri ushtarak që komandon thotë: ‘Të gjithë ata që mund të notojnë, të hidhen të parët në det dhe të notojnë drejt bregut. Të tjerët, të hidhen pas tyre dhe të kapin ndonjë copë nga anija për t’u mbajtur.’ Dhe kështu bëjnë. Në këtë mënyrë, të 276 njerëzit që ishin në anije arrijnë shëndoshë e mirë në breg, ashtu siç kishte premtuar engjëlli.

Ishulli quhet Maltë. Njerëzit janë shumë të mirë dhe kujdesen për ata që ishin në anije. Kur moti qetësohet, Pavlin e hipin në një anije tjetër dhe e çojnë në Romë.