Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 113

Pavli në Romë

Pavli në Romë

SHIKO Pavlin të lidhur me zinxhirë dhe ushtarin romak që e ruan. Pavli është i burgosur në Romë. Ai po pret derisa perandori romak, Cezari, të vendosë çfarë do të bëjë me të. Ndërsa është i burgosur, mund të presë vizita nga njerëzit.

Tri ditë pasi arrin në Romë, Pavli thërret disa udhëheqës judenj që të vijnë e ta takojnë. Shumë judenj që janë në Romë vijnë. Pavli u predikon për Jezuin dhe për mbretërinë e Perëndisë. Disa besojnë dhe bëhen të krishterë, por të tjerët nuk besojnë.

Pavli gjithashtu u predikon ushtarëve që kanë detyrë ta ruajnë. Për dy vjet që e mbajnë të burgosur, Pavli u predikon të gjithë atyre që mundet. Si rrjedhim, edhe ata të shtëpisë së Cezarit e dëgjojnë lajmin e mirë të Mbretërisë dhe disa prej tyre bëhen të krishterë.

Po kush është vizitori që po shkruan në tavolinë? A e gjen dot? Po, është Timoteu. Edhe Timoteu kishte qenë në burg, sepse predikonte për Mbretërinë, por tani është i lirë. Ka ardhur këtu për të ndihmuar Pavlin. A e di çfarë po shkruan Timoteu? Le të shohim.

A të kujtohet qyteti i Filipisë dhe i Efesit, në tregimin 110? Pavli ndihmoi që të formoheshin kongregacione të krishtere në këto qytete. Tani, ndërsa është në burg, Pavli u shkruan letra këtyre të krishterëve. Letrat janë në Bibël dhe quhen letra drejtuar Efesianëve dhe Filipianëve. Tani Pavli po i tregon Timoteut se çfarë t’u shkruajë miqve të krishterë në Filipi.

Filipianët janë treguar shumë të mirë me Pavlin. Ata i dërguan një dhuratë në burg, prandaj Pavli i falënderon. Ai që e solli dhuratën ishte Epafroditi. Por ai u sëmur rëndë dhe gati vdiq. Tani është mirë përsëri dhe është gati për t’u kthyer në shtëpi. Ai do të marrë me vete këtë letër të Pavlit dhe të Timoteut, kur të kthehet në Filipi.

Ndërsa është në burg, Pavli shkruan edhe dy letra të tjera që i kemi në Bibël. Njëra u drejtohet të krishterëve në Kolose. A e di si quhet kjo letër? Letra drejtuar Kolosianëve. Tjetra është një letër personale drejtuar një shoku të ngushtë që quhej Filemon, i cili po ashtu jeton në Kolose. Letra flet për shërbëtorin e Filemonit, Onesimin.

Onesimi u arratis nga Filemoni dhe erdhi në Romë. Në ndonjë mënyrë Onesimi mësoi që Pavli ishte këtu në burg. Ai erdhi ta vizitojë dhe Pavli i predikoi Onesimit. S’kaloi shumë dhe Onesimi u bë i krishterë. Tani Onesimi pendohet që është arratisur. Prandaj, a e di çfarë i shkruan Pavli Filemonit në këtë letër?

Pavli i kërkon Filemonit që ta falë Onesimin. ‘Unë po e dërgoj te ti,—shkruan Pavli.—Por tani ai nuk është vetëm shërbëtori yt. Është edhe një vëlla i mirë i krishterë.’ Kur Onesimi kthehet në Kolose, merr me vete këto dy letra, njërën për kolosianët dhe tjetrën për Filemonin. Mund ta përfytyrojmë sa i lumtur është Filemoni kur mëson që shërbëtori i tij tani është bërë i krishterë.

Kur Pavli u shkruan filipianëve dhe Filemonit, ka me të vërtetë disa lajme të mira. ‘Po ju dërgoj Timoteun,—u thotë Pavli filipianëve.—Por, shpejt do t’ju vizitoj edhe unë.’ Kurse Filemonit i shkruan: ‘Më bëj gati një vend ku të rri.’

Kur lirohet, Pavli viziton vëllezërit e motrat e tij të krishtere në shumë vende. Por më vonë Pavlin e burgosin përsëri në Romë. Këtë herë, ai e di se do ta vrasin. Prandaj i shkruan Timoteut dhe i kërkon që të vijë shpejt. ‘I kam qëndruar besnik Perëndisë,—shkruan Pavli,—dhe ai do të më shpërblejë.’ Disa vjet pasi vrasin Pavlin, Jerusalemi shkatërrohet përsëri, kësaj radhe nga romakët.

Por, Bibla ka edhe shumë gjëra të tjera. Perëndia Jehova i thotë apostullit Gjon të shkruajë librat e fundit të Biblës, ku përfshihet edhe Zbulesa. Ky libër i Biblës tregon për të ardhmen. Le të mësojmë tani çfarë do të ndodhë në të ardhmen.