Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Beteja e Biblës për të mbijetuar

Beteja e Biblës për të mbijetuar

Kapitulli 2

Beteja e Biblës për të mbijetuar

Ekzistojnë shumë prova që tregojnë se Bibla është vërtet Fjala e Perëndisë. Në vetvete, secila prej tyre është bindëse, por, kur merren të gjitha së bashku, përbëjnë një provë të pakundërshtueshme. Në këtë kapitull dhe në atë që vjen më pas, do të shqyrtojmë vetëm njërën prej tyre: historikun e Biblës si një libër. Në të vërtetë është mrekulli që ky libër i jashtëzakonshëm ka mbijetuar deri në ditët tona. Shqyrtoji vetë faktet.

1. Përmend disa karakteristika të Biblës.

BIBLA nuk është një libër i zakonshëm. Përkundrazi, është një bibliotekë e pasur e përbërë nga 66 libra, disa të shkurtër e disa mjaft të gjatë, që përmbajnë ligje, profeci, histori, poezi, këshilla, e shumë më tepër se kaq. 39 librat e parë u shkruan nga judenj (ose izraelitë) besnikë shekuj para lindjes së Krishtit. Kjo pjesë e Biblës, e shkruar kryesisht në hebraisht, quhet shpesh Besëlidhja e Vjetër. 27 librat e fundit u shkruan në greqisht nga të krishterët dhe njihen gjerësisht si Besëlidhja e Re. Siç tregohet nga vetë teksti i Biblës dhe nga traditat më të lashta, këta 66 libra u shkruan për rreth 1.600 vjet, duke filluar që nga koha kur Egjipti ishte fuqi mbizotëruese e deri kur Roma u bë padronia e botës.

Vetëm Bibla mbijetoi

2. (a) Përshkruaj gjendjen e Izraelit kur filloi të shkruhej Bibla. (b) Cilat vepra të tjera u shkruan gjatë së njëjtës periudhë?

2 Mbi 3.000 vjet më parë, kur filloi të shkruhej Bibla, Izraeli s’ishte veçse një komb i vogël mes shumë kombeve të tjera në Lindjen e Mesme. Ai adhuronte Jehovain, kurse kombet përreth adhuronin perëndi e perëndesha të panumërta. Gjatë asaj kohe, izraelitët nuk ishin të vetmit që shkruanin literaturë fetare. Edhe kombet e tjera shkruanin libra për fenë dhe për vlerat e tyre kombëtare. Për shembull, në atë kohë ishin mjaft të njohura Epi i Gilgameshit, i shkruar në gjuhën akadiane, në Mesopotami, dhe epopeja e Ras-Shamrës, e shkruar në gjuhën ugaritike (që flitej atje ku sot gjendet pjesa veriore e Sirisë). Në literaturën e bollshme të asaj epoke bënin pjesë edhe vepra të tilla, si Këshillat e Ipu-Urit dhe Profecia e Nefer-Rohut në gjuhën egjiptiane, himne drejtuar hyjnive të ndryshme në gjuhën sumeriane dhe tekste profetike në gjuhën akadiane.1

3. Ku ndryshon Bibla nga literatura tjetër fetare e shkruar në Lindjen e Mesme gjatë së njëjtës periudhë?

3 Megjithatë, tërë këto vepra të shkruara në Lindjen e Mesme, patën të njëjtin fund. Ato u lanë në harresë, e madje edhe gjuhët në të cilat u shkruan, u zhdukën. Vetëm vitet e fundit arkeologët dhe filologët mësuan për ekzistencën e tyre dhe zbuluan si t’i deshifronin. Kurse librat e parë të Biblës në hebraisht kanë mbijetuar deri në kohën tonë dhe ende lexohen gjerësisht. Nganjëherë studiuesit thonë se librat e Biblës në hebraisht erdhën në njëfarë mënyre nga ato vepra letrare të lashta. Por, përderisa një pjesë e mirë e asaj literature u la në harresë, kurse Bibla në hebraisht mbijetoi, kuptohet që Bibla është një libër krejt i pazakontë.

Ruajtësit e Fjalës

4. Cilat vështirësi të mëdha, që hasën izraelitët, mund të kenë vënë në dyshim mbijetesën e Biblës?

4 Megjithatë, një gjë është e sigurt: nga pikëpamja njerëzore, mbijetesa e Biblës ishte gati e pamundur. Komunitetet prej nga erdhi, kaluan sprova mjaft të vështira dhe u shtypën egërsisht. Ndaj, mbijetesa e saj deri në ditët tona është vërtet e pazakontë. Para se të vinte Krishti, judenjtë që shkruan Shkrimet Hebraike («Besëlidhjen e Vjetër»), përbënin një komb relativisht të vogël. Ai rrethohej nga shtete të fuqishme, që haheshin për të pasur epërsi të plotë, dhe vinin në rrezik ekzistencën e tij. Për vetëmbrojtje Izraelit iu desh të luftonte kundër shumë kombeve njëri pas tjetrit, si për shembull, kundër filistinëve, moabitëve, amonitëve dhe edomitëve. Gjatë kohës kur hebrenjtë ishin të ndarë në dy mbretëri, perandoria mizore asiriane gati sa s’e zhduku mbretërinë veriore të Izraelit, kurse babilonasit shkatërruan mbretërinë jugore të tij, dhe robërit i çuan në mërgim. Nga këta, vetëm një mbetje u kthye 70 vjet më vonë.

5, 6. Cilat përpjekje rrezikuan ekzistencën e judenjve si popull i veçantë?

5 Historia dëshmon për shumë tentativa gjenocidi kundër izraelitëve. Në kohën e Moisiut, faraoni urdhëroi të vriteshin të gjithë djemtë e sapolindur të tyre. Sikur të zbatohej urdhri i tij, populli hebre do të zhdukej. (Dalja 1:15-22) Kohë më vonë, kur judenjtë kaluan nën sundimin pers, armiqtë bënë një komplot dhe nxorën një ligj për shfarosjen e tyre. (Estera 3:1-15) Për të kujtuar dështimin e këtij komploti, edhe sot e kësaj dite, judenjtë kremtojnë festën e Purimit.

6 Vite më vonë, gjatë kohës kur judenjtë ishin nën sundimin e Sirisë, mbreti Antioku IV bëri çmos ta helenizonte këtë komb, duke e detyruar të ndiqte zakonet e grekëve dhe të adhuronte hyjnitë e tyre. Por edhe ai dështoi. Judenjtë as u shfarosën, as u tjetërsuan, përkundrazi mbijetuan, ndërkohë që shumica e kombeve përreth u zhdukën një nga një nga skena botërore. Bashkë me ta mbijetuan edhe Shkrimet Hebraike.

7, 8. Si rrezikohej mbijetesa e Biblës nga ajo që hiqnin të krishterët?

7 Edhe të krishterët, që nxorën pjesën e dytë të Biblës («Besëlidhjen e Re»), u shtypën si grup. Udhëheqësi i tyre, Jezui, u vra si një kriminel i rëndomtë. Menjëherë pas vdekjes së tij, autoritetet judaike në Palestinë u orvatën t’i ndalonin. Edhe më vonë, ndërsa krishterimi përhapej nëpër vende të tjera, judenjtë i përndiqnin dhe mundoheshin ta pengonin veprën misionare të të krishterëve.—Veprat 5:27, 28; 7:58-60; 11:19-21; 13:45; 14:19; 18:5, 6.

8 Në kohën e Neronit, autoritetet romake, që fillimisht ishin tolerante, ndryshuan qëndrim. Taciti fliste me mburrje për «tortura nga më mizoret», që hoqën të krishterët nga ai perandor i egër.2 Që nga ajo kohë, të ishe i krishterë, përbënte një krim që dënohej me vdekje. Në vitin 303 të e.s., perandor Diokleciani u hodh në sulm kundër vetë Biblës. Në përpjekje për të shuar krishterimin, ai urdhëroi të digjeshin të gjitha Biblat.3

9. Çfarë do të kishte ndodhur nëse fushatat për zhdukjen e judenjve dhe të krishterëve do t’ia kishin arritur qëllimit?

9 Këto fushata shtypjeje e gjenocidi përbënin një rrezik të vërtetë për mbijetesën e Biblës. Kush do ta kishte shkruar Biblën, sikur judenjtë të kishin përfunduar si filistinët e moabitët? Kush do ta kishte ruajtur atë, sikur judenjtë në fillim dhe autoritetet romake më pas t’ia kishin dalë mbanë të shuanin krishterimin? E pra, ruajtësit e Biblës—në fillim judenjtë e më pas të krishterët—nuk u zhdukën, kështu Bibla mbijetoi. Megjithatë, Bibla është përballur me një kërcënim tjetër serioz, që nuk i rrezikoi mbijetesën, por vuri para një rreziku të madh integritetin e saj.

Kopje të papërsosura

10. Si u ruajt Bibla fillimisht?

10 Shumë nga veprat e lashta të përmendura më sipër, që më pas u lanë në harresë, ishin gdhendur në gur ose ishin stampuar në pllaka argjile mjaft të forta. Kurse Bibla, jo. Fillimisht ajo u shkrua në papirus ose pergamenë, materiale që prishen kollaj. Pra, dorëshkrimet origjinale janë zhdukur kohë më parë. Atëherë, si u ruajt Bibla? Falë mijëra e mijëra kopjeve të bëra tërë mundim me dorë. Kështu riprodhoheshin librat para se të shpikej shtypshkrimi.

11. Çfarë është e pashmangshme kur dorëshkrimet kopjohen me dorë?

11 Megjithatë, kopjimi me dorë ka edhe një rrezik. Ja si e shpjegoi sër Frederik Kenioni, arkeolog dhe bibliotekar i njohur në Muzeun Britanik: «Nuk ka dalë ende një dorë dhe një tru njerëzor që të kopjojë një vepër të gjatë nga fillimi në fund pa asnjë gabim. . . . Gabime me siguri shpëtojnë.»4 Nëse në një dorëshkrim shpëtonte një gabim gjatë kopjimit, ky përsëritej nëse ai dorëshkrim përdorej si bazë për kopje të tjera. Kohë më vonë, pasi teksti ishte kopjuar disa herë, në të mund të kishte mjaft gabime njerëzore.

12, 13. Kush e mori përgjegjësinë për ruajtjen e tekstit të Shkrimeve Hebraike?

12 Si mund ta dimë sot, pasi janë bërë mijëra kopje me dorë, se kjo formë riprodhimi nuk e ka ndryshuar Biblën? Për ta zbuluar këtë, le të marrim rastin e Biblës në hebraisht, «Besëlidhjen e Vjetër». Në gjysmën e dytë të shekullit të 6-të p.e.s., kur judenjtë u kthyen nga mërgimi në Babiloni, një grup studiuesish hebrenj të njohur me emrin soferimë ose «skribë», morën përsipër të ruanin tekstin e Biblës në hebraisht. Detyra e tyre ishte të kopjonin Shkrimet, me qëllim që të përdoreshin në publik ose individualisht. Ata ishin profesionistë dhe tepër të motivuar, ndaj puna e tyre kishte cilësi shumë të lartë.

13 Nga shekulli i 7-të deri në shekullin e 10-të të e.s., pasuesit e soferimëve ishin masoretët. Emri i tyre vjen nga një fjalë hebraike që do të thotë «traditë». Në thelb edhe ata ishin skribë që kishin për detyrë të ruanin tekstin tradicional në hebraisht. Masoretëve s’u shpëtonte asgjë. Për shembull, ata duhej të përdornin si tekst bazë një kopje të pranuar si autentike dhe nuk u lejohej të shkruanin asgjë nga ato që dinin përmendësh. Ata duhej të verifikonin çdo germë para se ta kopjonin.5 Profesor Norman Gatualdi shpjegon: «Udhëzimet rabinike të ndihmojnë të krijosh një ide se me sa kujdes punonin skribët. Në to thuhet se të gjitha dorëshkrimet e reja duhej të lexoheshin nga e para prej korrigjuesve, dhe kopjet me gabime duhej të flakeshin menjëherë.»6

14. Falë cilit zbulim mund të sigurohemi se soferimët dhe masoretët e kopjuan me saktësi tekstin e Biblës?

14 Me sa saktësi e transmetuan tekstin soferimët dhe masoretët? Deri në vitin 1947, ishte e vështirë t’i përgjigjeshe kësaj pyetjeje, sepse dorëshkrimet hebraike të plota më të lashta që ishin në dispozicion, i përkitnin shekullit të 10-të të e.s. Mirëpo, në 1947-n, në disa shpella afër Detit të Vdekur u gjetën disa fragmente nga dorëshkrime shumë të lashta, ku përfshiheshin edhe pjesë nga librat e Biblës në hebraisht. Një pjesë e këtyre fragmenteve datonin që nga koha para Krishtit. Studiuesit i krahasuan ato me dorëshkrimet ekzistuese në hebraisht, që të siguroheshin se teksti ishte kopjuar me saktësi. Çfarë rezultoi nga krahasimi?

15. (a) Çfarë tregoi krahasimi i tekstit masoretik me dorëshkrimin e Isaisë, të gjetur mes rrotullave të Detit të Vdekur? (b) Ç’tregojnë ndryshimet në tekst në disa nga dorëshkrimet e gjetura në Detin e Vdekur? (Shih shënimin.)

15 Një ndër dorëshkrimet më të lashta që u zbuluan, ishte libri i plotë i Isaisë. Ngjashmëria e tekstit të tij me Biblën masoretike që kemi sot, të mahnit. Profesor Milër Bërosi shkroi: «Shumë nga ndryshimet mes rrotullave të Isaisë, ose si quhen ndryshe të manastirit të Shën Markut [të zbuluara në shekullin e 20-të], dhe tekstit masoretik, mund të shpjegohen si gabime gjatë kopjimit. Duke i lënë mënjanë ato, në tërësi ekziston një përputhje e jashtëzakonshme me tekstin e gjetur në dorëshkrimet mesjetare. Kjo përputhje me një dorëshkrim kaq të vjetër, është një dëshmi e fortë që na siguron se teksti tradicional përgjithësisht është i saktë.»7 Ai shton: «Ndryshimet e pakta që ka pësuar teksti gjatë një periudhe pak a shumë njëmijëvjeçare, të mrekullojnë.» *

16, 17. (a) Pse mund të jemi të sigurt se teksti i Shkrimeve të Krishtere Greke nuk është cenuar? (b) Çfarë tha sër Frederik Kenioni për tekstin e Shkrimeve Greke?

16 Ndërsa kopjuesit e pjesës së Biblës që u shkrua në greqisht nga të krishterët, ose siç quhet ndryshe Besëlidhja e Re, më tepër ishin amatorë që e kishin dhunti kopjimin, sesa soferimë me përvojë të madhe profesionale. Ata e morën aq seriozisht këtë punë, saqë e vazhduan, edhe pse rrezikonin të ndëshkoheshin nga autoritetet. Dy gjëra na sigurojnë sot se teksti që kemi, në thelb, është i njëjtë me atë që hodhën me shkrim autorët e tij. Së pari, ndryshe nga pjesa në hebraisht e Biblës, kemi dorëshkrime që datojnë shumë më afër kohës së shkrimit të tekstit origjinal. Për shembull, një fragment i ungjillit të Gjonit daton që nga gjysma e parë e shekullit të 2-të, pra, më pak se 50 vjet nga koha kur Gjoni mund të ketë shkruar Ungjillin që mban emrin e tij. Së dyti, vetë numri i dorëshkrimeve që kanë mbijetuar deri në ditët tona, përbën një provë të shkëlqyer që tregon se kuptimi i tekstit nuk është cenuar.

17 Sër Frederik Kenioni tha: «Nuk do ta tepronim po të thoshim se, në thelb, teksti i Biblës është i sigurt. Kjo është e vërtetë sidomos në rastin e Besëlidhjes së Re. Numri i dorëshkrimeve të Besëlidhjes së Re, qoftë i përkthimeve të para të saj, qoftë i citimeve që kanë marrë nga ajo shkrimtarët më të hershëm të Kishës, është shumë i madh. Kjo na jep sigurinë e plotë se në njërin nga këto burime të njohura, mund të gjejmë kuptimin e saktë të çfarëdo fragmenti që mund të ngjallë dyshime. Kjo s’mund të thuhet për asnjë libër tjetër të lashtë në botë.»10

Njerëzit dhe gjuhët e tyre

18, 19. Pse Bibla nuk mbeti vetëm në gjuhët në të cilat u shkrua?

18 Edhe gjuhët origjinale në të cilat u shkrua Bibla, me kalimin e kohës mund të ishin kthyer në një pengesë për mbijetesën e saj. 39 librat e parë u shkruan kryesisht në hebraisht, në gjuhën e izraelitëve. Mirëpo hebraishtja, nuk ka qenë kurrë një gjuhë gjerësisht e njohur. Nëse Bibla do të kishte mbetur në atë gjuhë, do të kishte pasur ndikim vetëm te kombi judaik dhe tek ata pak të huaj që mund ta lexonin. Por, në shekullin e 3-të p.e.s., për dobinë e hebrenjve që jetonin në Aleksandri të Egjiptit, filloi të përkthehej në greqisht pjesa e Biblës që ishte shkruar në hebraisht. Asokohe, greqishtja ishte gjuhë ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, këtë pjesë të Biblës mund ta kishin fare lehtë edhe johebrenjtë.

19 Kur erdhi koha të shkruhej pjesa e dytë e Biblës, greqishtja flitej ende gjerësisht, prandaj 27 librat e saj të fundit u shkruan në atë gjuhë. Por edhe greqishtja nuk kuptohej nga të gjithë. Për këtë arsye, pjesët e Biblës të shkruara në hebraisht dhe greqisht, filluan të përktheheshin në gjuhët e përditshme të asaj epoke të hershme, si për shembull: në gjuhën siriake, koptike, armene, gjeorgjiane, gotike dhe etiopase. Në latinisht, në gjuhën zyrtare të perandorisë romake, dolën kaq shumë përkthime të Biblës, sa u desh të caktohej dikush që të nxirrte një «version të autorizuar», i cili përfundoi rreth vitit 405 të e.s. dhe u njoh si Vulgata (që do të thotë «popullore» ose «e thjeshtë»).

20, 21. Cilat pengesa kapërceu Bibla dhe pse?

20 Kështu, pavarësisht nga pengesat e shumta, Bibla mbijetoi deri në shekujt e parë të erës sonë. Ata që punuan me të, ishin minoritete të përbuzura e të përndjekura, që bënin një jetë të vështirë në një botë armiqësore. Gjatë kopjimit, kuptimi i saj fare lehtë mund të kishte ndryshuar, por kjo nuk ndodhi. Për më tepër, shmangu rrezikun që të mos përdorej nga njerëzit që flitnin gjuhë të tjera.

21 Por, pse ishte kaq e vështirë që Bibla të mbijetonte? Vetë Bibla përgjigjet: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19) Pra, pritej që bota t’i kundërvihej përhapjes të së vërtetës, dhe pikërisht kështu ndodhi. Kjo na bën të pyesim veten: ‘Atëherë, pse Bibla mbijetoi, ndërkohë që shumë vepra të tjera letrare, që nuk u përballën me të tilla vështirësi, u lanë në harresë?’ Bibla i përgjigjet edhe kësaj pyetjeje. Ajo thotë: «Fjala e Jehovait qëndron përgjithmonë.» (1 Pjetrit 1:25) Nëse Bibla është vërtet Fjala e Perëndisë, asnjë fuqi njerëzore s’mund ta shkatërrojë. Në fakt, kështu ka ndodhur deri në shekullin tonë.

22. Ç’ndryshim ndodhi në fillim të shekullit të 4-t të e.s.?

22 Megjithatë, në shekullin e 4-t të e.s., ndodhi diçka që shkaktoi sulme të reja kundër Biblës dhe ndikoi thellësisht në historinë e Evropës. S’kishin kaluar as 10 vjet që Diokleciani ishte orvatur të shkatërronte të gjitha kopjet e Biblës kur politika perandorake ndryshoi dhe «krishterimi» u ligjërua. Dymbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 325 të e.s., në krye të Këshillit «të krishterë» të Nicesë ishte një perandor romak. Pse e vinte në rrezik Biblën ky zhvillim në dukje i favorshëm? Përgjigjen do ta marrim në kapitullin që vjen më pas.

[Shënimet]

^ par. 15 Jo të gjitha dorëshkrimet e gjetura në Detin e Vdekur pajtohen përpikërisht me tekstin biblik që ka mbijetuar deri në ditët tona. Disa prej tyre tregojnë jo pak ndryshime në tekst. Megjithatë, këto ndryshime nuk nënkuptojnë se është shtrembëruar kuptimi bazë i tekstit. Sipas Patrik Skehanit nga Universiteti Katolik Amerikan, shumica e tyre janë një «ripunim [i tekstit biblik] në përputhje me logjikën bazë të tij. Ndonëse paraqitet në një formë më të zgjeruar, thelbi mbetet i pandryshuar. . . . Pas këtyre përçapjeve, shihet një respekt i sinqertë për tekstin që konsiderohej i shenjtë, dëshira (si do të shpreheshim ne) për ta shpjeguar Biblën me Bibël, pikërisht nëpërmjet transmetimit të thelbit të tekstit.»8

Një komentues tjetër shton: «Pavarësisht nga tërë pasiguritë, mbetet fakti që teksti që kemi sot, në tërësi, paraqit me besnikëri vetë fjalët e autorëve, disa prej të cilëve jetuan rreth tre mijë vjet më parë. Ndaj ne duhet të jemi më se të sigurt se ndërhyrja në tekst nuk ia ka ndryshuar vlerën mesazhit që donte të na përçonte Besëlidhja e Vjetër.»9

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 19]

Teksti biblik i ka rezistuar kohës

Mund të sigurohemi fare lehtë që teksti biblik i ka rezistuar kohës, po ta krahasojmë me shkrime të tjera nga lashtësia, siç janë veprat klasike greke dhe romake. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e kësaj literature u shkrua pasi përfunduan Shkrimet Hebraike. Historia nuk flet për ndonjë tentativë për gjenocid kundër grekëve ose romakëve, dhe literatura e tyre nuk ka pësuar asnjë valë përndjekjeje. Megjithatë, le të vërejmë si shprehet profesor Frederik Brusi lidhur me këtë:

«Për veprën Lufta galike të shkruar nga Jul Cezari (mes viteve 58 dhe 50 p.e.s.) ekzistojnë disa dorëshkrime, por vetëm nëntë ose dhjetë prej tyre janë të besueshme. Më i vjetri daton rreth 900 vjet pas kohës kur jetoi Cezari.

Nga 142 librat e historisë së Romës, të shkruar nga Livi (59 p.e.s.-17 e.s.), vetëm 35 kanë mbijetuar deri në ditët tona. Këta i njohim përmes jo më shumë se njëzet dorëshkrimeve me njëfarë rëndësie, nga të cilët vetëm njëri, ai që përmban fragmente nga Librat III-VI, daton që nga shekulli i 4-t.

Nga katërmbëdhjetë librat që formojnë veprën Histori të Tacitit (rreth vitit 100 të e.s.), vetëm katër libra e gjysmë kanë mbijetuar. Nga gjashtëmbëdhjetë librat e Analeve të tij, vetëm dhjetë kanë mbijetuar të plotë dhe dy pjesërisht. Teksti i pjesëve ekzistuese të dy veprave më të mëdha historike të tij, mbështetet i tëri në dy dorëshkrime, njëri i shekullit të 9-të dhe tjetri i shekullit të 11-të. . . .

Historia e Tacidit (rreth vitit 460-400 p.e.s.) ka ardhur deri te ne nëpërmjet tetë dorëshkrimeve, nga të cilët më i lashti daton rreth vitit 900 të e.s., dhe nga pak copëza papirusi, që i përkasin pak a shumë fillimit të epokës së krishtere.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Historinë e Herodotit (rreth vitit 488-428 p.e.s.). Dorëshkrimet më të hershme të veprave të Herodotit ose të Tacidit, që mund të përdorim deri diku sot, datojnë mbi 1.300 vjet më vonë se origjinali. Megjithatë, asnjë studiues i veprave klasike nuk do t’ia vinte veshin ndokujt që do të hidhte dyshime për besueshmërinë e veprës së tyre.»—The Books and the Parchments, faqja 180.

Ç’mund të themi për Biblën? Ekzistojnë mijëra dorëshkrime të pjesëve të ndryshme të saj. Madje, disa dorëshkrime të Shkrimeve të Krishtere Greke datojnë jo më shumë se njëqind vjet pas përfundimit të librave origjinalë.

[Figura në faqen 13]

Hebrenjtë ishin një komb i vogël që kërcënohej vazhdimisht nga kombe më të fuqishme. Kjo gdhendje e lashtë paraqit disa hebrenj që po i marrin robër asirianët

[Figura në faqen 14]

Para se të shpikej shtypshkrimi, Shkrimet kopjoheshin me dorë

[Figura në faqen 16]

Po të ishe i krishterë nën sundimin e Neronit, dënoheshe me vdekje

[Figura në faqen 21]

Një shqyrtim i rrotullës së Isaisë, e gjetur afër Detit të Vdekur, tregon se ky libër nuk ka pësuar pothuajse asnjë ndryshim për një periudhë 1.000-vjeçare

[Figura në faqen 23]

Përpjekjet e perandor Dioklecianit për të shkatërruar Biblën dështuan