Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e hedh poshtë shkenca Biblën?

A e hedh poshtë shkenca Biblën?

Kapitulli 8

A e hedh poshtë shkenca Biblën?

Në vitin 1613, shkencëtari italian Galileo Galilei, botoi veprën me titull «Letra për njollat diellore». Në të paraqiste prova se Toka rrotullohet rreth Diellit, dhe jo Dielli rreth Tokës. Me këtë pohim, ai ndezi shkëndijën që çoi në një sërë ngjarjesh, të cilat në fund e nxorën para Inkuizicionit Katolik, nën akuzën «fort i dyshuar për herezi». Përfundimisht, ai u detyrua «të mohonte» pohimin e tij. Pse shihej si herezi ideja se Toka rrotullohet rreth Diellit? Sepse akuzuesit e Galileit thoshin se kjo binte ndesh me fjalët e Biblës.

1. (Përfshi hyrjen.) (a) Çfarë ndodhi kur Galileo Galilei hodhi idenë se Toka rrotullohet rreth Diellit? (b) Megjithëse Bibla nuk është një libër shkencor, ç’vëmë re kur e krahasojmë me shkencën moderne?

SOT ka shumë nga ata që mendojnë se Bibla nuk pajtohet me shkencën, dhe disa përmendin rastin e Galileit për ta provuar. Por, a është e vërtetë kjo? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të mbajmë në mendje se Bibla është një libër me profeci, histori, lutje, ligje, këshilla dhe që na ndihmon të njohim Perëndinë. Ajo nuk pretendon se është një libër shkencor. Megjithatë, kur prek argumente shkencore, Bibla është jashtëzakonisht e saktë.

Toka, planeti ynë

2. Si e përshkruan Bibla pozicionin e Tokës në hapësirë?

2 Për shembull, të shohim çfarë thotë Bibla për Tokën, planetin tonë. Në librin e Jobit lexojmë: «[Perëndia] e shpalos veriun në zbrazëti, tokën e mban varur në asgjë.» (Jobi 26:7) Le ta krahasojmë këtë me fjalët e Isaisë: «Është Dikush që banon mbi rruzullin e tokës.» (Isaia 40:22) Tabloja e një toke të rrumbullakët që nuk ‘varet në asgjë’ dhe që qëndron në «zbrazëti», na kujton fotografitë që i kanë bërë astronautët rruzullit tokësor, i cili rri pezull në hapësirën boshe.

3, 4. Si qarkullon uji në tokë dhe si e përshkruan Bibla?

3 Të shohim edhe procesin e mahnitshëm të qarkullimit të ujit. Ja si e përshkruan një enciklopedi: «Uji . . . i sipërfaqes së oqeaneve avullon dhe ngrihet në atmosferë. . . . Ajri i ngarkuar me lagështi çohet në brendësi të kontinentit nga rrymat e ajrit që janë vazhdimisht në lëvizje. Kur ajri ftohet, avulli kondensohet dhe formon bulëza uji, që zakonisht i shohim në formën e reve. Këto bulëza shpesh bashkohen dhe formojnë pikat e shiut. Nëse atmosfera është tepër e ftohtë, në vend të pikave të shiut formohen flokët e dëborës. Në të dyja rastet, uji që ka përshkuar qindra ose mijëra kilometra që nga oqeani, bie në sipërfaqen e tokës, ku mbush përrenjtë ose thithet nga toka, dhe nis sërish udhën drejt detit.»1—Compton’s Encyclopedia.

4 Ky proces i mahnitshëm që bën të mundur jetën në tokë të thatë, u përshkrua rreth 3.000 vjet më parë në Bibël, me fjalë të thjeshta e të qarta: «Gjithë përrenjtë shkojnë në det, megjithatë deti nuk mbushet. Përrenjtë kthehen përsëri në vendin nga i cili dalin.»—Eklisiastiu 1:7.

5. Si pajtohen fjalët e psalmistit për formimin e maleve me atë që dihet sot për to?

5 Ndoshta edhe më mahnitës është tregimi i Biblës për formimin e maleve. Një libër shkollor gjeologjie thotë: «Dukuria e pandërprerë e formimit dhe e shkatërrimit të maleve vazhdon që nga epoka pre-kembriane deri në kohën tonë. . . . Malet jo vetëm që kanë lindur në shtratin e deteve që janë tharë, por shpesh janë mbytur shumë kohë pas formimit, e më pas janë shfaqur sërish mbi ujë.»2 Le ta krahasojmë këtë me gjuhën poetike të psalmistit: «E mbështolle [tokën] me ujëra të thella si me një rrobë. Sipër maleve qëndronin ujëra. Malet u ngritën, luginat u ulën—deri në vendin që kishe caktuar për to.»—Psalmi 104:6, 8.

«Në fillim»

6. Cili pohim i Biblës përputhet me teoritë më të fundit shkencore për origjinën e universit?

6 Vargu i parë i Biblës thotë: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Duke u mbështetur në vëzhgimet e tyre, shkencëtarët mbrojnë teorinë se universi fizik ka pasur vërtet një fillim, pra, nuk ka ekzistuar gjithnjë. Robert Xhestrou, një astronom me bindje agnosticiste, shkroi: «Hollësitë ndryshojnë, por elementet thelbësore të astronomisë dhe të tregimit biblik të Zanafillës janë të njëjta: zinxhiri i ngjarjeve që çon deri te njeriu pati një fillim të beftë e të menjëhershëm në një moment të caktuar të kohës, me një shkreptimë drite dhe energjie.»3

7, 8. Edhe pse shumë shkencëtarë nuk e pranojnë rolin e Perëndisë në formimin e universit, çfarë janë të detyruar të pranojnë?

7 Por shumë shkencëtarë nuk e pranojnë thënien «Perëndia krijoi», ndonëse besojnë që universi pati një fillim. Megjithatë, disa e pranojnë se është e vështirë të mohosh se pas gjithçkaje fshihet një formë inteligjence. Ja si shprehet profesori i fizikës, Friman Dajsoni: «Sa më shumë vëzhgoj universin dhe studioj hollësitë e arkitekturës së tij, aq më shumë zbuloj prova se, në njëfarë mënyre, ai e priste ardhjen tonë.»

8 Madje, ai pranon: «Si shkencëtar i formuar sipas botëkuptimit dhe mënyrës së të shprehurit të shekullit të 20-të dhe jo të 18-të, nuk them se arkitektura e universit jep prova të ekzistencës së Perëndisë. Them vetëm se arkitektura e universit pajtohet me hipotezën se ka një mendje që luan rolin kyç në funksionimin e tij.»4 Pa dyshim, këto fjalë zbulojnë dashje pa dashje qëndrimin skeptik të kohës sonë. Por, kush lë mënjanë skepticizmin, vëren se ka një harmoni të mahnitshme mes shkencës moderne dhe pohimit të Biblës se «në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën».—Zanafilla 1:1.

Higjiena dhe shëndeti

9. Ku duket mençuria e ligjit të Biblës për sëmundjet infektive të lëkurës? (Jobi 12:9, 16a)

9 Le të shohim tani ç’thotë Bibla për një fushë tjetër, për higjienën dhe shëndetin. Nëse një izraelit kishte në lëkurë një njollë që dyshohej se ishte lebër, vihej në karantinë. «Gjatë gjithë kohës që do të ketë plagën, ai do të jetë i papastër. Ai është i papastër dhe duhet të jetojë i vetëm jashtë kampit.» (Levitiku 13:46) Rrobat e infektuara duhej të digjeshin. (Levitiku 13:52) Në atë kohë, kjo ishte një mënyrë mjaft e mirë për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

10. Ç’dobi do të nxirrnin njerëzit në disa vende, po të zbatonin këshillat e Biblës për higjienën?

10 Një tjetër ligj i rëndësishëm ishte për eliminimin e jashtëqitjeve njerëzore, që duheshin groposur jashtë kampit. (Ligji i përtërirë 23:12, 13) Ky ligj pa dyshim u kurseu shumë sëmundje izraelitëve. Edhe sot, në disa vende ka pasur probleme të rënda shëndetësore, ngaqë jashtëqitjet njerëzore nuk janë eliminuar si duhet. Nëse do të kishin zbatuar ligjin e shkruar në Bibël mijëra vjet më parë, këta njerëz do të ishin shumë më të shëndetshëm.

11. Cila këshillë e Biblës për shëndetin mendor ka dalë praktike?

11 Normat e larta të Biblës për higjienën, prekin edhe shëndetin mendor. Një proverb në Bibël thotë: «Zemra e qetë është jetë për trupin, kurse xhelozia është kalbësirë për kockat.» (Proverbat 14:30) Vitet e fundit, kërkimet në fushën e mjekësisë kanë treguar se gjendja mendore ndikon drejtpërdrejt në shëndetin fizik të njeriut. Për shembull, C. Tomasi, doktoreshë në Universitetin Xhons Hopkins, vëzhgoi më shumë se 1.000 të diplomuar për një periudhë 16-vjeçare, dhe krahasoi karakteristikat e tyre psikologjike me prekshmërinë nga sëmundjet. Dhe ja çfarë vërejti: më të prekshmit nga sëmundjet, ishin ata që e përjetonin stresin me më tepër zemërim e ankth.5

Çfarë thotë Bibla?

12. Pse Kisha Katolike këmbëngulte se teoria e Galileit për Tokën ishte herezi?

12 Nëse Bibla është kaq e saktë në fushën shkencore, pse Kisha Katolike tha se teoria e Galileit, që Toka rrotullohet rreth Diellit, binte ndesh me Biblën? Për shkak të interpretimit që u bënin disa vargjeve të Biblës këto autoritete fetare.6 Por, a po i interpretonin drejt? Le të ndalemi në dy nga vargjet që vetë ata cituan në atë kohë e të shohim.

13, 14. Cilat vargje të Biblës keqinterpretonte Kisha Katolike? Shpjego.

13 Njëri varg thotë: «Dielli lind, dielli perëndon e mezi ç’pret të mbërrijë në vendin e vet nga prapë lind!» (Eklisiastiu 1:5, DSF) Sipas Kishës, shprehjet «dielli lind» dhe «dielli perëndon», nënkuptonin se lëviz Dielli dhe jo Toka. Por, a nuk themi edhe sot se dielli lind dhe perëndon, megjithëse gati të gjithë e dimë se lëviz Toka dhe jo Dielli?! Kur përdorim shprehje të tilla, thjesht përshkruajmë lëvizjen e dukshme të diellit siç shihet nga planeti ynë. Edhe ai që shkroi këtë varg, përshkroi lëvizjen e diellit në këtë kuptim.

14 Vargu tjetër thotë: «Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj, nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.» (Psalmi 104:5, DSF) Kjo u interpretua sikur Toka s’mund të lëvizte më pasi u krijua. Por, në të vërtetë, vargu flet për përjetësinë e Tokës dhe jo për palëvizshmërinë e saj. Toka nuk «do të lëkundet» kurrë, pra nuk do të shkatërrohet, si tregojnë edhe vargje të tjera të Biblës. (Psalmi 37:29; Eklisiastiu 1:4) Gjithashtu, ky shkrim s’ka të bëjë aspak me lëvizjen relative të tokës dhe të diellit. Pra, debatin e lirë shkencor në kohën e Galileit e pengoi Kisha, dhe jo Bibla.

Evolucion apo krijim?

15. Ç’është teoria e evolucionit dhe si bie ndesh me Biblën?

15 Megjithatë, ekziston një fushë për të cilën shumë do të thoshin se është molla e sherrit mes shkencës moderne dhe Biblës. Shumica e shkencëtarëve beson teorinë e evolucionit, sipas së cilës të gjitha qeniet e gjalla evoluan nga një formë jete primitive që u shfaq miliona vjet më parë. Kurse Bibla mëson se grupet kryesore të gjallesave u krijuan veçmas njëri-tjetrit dhe riprodhohen vetëm «sipas llojit të vet». Ndërsa për njeriun thotë se u krijua «nga pluhuri i tokës». (Zanafilla 1:21; 2:7) Mos kemi të bëjmë me një gabim të dukshëm shkencor në Bibël? Para se të nxjerrim përfundime, le të shohim më nga afër çfarë njeh vërtet shkenca dhe për çfarë ngre hipoteza.

16-18. (a) Ç’gjë vëzhgoi Darvini që e bëri të besonte tek evolucioni? (b) Si mund të provojmë se ato që vëzhgoi Darvini në Ishujt Galapagos, nuk bien ndesh me Biblën?

16 Teoria e evolucionit mori vrull gjatë shekullit të 19-të nga Çarls Darvini. Kur ishte në Ishujt Galapagos të Paqësorit, atij i la mbresa larmia e llojeve të harabelorëve që popullonin ishujt e ndryshëm. Sipas tij, ata duhej të kishin të gjithë një paraardhës të përbashkët. Pjesërisht nga ky vëzhgim, ai i dha shtysë teorisë se të gjitha gjallesat vijnë nga një formë e vetme primitive. Sipas tij, evoluimi i krijesave nga një formë jete më e ulët në një formë jete më të lartë, përcaktohet nga përzgjedhja natyrore, mbijetesa e krijesës që është përshtatur më mirë. Ai mendonte se, falë evolucionit, peshqit evoluan në kafshë që jetojnë në tokë, zvarranikët në zogj, e kështu me radhë.

17 Ç’është e vërteta, ajo që vëzhgoi Darvini në ato ishuj të izoluar s’bie aspak ndesh me Biblën, pasi edhe ajo nuk e përjashton mundësinë e shumëllojshmërisë brenda të njëjtit lloj. Për shembull, të gjitha racat e njerëzimit erdhën nga një çift i vetëm. (Zanafilla 2:7, 22-24) Pra, s’është çudi që ato lloje të ndryshme harabelorësh të kenë ardhur nga një specie paraardhëse e përbashkët. Sidoqoftë, ata mbetën harabelë, nuk u transformuan në fajkonj ose shqiponja.

18 As llojet e ndryshme të harabelorëve, as ndonjë krijesë tjetër nga ato që pa Darvini, nuk kanë treguar se të gjitha qeniet e gjalla, qofshin ato peshkaqenë a pulëbardha, elefantë a krimba toke, kanë një paraardhës të përbashkët. E megjithatë, shumë shkencëtarë pohojnë se evolucioni s’është më thjesht një teori, por një fakt. Kurse të tjerë, edhe pse janë të vetëdijshëm për të metat e kësaj teorie, prapë e besojnë. Ky qëndrim është në modë sot. Por ajo që duhet të dimë është: a është vërtetuar evolucioni deri në atë masë, sa të tregojë se Bibla e ka gabim?

A është provuar evolucioni?

19. Kë mbështetin mbetjet fosile: evolucionin apo krijimin?

19 Si mund të provohet teoria e evolucionit? Mënyra më e mirë është të shqyrtojmë mbetjet fosile për të kuptuar nëse ka ndodhur vërtet kalimi gradual nga një lloj në një tjetër. A ka ndodhur në të vërtetë kjo? Aspak, siç e pranon me ndershmëri një numër i mirë shkencëtarësh. Njëri prej tyre, Fransis Hiçingu, shkruan: «Po të kërkosh hallka lidhëse mes grupeve kryesore të kafshëve, nuk gjen as edhe një.»7 Mungesa e provave në mbetjet fosile është kaq e dukshme, sa evolucionistët propozojnë alternativa të tjera në mbështetje të teorisë së Darvinit për transformimin gradual. Por, siç tregojnë edhe mbetjet fosile, e vërteta është se shfaqja e menjëhershme e llojeve të kafshëve mbështet më shumë krijimin sipas llojeve sesa evolucionin.

20. Si e përjashton evolucionin mënyra se si riprodhohen qelizat e gjalla?

20 Veç kësaj, Hiçingu shpjegon se gjallesat janë programuar të riprodhohen saktësisht sipas llojit të tyre, dhe jo të transformohen në diçka tjetër. Ai thotë: «Qelizat e gjalla dyfishohen me një besnikëri gati-gati absolute. Mundësia për të gabuar është shumë herë më e vogël se e çdo makinerie të bërë nga njeriu. Ka edhe rregulla kufizuese brenda tyre. Bimët arrijnë disa përmasa dhe nuk rriten më tepër. Mizat e uthullës nuk transformohen në asgjë tjetër, por mbeten miza uthulle pas çfarëdolloj eksperimenti të bërë me to.»8 Edhe kur shkencëtarët kanë provokuar mutacione te këto miza për shumë dhjetëvjeçarë, nuk kanë arritur t’i transformojnë ato në një specie tjetër.

Si lindi jeta?

21. Cili përfundim i provuar nga Lui Pastëri përbën një problem të madh për evolucionistët?

21 Një tjetër pyetje me zarar për evolucionistët, së cilës nuk i kanë dhënë dot përgjigje, është: si lindi jeta? Si lindi forma e parë primitive e jetës, nga e cila supozohet se kemi ardhur në ekzistencë të gjithë? Shekuj më parë, dukej se kjo pyetje s’paraqiste asnjë vështirësi, pasi shumica e njerëzve të asaj kohe mendonin se mizat mund të krijoheshin nga mishi i prishur dhe se nga një tufë leckash të vjetra mund të zhvilloheshin minjtë. Por mbi njëqind vjet më parë, kimisti francez Lui Pastër tregoi qartë se jeta mund të lindë vetëm nga një jetë që ka ekzistuar më parë.

22, 23. Si nisi jeta sipas evolucionistëve, por çfarë tregojnë faktet?

22 Atëherë, si e shpjegojnë evolucionistët burimin e jetës? Sipas teorisë më të përhapur, jeta lindi spontanisht miliona vjet më parë nga një kombinim i rastit ndërmjet elementeve kimike dhe energjisë. Atëherë, ç’mund të thuhet për parimin që vërtetoi Pastëri? Një enciklopedi shpjegon: «Pastëri tregoi se në kushtet e sotme kimike dhe fizike në tokë, jeta s’mund të lindë spontanisht. Por miliarda vjet më parë, kushtet kimike dhe fizike në tokë ishin shumë më ndryshe.»9—The World Book Encyclopedia.

23 Por edhe në kushte shumë më të ndryshme, mes materies pa jetë dhe gjallesës më të thjeshtë ekziston një humnerë e madhe. Në një libër të tij, Majkëll Dentoni thotë: «Mes një qelize të gjallë dhe sistemit më të rregullt jo biologjik, si për shembull, një kristal ose flok dëbore, ekziston një hendek kaq i madh e i papajtueshëm, sa s’mund të konceptohet.»10 (Evolution: A Theory in Crisis) Ideja se materia pa jetë mund të vijë në jetë krejt rastësisht, është kaq e paimagjinueshme, sa është krejt e pamundur. Shpjegimi i Biblës se ‘jeta erdhi nga jeta’, pra që jeta u krijua nga Perëndia, pajtohet plotësisht me faktet.

Pse e hedhin poshtë krijimin?

24. Pavarësisht nga problemet që paraqit teoria e evolucionit, pse shumë shkencëtarë mbahen ende pas kësaj teorie?

24 Pavarësisht se teoria e evolucionit paraqit probleme që s’mund të anashkalohen, të besosh sot te krijimi, shihet si diçka antishkencore, madje e çuditshme. Pse? Pse një autoritet si Fransis Hiçingu, që me ndershmëri zbulon pikat e dobëta të evolucionit, hedh poshtë idenë e krijimit?11 Majkëll Dentoni thotë se evolucioni, me gjithë të metat e tij, do të vazhdojë të mësohet, sepse teoritë që përkrahin krijimin, «flasin hapur për shkaqe të mbinatyrshme».12 Me fjalë të tjera, krijimi është i papranueshëm, sepse kërkon një Krijues. S’ka dyshim se ky është arsyetim pa krye, njësoj si arsyetimi për mrekullitë: mrekullitë nuk mund të ndodhin, sepse janë mrekulli!

25. Cila pikë e dobët e evolucionit, në kuptimin shkencor, tregon se kjo teori s’mund ta zëvendësojë krijimin për të shpjeguar si lindi jeta?

25 Veç kësaj, edhe vetë teoria e evolucionit është mjaft e diskutueshme nga pikëpamja shkencore. Majkëll Dentoni vazhdon: «Përderisa në thelb është një teori e bazuar në rindërtimin e historisë, [teoria e evolucionit e Darvinit] është e pamundur të vërtetohet me anë të eksperimentit ose të vëzhgimit të drejtpërdrejtë, si bëhet normalisht në fushën shkencore. . . . Për më tepër, teoria e evolucionit merret me një sërë ngjarjesh unike, si lindja e jetës, origjina e inteligjencës, e kështu me radhë. Ngjarjet unike janë të papërsëritshme dhe s’mund t’i nënshtrohen asnjë lloj hulumtimi eksperimental.»13 Në të vërtetë, pavarësisht nga përhapja e saj, teoria e evolucionit është plot të çara e probleme. Nuk jep asnjë arsye të vlefshme për të hedhur poshtë tregimin e Biblës mbi origjinën e jetës. Kapitulli i parë i Zanafillës na tregon në mënyrë mjaft të arsyeshme si ndodhën këto «ngjarje unike» e «të papërsëritshme» gjatë ‘ditëve’ të krijimit që zgjatën mijëra vjet. *

Ç’mund të thuhet për Përmbytjen?

26, 27. (a) Çfarë thotë Bibla për Përmbytjen? (b) Nga duhet të kenë ardhur pjesërisht ujërat e përmbytjes?

26 Shumë njerëz përmendin një kundërshti tjetër të supozuar mes Biblës dhe shkencës moderne. Sipas librit të Zanafillës, mijëra vjet më parë, ligësia e njerëzve arriti deri aty sa Perëndia vendosi t’i shkatërronte. Megjithatë, ai e udhëzoi Noenë, një njeri të drejtë, të ndërtonte një strukturë të stërmadhe prej druri në formën e një arke, dhe pastaj solli përmbytjen mbi njerëzimin. Mbijetuan vetëm Noeja me familjen e tij, si edhe të gjitha llojet e kafshëve. Përmbytja ishte aq e madhe, sa «u mbuluan të gjitha malet e larta që ishin nën tërë qiejt».—Zanafilla 7:19.

27 Nga erdhi gjithë ai ujë që mbuloi tërë faqen e dheut? Përgjigjen e jep vetë Bibla. Gjatë epokave të para të krijimit, kur filloi të merrte formë hapësira ose shtrirja atmosferike, kishte ‘ujëra . . . poshtë hapësirës’ dhe ‘ujëra . . . mbi të’. (Zanafilla 1:7; 2 Pjetrit 3:5) Bibla thotë se, kur erdhi Përmbytja, «u hapën portat e qiejve». (Zanafilla 7:11) Ka shumë të ngjarë që ‘ujërat . . . mbi [hapësirë]’ ranë dhe siguruan sasinë më të madhe të ujit që përmbyti tokën.

28. Si e shihnin Përmbytjen shërbëtorët e lashtë të Perëndisë, ndër të cilët edhe Jezui?

28 Në përgjithësi, librat shkollorë sot e përjashtojnë idenë se dikur bota është përmbytur. Atëherë lind pyetja: ‘Përmbytja është thjesht një legjendë, apo ka ndodhur vërtet?’ Para se të përgjigjemi, duhet të përmendim se adhuruesit e Jehovait që jetuan pas asaj epoke, e shihnin Përmbytjen si histori të vërtetë, jo si legjendë. Isaia, Jezui, Pavli dhe Pjetri folën për të si për diçka që kishte ndodhur vërtet. (Isaia 54:9; Mateu 24:37-39; Hebrenjve 11:7; 1 Pjetrit 3:20, 21; 2 Pjetrit 2:5; 3:5-7) Megjithatë, për Përmbytjen e botës ka ende disa pyetje që duhet të marrin përgjigje.

Ujërat e Përmbytjes

29, 30. Cilat të dhëna për rezervat e ujit në tokë tregojnë se Përmbytja ishte e mundur?

29 Para së gjithash, a është e pabesueshme të mendosh se tërë toka u përmbyt? Në të vërtetë, jo. Deri në njëfarë mase toka është ende e përmbytur. 70 për qind e saj është e mbuluar me ujë dhe vetëm 30 për qind është tokë e thatë. Për më tepër, 75 për qind e ujit të ëmbël të tokës është ngujuar në akullnajat dhe në kësulat e akullta polare. Sikur i gjithë ky akull të shkrinte, niveli i ujit do të ngrihej shumë më tepër e do të gëlltiste qytete si Nju Jorku dhe Tokio.

30 Një enciklopedi e njohur thotë: «Sipas përllogaritjeve, thellësia mesatare e të gjitha deteve është 3.790 metra, një shifër shumë më e madhe se lartësia mesatare e tokës mbi nivelin e detit, e cila arrin në 840 metra. Nëse thellësia mesatare shumëzohet me sipërfaqen e tyre, vëllimi i të gjitha oqeaneve të botës do të ishte 11 herë më i madh se vëllimi i tokës mbi nivelin e detit.»14 (The New Encyclopædia Britannica) Pra, sikur gjithçka në tokë të nivelohej—malet të rrafshoheshin dhe pellgjet oqeanike të mbusheshin—toka do të mbulohej krejtësisht nga uji dhe thellësia do të arrinte mijëra metra.

31. (a) Që të ndodhte Përmbytja, si duhej të ishte toka? (b) Ç’gjë tregon se para Përmbytjes malet mund të kenë qenë më të ulëta dhe pellgjet oqeanike më të cekëta?

31 Por, që të ndodhte Përmbytja, pellgjet oqeanike duhej të ishin më të cekëta dhe malet më të ulëta se tani. A është e mundur kjo? Ja çfarë thotë një vepër shkencore: «Atje ku sot ngrihen male me lartësi marramendëse, miliona vjet më parë oqeanet dhe rrafshinat formonin një pllajë të njëtrajtshme. . . . Lëvizjet e pllakave kontinentale e kanë ngritur tokën në lartësi ku mund të mbijetojnë vetëm kafshët dhe bimët më rezistente, por edhe e kanë kredhur në thellësi, duke krijuar hiret e fshehura të botës së nënujshme.»15 Përderisa malet dhe shtretërit oqeanikë ngrihen e ulen, është e qartë se dikur malet nuk ishin kaq të larta sa sot dhe pellgjet e mëdha oqeanike nuk ishin kaq të thella.

32. Çfarë mund të ketë ndodhur me ujërat e Përmbytjes? Shpjego.

32 Ku shkuan ujërat pas Përmbytjes? Mund të jenë derdhur në pellgjet oqeanike. Si? Shkencëtarët mendojnë se kontinentet qëndrojnë mbi pllaka të stërmëdha, të cilat duke u zhvendosur mund të sjellin ndryshime në nivelin e sipërfaqes së tokës. Sot në disa vende, anash këtyre pllakave, ekzistojnë hone të thella nënujore që arrijnë mbi 10.000 metra thellësi.16 Ka shumë mundësi që, nga vetë Përmbytja, pllakat të jenë zhvendosur, shtrati i oqeaneve të jetë fundosur më thellë dhe të jenë hapur të çara të mëdha që mund të kenë përpirë ujërat që kishin mbuluar tokën. *

A kanë mbetur gjurmë nga Përmbytja?

33, 34. (a) Cilat prova që kanë tashmë në dorë shkencëtarët, mund të jenë dëshmi e Përmbytjes? (b) A është e arsyeshme të themi se shkencëtarët ndoshta po i keqinterpretojnë dëshmitë?

33 Ta zëmë se mund të ketë ndodhur një përmbytje e madhe. Atëherë, pse shkencëtarët nuk kanë gjetur asnjë gjurmë? Mbase kanë gjetur, por i interpretojnë ndryshe. Për shembull, shkenca tradicionale mëson se në mjaft vende, sipërfaqja e tokës ka marrë formë nga veprimi i akullnajave gjigante, përgjatë shumë epokave të akullit. Por ajo që duket si provë e veprimit të akullit, ndonjëherë mund të jetë pasojë e veprimit të ujit. Pra, ka shumë mundësi që disa dëshmi të Përmbytjes, interpretohen gabimisht si dëshmi të epokës së akullit.

34 Gabime të tilla janë bërë. Për shembull, ja çfarë lexojmë për fillimet e teorisë së epokave të akullit: «Duke iu përmbajtur filozofisë së uniformitetit, shkencëtarët përcaktuan se kishte pasur epoka akulli në të gjitha stadet e historisë gjeologjike. Megjithatë, vitet e fundit, një rishqyrtim i kujdesshëm i provave, ka përjashtuar shumë nga këto epoka akulli. Disa formacione dikur identifikoheshin si morena akulli, pra, materiale të mbartura nga akullnajat. Por sot ato interpretohen si shtretër të formuar nga rrjedha balte, shkarje toke nënujore dhe rryma të turbullta: rryma uji të turbullta me lym, rërë dhe popla që depozitohen në shtratin e thellë të oqeanit.»18

35, 36. Cilat dëshmi të mbetjeve fosile dhe të shkencës së gjeologjisë mund të lidhen me Përmbytjen? Shpjego.

35 Një tjetër gjurmë të Përmbytjes e gjejmë te fosilet. Ato zbulojnë se dikur, tigrat e mëdhenj dhëmbëthikë e zinin prenë në Evropë; se në Amerikën e Veriut endeshin kuaj shumë më të mëdhenj nga ata që njohim sot dhe se në Siberi kullotnin mamuthët. Më pas, disa lloje gjitarësh u zhdukën njëherazi në të gjithë botën në të njëjtën kohë kur ndodhi një ndryshim i beftë klimaterik. Në Siberi ngordhën dhe ngrinë menjëherë dhjetëra mijë mamuthë. * Sipas Alfred Uollasit, një bashkëkohës i njohur i Çarls Darvinit, ky shkatërrim në një shkallë kaq të gjerë duhet të jetë shkaktuar nga ndonjë ngjarje e pazakontë që përfshiu gjithë botën.19 Shumë sjellin provat se kjo ngjarje ishte Përmbytja.

36 Në kryeartikullin e një reviste për arkeologjinë biblike thuhej: «S’duhet harruar se historia që flet për një përmbytje të madhe, përbën një nga traditat më të përhapura të kulturës njerëzore. . . . Edhe traditat më të lashta që gjejmë në tekstet e Lindjes së Afërt, flasin për një përmbytje të vërtetë me përmasa gjigante që ka ndodhur në një nga epokat e shirave . . . mijëra vjet më parë.»20 (Biblical Archaeologist) Gjatë epokave të shirave sipërfaqja e tokës ishte shumë më e lagësht se tani. Në të gjithë botën, liqenet me ujë të ëmbël ishin shumë më të mëdhenj. Sipas një hipoteze, kjo lagështi ishte krijuar nga shirat e fortë në fund të epokave të akullit. Por disa kanë hedhur idenë se në një moment të caktuar, lagështia ekstreme e sipërfaqes së tokës ishte pasojë e Përmbytjes.

Njerëzimi nuk e ka harruar

37, 38. Si tregon një shkencëtar se ka prova që Përmbytja mund të ketë ndodhur, dhe si e dimë se ajo ndodhi vërtet?

37 Njëherë, profesori i gjeologjisë, Xhon Mek-Kembëlli, shkroi: «Ndryshimet kryesore [mes tregimit biblik të Përmbytjes dhe interpretimeve të evolucionistëve] nuk kanë të bëjnë fare me të dhënat e faktuara gjeologjike, por me interpretimin e tyre. Parapëlqimi për një interpretim varet në një masë të madhe nga formimi i studentit dhe nga hipotezat ku bazohet.»21

38 Që Përmbytja ka ndodhur vërtet, e kuptojmë nga fakti që njerëzimi nuk e ka harruar. Në të gjithë botën, edhe në vende kaq të largëta sa Alaska dhe ishujt e Oqeanit Paqësor, tregohen histori të lashta për të. Qytetërimet vendëse të Amerikës, që ekzistonin para ardhjes së Kolombit, si edhe aborigjenët e Australisë, kanë histori për Përmbytjen. Megjithëse tregimet ndryshojnë në disa hollësi, pothuajse të gjitha variantet pajtohen kur thonë se toka u përmbyt dhe vetëm pak njerëz shpëtuan ngaqë u strehuan në një anije të bërë me dorë. Përderisa kjo pranohet nga të gjithë, ka vetëm një shpjegim: Përmbytja është një ngjarje që ka ndodhur vërtet. *

39. Cila provë e mëtejshme tregon se Bibla është Fjala e Perëndisë, dhe jo e njerëzve?

39 Pra, në vija të përgjithshme, Bibla pajtohet me shkencën moderne. Aty ku mes tyre ka kundërshti, dëshmitë e shkencëtarëve janë të dyshimta. Aty ku pajtohen, shpesh Bibla është kaq e saktë, sa na duhet ta pranojmë se të dhënat që na paraqit, vijnë nga një inteligjencë e mbinatyrshme. Vërtet, fakti që Bibla pajtohet me shkencën e provuar, dëshmon edhe më shumë se është Fjala e Perëndisë, dhe jo e njerëzve.

[Shënimet]

^ par. 25 Evolucioni dhe krijimi janë trajtuar më me hollësi në librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim? botuar në vitin 1985 nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

^ par. 32 Një libër që flet për akullnajat, tregon se si shtypet sipërfaqja e tokës nga uji që është në formën e shtresave të akullit. Në të thuhet: «Sikur akulli i Grënlandës të shkrihej, ishulli do të ngrihej mbi 600 metra.» (Planet Earth—Glacier) Me këtë në mendje, mund të përfytyrojmë sa katastrofike duhet të ketë qenë një përmbytje e beftë e botës për disa pjesë të caktuara të kores së tokës.17

^ par. 35 Sipas një përllogaritjeje tjetër, kjo shifër ishte 5 milionë.

^ par. 38 Nëse do të dish më shumë për Përmbytjen, shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, (anglisht), botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., vëllimi 1, faqet 327, 328, 609-612.

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 105]

«Nga pluhuri»

Në një enciklopedi thuhet: «Të gjitha elementet kimike që formojnë gjallesat, gjenden edhe te materia e pajetë.» (The World Book Encyclopedia) Me fjalë të tjera, elementet kimike bazë që formojnë organizmat e gjallë, ku përfshihet edhe njeriu, gjenden edhe në tokë. Kjo pajtohet me atë që thotë Bibla: «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i tokës.»—Zanafilla 2:7.

[Kutia në faqen 107]

‘Sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë’

Disa përmendin ngjashmëritë fizike mes njeriut dhe disa kafshëve, si provë për lidhjen mes tyre. Megjithatë, ata duhet të pranojnë se aftësitë mendore të njeriut as që krahasohen me ato të çfarëdolloj kafshe. Pse njeriu ka aftësi të bëjë plane e të organizojë botën përreth tij? Pse ka aftësi të tregojë dashuri? Pse është i pajisur me inteligjencë të madhe dhe ndërgjegje? Pse e njeh konceptin e së kaluarës, të së tashmes dhe të së ardhmes? Evolucioni s’mund t’u përgjigjet këtyre pyetjeve. Kurse Bibla u përgjigjet kur thotë: «Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, po, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.» (Zanafilla 1:27) Po, kur bëhet fjalë për aftësitë mendore e morale, si edhe për potencialin që ka, njeriu pasqyron cilësitë e Atit të vet qiellor.

[Figura në faqen 99]

Përshkrimi i Biblës se Toka qëndron pezull në hapësirë, pajtohet më së miri me atë që kanë parë astronautët

[Figura në faqen 102]

Bibla nuk thotë nëse është Toka që rrotullohet rreth Diellit apo Dielli rreth Tokës

[Figura në faqen 112]

Sikur malet dhe humnerat të niveloheshin, toka do të mbulohej krejtësisht nga ujëra të thella

[Figura në faqen 114]

Janë gjetur mamuthë që kishin ngrirë menjëherë pasi kishin ngordhur

[Figura në faqen 115]

Lui Pastëri tregoi se jeta mund të lindë vetëm nga një jetë që ka ekzistuar më parë

[Diagrami dhe figura në faqen 109]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Bibla e përshkruan shumë saktë qarkullimin e ujit në tokë