Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla dhe ti

Bibla dhe ti

Kapitulli 14

Bibla dhe ti

Kritikët e sotëm thonë se Bibla është kontradiktore, bie ndesh me shkencën dhe s’është gjë tjetër veçse një përmbledhje mitesh. Kurse Jezui tha: «Fjala jote [e Perëndisë] është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Faktet i japin të drejtë Jezuit, jo kritikëve. Ato tregojnë se Bibla është e vërtetë nga ana historike. Edhe harmonia e saj e pazakontë, përmbushja e profecive, mençuria e madhe që gjendet në faqet e saj dhe ndikimi i mirë në jetën e njerëzve, tregojnë se Bibla është Fjala e Perëndisë. Apostulli Pavël shkroi me të drejtë: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm.»—2 Timoteut 3:16.

1. (Përfshi hyrjen.) (a) Çfarë tregojnë faktet për Biblën? (b) Ç’do të thotë fakti që Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë?

BIBLA është fjala e Perëndisë, dhe jo e njerëzve, e kjo do të thotë shumë. Për shembull, do të thotë se Perëndia ka komunikuar me njerëzit. Ai u është përgjigjur shumë pyetjeve tona dhe na ka treguar zgjidhjen e shumë problemeve. Gjithashtu, do të thotë se e ardhmja që përshkruhet në Bibël, është e njëmendtë. Mbretëria e Perëndisë tashmë sundon dhe, në kohën e duhur, do të heqë nga toka tërë padrejtësitë, shtypjen e vuajtjet.

2. Tani që e di se Bibla është Fjala e Perëndisë, çfarë duhet të nxitesh të bësh?

2 Mirëpo lind pyetja: çfarë do të bësh tani që mësove gjithë këto? Meqë e di se Bibla është Fjala e Perëndisë, të paktën duhet të ndihesh i nxitur ta shqyrtosh. Psalmisti premtoi se, kush e bënte këtë, do të gjente lumturi. «Lum njeriu që nuk ndjek këshillat e të ligjve, . . . por që gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait, dhe e lexon nën zë ditë e natë»,—shkroi ai.—Psalmi 1:1, 2.

Prano ndihmën që të jepet

3, 4. (a) Siç tregohet edhe në Bibël, ç’duhet të bëjmë nëse nuk kuptojmë ndonjë pjesë të saj? (b) Cilët janë gjithnjë të gatshëm t’i ndihmojnë njerëzit që ta kuptojnë më mirë Biblën?

3 Gjatë leximit të Biblës, ndoshta has gjëra që nuk i kupton. (2 Pjetrit 3:16) Një ngjarje nga libri biblik i Veprave tregon se kjo mund të ndodhë. Jo shumë kohë pas vdekjes së Jezuit, një etiopas po lexonte disa profeci nga libri i Isaisë. Filipi, një ungjillëzues, vajti ta takonte dhe e pyeti: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» Etiopasi nuk e kuptonte, ndaj i kërkoi ndihmë Filipit.—Veprat 8:27-31.

4 Kështu ndodhi edhe me një grua në Shtetet e Bashkuara. Ajo e lexonte Biblën rregullisht, por s’kishte kuptuar shumë mësime të rëndësishme të saj. Mirëpo, kur diskutoi me Dëshmitarët e Jehovait, mësoi të vërtetat themelore të Biblës, si edhe kuptoi sa e rëndësishme është Mbretëria e Perëndisë dhe sa shumë bekime do t’i sjellë ajo njerëzimit. Nëse do, Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmojnë me kënaqësi edhe ty të kuptosh më mirë atë që lexon në Bibël.

Ndiq këshillat e Biblës

5. Në bazë të asaj që thotë Bibla, si mund të gjejmë lumturi të vërtetë?

5 Nuk mjafton vetëm të lexojmë Biblën, por duhet edhe ta zbatojmë atë që mësojmë. (Psalmi 119:2) Veç kësaj, Bibla na nxit: «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai! Lum kush gjen strehë tek ai!» (Psalmi 34:8) Në të vërtetë ajo na fton ta vëmë Perëndinë në provë. Prandaj, përpiqu të jetosh sipas parimeve të Perëndisë, duke treguar kështu se mbështetesh tek Ai për të njohur rrugën më të mirë për ty. Vetëm atëherë do ta kuptosh se kjo është vërtet rruga që duhet të ndjekësh. Ata që mbështeten fort te Perëndia, shijojnë lumturinë e vërtetë.

6. A është realiste sot të përpiqemi të jetojmë sipas normave të Biblës? Shpjego.

6 Disa thonë se asnjë s’mund të jetojë sipas parimeve të Biblës në këtë botë të pandershme, imorale dhe të dhunshme. Megjithatë, në të vërtetë, shumë ia kanë dalë mbanë. Cilët janë këta? Një i ri në Afrikë i gjeti. Ai shkruan: «Gjatë viteve të fundit kam parë se këtu në Zimbabve, vetëm ju Dëshmitarët e Jehovait mundoheni vërtet të ndiqni shembullin e Krishtit . . . Deri tani jeni i vetmi grup që me sjelljen tuaj, dhe jo me diskutime e referate, keni arritur të më bindni se Perëndia na do dhe se ungjilli i Tij ka fuqi. Ju predikoni ungjillin dhe jetoni në përputhje me të, ndërkohë që shumë të tjerë e predikojnë, por nuk jetojnë në përputhje me të.»

Prano autoritetin e saj

7. Cilat praktika që janë të zakonshme sot, bien ndesh me atë që thotë Bibla?

7 Apostulli Pavël tha se Bibla është ‘e dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr’. (2 Timoteut 3:16) Por nganjëherë, ajo që thotë Bibla nuk pranohet gjerësisht. Për shembull, Bibla e dënon homoseksualizmin, që shumë njerëz e shohin si një mënyrë jetese të pranueshme. (Romakëve 1:24-27; 1 Korintasve 6:9-11; 1 Timoteut 1:9-11) Gjithashtu, Bibla thotë se jeta e një fëmije të palindur është e rëndësishme dhe nuk kemi të drejtë ta shkatërrojmë qëllimisht, ndërkohë që çdo vit abortohen rreth 50 milionë foshnja në të gjithë botën. (Dalja 21:22, 23; Psalmi 36:9; 139:14-16; Jeremia 1:5) Po sikur ne vetë ta kemi të vështirë të pranojmë pikëpamjen e Biblës për këto çështje?

8, 9. Nëse na duket e vështirë të pranojmë ndonjë këshillë të Biblës, çfarë duhet të kujtojmë? Normat e kujt duhet të pranojmë në çdo rrethanë?

8 Të krishterët kanë mësuar se gjëja më e mençur, është të ndjekin gjithnjë Fjalën e Perëndisë. Pse? Sepse po të ndjekësh këshillat e Biblës, herët a vonë do të kesh dobi. (Proverbat 2:1-11) Duhet ta pranojmë se mençuria e njerëzve është e kufizuar. Rrallë ndodh që të arrijnë t’i parashikojnë pasojat e veprimeve të tyre. «Unë e di mirë, o Jehova, se nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet»,—pranoi profeti Jeremia.—Jeremia 10:23.

9 Për të provuar sa të vërteta janë këto fjalë, mjafton të hedhim sytë përreth. Shumica e problemeve që kanë pllakosur botën, janë pasojë e drejtpërdrejtë e moszbatimit të këshillave të Fjalës së Perëndisë. Historia e gjatë dhe plot shqetësime e njerëzimit ka treguar se njerëzit nuk janë në gjendje të marrin vendimet e duhura për çështjet e moralit. Mençuria jonë as që mund të krahasohet me mençurinë e pafund të Perëndisë. A s’është më mirë t’u vëmë veshin fjalëve të tij e të mos i zëmë shumë besë mençurisë sonë?—Proverbat 28:26; Jeremia 17:9.

Asnjeri nuk është i përsosur

10, 11. (a) Cilat vështirësi tipike të natyrës njerëzore dhe të botës përreth hasim teksa përpiqemi të jetojmë sipas normave të Biblës? (b) Cilën shoqëri na nxit Bibla të kërkojmë, dhe ku mund ta gjejmë?

10 Bibla na e drejton vëmendjen te një fushë tjetër ku na duhet ndihmë. Të gjithë ne kemi trashëguar prirjen për të mëkatuar. «Zemra e njeriut priret nga e keqja që në rini të tij.» (Zanafilla 8:21; Romakëve 7:21) Kjo gjë ndihet edhe më shumë, sepse jetojmë në një botë që nuk i ndjek parimet e Biblës. Prandaj, na nevojitet ndihmë jo vetëm që të kuptojmë Biblën, por edhe që t’i zbatojmë gjërat që mësojmë. Ja pse Bibla na nxit të shoqërohemi me njerëz që duan të jetojnë sipas normave të Perëndisë. Psalmisti shkroi: «I urrej keqbërësit kur mblidhen bashkë, dhe nuk rri me të ligjtë. . . . Mes turmave të mbledhura, o Jehova, do të të bekoj!» Një psalm tjetër thotë: «Sa mirë dhe sa bukur është që vëllezërit të banojnë së bashku në unitet!»—Psalmi 26:5, 12; 133:1.

11 Shoqërimi me njëri-tjetrin është pjesë e rëndësishme e adhurimit të Dëshmitarëve të Jehovait. Ata mbajnë disa mbledhje çdo javë, si edhe kongrese të herëpashershme, gjatë të cilave studiojnë Biblën dhe diskutojnë si t’i zbatojnë parimet e saj në jetën e tyre. Formojnë një ‘vëllazëri’ mbarëbotërore, ku secili nxitet dhe ndihmohet të ndjekë normat e larta të Biblës. (1 Pjetrit 2:17) Pse të mos marrësh pjesë në një nga mbledhjet e tyre dhe të shohësh si mund të të ndihmojë edhe ty kjo vëllazëri?—Hebrenjve 10:24, 25.

Të jetojmë në përputhje me Fjalën e Perëndisë

12. Ç’bekime marrim kur e pranojmë Biblën si Fjalën e Perëndisë?

12 Të dish se Bibla është Fjala e Perëndisë, sjell edhe bekime, edhe përgjegjësi. Jemi të bekuar, sepse drejtimi që marrim për mënyrën si të sillemi dita-ditës, s’gjendet askund tjetër. Gjithashtu, mësojmë për dashurinë që tregoi Perëndia kur dha Birin e tij si shpërblesë që ne të kemi shpresën e jetës së përhershme. (Gjoni 3:16) E kuptojmë se tani Jezui është Mbret dhe së shpejti do të heqë ligësinë nga toka. Kështu, presim me besim atë që ka premtuar Perëndia—‘qiejt e rinj e një tokë të re’ ku do të sundojë drejtësia.—2 Pjetrit 3:13.

13. Ç’përgjegjësi vijnë kur e pranojmë Biblën si Fjalën e Perëndisë?

13 Megjithatë, s’duhet të harrojmë se kemi përgjegjësi ta studiojmë Biblën dhe t’i marrim seriozisht fjalët e saj. Perëndia na këshillon: «Biri im, mos e harro ligjin tim dhe zemra jote le t’i ruajë urdhërimet e mia.» (Proverbat 3:1) Edhe nëse për shumicën e njerëzve Bibla është thjesht fjalë njerëzish, me guxim le të tregojmë se ‘Perëndia është i vërtetë, edhe sikur çdo njeri të dalë gënjeshtar’. (Romakëve 3:4) Lër që mençuria e Perëndisë të të drejtojë hapat që hedh në jetë. «Beso te Jehovai me gjithë zemër. . . . Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua.» (Proverbat 3:5, 6) Nëse i vë veshin Fjalës së Perëndisë, tregon mençuri dhe do të kesh dobi jo vetëm tani, por në përjetësi.

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 187]

Nuk mjafton vetëm të lexojmë Biblën, por duhet edhe ta zbatojmë atë që lexojmë

[Diçitura në faqen 188]

Kur ndjek atë që thotë Bibla, të del gjithmonë për mirë