Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund ta duroj hidhërimin?

Si mund ta duroj hidhërimin?

«NDIEJA një presion të madh brenda meje, për t’i mposhtur ndjenjat e mia»,​—shpjegon Maiku, duke kujtuar vdekjen e të atit. Për Maikun, mposhtja e hidhërimit do të thoshte të sillej si burrë. Megjithatë, më vonë e kuptoi se e kishte gabim. Kështu, kur vdiq gjyshi i një shokut të tij, Maiku dinte se ç’të bënte. Ai thotë: «Dy vjet më parë, do ta kisha prekur në sup dhe do t’i kisha thënë: ‘Bëhu burrë!’ Tani, i preka krahun dhe i thashë: ‘Ndihu si të kesh qejf. Do të të ndihmojë për t’i bërë ballë. Po deshe që të shkoj, do të shkoj. Po deshe të rri, do të rri. Por, mos ki frikë të shprehesh.’»

Edhe Maria Ana ndihej e detyruar për t’i përmbajtur ndjenjat kur i vdiq i shoqi. «Kisha shumë merak që të isha një shembull i mirë për të tjerët,​—kujton ajo,​—që të mos ia lejoja vetes ndjenjat e zakonshme. Por përfundimisht, mësova se përpjekja për të qenë një kolonë mbështetjeje për të tjerët nuk më ndihmonte. Fillova të analizoja gjendjen time dhe të thosha: ‘Qaj nëse të qahet. Mos u mundo të jesh e fortë. Shfryje dufin.’»

Pra, si Maiku edhe Maria Ana, rekomandojnë: Shfryje hidhërimin! Dhe ata kanë të drejtë. Pse? Sepse hidhërimi është një lehtësim i nevojshëm emocional. Shfaqja e ndjenjave mund të ta lehtësojë shtypjen nën të cilën ndodhesh. Shprehja e natyrshme e emocioneve, nëse shoqërohet me kuptueshmëri dhe informacion të saktë, të lejon që t’i vendosësh ndjenjat në perspektivën e duhur.

Natyrisht, jo të gjithë e shprehin njësoj hidhërimin e tyre. Dhe faktorë të tillë, si vdekja e një njeriu të dashur papritur apo edhe pas një sëmundjeje të gjatë, mund të ndikojë mbi reagimin emocional të të afërmve. Por diçka duket e sigurt: shtypja e ndjenjave mund të jetë e dëmshme fizikisht dhe emocionalisht. Është shumë e shëndetshme nëse e shfryn hidhërimin. Në ç’mënyrë? Shkrimet përmbajnë këshilla praktike.

Si ta shfryjmë hidhërimin?

Mund të të jetë e dobishme të flasësh. Pas vdekjes së të dhjetë fëmijëve të tij, si edhe pas disa tragjedive të tjera personale, patriarku i lashtë, Jobi, tha: «Jam neveritur nga jeta ime; do të shfryj lirisht vajtimin tim, duke folur në trishtimin e shpirtit tim!» (Jobi 1:2, 18, 19; 10:1) Jobi nuk mundi ta mbante më shqetësimin e tij. Ai kishte nevojë ta shfrynte, duhej ‘të fliste’. Në mënyrë të ngjashme, dramaturgu anglez Shekspiri, shkroi në Makbeth: «Po zbraze vrerin; helmi që s’po flet shpon zemrën e përmbushur dhe pëlcet.»

Pra, të flasësh mbi ndjenjat e tua me «një shok të vërtetë», që do të dëgjojë me durim dhe dhembshuri, mund të të sjellë një farë lehtësimi. (Proverbat 17:17) Duke e shprehur me fjalë atë që po kalon dhe ndien, shpesh është më e lehtë për ta kuptuar atë dhe për ta përballuar. Dhe nëse dëgjuesi është një tjetër person që ka përballuar humbjen e dikujt, atëherë mund të nxjerrësh disa sugjerime praktike se si t’ia dalësh mbanë. Kur i vdiq fëmija, një nënë shpjegoi se përse ishte e dobishme të fliste me një grua tjetër që kishte përballuar po atë humbje: «U forcova shumë kur mësova se edhe dikush tjetër kishte kaluar të njëjtën gjë dhe se e kishte kaluar pa u dëmtuar, se ende mbijetonte dhe se kishte gjetur një farë rregulli në jetën e saj.»

Shembujt e Biblës tregojnë se të shkruarit e ndjenjave mund të të ndihmojnë për të shprehur hidhërimin tënd

Po sikur të mos gjesh ngushëllim edhe duke folur mbi ndjenjat e tua? Pas vdekjes së Saulit dhe Xhonatanit, Davidi kompozoi një këngë vajtimi shumë prekëse, në të cilën derdhi hidhërimin e tij. Kjo këngë vaji u bë më vonë pjesë e tregimit të shkruar në librin e dytë biblik të Samuelit. (2. Samuelit 1:17-27; 2. Kronikat 35:25) Po kështu, për dikë mund të jetë më e lehtë të shprehet duke shkruar. Një vejushë raportoi se i kishte hedhur me shkrim të gjitha ndjenjat e saj dhe disa ditë më pas lexonte çfarë kishte shkruar. Kjo ishte shumë e dobishme për të.

Duke folur apo duke shkruar, shprehja e ndjenjave mund të të ndihmojë për të shfryrë hidhërimin. Gjithashtu, kjo mund të ndihmojë edhe për të sqaruar keqkuptimet. Një nënë e hidhëruar shpjegon: «Im shoq dhe unë kishim dëgjuar për çifte të tjera që ishin divorcuar pasi kishin humbur një fëmijë, por nuk donim që kjo të ndodhte edhe me ne. Prandaj, sa herë që ndiheshim të zemëruar, me dëshirën për të fajësuar njëri-tjetrin, flisnim për këtë. Mendoj se duke vepruar kështu u afruam me të vërtetë me njëri-tjetrin.» Pra, nëse i bën të ditura ndjenjat e tua, kjo mund të të ndihmojë për të kuptuar që edhe pse vuajnë të njëjtën humbje, të tjerët mund të hidhërohen tjetërsoj: sipas intensitetit dhe mënyrës së tyre.

Diçka tjetër që mund të të lehtësojë shfryrjen e hidhërimit, është të qash. Ka «një kohë për të qarë» thotë Bibla. (Eklisiastiu 3:1, 4) Dhe një kohë e tillë është sigurisht vdekja e një njeriu të dashur. Lotët e hidhërimit duket se janë të nevojshëm për të rimarrë veten.

Një vajzë e re shpjegon se si e ndihmoi një shoqe e ngushtë për të përballuar vdekjen e së ëmës. Ajo kujton: «Shoqja ime ishte gjithnjë aty me mua. Qante me mua. Fliste me mua. Mund t’i shprehja hapur emocionet e mia dhe kjo ishte e rëndësishme për mua. Nuk ndihesha në siklet nëse qaja.» (Shiko Romakëve 12:15.) As ti nuk duhet të kesh turp nëse derdh lot. Siç kemi parë, Bibla është plot shembuj me burra e gra besnike, duke përfshirë edhe Jezu Krishtin, që fare hapur derdhën lotë hidhërimi, pa ndonjë trazim të dukshëm.​—Zanafilla 50:3; 2. Samuelit 1:11, 12; Gjoni 11:33, 35.

Në cilëndo kulturë, njerëzit e hidhëruar e vlerësojnë ngushëllimin që u jepet

Mund të vëresh se për njëfarë kohe, emocionet e tua do të jenë disi të papritura. Lotët mund të vërshojnë pa shumë paralajmërime. Një vejushë vuri re se psonisja në supermarkatë (gjë që ajo e kishte bërë shpesh me të shoqin) i sillte lot, veçanërisht kur, për zakon, blinte ushqime që burrit të saj i kishin pëlqyer shumë. Bëhu i durueshëm me veten. Dhe mos mendo se duhet t’i mbash lotët. Mos harro, ato janë diçka e natyrshme dhe e nevojshme gjatë hidhërimit.

Të përballosh ndjenjën e fajit

Siç është vërejtur edhe më parë, disa provojnë ndjenja faji pas vdekjes së një njeriu të dashur. Kjo mund të na ndihmojë për të kuptuar hidhërimin e madh të Jakobit besnik, kur e shtynë të besonte se biri i tij, Jozefi, ishte vrarë nga një «kafshë e egër». Vetë Jakobi e kishte dërguar Jozefin për t’u interesuar për shëndetin e vëllezërve të tij. Kështu që Jakobi mund të mundohej nga ndjenja të tilla faji si: «Përse e dërgova Jozefin vetëm? Përse e dërgova në një zonë plot me kafshë të egra.»​—Zanafilla 37:33-35.

Ndoshta mund të mendosh se ndonjë nënvlerësim nga ana jote, mund t’i ketë kontribuar vdekjes së njeriut tënd të dashur. Duke e kuptuar se kjo ndjenjë faji, e vërtetë apo e imagjinuar, është një reagim normal ndaj hidhërimit, mund të të jetë e dobishme. Edhe në këtë rast, mos i mbaj të mbyllura brenda vetes këto ndjenja. Duke folur mbi faktin se ndihesh fajtor, mund të gjesh lehtësimin që të nevojitet aq shumë.

Kuptoje, pra, se pavarësisht se sa shumë e duam një person, ne nuk mund të kontrollojmë jetën e tij apo të saj dhe as mund të ndalojmë që «koha dhe rastësia» të bjerë mbi ata që duam. (Eklisiastiu 9:11) Përveç kësaj, nuk ka dyshim që motivet e tua s’kanë qenë të këqija. Për shembull, duke mos e marrë më shpejt mjekun, a dëshiroje që i dashuri yt të sëmurej apo të vdiste? Natyrisht që jo! Pra, a je me të vërtetë fajtor për vdekjen e tij? Jo.

Një nënë mësoi si ta përballonte ndjenjën e fajit, pasi e bija vdiq në një aksident me makinë. Ajo shpjegon: «Ndihesha fajtore që e kisha nxjerrë jashtë. Por arrita të kuptoja se ishte qesharake të ndihesha kështu. S’kishte asgjë të gabuar nëse e dërgova me të atin për të blerë diçka. Ishte thjesht një aksident i tmerrshëm.»

«Por ka kaq shumë gjëra që do të dëshiroja të thosha apo të bëja»,​—mund të thuash. Vërtet, por cili prej nesh mund të thotë se ka qenë një baba, nënë apo fëmijë i përsosur? Bibla na kujton: «Të gjithë gabojmë në shumë gjëra. Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur.» (Jakovit 3:2; Romakëve 5:12) Pranoje, pra, faktin se je i papërsosur. Duke bluar me vete të gjitha llojet e «sikur»-eve, nuk do të ndryshosh asgjë, vetëm mund të të pengojë të marrësh veten.

Nëse ke arsye të forta për të besuar se faji yt është i vërtetë dhe jo i imagjinuar, atëherë merr në konsideratë faktorin më të rëndësishëm që ekziston për lehtësimin e fajit: faljen e Perëndisë. Bibla na siguron: «Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot? Por te ti ka falje.» (Psalmi 130:3, 4) Ti nuk mund ta rikthesh të shkuarën dhe as të ndryshosh gjë. Megjithatë, mund të kërkosh faljen e Perëndisë për gabimet e së shkuarës. Po pastaj? E pra, nëse Perëndia premton se do t’i falë gabimet, a nuk duhet që edhe ti ta falësh vetveten?​—Proverbat 28:13; 1. Gjonit 1:9.

Të mposhtësh zemërimin

Mos je ndoshta edhe disi i zemëruar me doktorët, me infermieret, me miqtë apo edhe me vetë të vdekurin? Kuptoje se edhe ky është një reagim i zakonshëm mbas humbjes. Ndoshta, zemërimi yt është një rrjedhojë e natyrshme e dhimbjes që ndien. Një shkrimtar tha: «Vetëm duke qenë të vetëdijshëm për zemërimin, jo duke vepruar i shtyrë prej tij, por duke e kuptuar se e ndjen, mund të lirohesh prej ndikimit të tij rrënues.»​—Shiko gjithashtu Efesianëve 4:25, 26.

Mund të të jetë gjithashtu e dobishme ta shprehësh apo ta shfrysh zemërimin. Në ç’mënyrë? Sigurisht, jo me shpërthime të pakontrolluara. Bibla paralajmëron se zemërimi i zgjatur është i rrezikshëm. (Proverbat 14:29, 30) Por mund të ngushëllohesh, duke folur për të me një mik që të kupton. Për disa që ndihen të zemëruar, ushtrimet e fuqishme mund të sigurojnë shfryrjen e duhur.

Edhe pse është e rëndësishme të jemi të hapur dhe të sinqertë në ndjenjat tona, duhet pasur kujdes. Ka një ndryshim të madh midis shprehjes së ndjenjave dhe zbrazjes së tyre mbi të tjerët. Nuk është e nevojshme të fajësojmë të tjerët për zemërimin dhe zhgënjimin tonë. Tregohu i vëmendshëm, pra, që t’i shprehësh ndjenjat e tua, por jo në një mënyrë armiqësore. (Proverbat 18:21) Ekziston diçka mbi gjithë të tjerat që të ndihmon për të përballuar hidhërimin dhe tani do të flasim për të.

Ndihma e Perëndisë

Bibla na siguron: «Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» (Psalmi 34:18) Po, më shumë se çdo gjë tjetër, një marrëdhënie me Perëndinë do të të ndihmojë për të përballuar vdekjen e një njeriu të dashur. Si? Të gjitha sugjerimet praktike të ofruara deri tani, bazohen apo janë në përputhje me Fjalën e Perëndisë, Biblën. Zbatimi i tyre mund të të ndihmojë për t’i bërë ballë.

Veç kësaj, mos e nënvleftëso vlerën e lutjes. Bibla na nxit: «Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të të mbajë.» (Psalmi 55:22) Nëse mund të gjesh ndihmë duke folur për ndjenjat e tua me një shok të dhembshur, sa më shumë do të gjesh nëse ia hap zemrën ‘Perëndisë së çdo ngushëllimi’?​—2. Korintasve 1:3.

Nuk është thjesht lutja që na bën të ndihemi më mirë. Ai «që plotëson lutjen» premton se do t’u japë frymën e shenjtë shërbëtorëve të tij që e lypin sinqerisht atë. (Psalmi 65:2; Luka 11:13) Dhe fryma e shenjtë e Perëndisë, ose forca aktive, do të të japë «fuqi përtej të zakonshmes», për të shkuar përpara ditë pas dite. (2. Korintasve 4:7, BR) Mos harro: Perëndia ka mundësi t’i ndihmojë shërbëtorët e tij për të duruar çfarëdolloj problemi që të hasin.

Një grua, së cilës vdekja i rrëmbeu një fëmijë, kujton se si e kishte ndihmuar fuqia e lutjes atë dhe të shoqin, për të përballuar humbjen. «Nëse ndodheshim në shtëpi mbrëmjeve dhe hidhërimi bëhej i papërballueshëm, ne luteshim së bashku me zë të lartë,​—shpjegon ajo.​—Herën e parë që na duhej të bënim diçka pa të, mbledhja e parë në kongregacion apo asambleja e parë që ndoqëm, luteshim për forcë. Kur zgjoheshim në mëngjes dhe realiteti na dukej i padurueshëm, i luteshim Jehovait të na ndihmonte. Për disa arsye, për mua ishte me të vërtetë traumatike të hyja në shtëpi e vetme. Prandaj, sa herë që vija në shtëpi vetëm, patjetër do t’i drejtoja një lutje Jehovait për të më ndihmuar që të ruaja në njëfarë mënyre qetësinë.» Kjo grua besnike, vendosmërisht dhe me të drejtë beson se ato lutje e ndihmuan vërtet. Edhe ti mund të vëresh se në përgjigje të lutjeve të tua të vazhdueshme, ‘paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrën tënde dhe mendjen tënde’.​—Filipianëve 4:6, 7; Romakëve 12:12.

Ndihma që na siguron Perëndia bën me të vërtetë ndryshime. Apostulli i krishterë Pavël deklaroi se Perëndia «na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi.» Vërtetë, ndihma hyjnore nuk e eliminon dhimbjen, por e bën më të lehtë për t’u duruar. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të qash më apo ta harrosh njeriun tënd të dashur. Por mund të marrësh veten. Dhe ndërsa vepron kështu, ajo që ke provuar mund të të bëjë më të kuptueshëm dhe më të dhembshur për të ndihmuar të tjerët që të përballojnë një humbje të ngjashme.​—2. Korintasve 1:4.