Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI PESË

Stërvitini fëmijët që në foshnjëri

Stërvitini fëmijët që në foshnjëri

1, 2. Ku duhet të kërkojnë ndihmë prindërit për rritjen e fëmijëve të tyre?

«BIJTË janë një trashëgimi që vjen nga Zoti»,​—brohoriti me çmueshmëri një prind, rreth 3.000 vjet më parë. (Psalmi 127:3) Në fakt, gëzimi që provon kur je prind është një shpërblim prej Perëndisë, një shpërblim që është në dispozicion të shumicës së njerëzve të martuar. Megjithatë, ata që kanë fëmijë, e kuptojnë shpejt se bashkë me gëzimin, të qenët prind sjell edhe përgjegjësi.

2 Veçanërisht sot, rritja e fëmijëve është një punë shumë e madhe. Gjithsesi, shumë veta e kanë kryer me sukses dhe psalmisti i frymëzuar thekson se si, duke thënë: «Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, më kot lodhen ndërtuesit.» (Psalmi 127:1) Sa më afër të ndiqni udhëzimet e Jehovait, aq më shumë do të bëheni prindër më të mirë. Bibla thotë: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd.» (Proverbat 3:5) A jeni të gatshëm të dëgjoni këshillat e Jehovait, ndërsa filloni projektin tuaj 20-vjeçar të rritjes së fëmijëve?

TË PRANOJMË PIKËPAMJEN E BIBLËS

3. Çfarë përgjegjësie kanë baballarët në rritjen e fëmijëve?

3 Në shumë shtëpi anembanë botës, burrat e shohin stërvitjen e fëmijëve kryesisht si një punë të grave. Vërtet, Fjala e Perëndisë thekson rolin kryesor të babait në sigurimin e bukës. Megjithatë, ajo thotë edhe se ai ka përgjegjësi në shtëpi. Bibla thotë: «Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.» (Proverbat 24:27) Sipas pikëpamjes së Perëndisë, baballarët dhe nënat janë partnerë në stërvitjen e fëmijëve.​—Proverbat 1:8, 9.

4. Përse nuk duhet t’i konsiderojmë fëmijët meshkuj si më superiorë se femrat?

4 Si i konsideroni fëmijët tuaj? Raportet thonë se në Azi «foshnjet vajza shpesh nuk janë të mirëpritura». Sipas raporteve, paragjykimet ndaj vajzave ekzistojnë ende në Amerikën Latine, madje edhe në gjirin e «shumë familjeve të emancipuara». Por e vërteta është se vajzat nuk janë fëmijë të dorës së dytë. Jakobi, një baba i njohur i kohëve të lashta, i përshkroi të gjithë pasardhësit e tij, duke përfshirë edhe ndonjë vajzë që i kishte lindur në atë kohë, si «bijtë që Perëndia pati mirësinë t’i japë [atij]». (Zanafilla 33:1-5; 37:35) Në mënyrë të ngjashme, Jezui i bekoi të gjithë «fëmijët e vegjël» (djem e vajza) që i sollën. (Mateu 19:13-15) Mund të jemi të sigurt se ai pasqyroi pikëpamjen e Jehovait.​—Ligji i përtërirë 16:14.

5. Cilat shqyrtime duhet të drejtojnë vendimin e një çifti, në lidhje me madhësinë e familjes së tyre?

5 A është e zakonshme në zonën ku banoni që një grua të lindë sa më shumë fëmijë që mundet? Me të drejtë, është vendim personal i një çifti të martuar se sa fëmijë do të kenë. Por, si i bëhet nëse prindërit nuk i kanë mjetet për të ushqyer, për të veshur e për të edukuar shumë fëmijë? Sigurisht, çifti duhet t’i marrë parasysh këto gjëra kur të vendosë për madhësinë e familjes. Disa çifte që s’mund t’i përballojnë të gjithë fëmijët e tyre, ua besojnë të afërmve përgjegjësinë për të rritur disa prej tyre. A është e vlefshme kjo praktikë? Në të vërtetë jo. Ajo nuk i lehtëson prindërit nga përgjegjësia për fëmijët e tyre. Bibla thotë: «Në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin.» (1. Timoteut 5:8) Çiftet që marrin përgjegjësinë përpiqen të planifikojnë madhësinë e «shtëpisë» së tyre, në mënyrë që të mund ‘të kujdesen për të vetët’. A mund të praktikojnë ata kontrollimin e lindjeve për këtë qëllim? Edhe ky është një vendim personal dhe nëse çiftet e martuara vendosin të veprojnë kështu, zgjedhja e mjetit kundër ngjizjes është po ashtu një çështje personale. «Secili do të mbajë barrën e vet.» (Galatasve 6:5) Megjithatë, kontrollimi i lindjeve, që përfshin çdo lloj forme të abortit, është në kundërshtim me parimet e Biblës. Perëndia Jehova është «burimi i jetës». (Psalmi 36:9) Prandaj, të shkatërrosh një jetë pasi ajo të jetë ngjizur, tregon një mungesë të madhe respekti për Të dhe është diçka e barabartë me vrasjen.​—Dalja 21:22, 23; Psalmi 139:16; Jeremia 1:5.

PËRMBUSHNI NEVOJAT E FËMIJËVE TUAJ

6. Kur duhet të fillojë stërvitja e fëmijës?

6 Proverbat 22:6 thotë: «Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë.» Edukimi i fëmijëve është një tjetër detyrë e madhe e prindërve. Kur duhet të fillojë, pra, ky edukim? Shumë herët. Apostulli Pavël vërejti se Timoteu ishte edukuar «që nga foshnjëria». (2. Timoteut 3:15, BR) Fjala greke që është përdorur këtu mund t’i referohet një foshnjeje të vogël ose edhe një fëmije të palindur. (Luka 1:41, 44; Veprat 7:18-20) Pra, me të drejtë Timoteu mori stërvitje qysh kur ishte tepër i ri. Foshnjëria është koha ideale për të filluar stërvitjen e një fëmije. Edhe një foshnjë e vogël ka uri për njohurinë.

7. (a) Përse është e rëndësishme që të dy prindërit të zhvillojnë një marrëdhënie të ngushtë me foshnjën? (b) Cila marrëdhënie ekzistonte ndërmjet Jezuit dhe Atit të tij, qysh prej fillimeve të hershme?

7 «Kur e pashë për herë të parë fëmijën tim,​—thotë një nënë,​—rashë në dashuri me të.» Kështu ndodh me shumicën e nënave. Kjo lidhje e bukur ndërmjet nënës dhe foshnjës rritet, ndërsa ata kalojnë kohë së bashku pas lindjes. Ushqimi me gjirin e nënës e shton këtë intimitet (Krahaso 1. Selanikasve 2:7.) Përkëdheljet dhe fjalët që nëna i thotë fëmijës së saj, janë të rëndësishme për të përmbushur nevojat emocionale të foshnjës. (Krahaso Isainë 66:12.) Ç’të themi për babain? Edhe ai duhet të formojë një lidhje të ngushtë e të dashur me pasardhësin e tij të ri. Vetë Jehovai është një shembull për këtë. Në librin e Proverbave, lexojmë për lidhjen e Jehovait me Birin e tij të vetëm lindur, i cili paraqitet duke thënë: «Jehovai vetë më prodhoi si fillimin e rrugës së tij . . . Unë u bëra ai me të cilin kënaqej ditë për ditë.» (Proverbat 8:22, 30, BR; Gjoni 1:14) Në mënyrë të ngjashme, një baba i mirë kultivon një marrëdhënie të ngrohtë e të dashur me fëmijën e tij qysh në fillim të jetës së vogëlushit. «Tregoni shumë dashuri të përzemërt,​—thotë një prind.​—Asnjë fëmijë s’ka vdekur ndonjëherë nga përqafimet dhe puthjet.»

8. Cilën nxitje mendore duhet t’u japin prindërit foshnjave sa më shpejt të jetë e mundur?

8 Por fëmijët kanë nevojë për më shumë. Që nga çasti i lindjes, truri i tyre është i gatshëm të marrë e të magazinojë fakte dhe prindërit janë një burim kryesor për to. Të marrim gjuhën, për shembull. Kërkuesit thonë që fakti se sa mirë mëson një fëmijë të flasë e të lexojë, «mendohet se është i lidhur ngushtë me natyrën e marrëdhënieve të hershme të foshnjës me prindërit e tij». Flitni dhe lexoni me fëmijët tuaj qysh nga foshnjëria e në vazhdim. Së shpejti, ai do të ketë dëshirë t’ju kopjojë e nuk do të kalojë shumë kohë kur do t’i mësoni të lexojë. Ka të ngjarë që të jetë në gjendje të lexojë përpara se të hyjë në shkollë. Kjo do të jetë veçanërisht e dobishme nëse banoni në një vend ku mësuesit janë të paktë dhe shkollat plot.

9. Cili është synimi më i rëndësishëm që prindërit duhet të kujtojnë?

9 Shqetësimi më i madh i prindërve të krishterë është përmbushja e nevojave frymore të fëmijëve. (Shiko Ligjin e përtërirë 8:3.) Me cilin synim? Të ndihmojnë fëmijët që të zhvillojnë një personalitet ngjashëm Krishtit, në fakt, të veshin «personalitetin e ri». (Efesianëve 4:24) Për këtë arsye ata duhet të shqyrtojnë materiale dhe metoda të përshtatshme ndërtuese.

NGULISNI TË VËRTETËN TE FËMIJËT TUAJ

10. Çfarë cilësish kanë nevojë të zhvillojnë fëmijët?

10 Cilësia e një ndërtese varet në një masë të madhe nga lloji i materialeve që përdoren në strukturë. Apostulli Pavël tha se materialet më të mira të ndërtimit për personalitetin e krishterë janë «ar, argjend, gurë të çmuar». (1. Korintasve 3:10-12) Këto përfaqësojnë cilësi të tilla, si besimi, mençuria, aftësia shquese, besnikëria, respekti dhe vlerësimi i dashur për Jehovain dhe për ligjet e tij. (Psalmi 19:7-11; Proverbat 2:1-6; 3:13, 14) Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre qysh nga fëmijëria e hershme, që të zhvillojnë këto cilësi? Duke ndjekur një procedurë të theksuar shumë kohë më parë.

11. Si i ndihmonin prindërit izraelitë fëmijët, që të zhvillonin një personalitet hyjnor?

11 Pak para se kombi i Izraelit të hynte në Tokën e Premtuar, Jehovai u tha prindërve izraelitë: «Këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Po, prindërit duhet të jenë shembuj, shokë, komunikues dhe mësues për fëmijët e tyre.

12. Përse është jetësore që prindërit të sigurojnë një shembull të mirë?

12 Jini shembuj. Së pari, Jehovai tha: «Këto fjalë . . . do të mbeten në zemrën tënde.» Pastaj, shtoi: «Do t’ua ngulitësh bijve të tu.» Pra, cilësitë hyjnore duhet të jenë së pari në zemrat e prindërve. Prindi duhet të dojë të vërtetën e të jetojë sipas saj. Vetëm atëherë mund të prekë zemrën e fëmijës. (Proverbat 20:7) Përse? Sepse fëmijët ndikohen më shumë nga ato që shohin, sesa nga ato që dëgjojnë.​—Luka 6:40; 1. Korintasve 11:1.

13. Në ç’mënyrë prindërit e krishterë mund të kopjojnë shembullin e Jezuit, për sa i përket vëmendjes që u kushtojnë fëmijëve të tyre?

13 Jini shokë. Jehovai u tha prindërve në Izrael: ‘Flisni me fëmijët tuaj kur rrini ulur në shtëpinë tuaj dhe kur ecni rrugës.’ Kjo kërkon që prindërit të kalojnë kohë me fëmijët, pavarësisht se sa të zënë janë. Është e dukshme se Jezui mendonte që fëmijët e meritonin kohën që ai u kushtonte. Gjatë ditëve të fundit të shërbimit të tij, «i prunë disa fëmijë të vegjël që ai t’i prekte ata». Si reagoi Jezui? Ai «i mori në krahë, i bekoi». (Marku 10:13, 16) Le të përfytyrojmë pak, orët e fundit të jetës së Jezuit po afroheshin me të shpejtë. Megjithatë, ai u dha atyre fëmijëve kohën dhe vëmendjen e tij. Sa mësim i shkëlqyer!

14. Përse është e dobishme që prindërit të kalojnë kohë me fëmijët e tyre?

14 Jini komunikues. Koha që kaloni me fëmijën tuaj do t’ju ndihmojë të komunikoni me të. Sa më shumë të komunikoni, aq më mirë do të shquani se si po zhvillohet personaliteti i tij. Megjithatë, mos harroni se të komunikosh do të thotë më shumë se të flasësh. «Më duhej të zhvilloja artin e të dëgjuarit,​—tha një nënë në Brazil,​—duke dëgjuar me zemër.» Durimi i saj dha fryte, kur djali filloi t’i hapej për gjërat që mendonte.

15. Çfarë duhet mbajtur ndër mend kur bëhet fjalë për periudhën e pushimit?

15 Fëmijët kanë nevojë për «një kohë për të qeshur . . . dhe një kohë për të hedhur valle». (Eklisiastiu 3:1, 4; Zaharia 8:5) Periudhat e pushimit janë shumë frytdhënëse nëse prindërit dhe fëmijët i gëzojnë ato së bashku. Është një fakt i trishtueshëm që në shumë shtëpi, periudha e pushimit do të thotë të shohësh televizorin. Edhe pse disa programe televizive mund të jenë zbavitëse, shumë prej tyre shkatërrojnë vlerat e mira dhe shikimi i televizorit ka prirje t’i zërë frymën komunikimit në një familje. Prandaj, përse të mos bëni diçka ndërtuese me fëmijët tuaj? Këndoni, bëni lojra, shoqërohuni me miq, vizitoni vende të bukura. Aktivitete të tilla nxisin komunikimin.

16. Çfarë duhet t’u mësojnë prindërit fëmijëve në lidhje me Jehovain dhe në ç’mënyrë?

16 Jini mësues. «Do t’ua ngulitësh [këto fjalë] bijve të tu»,​—tha Jehovai. Konteksti ju tregon çfarë dhe si të mësoni. Së pari, «ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde». (Ligji i përtërirë 6:5) Pastaj, «këto fjalë . . . do t’ua ngulitësh». Dhënia e mësimit ka si objektiv të zhvillojë një dashuri me gjithë shpirt për Jehovain dhe për ligjet e tij. (Krahaso Hebrenjve 8:10.) Fjala «të ngulitësh» do të thotë të mësosh duke përsëritur. Pra, me një fjalë, Jehovai po ju thotë se mënyra kryesore për të ndihmuar fëmijët që të zhvillojnë një personalitet hyjnor, është të flisni vazhdimisht për të. Kjo do të thotë edhe të keni me ta një studim të rregullt biblik.

17. Çfarë duhet të zhvillojnë prindërit te fëmijët e tyre? Përse?

17 Shumica e prindërve e dinë se nuk është e lehtë të futësh informata në zemrën e një fëmije. Apostulli Pjetër i nxiti bashkë të krishterët: «Si foshnja të sapolindura, ushqeni një dëshirë të zjarrtë për qumështin e patrazuar që i përket fjalës.» (1. Pjetrit 2:2, BR) Shprehja «ushqeni një dëshirë të zjarrtë» sugjeron se shumë veta nuk janë në mënyrë të natyrshme të uritur për ushqimin frymor. Ndoshta, prindërit mund të kenë nevojë që të gjejnë mënyra për të zhvilluar këtë dëshirë të zjarrtë në fëmijët e tyre.

18. Cilat janë disa metoda mësimi të Jezuit, të cilat prindërit janë të inkurajuar t’i imitojnë?

18 Jezui preku zemrat duke përdorur ilustrime. (Marku 13:34; Luka 10:29-37) Kjo metodë mësimi është veçanërisht frytdhënëse me fëmijët. Mësojuni parimet e Biblës, duke përdorur tregime me ngjyra dhe interesante, mbase ato që gjenden në botimin Libri im i tregimeve biblike. * Mbajini të përfshirë fëmijët. Le të përdorin aftësinë e tyre krijuese, duke vizatuar dhe dramatizuar ngjarje nga Bibla. Jezui përdori edhe pyetje. (Mateu 17:24-27) Imitoni metodën e tij gjatë studimit tuaj familjar. Në vend se vetëm të pohoni një ligj të Perëndisë, bëni pyetje të tilla: «Përse na e ka dhënë Jehovai këtë ligj? Ç’do të ndodhë nëse e mbajmë atë? Ç’do të ndodhë sikur të mos e mbajmë?» Pyetje të tilla e ndihmojnë një fëmijë të arsyetojë dhe të kuptojë se ligjet e Perëndisë janë praktike dhe të mira.​—Ligji i përtërirë 10:13.

19. Nëse prindërit ndjekin parime biblike në sjelljen me fëmijët e tyre, çfarë përparësish të mëdha do të gëzojnë fëmijët?

19 Duke qenë shembuj, shokë, komunikues dhe mësues, do ta ndihmoni fëmijën tuaj për të formuar që në vitet e tij të hershme një marrëdhënie të ngushtë personale me Perëndinë Jehova. Kjo marrëdhënie do ta inkurajojë fëmijën që të jetë i lumtur si i krishterë. Ai do të përpiqet të jetojë në lartësinë e besimit të tij edhe atëherë, kur të ballafaqohet me presionet e bashkëmoshatarëve dhe me tundimet. Ndihmojeni gjithmonë që ta vlerësojë këtë marrëdhënie të çmuar.​—Proverbat 27:11.

NEVOJA JETËSORE PËR DISIPLINË

20. Ç’është disiplina dhe si duhet zbatuar ajo?

20 Disiplina është stërvitje që korrigjon mendjen dhe zemrën. Fëmijët kanë nevojë vazhdimisht për të. Pavli i këshillon etërit «të rrisin [fëmijët e tyre] në disiplinën dhe në rregullin mendor të Jehovait». (Efesianëve 6:4, BR) Prindërit duhet të disiplinojnë në dashuri, ashtu siç bën edhe Jehovai. (Hebrenjve 12:4-11) Disiplina e mbështetur në dashurinë mund të jepet duke arsyetuar. Prandaj, na thuhet «të dëgjojmë disiplinën». (Proverbat 8:33) Si duhet të jepet disiplina?

21. Cilat parime duhet të mbajnë ndër mend prindërit, kur disiplinojnë fëmijët?

21 Disa prindër mendojnë se disiplinimi i fëmijëve do të thotë thjesht t’u flasësh me një ton kërcënues, t’u bërtasësh, apo edhe duke i sharë. Megjithatë, për të njëjtën temë Pavli këshilloi: «Ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijët tuaj.» (Efesianëve 6:4) Të gjithë të krishterët janë të nxitur të jenë «të sjellshëm me të gjithë . . . duke mësuar me butësi ata që nuk janë të gatshëm në mënyrë të favorshme». (2. Timoteut 2:24, 25, BR) Prindërit e krishterë, edhe pse e pranojnë nevojën për të qenë të vendosur, përpiqen t’i mbajnë në mendje këto fjalë, kur disiplinojnë fëmijët e tyre. Por, ndonjëherë, arsyetimi nuk është i mjaftueshëm dhe mund të jetë i nevojshëm ndonjë lloj ndëshkimi.​—Proverbat 22:15.

22. Nëse një fëmijë duhet ndëshkuar, për çfarë duhet ndihmuar të kuptojë?

22 Fëmijë të ndryshëm kërkojnë lloje të ndryshme disiplinimi. Disa ‘nuk ndreqen vetëm me fjalë’. Për ta, një ndëshkim i rastit, i dhënë për mosbindje, mund të jetë jetëshpëtues. (Proverbat 17:10; 23:13, 14; 29:19) Megjithatë, fëmija duhet të kuptojë përse është ndëshkuar. «Shufra dhe qortimi japin dituri.» (Proverbat 29:15; Jobi 6:24) Për më tepër, ndëshkimi ka kufij. Jehovai i tha popullit të tij: «Do të të ndëshkoj me një masë të drejtë.» (Jeremia 46:28b) Bibla nuk i miraton rrahjet e zemëruara apo edhe të ashpra, të cilat i lënë shenja dhe madje e dëmtojnë fëmijën.​—Proverbat 16:32.

23. Çfarë duhet të jetë në gjendje të shquajë një fëmijë, kur ndëshkohet prej prindërve?

23 Kur Jehovai e paralajmëroi popullin e tij se do ta disiplinonte, fillimisht ai tha: «Mos u tremb . . . sepse unë jam me ty.» (Jeremia 46:28a) Në mënyrë të ngjashme, disiplina e prindërve, në cilëndo formë të përshtatshme, kurrë nuk duhet t’i lërë të shpërfillura ndjenjat e një fëmije. (Kolosianëve 3:21) Përkundrazi, fëmija duhet ta ndiejë se disiplina iu dha ngaqë prindi është ‘me të’, apo përkrah tij.

MBROJINI FËMIJËT TUAJ NGA DËMTIMET

24, 25. Prej cilit kërcënim të ndyrë kanë nevojë të mbrohen fëmijët në këto ditë?

24 Shumë të rritur e kujtojnë fëmijërinë e tyre si një kohë të lumtur. Ata sjellin ndër mend një ndjenjë të ngrohtë mbrojtjeje, sigurinë se prindërit do të kujdeseshin për ta sido që të shkonte puna. Prindërit duan që fëmijët e tyre të ndihen kështu, por në botën e sotme të degjeneruar, mbrojtja e fëmijëve është më e vështirë se më parë.

25 Një kërcënim i ndyrë që është zhvilluar vitet e fundit është ngacmimi seksual i fëmijëve. Në Malajzi, të dhënat mbi ngacmimet tek fëmijët janë katërfishuar në një periudhë dhjetëvjeçare. Në Gjermani, rreth 300.000 fëmijë abuzohen seksualisht çdo vit, ndërsa në një vend të Amerikës Latine, sipas një studimi, numri i përvitshëm është llogaritur në një shifër të hatashme prej 9.000.000! Në mënyrë tragjike, pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve janë ngacmuar nëpër shtëpitë e tyre, nga njerëz që ata i njihnin dhe u besonin. Por fëmijët duhet të kenë një mbrojtje të fuqishme: prindërit e tyre. Si mund të mbrojnë prindërit?

26. Cilat janë disa mënyra me të cilat mund të mbrohen fëmijët dhe si mund ta mbrojë njohuria një fëmijë?

26 Pasi përvoja tregon se fëmijët që dinë pak për seksin janë veçanërisht viktima të ngacmimeve, një hap i madh mbrojtës do të ishte t’i edukonit fëmijët, madje qysh kur janë ende të vegjël. Njohuria mund të sigurojë mbrojtje «për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija». (Proverbat 2:10-12) Cila njohuri? Njohuria e parimeve të Biblës, e asaj që është moralisht e drejtë dhe e gabuar. Gjithashtu, edhe njohuria se disa të rritur bëjnë gjëra të këqija dhe se një i ri nuk duhet të bindet kur njerëzit i sugjerojnë veprime të papërshtatshme. (Krahaso Danieli 1:4, 8; 3:16-18.) Mos i kufizoni udhëzime të tilla në një fjalim të rastit. Shumica e fëmijëve të vegjël kanë nevojë t’ua përsëritësh një mësim përpara se ta kujtojnë mirë. Pak nga pak që fëmija nis e rritet, një baba i dashur duhet të respektojë të drejtën e vajzës së tij për privacitet, ndërsa mamaja të drejtën e të birit, duke përforcuar kështu ndjenjën e fëmijës për çfarë është e përshtatshme. Natyrisht, një nga mbrojtjet më të mira kundër abuzimit është edhe mbikëqyrja e afërt nga ana juaj, si prindër.

KËRKONI DREJTIMIN HYJNOR

27, 28. Cili është Burimi më i madh i ndihmës për prindërit, kur ballafaqohen me sfidën e rritjes së fëmijëve?

27 Vërtet, stërvitja e fëmijës që në foshnjëri përbën një sfidë, por prindërit besimtarë nuk duhet ta përballojnë të vetëm këtë sfidë. Në ditët e gjykatësve, kur një burrë i quajtur Manoah mësoi se do të bëhej baba, kërkoi që Jehovai ta drejtonte në stërvitjen e fëmijës. Jehovai iu përgjigj lutjeve të tij.​—Gjykatësit 13:8, 12, 24.

28 Po kështu edhe sot, në rritjen e fëmijëve të tyre, prindërit besimtarë mund t’i flasin Jehovait në lutje. Të jesh prind është punë e rëndë, por shpërblimet janë të mëdha. Një çift të krishterësh në Havai thotë: «Ke 12 vjet për ta përfunduar punën, përpara atyre viteve kritike të adoleshencës. Por, nëse ke punuar fort për të zbatuar parimet e Biblës, është koha të korrësh gëzim dhe paqe, kur ata vendosin se duan t’i shërbejnë Jehovait nga zemra.» (Proverbat 23:15, 16) Kur fëmija juaj të marrë këtë vendim, edhe ju do të ndiheni të nxitur të brohorisni: «Bijtë [dhe bijat] janë një trashëgimi që vjen nga Zoti.»

^ par. 18 Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.