Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI SHTATË

A ka ndonjë rebel në shtëpi?

A ka ndonjë rebel në shtëpi?

1, 2. (a) Çfarë ilustrimi bëri Jezui për të theksuar mungesën e besimit të krerëve fetarë hebrenj? (b) Çfarë pikash në lidhje me adoleshentët mund të mësojmë nga ilustrimi i Jezuit?

PAK ditë para se të vdiste, Jezui i drejtoi një grupi krerësh fetarë hebrenj një pyetje që të vinte në mendime. Ai tha: «Ç’mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: ‘Bir, shko sot të punosh në vreshtin tim’; por ai u përgjigj dhe tha: ‘Nuk dua’; por më vonë, i penduar, shkoi. Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: ‘Po, imzot, do ta bëj’, por nuk shkoi. Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?» Krerët hebrenj ia kthyen: «I pari.»​—Mateu 21:28-31.

2 Këtu, Jezui po theksonte mungesën e besimit nga ana e krerëve hebrenj. Ata ishin si djali i dytë, kishin premtuar të bënin vullnetin e Perëndisë e më pas nuk e mbajtën premtimin e tyre. Por shumë prindër do ta kuptojnë se ilustrimi i Jezuit mbështetej mbi një kuptueshmëri të mirë të jetës familjare. Siç e ilustroi bukur Jezui, shpesh është e vështirë të dish se ç’po mendojnë të rinjtë apo të thuash se ç’do të bëjnë ata. Një i ri mund të shkaktojë shumë probleme gjatë adoleshencës e pastaj, kur të rritet, të bëhet një burrë i përgjegjshëm dhe i respektuar. Kjo është diçka që duhet mbajtur parasysh, kur diskutojmë për problemin e rebelimit të adoleshentëve.

Ç’ËSHTË NJË REBEL?

3. Përse prindërit nuk duhet të shpejtohen për t’i quajtur fëmijët e tyre rebelë?

3 Në disa raste, ti mund të kesh dëgjuar për adoleshentë që rebelohen hapur kundër prindërve të tyre. Mund të kesh njohur edhe personalisht ndonjë familje, në të cilën duket se e kanë të pamundur të kontrollojnë një adoleshent. Megjithatë, nuk është gjithmonë e lehtë të kuptohet nëse një fëmijë është vërtet rebel. Për më tepër, mund të jetë e vështirë të kuptohet përse disa fëmijë rebelohen, ndërsa të tjerët, po prej së njëjtës shtëpi, nuk bëjnë kështu. Çfarë duhet të bëjnë prindërit, nëse dyshojnë se një prej fëmijëve të tyre mund të katandiset kokë e këmbë në një rebel? Për të dhënë një përgjigje, së pari duhet të flasim se ç’është një rebel.

4-6. (a) Çfarë është një rebel? (b) Ç’duhet të mbajnë ndër mend prindërit, nëse fëmija i tyre adoleshent tregohet i pabindur ndonjëherë?

4 Me fjalë të thjeshta, rebel është një person që vullnetarisht dhe vazhdimisht tregohet i pabindur apo i reziston dhe i kundërvihet një autoriteti më të lartë. Natyrisht, «marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës». (Proverbat 22:15) Prandaj, herët a vonë, të gjithë fëmijët i rezistojnë autoritetit prindëror apo të ndonjë lloji tjetër. Kjo është veçanërisht e vërtetë gjatë asaj periudhe të zhvillimit fizik dhe emocional, e njohur si adoleshenca. Një ndryshim në jetën e çdo personi do të krijonte stres, ndërsa adoleshenca është e gjitha plot ndryshime. Djali apo vajza juaj adoleshente po kalon rrugën nga fëmijëria për në moshën madhore. Për këtë arsye, gjatë viteve të adoleshencës, disa prindër dhe fëmijë e kanë të vështirë për të shkuar mirë. Shpesh, prindërit në mënyrë instinktive përpiqen ta ngadalësojnë këtë kalim, ndërsa adoleshentët duan ta shpejtojnë.

5 Adoleshenti rebel u kthen shpinën vlerave prindërore. Megjithatë, kujdes, sepse nuk bëhesh rebel nga disa vepra të mosbindjes. Ndërsa kur është fjala për çështje frymore, disa fëmijë mbase fillimisht tregojnë pak ose aspak interes për të vërtetën e Biblës, por mund të mos jenë rebelë. Si prind, mos shpejto t’u vësh etiketën fëmijëve të tu.

6 A karakterizohen vitet e adoleshencës së të gjithë të rinjve nga rebelimi kundër autoritetit prindëror? Jo, aspak. Në fakt, duket që dëshmitë tregojnë se vetëm një pakicë adoleshentësh shfaqin rebelime serioze gjatë kësaj periudhe. Por, ç’të themi për një fëmijë që rebelohet me kokëfortësi dhe vazhdimisht? Ç’gjë e provokon një rebelim të tillë?

SHKAQET E REBELIMIT

7. Si mund të ndikojë ambienti satanik në rebelimin e një fëmije?

7 Një nga shkaqet më të mëdha të rebelimit është ambienti i botës satanike. «Mbarë bota dergjet në fuqinë e të ligut.» (1. Gjonit 5:19, BR) Bota nën fuqinë e Satanait ka zhvilluar një kulturë të dëmshme, me të cilën të krishterët duhet të ballafaqohen. (Gjoni 17:15) Një pjesë e madhe e kësaj kulture është më e ashpër, më e rrezikshme dhe e mbushur me më shumë ndikime të këqija sot, se në të kaluarën. (2. Timoteut 3:1-5, 13) Nëse prindërit nuk i arsimojnë, paralajmërojnë dhe nuk i mbrojnë fëmijët e tyre, të rinjtë mund të përfshihen me lehtësi nga ‘fryma që vepron tani në bijtë e mosbindjes’. (Efesianëve 2:2) Me këtë lidhet edhe presioni i bashkëmoshatarëve. Bibla thotë: «Shoku i budallenjve do të bëhet i keq.» (Proverbat 13:20) Ngjashëm, kush mban shoqëri me ata që janë plot me frymën e kësaj bote, ka të ngjarë të ndikohet nga kjo frymë. Të rinjtë kanë nevojë për ndihmë të vazhdueshme, nëse duam që të kuptojnë se bindja ndaj parimeve hyjnore është themeli i rrugës më të mirë në jetë.​—Isaia 48:17, 18.

8. Cilët faktorë mund të ndikojnë në rebelimin e një fëmije?

8 Një shkak tjetër rebelimi mund të jetë atmosfera në shtëpi. Për shembull, nëse një nga prindërit është alkoolist, abuzon me drogat apo është i dhunshëm kundrejt prindit tjetër, pikëpamja e adoleshentit për jetën mund të shtrembërohet. Edhe në shtëpitë relativisht të qeta, rebelimi mund të shpërthejë, nëse fëmija e ndien se prindërit nuk kanë interes për të. Megjithatë, rebelimi i adoleshentëve nuk shkaktohet gjithmonë nga ndikime të jashtme. Disa fëmijë u kthejnë shpinën vlerave prindërore, pavarësisht se kanë prindër që zbatojnë parime hyjnore dhe që i mbrojnë, madje edhe shumë, nga bota që i rrethon. Përse? Ndoshta, për shkak të një rrënje tjetër të problemeve tona: papërsosmëria njerëzore. Pavli tha: «Me anë të një njeriu të vetëm [Adamit] mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan.» (Romakëve 5:12) Adami ishte një rebel egoist dhe u la të gjithë pasardhësve të tij një trashëgimi të keqe. Disa të rinj zgjedhin vetë të rebelohen, ashtu siç bëri paraardhësi i tyre.

ELIU TOLERANT DHE REHOBOAMI KUFIZUES

9. Cilat ekstreme në rritjen e fëmijëve mund të provokojnë rebelimin e një fëmije?

9 Diçka tjetër që ka çuar në rebelimin e adoleshentëve, është edhe një pikëpamje e paekuilibruar për rritjen e fëmijëve nga ana e prindërve. (Kolosianëve 3:21) Disa prindër të ndërgjegjshëm i kufizojnë dhe i disiplinojnë me rreptësi fëmijët e tyre. Të tjerët janë tolerantë, duke mos u siguruar drejtimin që do t’i mbronte fëmijët e tyre të papërvojë adoleshentë. Nuk është gjithmonë e lehtë t’i mbash të drejtpeshuara këto dy ekstreme. Gjithashtu, fëmijë të ndryshëm kanë nevoja të ndryshme. Dikush mund të ketë nevojë për më shumë mbikëqyrje se një tjetër. Megjithatë, dy shembuj nga Bibla do të na ndihmojnë të shohim rreziqet e ekstremizmit, qoftë duke toleruar, qoftë edhe duke qenë kufizues.

10. Edhe pse mund të ketë qenë një kryeprift i besuar, përse Eli ishte një prind i dobët?

10 Kryeprifti i lashtë i Izraelit, Eli, ishte një baba. Ai shërbeu për 40 vjet, duke qenë pa dyshim mjaft i zoti në Ligjin e Perëndisë. Ka të ngjarë që Eli t’i ketë kryer rregullisht detyrat e tij priftërore me plot besnikëri dhe ndoshta mund t’u ketë mësuar plotësisht Ligjin e Perëndisë bijve të tij, Hofnit dhe Finehasit. Megjithatë, Eli ishte tepër i butë me ta. Hofni dhe Finehasi shërbenin si priftërinj zyrtarë, por ishin «njerëz të këqij», që merakoseshin vetëm për të mbushur barkun e për të plotësuar dëshirat e tyre imorale. Megjithatë, ndërsa ata kryenin vepra të turpshme në tokë të shenjtë, Eli s’pati guximin t’i hiqte nga detyra. Ai u mjaftua duke u dhënë një qortim të ngordhur. Me tolerancën që tregoi, Eli respektoi më shumë të bijtë se Perëndinë. Si rrjedhojë, bijtë e tij u rebeluan kundër adhurimit të pastër të Jehovait dhe mbarë shtëpia e Elit hoqi zi.​—1. Samuelit 2:12-17, 22-25, 29; 3:13, 14; 4:11-22.

11. Ç’mund të mësojnë prindërit prej shembullit të gabuar të Elit?

11 Bijtë e Elit ishin në kohën e këtyre ngjarjeve burra të rritur, por kjo histori nënvizon rrezikun e mosdhënies së disiplinës. (Krahaso Proverbat 29:21.) Disa prindër mund ta ngatërrojnë dashurinë me tolerancën, duke mos vendosur dhe përforcuar rregulla të qarta, të qëndrueshme dhe të arsyeshme. Ata lënë pas dore zbatimin e disiplinës së dashur, madje edhe atëherë kur shkelen parimet hyjnore. Për shkak të kësaj tolerance, fëmijët e tyre mund të arrijnë deri aty, sa të mos u kushtojnë vëmendje autoritetit prindëror apo të çdo lloji tjetër.​—Krahaso Eklisiastiun 8:11.

12. Ç’gabim bëri Rehoboami në ushtrimin e autoritetit?

12 Rehoboami është shembull i ekstremit tjetër në ushtrimin e autoritetit. Ai ishte mbreti i fundit i mbretërisë së bashkuar të Izraelit, por nuk ishte një mbret i mirë. Rehoboami kishte trashëguar një vend, banorët e të cilit ishin të pakënaqur për shkak të barrës që kishte vendosur mbi ta babai i tij, Solomoni. A tregoi kuptueshmëri Rehoboami? Jo. Kur një delegacion i kërkoi të hiqte disa prej masave shtypëse, ai nuk ia vuri veshin këshillës së pjekur që i dhanë këshilltarët e tij më të vjetër dhe dha urdhër që zgjedha e popullit të bëhej më e rëndë. Arroganca e tij provokoi rebelimin e dhjetë fiseve veriore dhe mbretëria u nda në dy pjesë.​—1. Mbretërve 12:1-21; 2. Kronikave 10:19.

13. Si mund të shmangin prindërit gabimin e Rehoboamit?

13 Prindërit mund të nxjerrin disa mësime të rëndësishme nga tregimi biblik i Rehoboamit. Ata duhet ‘të kërkojnë Jehovain’ në lutje dhe të shqyrtojnë metodat e tyre të rritjes së fëmijëve në dritën e parimeve të Biblës. (Psalmi 105:4, BR) «Me siguri shtypja e bën të pamend njeriun e urtë»,​—thotë Eklisiastiu 7:7. Udhëzimet e menduara mirë u japin adoleshentëve hapësirë që të rriten, ndërkohë që i mbrojnë nga dëmet. Por, fëmijët nuk duhet të jetojnë në një atmosferë kaq të ngurtë dhe ndrydhëse, sa të jenë të penguar për të zhvilluar një masë të arsyeshme të sigurisë dhe të besimit te vetja. Nëse prindërit përpiqen për të pasur baraspeshë ndërmjet lirisë së arsyeshme dhe kufizimeve të caktuara që janë të përcaktuara qartë, shumica e adoleshentëve do të jenë më pak të prirë për t’u rebeluar.

PËRMBUSHJA E NEVOJAVE BAZË MUND TË PARANDALOJË REBELIMIN

14, 15. Si duhet ta shohin prindërit zhvillimin e fëmijës së tyre?

14 Edhe pse prindërit kënaqen tek shohin fëmijët e tyre që rriten fizikisht, duke kaluar nga fëmijëria drejt moshës madhore, ata mund të ndihen të shqetësuar kur fëmijët adoleshentë nisin e kalojnë nga varësia drejt vetësigurisë së duhur. Gjatë periudhës së tyre kalimtare, mos u habitni nëse fëmija juaj adoleshent kohë pas kohe tregohet kokëfortë dhe nuk bashkëpunon. Mbani parasysh se synimi i prindërve të krishterë duhet të jetë rritja e një të krishteri të pjekur, të qëndrueshëm dhe me përgjegjësi.​—Krahaso 1. Korintasve 13:11; Efesianëve 4:13, 14.

15 Sado e vështirë që mund të jetë, prindërit duhet ta prishin zakonin e përgjigjeve negative ndaj çdo kërkese të fëmijëve të tyre adoleshentë për pavarësi më të madhe. Në një mënyrë të shëndoshë, fëmija ka nevojë të rritet si individ. Në fakt, në një moshë relativisht të re, disa adoleshentë fillojnë të zhvillojnë plotësisht një pikëpamje të pjekur. Për shembull, Bibla thotë për mbretin e ri, Josia: «Kur ende ishte djalosh [rreth 15 vjeç] filloi të kërkojë Perëndinë e Davidit.» Ky adoleshent i jashtëzakonshëm ishte pa dyshim një individ i përgjegjshëm.​—2. Kronikave 34:1-3.

16. Çfarë duhet të kuptojnë fëmijët, ndërsa u jepen përgjegjësi më të mëdha?

16 Megjithatë, liria sjell me vete përgjegjësi. Prandaj, lëreni fëmijën tuaj që po rritet të provojë pasojat e disa vendimeve apo veprimeve të tij. Parimi «ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë», vlen për adoleshentët, ashtu si edhe për të rriturit. (Galatasve 6:7) Fëmijët s’mund të mbahen përgjithmonë nën strehë. Por, si duhet të veproni nëse fëmija dëshiron të bëjë diçka që është krejtësisht e papranueshme? Si prindër me përgjegjësi, ju duhet t’i thoni: «Jo.» Edhe pse mund t’i shpjegoni arsyet, asgjë s’duhet të ndryshojë jo-në tuaj në një po. (Krahaso Mateun 5:37.) Gjithsesi, përpiquni të thoni «jo» në mënyrë të qetë e të arsyeshme, pasi «përgjigjja e ëmbël e fashit zemërimin».​—Proverbat 15:1.

17. Cilat janë disa nevoja të një adoleshenti, që prindi duhet t’i plotësojë?

17 Të rinjtë kanë nevojë për sigurinë e një disipline të vazhdueshme, edhe atëherë kur nuk i pranojnë gjithmonë me lehtësi kufizimet dhe rregullat. Do të ishte zhgënjyese sikur rregullat të ndryshonin në varësi të gjendjes së prindit në një moment. Për më tepër, nëse adoleshentët marrin inkurajim dhe ndihmë, ashtu siç duhet, kur ballafaqohen me ndrojtjen, apo me dyshimet dhe mosbesimin te vetja, ka të ngjarë që kur të rriten, të jenë më të qëndrueshëm. Gjithashtu, adoleshentët e çmojnë kur u jepet besimi që e kanë merituar.​—Krahaso Isainë 35:3, 4; Lukën 16:10; 19:17.

18. Cilat janë disa të vërteta inkurajuese mbi adoleshentët?

18 Prindërit mund të ngushëllohen duke ditur se, kur në shtëpi ekzistojnë paqja, stabiliteti dhe dashuria, zakonisht fëmijët lulëzojnë. (Efesianëve 4:31, 32; Jakovit 3:17, 18) E pra, shumë të rinj kanë jetuar në një ambient të keq shtëpiak, duke ardhur nga familje që i karakterizonte alkoolizmi, dhuna apo ndonjë ndikim tjetër i dëmshëm dhe janë rritur e janë bërë madhorë të shkëlqyeshëm. Prandaj, nëse siguroni një shtëpi, ku fëmijët tuaj adoleshentë të ndihen të sigurt e të marrin dashuri, përzemërsi dhe vëmendje​— edhe nëse kjo mbështetje shoqërohet me kufizime dhe disiplinë të arsyeshme në përputhje me parimet e Shkrimeve​— ka shumë të ngjarë që kur të rriten, ju do të jeni krenarë për ta.​—Krahaso Proverbat 27:11.

NËSE FËMIJËT BIEN NË VËSHTIRËSI

19. Çfarë përgjegjësie ka fëmija, edhe pse prindërit duhet t’i tregojnë rrugën që duhet të ndjekë?

19 Të jesh një prind i mirë, sigurisht është diçka e rëndësishme. Proverbat 22:6 thotë: «Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.» Por, ç’të themi për fëmijët që kanë probleme serioze, pavarësisht se kanë prindër të mirë? A është e mundur? Po. Fjalët e proverbit duhet të kuptohen nën dritën e vargjeve të tjera, që theksojnë përgjegjësinë e fëmijës për të ‘dëgjuar’ dhe për t’iu bindur prindërve. (Proverbat 1:8) Të dyja palët, prindërit dhe fëmijët, duhet të bashkëpunojnë në zbatimin e parimeve biblike, nëse duan të kenë harmoni në familje. Nëse prindërit dhe fëmijët nuk punojnë së bashku, do të ketë vështirësi.

20. Kur fëmijët gabojnë pa menduar, cila do të ishte një mënyrë e mençur afrimi nga ana e prindërve?

20 Si duhet të reagojnë prindërit, nëse një adoleshent gabon dhe futet në telashe? Ky është veçanërisht momenti, në të cilin i riu ka nevojë për ndihmë. Nëse prindërit nuk harrojnë se kanë të bëjnë me një të ri pa përvojë, do ta kenë më të lehtë që të përballojnë prirjen për të dramatizuar situatën. Pavli i këshilloi të pjekurit në kongregacion: «Edhe sikur një njeri të bëjë ndonjë hap të gabuar përpara se të jetë i vetëdijshëm për të, ju, që jeni frymësisht të kualifikuar, përpiquni ta ndreqni këtë njeri me një frymë butësie.» (Galatasve 6:1, BR) Prindërit mund të ndjekin të njëjtën metodë, kur kanë të bëjnë me një të ri që ka kryer ndonjë gabim pa e menduar. Duke i shpjeguar qartësisht se përse sjellja e tij ishte e gabuar dhe si mund të shmangë përsëritjen e gabimit, prindërit duhet t’ia bëjnë të qartë se e keqe është sjellja e gabuar dhe jo i riu.​—Krahaso Judën 22, 23.

21. Duke ndjekur shembullin e kongregacionit të krishterë, si duhet të përgjigjen prindërit, nëse fëmijët e tyre kryejnë një mëkat serioz?

21 Po nëse shkeljet e të riut janë shumë serioze? Në këtë rast, fëmija ka nevojë për ndihmë të veçantë dhe për drejtim të aftë. Kur një pjesëtar i kongregacionit kryen një mëkat serioz, ai është i inkurajuar të pendohet dhe t’u afrohet pleqve për të kërkuar ndihmë. (Jakovit 5:14-16) Pasi të jetë penduar, pleqtë punojnë me të që ta marrë veten frymësisht. Në familje, përgjegjësia për të ndihmuar adoleshentët mbetet mbi prindërit, edhe pse mund ta kenë biseduar çështjen me pleqtë. Prindërit, sigurisht që nuk duhet t’i fshehin trupit të pleqve asnjë mëkat serioz që mund të ketë kryer një prej fëmijëve të tyre.

22. Duke imituar Jehovain, ç’qëndrim duhet të përpiqen të mbajnë prindërit, nëse fëmijët e tyre kryejnë një mëkat serioz?

22 Një problem serioz që përfshin fëmijët tanë është diçka shumë e mundimshme. Të turbulluar emocionalisht, prindërit mund të kenë dëshirë ta kërcënojnë me zemërim fëmijën e pabindur; por kjo vetëm mund ta hidhëronte atë. Mbani në mendje se e ardhmja e këtij të riu mund të varet nga fakti se si trajtohet në këtë periudhë kritike. Mos harroni, gjithashtu, se Jehovai ishte i gatshëm ta falte popullin e tij që ishte larguar nga e drejta, mjaft që të pendohej. Ja, fjalët e tij të dashura: «Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.» (Isaia 1:18) Sa shembull i shkëlqyer për prindërit!

23. Përballë një mëkati serioz të njërit prej fëmijëve të tyre, si duhet të veprojnë prindërit dhe çfarë duhet të shmangin?

23 Prandaj, përpiquni ta inkurajoni atë që ka gabuar që të ndryshojë rrugë. Kërkoni këshilla të shëndosha nga prindër me përvojë dhe nga pleqtë e kongregacionit. (Proverbat 11:14) Mundohuni të mos veproni rrëmbyeshëm apo të mos thoni diçka që do ta bënte të vështirë për fëmijën të kthehej te ju. Shmangni inatin e pakontrolluar dhe hidhërimin! (Kolosianëve 3:8) Mos u dorëzoni shpejt! (1. Korintasve 13:4, 7) Duke urryer të keqen, shmangni ashpërsinë dhe zemërimin kundrejt fëmijës suaj! Ç’është më e rëndësishmja, prindërit duhet të bëjnë çmos për të lënë një shembull të shkëlqyer dhe për ta mbajtur të fortë besimin e tyre në Perëndinë.

SI TË SILLEMI ME NJË REBEL TË VENDOSUR?

24. Cila gjendje e trishtueshme lind disa herë në ndonjë familje të krishterë dhe si duhet të reagojë një prind?

24 Në disa raste, bëhet e qartë se një i ri ka vendosur përfundimisht të rebelohet e të shpërfillë plotësisht vlerat e krishtere. Vëmendja duhet të ndryshojë e të kthehet për të mbajtur apo për të rindërtuar jetën familjare të atyre që mbesin. Kujdes se mos i drejtoni të gjitha energjitë tuaja nga rebeli, duke lënë pas dore fëmijët e tjerë. Në vend se të përpiqeni për ta fshehur problemin përpara syve të pjesës tjetër të familjes, diskutoni për këtë çështje me ta, në një masë të përshtatshme dhe në mënyrë të arsyeshme.​—Krahaso Proverbat 20:18.

25. (a) Duke ndjekur shembullin e kongregacionit të krishterë, si duhet të veprojnë prindërit, nëse një fëmijë bëhet rebel i vendosur? (b) Ç’duhet të mbajnë në mendje prindërit, nëse një prej fëmijëve të tyre rebelohet?

25 Apostulli Gjon tha për dikë, që u bë një rebel i pakorrigjueshëm në kongregacion: «Mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni.» (2. Gjonit 10) Prindërit mund ta shohin të arsyeshme marrjen e një hapi të tillë me fëmijën e tyre, nëse ai ka mbushur moshën madhore dhe është bërë krejtësisht rebel. (Krahaso Ligjin e përtërirë 21:18-21.) Sado i vështirë dhe i rëndë emocionalisht që mund të jetë ky veprim, disa herë është thelbësor për të mbrojtur pjesën tjetër të familjes. Shtëpia ka nevojë për mbrojtjen tuaj dhe për mbikëqyrje të vazhdueshme. Prandaj, vazhdoni të mbani kufij sjelljeje të përcaktuar qartë, edhe pse të arsyeshëm. Komunikoni me fëmijët e tjerë. Interesohuni se si po ia kalojnë në shkollë dhe në kongregacion. Gjithashtu, bëjuni të ditur që edhe pse nuk i miratoni veprimet rebele të fëmijëve, ju nuk i urreni ata. Dënoni veprimin e keq dhe jo fëmijën! Kur dy djemtë e Jakobit, me veprimet e tyre mizore, shkaktuan dëbimin e familjes, Jakobi mallkoi zemërimin e tyre të dhunshëm, jo vetë fëmijët.​—Zanafilla 34:1-31; 49:5-7.

26. Nga mund të nxjerrin ngushëllim prindërit e ndërgjegjshëm, nëse njëri prej fëmijëve të tyre rebelohet?

26 Ndoshta mund të ndiheni përgjegjës për atë që ka ndodhur në familje. Por, nëse në lutje keni bërë gjithçka të mundur, duke ndjekur këshillat e Jehovait me sa kishit mundësi, nuk ka arsye për të kritikuar veten në mënyrë të paarsyeshme. Gjeni ngushëllim në faktin se askush nuk mund të jetë një prind i përsosur, ndërsa ju me ndërgjegje jeni përpjekur të jeni të mirë. (Krahaso Veprat 20:26.) Një rebel kokë e këmbë në shtëpi ta copëton zemrën, por, nëse kjo ka ndodhur me ju, jini të sigurt se Perëndia kupton dhe kurrë nuk do t’i braktisë shërbëtorët e tij të devotshëm. (Psalmi 27:10) Prandaj, jini të vendosur për ta mbajtur shtëpinë tuaj një liman të sigurt frymor për fëmijët e tjerë.

27. Duke kujtuar ilustrimin e djalit plëngprishës, për çfarë mund të shpresojnë gjithmonë prindërit e fëmijëve rebelë?

27 Për më tepër, kurrë nuk duhet t’ju lënë shpresat. Përpjekjet tuaja të hershme për ta stërvitur siç duhet, ndoshta më në fund mund të prekin zemrën e fëmijës që ka dalë nga udha e ta sjellin përsëri në vete. (Eklisiastiu 11:6) Një sërë familjesh të krishtere kanë pasur po të njëjtën përvojë si edhe ju dhe disa kanë parë të kthehen fëmijët rebelë, ashtu si babai në ilustrimin e Jezuit me djalin plëngprishës. (Luka 15:11-32) E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me ju.