Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI DHJETË

Kur një pjesëtar i familjes është i sëmurë

Kur një pjesëtar i familjes është i sëmurë

1, 2. Si e përdori Satanai tragjedinë dhe sëmundjen, në përpjekje për të thyer integritetin e Jobit?

JOBI duhet llogaritur sigurisht ndërmjet atyre njerëzve që gëzuan një jetë të lumtur familjare. Bibla e quan «më i madhi ndër të gjithë njerëzit e Lindjes». Ai kishte shtatë djem e tri vajza, gjithsej dhjetë fëmijë. Ai kishte, gjithashtu, edhe mjetet për një sigurim të mirë të familjes. Më e rëndësishmja ishte se ai merrte drejtimin në aktivitetet frymore dhe shqetësohej për qëndrimin e fëmijëve përpara Jehovait. E gjithë kjo solli si rezultat lidhje të afërta e të lumtura familjare.​—Jobi 1:1-5.

2 Gjendja e Jobit nuk u shpëtoi syve të Satanait, armikut kryesor të Perëndisë Jehova. Satanai, që vazhdimisht kërkon mënyra për të thyer integritetin e shërbëtorëve të Jehovait, e sulmoi Jobin, duke i shkatërruar lumturinë familjare. Pastaj, ai «e goditi Jobin me një ulcerë të keqe nga majat e këmbëve deri në pjesën e sipërme të kokës». Në këtë mënyrë, Satanai shpresonte të përdorte tragjedinë dhe sëmundjet për të thyer integritetin e Jobit.​—Jobi 2:6, 7.

3. Cilat ishin simptomat e sëmundjes së Jobit?

3 Bibla nuk bën përshkrimin mjekësor të sëmundjes së Jobit. Megjithatë, na jep simptomat. Mishi i tij ishte mbuluar me krimba dhe lëkura e tij kishte zënë kore e ishte kalbur. Era e frymës së tij ishte e rëndë dhe trupi i tij kundërmonte. Atë e gërryenin dhimbjet. (Jobi 7:5; 19:17; 30:17, 30) Në agoni, Jobi rrinte ulur mes hirit dhe kruhej me një copë enë balte. (Jobi 2:8) Një pamje vërtet mëshirëndjellëse!

4. Çfarë përvoje kalon kohë pas kohe çdo familje?

4 Si do të kishit reaguar ju, sikur të ishit goditur me një sëmundje të tillë serioze? Sot, Satanai nuk i godet shërbëtorët e Perëndisë me sëmundje, siç bëri me Jobin. Megjithatë, për shkak të papërsosmërisë njerëzore, të streseve të jetës së përditshme dhe të ambientit të ndotur në të cilin jetojmë, mund të presim që herë pas here të na sëmuren pjesëtarë të familjes. Pavarësisht nga masat parandaluese që mund të marrim, të gjithë ne jemi të dobët përpara sëmundjeve, edhe pse pak do të vuajnë aq sa Jobi. Kur shtëpinë tonë e pushton sëmundja, mund të jetë një sfidë e vërtetë. Prandaj, le të shohim se si na ndihmon Bibla për të përballuar këtë armik të përhershëm të njerëzimit.​—Eklisiastiu 9:11; 2. Timoteut 3:16.

SI NDIHENI?

5. Si reagojnë zakonisht pjesëtarët e familjes në rastet e një sëmundjeje të përkohshme?

5 Prishja e rutinës normale të jetës, pavarësisht nga se shkaktohet, është gjithmonë e vështirë dhe kjo është veçanërisht e vërtetë, nëse prishja ka ardhur si rrjedhojë e ndonjë sëmundjeje të zgjatur. Edhe sëmundja që zgjat pak kërkon rregullime, lëshime dhe sakrifica. Pjesëtarët e shëndoshë të familjes, ndoshta duhet të qëndrojnë të heshtur, për t’i siguruar të sëmurit pak prehje. Mbase u duhet të lënë disa aktivitete. Por, në shumicën e familjeve, edhe fëmijët e vegjël ndiejnë dhembshuri për prindin, vëllain apo motrën e sëmurë, edhe pse disa herë u duhet kujtuar që të tregohen të kujdesshëm. (Kolosianëve 3:12) Në rast të një sëmundjeje të përkohshme, zakonisht familja është e gatshme të bëjë çdo gjë të nevojshme. Përveç kësaj, çdo pjesëtar i familjes do të shpresojë që edhe për të do të kujdesen po njëlloj, sikur ai apo ajo të sëmuret.​—Mateu 7:12.

6. Cilat reagime vërehen ndonjëherë, kur një pjesëtar i familjes goditet nga një sëmundje serioze dhe e vazhdueshme?

6 Por, ç’të themi nëse sëmundja është shumë serioze dhe çrregullimet janë drastike dhe të zgjatura? Për shembull, si të bëjmë sikur dikush në familje të jetë paralizuar nga hemorragjia cerebrale, të jetë në gjendje paaftësie nga sëmundja e Alzheimerit apo të ketë ndonjë sëmundje tjetër? Po sikur një pjesëtar i familjes të ketë ndonjë sëmundje mendore, si skizofrenia? Një reagim fillestar i zakonshëm është mëshira, trishtimi që një person i dashur po vuan kaq shumë. Sidoqoftë, mëshira mund të pasohet nga reagime të tjera. Kur pjesëtarët e familjes e shohin veten kaq shumë të ndikuar dhe lirinë e tyre kaq të kufizuar nga sëmundja e një personi, ata mund të ndihen të lënduar. Mund të pyesin veten: «Përse duhej të më ndodhte mua?»

7. Si reagoi gruaja e Jobit ndaj sëmundjes së tij dhe me sa duket, çfarë harroi ajo?

7 Duket se diçka e ngjashme i ka kaluar ndër mend edhe gruas së Jobit. Mos harroni, ajo kishte provuar tashmë humbjen e fëmijëve të saj. Ndërsa këto ngjarje tragjike ndodhnin, ajo pa dyshim është ndier gjithnjë e më e hutuar. Së fundi, kur pa që edhe burri i saj, njëherë e një kohë aktiv e i fortë, u godit me një sëmundje të dhimbshme e të rëndë, duket se ajo harroi faktorin jetësor që ngrihej mbi të gjitha tragjeditë, marrëdhënien që ajo dhe burri i saj kishin me Perëndinë. Bibla thotë: «Atëherë gruaja e tij [e Jobit] i tha: ‘Qëndron ende në ndershmërinë tënde? Mallko Perëndinë dhe vdis!’»​—Jobi 2:9.

8. Kur një pjesëtar i familjes është shumë i sëmurë, cili shkrim do t’i ndihmojë familjarët e tjerë që të mbajnë një pikëpamje të duhur?

8 Shumë veta ndihen të zhgënjyer, madje të zemëruar, kur jeta e tyre ndryshon rrënjësisht nga sëmundja e një tjetri. Por një i krishterë që arsyeton mbi situatën, duhet ta kuptojë më në fund se kjo gjë i jep një rast për të shfaqur sinqeritetin e dashurisë së tij. Dashuria e vërtetë është «e durueshme; plot mirësi . . . nuk kërkon të sajat . . . i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, mban çdo gjë». (1. Korintasve 13:4-7) Prandaj, në vend se të lejojmë që të na sundojnë ndjenjat negative, është thelbësore që të bëjmë ç’është e mundur për t’i mbajtur ato nën kontroll.​—Proverbat 3:21.

9. Cila siguri mund ta ndihmojë frymësisht dhe emocionalisht një familje, në rast se një pjesëtar i saj është i sëmurë seriozisht?

9 Çfarë mund të bëhet për të ruajtur mirëqenien frymore dhe emocionale të familjes, kur një prej pjesëtarëve të saj është seriozisht i sëmurë? Natyrisht, çdo sëmundje kërkon kujdes dhe trajtim të veçantë dhe s’do të ishte e përshtatshme që në këtë libër të rekomandonim ndonjë procedurë mjekësore apo të kujdesit familjar. Megjithatë, në kuptimin frymor, Jehovai «ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar». (Psalmi 145:14) Mbreti David shkroi: «Lum ai që kujdeset për të varfërin; Zoti do ta çlirojë ditën e fatkeqësisë. Zoti do ta ruajë dhe do ta mbajë të gjallë; . . . Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes.» (Psalmi 41:1-3) Jehovai do t’i mbajë shërbëtorët e tij të gjallë frymësisht, edhe atëherë kur të jenë munduar emocionalisht përtej fuqive të tyre. (2. Korintasve 4:7) Shumë familjarë që përballojnë sëmundje serioze në shtëpinë e tyre, përsëritin fjalët e psalmistit: «Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate.»​—Psalmi 119:107.

NJË FRYMË PËRTËRITËSE

10, 11. (a) Çfarë është jetësore, nëse një familje duhet të përballojë me sukses sëmundjen? (b) Si e përballoi një grua sëmundjen e të shoqit?

10 «Fryma e njeriut i jep krahë në sëmundjen e tij,​—thotë një proverb i Biblës,​—por kush mund ta ngrejë një frymë të demoralizuar?» (Proverbat 18:14) Trauma mund të dobësojë frymën e një familjeje, si edhe «frymën e një njeriu». Megjithatë, «një zemër e shëndoshë [e qetë, BR] është jetë për trupin». (Proverbat 14:30) Nëse një familje do ta përballojë apo jo me sukses ndonjë sëmundje serioze, kjo varet në një masë të madhe nga qëndrimi dhe fryma e pjesëtarëve të saj.​—Krahaso Proverbat 17:22.

11 Një grua e krishterë duhej të duronte tek shihte burrin e saj të goditur nga një hemorragji cerebrale, vetëm gjashtë vjet pas martesës. «Të folurit e tim shoqi u dëmtua rëndë dhe ishte pothuajse e pamundur të bisedoje me të,​—kujton ajo.​—Tensioni mendor që krijonte përpjekja për të kuptuar se ç’donte të thoshte ai, ishte shumë i madh.» Përfytyroni, gjithashtu, edhe agoninë dhe zhgënjimin që duhet të ketë provuar i shoqi. Çfarë bëri ai çift? Edhe pse jetonin larg kongregacionit të krishterë, motra bëri të pamundurën për të qëndruar frymësisht e fortë, duke ndenjur e përditësuar me të gjitha informacionet më të fundit, si dhe me materialet e vazhdueshme të ushqimit frymor në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Kjo i dha asaj fuqinë frymore që të kujdesej për burrin e saj të dashur, derisa ai vdiq katër vjet më vonë.

12. Siç pamë edhe në rastin e Jobit, çfarë kontributi jep disa herë i sëmuri?

12 Në rastin e Jobit, ishte vetë ai, i dëmtuari, që mbeti i fortë. «Në rast se pranojmë të mirën nga Perëndia, pse nuk duhet të pranojmë edhe të keqen?»​—e pyeti ai të shoqen. (Jobi 2:10) S’është për t’u habitur, pra, që dishepulli Jakov e citoi më vonë Jobin si një shembull të jashtëzakonshëm durimi dhe vetëpërmbajtjeje! Në Jakovin 5:11 lexojmë: «Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti [Jehovai, BR] është plot mëshirë e dhembshuri.» Në mënyrë të ngjashme sot, në shumë raste, qëndrimi i guximshëm i një pjesëtari të sëmurë të familjes, i ka ndihmuar të tjerët në shtëpi që të mbajnë një pikëpamje pozitive.

13. Çfarë krahasimi s’duhet të bëjë një familje që po kalon një sëmundje serioze?

13 Shumica e atyre që kanë pasur të sëmurë në familje, pranojnë se fillimisht është e zakonshme që familjarët të hasin vështirësi për të pranuar realitetin. Ata theksojnë, gjithashtu, se mënyra në të cilën e konsideron dikush situatën është tejet e rëndësishme. Ndryshimet dhe rregullimet në rutinën e shtëpisë mund të jenë të vështira në fillim. Por, nëse një person përpiqet me të vërtetë, mund t’i përshtatet situatës së re. Në këto punë, është e rëndësishme të mos krahasojmë rrethanat tona me ato të të tjerëve, të cilët nuk kanë të sëmurë në familje, duke menduar se jeta e tyre është më e lehtë dhe se ‘kjo nuk është e drejtë’! Në fakt, askush nuk e di se çfarë barrash mbajnë të tjerët. Të gjithë të krishterët gjejnë ngushëllim në fjalët e Jezuit: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje.»​—Mateu 11:28.

TË VENDOSIM PËRPARËSITË

14. Si duhen vendosur përparësitë e duhura?

14 Përballë sëmundjeve serioze, një familje bën mirë të mos harrojë fjalët e frymëzuara: «Planet . . . realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh.» (Proverbat 15:22) A mund të mblidhen pjesëtarët e familjes së bashku e të bisedojnë në lidhje me gjendjen që ka shkaktuar sëmundja? Sigurisht që do të ishte e përshtatshme që kjo të bëhej në lutje e t’i drejtoheshin për udhëheqje Fjalës së Perëndisë. (Psalmi 25:4) Çfarë duhet shqyrtuar në atë bisedë? E pra, duhen marrë vendime mjekësore, financiare dhe familjare. Kush do të kujdeset në mënyrë të veçantë? Si mund të bashkëpunojë familja në mbështetje të këtij kujdesi? Si do të ndikojnë këto rregullime mbi çdo pjesëtar të familjes? Si do të kujdesen për nevojat e ndryshme, si dhe ato frymore të atij që do të merret kryesisht me këtë punë?

15. Çfarë mbështetje siguron Jehovai për familjet që po provojnë sëmundje serioze?

15 Lutja e zjarrtë për drejtimin e Jehovait, meditimi mbi Fjalën e tij dhe ndjekja e guximshme e rrugës që tregon Bibla, shpesh sjellin si rezultat bekime përtej atyre që mund të presim ne. Sëmundja e një pjesëtari të familjes mund të mos shkojë gjithnjë drejt shërimit. Por mbështetja në Jehovain sjell gjithmonë rezultate nga më të mirat, në çdo situatë. (Psalmi 55:22) Psalmisti shkroi: «Mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur. Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.»​—Psalmi 94:18, 19; shiko edhe Psalmin 63:6-8.

TË NDIHMOJMË FËMIJËT

16, 17. Cilat pika duhen theksuar, kur bisedojmë me fëmijët në lidhje me sëmundjen që po kalon vëllai apo motra e tyre?

16 Sëmundjet serioze mund të shkaktojnë probleme edhe për fëmijët e familjes. Është e rëndësishme që prindërit të ndihmojnë fëmijët për të kuptuar nevojat që kanë lindur dhe se çfarë mund të bëjnë ata për të dhënë një dorë. Nëse i sëmuri është një fëmijë, vëllezërit apo motrat e tij duhen ndihmuar që të kuptojnë se vëmendja dhe kujdesi i tepërt që po merr i sëmuri nuk do të thonë se fëmijët e tjerë i duan më pak. Në vend se të lënë të zhvillohen fyerjet dhe rivaliteti, prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët e tjerë që të formojnë një lidhje më të afërt me njëri-tjetrin dhe të kenë dashuri të përzemërt të sinqertë, ndërsa përballojnë situatën që ka shkaktuar sëmundja.

17 Fëmijët e vegjël do të tregohen zakonisht më të gatshëm, nëse prindërit u bëjnë thirrje ndjenjave të tyre, në vend se të japin shpjegime të gjata e të ndërlikuara mbi gjendjen shëndetësore. Prandaj, atyre mund t’u jepet njëfarë ideje mbi atë që po kalon pjesëtari i sëmurë i familjes. Nëse fëmijët e shëndetshëm shohin se si sëmundja e pengon të sëmurin të bëjë shumë nga gjërat që ata i marrin si të zakonshme, ka të ngjarë që të kenë më shumë «dashuri vëllazërore» dhe të jenë «të mëshirshëm dhe dashamirës».​—1. Pjetrit 3:8.

18. Si mund të ndihmohen fëmijët më të rritur, që të kuptojnë problemet e shkaktuara nga sëmundja dhe si mund të jetë kjo në dobi të tyre?

18 Fëmijët më të rritur duhen ndihmuar të kuptojnë se ekziston një situatë e vështirë, e cila kërkon sakrifica nga të gjithë në familje. Pagesa e mjekut dhe e recetave të ilaçeve mund ta bëjë të pamundur për prindërit që të sigurojnë për fëmijët e tyre ashtu siç do të dëshironin. A do të preken fëmijët nga kjo, duke menduar se u mungon diçka? Apo do ta kuptojnë situatën dhe do të tregohen të gatshëm për të bërë sakrifica? Shumë varet nga mënyra se si diskutohen çështjet dhe nga fryma që krijohet në familje. Në fakt, në shumë familje, sëmundja e një pjesëtari të saj ka ndihmuar për t’i stërvitur fëmijët që të ndjekin këshillën e Pavlit: «Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.»​—Filipianëve 2:3, 4.

SI DUHET PARË TRAJTIMI MJEKËSOR?

19, 20. (a) Çfarë përgjegjësie duhet të mbajnë kryefamiljarët, kur një pjesëtar i familjes është i sëmurë? (b) Edhe pse nuk është një tekst mjekësor, në ç’mënyrë Bibla siguron udhëheqje në trajtimin e sëmundjeve?

19 Të krishterët e ekuilibruar nuk janë kundër trajtimit mjekësor, përderisa ky nuk bie ndesh me ligjin e Perëndisë. Kur një pjesëtar i familjes sëmuret, ata me gjithë shpirt kërkojnë ndihmë për të lehtësuar vuajtjet e të sëmurit. Por, mund të ekzistojnë opinione të kundërta profesionale, të cilat duhen peshuar. Veç kësaj, në vitet e fundit, sëmundje të reja dhe çrregullime po ndodhin papritur e për shumë prej tyre nuk ekziston ndonjë metodë trajtimi e pranuar përgjithësisht. Po kështu, disa herë është e vështirë edhe gjetja e diagnozave të sakta. Ç’duhet të bëjë, pra, një i krishterë?

20 Edhe pse një shkrimtar i Biblës ishte mjek dhe apostulli Pavël i dha këshilla të vlefshme mjekësore mikut të tij, Timoteut, Shkrimet nuk janë një tekst mjekësor, por një udhërrëfyes moral dhe frymor. (Kolosianëve 4:14; 1. Timoteut 5:23) Prandaj, në çështjet e trajtimit mjekësor, kryefamiljarët e krishterë duhet të marrin vendimet e tyre personale të ekuilibruara. Ndoshta mund të mendojnë që u duhet diçka më shumë, se vetëm një mendim profesional. (Krahaso Proverbat 18:17.) Pa dyshim, ata do të dëshirojnë ndihmën më të mirë të mundshme për pjesëtarin e tyre të sëmurë në familje dhe shumica e kërkojnë këtë ndihmë ndër mjekët e mirëfilltë. Disa ndihen më rehat me terapi të tjera kuruese. Edhe ky është një vendim personal. Por, kur kanë të bëjnë me probleme shëndeti, të krishterët akoma e kanë ‘fjalën e Perëndisë një llambë në këmbën e tyre dhe një dritë në shtegun e tyre’. (Psalmi 119:105) Ata vazhdojnë të ndjekin udhëzimet e lëna në Bibël. (Isaia 55:8, 9) Kështu, ata shmangin teknika diagnostikimi që lidhen me spiritizmin, si dhe trajtime që dhunojnë parimet e Biblës.​—Psalmi 36:9; Veprat 15:28, 29; Zbulesa 21:8.

21, 22. Si arsyetoi një grua aziatike mbi një parim të Biblës dhe në ç’mënyrë vendimi që ajo mori doli i drejtë në situatën e saj?

21 Le të shqyrtojmë rastin e një gruaje nga Azia. Shumë pak pasi kishte filluar të mësonte mbi Biblën, nëpërmjet një studimi me një nga Dëshmitarët e Jehovait, ajo lindi para kohe një foshnjë që peshonte vetëm 1.470 gr. Asaj i theri në zemër kur një mjek i tha se fëmija do të kishte një zhvillim shumë të vonuar mendor dhe s’do të ishte kurrë në gjendje të ecte. Ai e këshilloi t’ia jepte fëmijën një instituti. I shoqi ishte i pasigurt për këtë çështje. Kujt duhej t’i drejtohej ajo?

22 Ajo thotë: «M’u kujtua që nga Bibla kisha mësuar se ‘bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim’.» (Psalmi 127:3) Ajo vendosi ta mbante këtë «trashëgimi» në shtëpi e të kujdesej për të. Fillimisht punët ishin të vështira, por me ndihmën e miqve të krishterë në kongregacionin lokal të Dëshmitarëve të Jehovait, gruaja pati mundësi ta mbante fëmijën e t’i siguronte përkrahjen e nevojshme që i nevojitej. Dymbëdhjetë vjet më vonë, fëmija ndiqte mbledhjet në Sallën e Mbretërisë dhe atje gëzonte shoqërinë e të rinjve. E ëma komenton: «Jam shumë mirënjohëse që parimet e Biblës më nxitën të bëja atë që ishte e drejtë. Bibla më ndihmoi të mbaja një ndërgjegje të pastër përpara Perëndisë Jehova e të mos ndieja keqardhje, e cila do të më kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës.»

23. Çfarë ngushëllimi jep Bibla për të sëmurët dhe për familjarët që kujdesen për ta?

23 Sëmundjet nuk do të jenë me ne përgjithnjë. Profeti Isaia tregoi për një kohë kur «asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë’». (Isaia 33:24) Ky premtim do të përmbushet në botën e re që po afrohet me shpejtësi. Megjithatë, deri atëherë na duhet të jetojmë me sëmundje e vdekje. Lumturisht, Fjala e Perëndisë na jep udhëheqje dhe ndihmë. Rregullat kryesore të sjelljes që jep Bibla janë të qëndrueshme dhe ngrihen mbi opinionet e njerëzve të papërsosur që ndryshojnë vazhdimisht. Prandaj, personat e mençur janë dakort me psalmistin që shkroi: «Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë [e mençur, BR]. . . . Gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta; . . . ke një shpërblim të madh duke i parë.»​—Psalmi 19:7, 9, 11.