Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI GJASHTËMBËDHJETË

Siguroni një të ardhme të qëndrueshme për familjen tuaj

Siguroni një të ardhme të qëndrueshme për familjen tuaj

1. Cili ishte qëllimi i Jehovait për rregullimin familjar?

KUR Jehovai bashkoi Adamin dhe Evën në martesë, Adami shprehu gëzimin e tij, duke thurur poezinë më të lashtë hebreje. (Zanafilla 2:22, 23) Megjithatë, Krijuesi kishte diçka më shumë në mendje, se vetëm t’u jepte kënaqësi fëmijëve të tij njerëzorë. Ai dëshironte që çiftet e martuara dhe familjet të bënin vullnetin e tij. Ai i tha çiftit të parë: «Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.» (Zanafilla 1:28) Çfarë caktimi i madh shpërblyes që ishte! Sa të lumtur do të kishin qenë Adami dhe Eva, bashkë me fëmijët e tyre të ardhshëm, sikur të kishin bërë vullnetin e Jehovait me bindje të plotë!

2, 3. Si mund ta gjejnë sot familjet lumturinë më të madhe?

2 Edhe sot, familjet janë më të lumtura kur punojnë së bashku për të bërë vullnetin e Perëndisë. Apostulli Pavël shkroi: «Devotshmëria e shenjtë është e dobishme për gjithçka, pasi mban premtimin e jetës tani dhe të asaj që duhet të vijë.» (1. Timoteut 4:8, BR) Një familje që jeton me devotshmëri të shenjtë dhe ndjek drejtimin e Jehovait, ashtu siç përmbahet në Bibël, do të gjejë lumturi në ‘jetën e tanishme’. (Psalmi 1:1-3; 119:105; 2. Timoteut 3:16) Edhe sikur vetëm një pjesëtar i familjes të zbatojë parimet e Biblës, gjendja do të jetë më e mirë, nga sa do të ishte sikur të mos i zbatonte asnjë.

3 Ky libër ka trajtuar shumë parime biblike, që i kontribuojnë lumturisë familjare. Mbase keni vërejtur se disa prej tyre shfaqen vazhdimisht gjatë gjithë librit. Përse? Sepse paraqesin të vërteta të fuqishme që veprojnë për të mirën e të gjithëve, në aspekte të ndryshme të jetës familjare. Një familje që përpiqet të zbatojë këto parime të Biblës, zbulon se me të vërtetë devotshmëria ‘mban premtimin e jetës tani’. Le të rishikojmë edhe një herë katër prej këtyre parimeve të rëndësishme.

VLERA E VETËKONTROLLIT

4. Përse vetëkontrolli është jetësor në martesë?

4 Mbreti Solomon tha: «Njeriu që nuk di të frenojë zemërimin [frymën, BR] e tij është si një qytet i shkrehur pa mure.» (Proverbat 25:28; 29:11) ‘Frenimi i frymës’, ushtrimi i vetëkontrollit, është jetësor për ata që dëshirojnë një martesë të lumtur. Dorëzimi përpara emocioneve shkatërrimtare, të tilla si inati apo epshi imoral, do të shkaktojë dëme, të cilat duan vite për t’u korrigjuar, nëse mund të korrigjohen.

5. Si mund të kultivojë vetëkontroll një njeri i papërsosur dhe me çfarë dobish?

5 Natyrisht, asnjë pasardhës i Adamit nuk mund të kontrollojë plotësisht mishin e tij të papërsosur. (Romakëve 7:21, 22) Megjithatë, vetëkontrolli është një fryt i frymës. (Galatasve 5:22, 23) Prandaj, fryma e Perëndisë do të prodhojë tek ne vetëkontroll, nëse lutemi për këtë cilësi, nëse zbatojmë këshillat e përshtatshme që gjenden në Shkrime dhe nëse shoqërohemi me të tjerë që e shfaqin atë dhe shmangim ata që s’e kanë. (Psalmi 119:100, 101, 130; Proverbat 13:20; 1. Pjetrit 4:7) Një rrugë e tillë do të na ndihmojë ‘të largohemi nga kurvëria’ edhe kur të jemi të tunduar. (1. Korintasve 6:18) Do të përbuzim dhunën dhe do të shmangim ose do të fitojmë mbi alkoolizmin. Gjithashtu, do të veprojmë më me qetësi në provokime apo në situata të vështira. Të gjithë, duke përfshirë edhe fëmijët, le të mësojmë të kultivojmë këtë cilësi jetësore të frymës!​—Psalmi 119:1, 2.

PIKËPAMJA E DUHUR E KRYESISË

6. (a) Cili është rregulli i vendosur në mënyrë hyjnore për kryesinë? (b) Çfarë duhet të mos harrojë një burrë, nëse dëshiron që kryesia e tij t’i sjellë lumturi familjes?

6 Parimi i dytë i rëndësishëm është pranimi i kryesisë. Pavli përshkroi rregullin e duhur, kur tha: «Dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia.» (1. Korintasve 11:3) Kjo do të thotë që drejtimin në familje e merr burri, gruaja e mbështet me besnikëri dhe fëmijët janë të bindur ndaj prindërve të tyre. (Efesianëve 5:22-25, 28-33; 6:1-4) Megjithatë, vini re se kryesia sjell lumturi, vetëm atëherë kur ushtrohet në mënyrën e duhur. Burrat që jetojnë me devotshmëri të shenjtë e dinë se kryesia nuk është diktaturë. Ata imitojnë Jezuin, Kreun e tyre. Edhe pse duhej të ishte «krye përmbi çdo gjë», Jezui «nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer». (Efesianëve 1:22; Mateu 20:28) Në mënyrë të ngjashme, një burrë i krishterë e ushtron kryesinë, jo për dobi personale, por që të kujdeset për interesat e gruas dhe të fëmijëve të tij.​—1. Korintasve 13:4, 5.

7. Cilat parime biblike do ta ndihmojnë një grua, që të përmbushë rolin që i ka ngarkuar Perëndia në familje?

7 Nga ana e saj, gruaja që jeton me devotshmëri të shenjtë, nuk konkurron me të shoqin dhe nuk kërkon të sundojë mbi të. Ajo është e lumtur ta mbështesë e të bashkëpunojë me të. Disa herë, Bibla flet për gruan, sikur të jetë «pronë» e burrit të saj, duke mos lënë asnjë dyshim se ai është kreu i saj. (Zanafilla 20:3, BR) Nëpërmjet martesës ajo vihet nën «ligjin e burrit». (Romakëve 7:2) Në të njëjtën kohë, Bibla e quan atë një «ndihmës» dhe një «plotësim». (Zanafilla 2:20, BR) Ajo plotëson cilësitë dhe aftësitë që burrit të saj i mungojnë dhe i jep atij mbështetjen e nevojshme. (Proverbat 31:10-31) Gjithashtu, Bibla e quan gruan një «shoqe», e cila punon krah për krah me bashkëshortin e saj. (Malakia 2:14) Këto parime të Shkrimeve i ndihmojnë burrat dhe gratë që të kuptojnë pozitën e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respektin dhe dinjitetin e duhur.

‘TË JINI TË SHPEJTË NË TË DËGJUAR’

8, 9. Shpjego disa parime që do t’i ndihmojnë të gjithë në familje, për të përmirësuar aftësitë e tyre të komunikimit.

8 Në këtë libër është nënvizuar vazhdimisht nevoja për të komunikuar. Përse? Sepse problemet zgjidhen më kollaj, nëse njerëzit flasin dhe me të vërtetë e dëgjojnë njëri-tjetrin. Vazhdimisht u theksua se komunikimi është një rrugë me dy drejtime. Dishepulli Jakov e shprehu në këtë mënyrë: «Çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur.»​—Jakovit 1:19.

9 Gjithashtu, është e rëndësishme të bëjmë kujdes për mënyrën se si flasim. Fjalët e thëna me ngut, me kundërshtim apo me ashpërsi, nuk vendosin një komunikim të suksesshëm. (Proverbat 15:1; 21:9; 29:11, 20) Edhe atëherë kur ajo që themi është e drejtë, nëse është shprehur në mënyrë të egër, krenare apo jo të përzemërt, ka të ngjarë që të bëjë më shumë keq se mirë. Të folurit tonë duhet të jetë me shije, «i ndrequr me kripë». (Kolosianëve 4:6) Fjalët tona duhet të jenë si «mollë të arta mbi një enë argjendi». (Proverbat 25:11) Familjet që mësojnë të komunikojnë mirë, kanë hedhur një hap të madh drejt arritjes së lumturisë.

ROLI JETËSOR I DASHURISË

10. Cila lloj dashurie është jetësore në martesë?

10 Fjala «dashuri» shfaqet herë pas here në këtë libër. A ju kujtohet se për ç’lloj dashurie kemi folur kryesisht? Është e vërtetë që në martesë dashuria romantike (greqisht, eʹros) luan një rol të rëndësishëm, sikurse edhe dashuria e përzemërt dhe miqësia (greqisht, phi·liʹa) rriten mes burrit e gruas në martesat e suksesshme. Por, akoma edhe më e rëndësishme është dashuria që përfaqësohet nga fjala greke a·gaʹpe. Kjo është dashuria që ne kultivojmë për Jehovain, për Jezuin dhe për të afërmit tanë. (Mateu 22:37-39) Kjo është dashuria që Jehovai ka shfaqur për njerëzimin. (Gjoni 3:16) Sa bukur është që po këtë lloj dashurie, ne mund ta tregojmë për bashkëshortin dhe për fëmijët tanë!​—1. Gjonit 4:19.

11. Si vepron dashuria për të mirën e martesës?

11 Në martesë, kjo shkallë e lartë e dashurisë është me të vërtetë «një lidhje e përsosur bashkimi». (Kolosianëve 3:14, BR) Ajo i lidh së bashku bashkëshortët dhe nxit tek ata dëshirën për të bërë ç’të jetë më e mirë për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre. Kur familjet hasin situata të vështira, dashuria i ndihmon që t’i përballojnë gjërat të bashkuar. Ndërsa bashkëshortët plaken, dashuria i ndihmon të mbështetin e të vlerësojnë vazhdimisht njëri-tjetrin. «Dashuria . . . nuk kërkon interesat e veta. . . . Ajo mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, duron çdo gjë. Dashuria nuk dështon kurrë.»​—1. Korintasve 13:4-8, BR.

12. Përse dashuria e dy bashkëshortëve për Perëndinë, e forcon martesën e tyre?

12 Bashkimi martesor është veçanërisht i fortë, kur është çimentuar jo vetëm nga dashuria mes shokëve bashkëshortorë, por kryesisht nga dashuria për Jehovain. (Eklisiastiu 4:9-12) Përse? E pra, apostulli Gjon shkroi: «Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij.» (1. Gjonit 5:3) Prandaj, bashkëshortët duhet t’i stërvitin fëmijët e tyre në devotshmëri hyjnore, jo vetëm sepse i duan shumë, por sepse ky është urdhërim i Jehovait. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Ata duhet të shmangin imoralitetin jo vetëm sepse e duan njëri-tjetrin, por kryesisht sepse duan Jehovain, i cili «do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit». (Hebrenjve 13:4) Edhe nëse një partner shkakton probleme serioze në martesë, dashuria për Jehovain do ta nxitë tjetrin që të vazhdojë të ndjekë parimet e Biblës. Vërtet, lum ato ato familje, në të cilat dashuria për njëri-tjetrin është forcuar nga dashuria për Jehovain!

FAMILJA QË KRYEN VULLNETIN E PERËNDISË

13. Si i ndihmon njerëzit vendosmëria për të kryer vullnetin e Perëndisë, që t’i mbajnë sytë mbi gjërat me të vërtetë më të rëndësishme?

13 Tërë jeta e një të krishteri është e përqendruar në kryerjen e vullnetit të Perëndisë. (Psalmi 143:10) Kjo është në të vërtetë domethënia e devotshmërisë së shenjtë. Kryerja e vullnetit të Perëndisë i ndihmon familjet që t’i mbajnë sytë në gjërat me të vërtetë të rëndësishme. (Filipianëve 1:9, 10) Për shembull, Jezui paralajmëroi: «Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet.» (Mateu 10:35, 36) Në harmoni me paralajmërimin e Jezuit, shumë prej ithtarëve të tij janë persekutuar nga pjesëtarët e familjes. Çfarë gjendje e trishtueshme dhe e dhimbshme. Megjithatë, lidhjet familjare s’duhet të jenë më të rëndësishme se dashuria jonë për Perëndinë Jehova dhe për Jezu Krishtin. (Mateu 10:37-39) Nëse një person qëndron, pavarësisht nga persekutimet e familjes, kundërshtarët mund të ndryshojnë, kur të shohin ndikimet e mira të devotshmërisë së shenjtë. (1. Korintasve 7:12-16; 1. Pjetrit 3:1, 2) Edhe sikur kjo të mos ndodhë, asnjë e mirë e qëndrueshme nuk vjen, nëse ndërpresim shërbimin e Jehovait për shkak të kundërshtimit.

14. Si do t’i ndihmojë prindërit dëshira për të kryer vullnetin e Perëndisë, që të veprojnë për interesat më të mira të fëmijëve të tyre?

14 Kryerja e vullnetit të Perëndisë do t’i ndihmojë prindërit që të marrin vendime të drejta. Për shembull, në disa bashkësi prindërit kanë prirjen që t’i konsiderojnë fëmijët si investim dhe shpresojnë që fëmijët të kujdesen për ta kur të plaken. Edhe pse është e drejtë dhe e përshtatshme që fëmijët e rritur të kujdesen për prindërit e moshuar, kjo nuk duhet t’i shtyjë prindërit që t’i fusin fëmijët në një rrugë jetese materialiste. Prindërit s’bëjnë asgjë të mirë për fëmijët, nëse i rritin ata me çmueshmëri më të madhe për gjërat materiale, sesa ato frymore.​—1. Timoteut 6:9.

15. Në ç’mënyrë mamaja e Timoteut, Eunika, ishte një shembull i shkëlqyer i prindit që kryen vullnetin e Perëndisë?

15 Një shembull i shkëlqyer në këtë drejtim është Eunika, mamaja e mikut të ri të Pavlit, Timoteut. (2. Timoteut 1:5) Edhe pse ishte martuar me një jobesimtar, Eunika, bashkë me gjyshen e Timoteut, Loidenë, e rritën me sukses Timoteun që të ndiqte devotshmërinë e shenjtë. (2. Timoteut 3:14, 15) Kur Timoteu ishte mjaft i rritur, Eunika e lejoi të largohej nga shtëpia e të ndërmerrte veprën e predikimit të Mbretërisë, si shoqërues i misionarit Pavël. (Veprat 16:1-5) Sa e emocionuar duhet të ketë qenë ajo, kur biri i saj u bë një misionar i shquar! Devotshmëria e tij e shenjtë si i rritur, pasqyronte qartë stërvitjen e tij të hershme. Sigurisht, Eunika ka gjetur kënaqësi e gëzim kur ka dëgjuar për shërbimin e besueshëm të Timoteut, edhe pse mbase e merrte malli ngaqë s’e kishte me vete.​—Filipianëve 2:19, 20.

FAMILJA DHE E ARDHMJA JUAJ

16. Si një bir, çfarë kujdesi të duhur tregoi Jezui, por cili ishte objektivi i tij kryesor?

16 Jezui u rrit në një familje të devotshme dhe kur u bë i madh, ai tregoi kujdesin e duhur që një bir shfaq për të ëmën. (Luka 2:51, 52; Gjoni 19:26) Megjithatë, objektivi kryesor i Jezuit ishte përmbushja e vullnetit të Perëndisë dhe për të kjo përfshinte edhe hapjen e rrugës, që njerëzimi të gëzonte jetën e përhershme. Këtë e bëri, kur ofroi jetën e tij të përsosur njerëzore si shpërblim për njerëzimin mëkatar.​—Marku 10:45; Gjoni 5:28, 29.

17. Çfarë perspektivash të lavdishme hapi rruga e besueshme e Jezuit, për ata që kryejnë vullnetin e Perëndisë?

17 Pas vdekjes së Jezuit, Jehovai e ngriti atë në jetën qiellore dhe i dha autoritet të madh, duke e vendosur përfundimisht si Mbret në Mbretërinë qiellore. (Mateu 28:18; Romakëve 14:9; Zbulesa 11:15) Sakrifica e Jezuit bëri të mundur që disa njerëz të zgjidheshin për të sunduar me të në atë Mbretëri. Gjithashtu, kjo hapi rrugën që pjesa tjetër e njerëzve zemërdrejtë të gëzojnë jetë të përsosur mbi një tokë të rikthyer në kushtet parajsore. (Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 4; 21:3-5; 22:1-4) Një nga privilegjet më të mëdha që ne kemi sot, është që t’ua themi këtë lajm të mirë të lavdishëm të afërmve tanë.​—Mateu 24:14.

18. Çfarë përkujtuesish dhe çfarë inkurajimi u është dhënë si familjeve, ashtu edhe individëve?

18 Siç tregoi apostulli Pavël, një jetë me devotshmëri të shenjtë mban premtimin se njerëzit mund t’i trashëgojnë këto bekime në jetën «që do të vijë». Sigurisht, kjo është mënyra më e mirë për të gjetur lumturinë! Mos harroni, «bota kalon me lakminë e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë». (1. Gjonit 2:17) Prandaj, çfarëdo qofsh, fëmijë apo prind, burrë apo grua, ose i pamartuar me apo pa fëmijë, përpiqu të kryesh vullnetin e Perëndisë. Edhe kur të jesh nën presione apo kur të ballafaqosh vështirësi ekstreme, kurrë mos harro që je një shërbëtor i Perëndisë së gjallë. Prandaj, veprimet e tua le t’i sjellin gëzim Perëndisë Jehova! (Proverbat 27:11) Gjithashtu, sjellja jote le të sjellë për ty lumturi tani dhe jetë të përhershme në botën e re që po vjen!