Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një libër praktik për jetën moderne

Një libër praktik për jetën moderne

Një libër praktik për jetën moderne

Librat që ofrojnë këshilla janë shumë të përhapur në botën e sotme. Por ata kanë prirjen të dalin nga moda dhe shpejt rishikohen apo zëvendësohen. Ç’të themi për Biblën? Ajo u përfundua pothuajse 2.000 vjet më parë. Megjithatë, mbi mesazhin e saj origjinal nuk janë bërë kurrë përmirësime, as nuk ka dalë mode. A ka mundësi që një libër i tillë të përmbajë drejtim praktik për ne sot?

DISA thonë jo. «Askush nuk do të ishte pro përdorimit të një libri kimie, i botuar në vitin 1924, në një klasë moderne të kimisë»,—shkroi dr. Eli S. Çesën, duke shpjeguar se përse mendonte që Bibla është e dalë mode.1 Në pamje të parë, një argumentim i tillë ka kuptim. Tekefundit, njeriu ka mësuar shumë në lidhje me shëndetin mendor dhe sjelljen humane, që nga koha kur u shkrua Bibla. Pra, si ka mundësi vallë që një libër i tillë i lashtë, të jetë i përshtatshëm për jetën moderne?

Parime që s’njohin kohë

Edhe pse është e vërtetë që kohët kanë ndryshuar, nevojat bazë njerëzore kanë mbetur po ato. Gjatë gjithë historisë, njerëzit kanë pasur nevojë për dashuri dhe ngrohtësi. Ata kanë dashur të jenë të lumtur dhe të bëjnë një jetë domethënëse. Ata kanë pasur nevojë për këshilla se si të përballojnë presionet ekonomike, se si të kenë sukses në martesë dhe se si të ngulitin një moral të mirë dhe vlera etike te fëmijët e tyre. Bibla përmban këshilla që trajtojnë këto nevoja bazë.—Predikuesi 3:12, 13; Romakëve 12:10; Kolosianëve 3:18-21; 1. Timoteut 6:6-10.

Këshillat e Biblës pasqyrojnë një njohje të mprehtë të natyrës njerëzore. Le të shqyrtojmë disa shembuj të parimeve të saj specifike e që s’njohin kohë, të cilat janë praktike për jetën moderne.

Drejtim praktik për martesën

Familja, thotë UN Chronicle, «është njësia më e vjetër dhe më kryesore e organizimit njerëzor; lidhja kyçe më e madhe mes brezave». Kjo ‘lidhje kyçe’, megjithatë, është duke u copëtuar me një rritje alarmante. «Në botën e sotme,—vëren Chronicle,—shumë familje përballojnë sfida shkurajuese, të cilat kërcënojnë aftësinë e tyre për të funksionuar, madje, për të mbijetuar.»2 Çfarë këshillash ofron Bibla, për të ndihmuar mbijetesën e njësisë familjare?

Sa për të filluar, Bibla ka shumë për të thënë mbi mënyrën se si duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin burrat dhe gratë. Në lidhje me burrat, për shembull, ajo thotë: «Burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet, do vetveten. Sepse askush nuk e urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të.» (Efesianëve 5:28, 29) Gruaja është këshilluar «të ketë respekt të thellë për burrin e saj».—Efesianëve 5:33, BR.

Le të shqyrtojmë se çfarë nënkupton zbatimi i këtyre këshillave të Biblës. Një burrë që e do gruan e tij ‘porsi trupin e vet’, nuk ka urrejtje dhe nuk është brutal kundrejt saj. Ai nuk e godet atë fizikisht, as nuk abuzon me të me fjalë apo emocionalisht. Përkundrazi, ai i jep asaj po atë vlerësim dhe konsideratë që tregon për veten. (1. Pjetrit 3:7) Kësisoj, gruaja e tij ndihet e dashur dhe e vlerësuar brenda martesës së saj. Në këtë mënyrë, ai siguron për fëmijët një shembull të mirë se si duhen trajtuar gratë. Nga ana tjetër, një grua që ka «respekt të thellë» për të shoqin, nuk i heq atij dinjitetin, duke e kritikuar vazhdimisht apo duke e përçmuar. Meqë ajo e respekton, ai ndihet i besuar, i pranuar dhe i vlerësuar.

A është praktike kjo këshillë në këtë botë moderne? Është interesante se edhe ata që janë të specializuar në studimin e familjeve të sotme, kanë mbërritur në përfundime të ngjashme. Administratorja e një programi për këshilla familjare vërejti: «Familjet më të shëndetshme që njoh, janë ato ku nëna dhe babai kanë ndërmjet tyre një marrëdhënie të fortë e të dashur. . . . Duket se kjo marrëdhënie e fortë e dorës së parë rrënjos te fëmijët siguri.»3

Në rrjedhën e viteve, këshillat e Biblës mbi martesën kanë dalë shumë herë më të besueshme, se këshillat e këshilltarëve të panumërt e qëllimmirë familjarë. Në fund të fundit, jo shumë kohë më parë, shumë ekspertë përkrahnin divorcin si një zgjidhje të shpejtë e të lehtë për një martesë të papëlqyeshme. Sot, shumë prej tyre i nxitin njerëzit që ta bëjnë martesën e tyre sa më të qëndrueshme të jetë e mundur. Por ky ndryshim erdhi vetëm pasi kishte shkaktuar tashmë shumë dëme.

Në kontrast, Bibla jep këshilla të besueshme e të ekuilibruara mbi temën e martesës. Ajo e pranon se në disa rrethana ekstreme divorci është i lejueshëm. (Mateu 19:9) Njëkohësisht, ajo e dënon divorcin për gjëra të kota. (Malakia 2:14-16) Ajo dënon, gjithashtu, edhe mungesën e besnikërisë martesore. (Hebrenjve 13:4) Ajo thotë se martesa përfshin një angazhim: «Ja, përse një burrë do të lërë atin dhe nënën e tij dhe do të ngjitet pas gruas së tij dhe ata do të bëhen një mish.» *Zanafilla 2:24, BR; Mateu 19:5, 6.

Këshillat e Biblës mbi martesën janë po aq të përshtatshme sot, sa ishin edhe atëherë kur u shkrua Bibla. Kur burri dhe gruaja e trajtojnë njëri-tjetrin me dashuri dhe respekt dhe e konsiderojnë martesën si një marrëdhënie ekskluzive, martesa ka më shumë të ngjarë të mbijetojë dhe bashkë me të edhe familja.

Drejtim praktik për prindërit

Disa dekada më parë, të nxitur nga «ide novatore» mbi stërvitjen e fëmijëve, prindërit mendonin se ishte «e ndaluar të ndaloje».8 Ata druheshin se vendosja e kufizimeve, do të shkaktonte traumë dhe zhgënjim. Duke u nisur nga qëllime të mira, këshilltarët në fushën e rritjes së fëmijëve këmbëngulnin se prindërit duhej të mos u jepnin fëmijëve të tyre më shumë se vetëm një korrigjim tepër të butë. Por tani, shumë prej këtyre ekspertëve janë duke rishqyrtuar rolin e disiplinës, ndërsa prindër të shqetësuar po kërkojnë sqarime mbi këtë temë.

Por, gjatë gjithë kësaj kohe, Bibla ka ofruar në lidhje me rritjen e fëmijëve këshilla të qarta e të arsyeshme. Gati 2.000 vjet më parë, ajo thoshte: «Etër, mos provokoni për zemërim fëmijët tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit.» (Efesianëve 6:4) Emri grek i përkthyer «disiplinë», do të thotë «rritje, stërvitje, udhëzim».9 Bibla thotë se kjo disiplinë apo ky udhëzim është dëshmi e dashurisë prindërore. (Fjalët e urta 13:24) Fëmijët bëjnë përpara me një drejtim më se të qartë moral dhe me një ndjenjë të zhvilluar të së drejtës dhe të së gabuarës. Disiplina u tregon atyre se prindërit kujdesen për ta dhe për llojin e personit që ata janë duke u bërë.

Por autoriteti prindëror, «shkopi i disiplinës», duhet të mos jetë kurrë abuziv. * (Fjalët e urta 22:15, BR; 29:15) Bibla u bënë thirrje prindërve për kujdes: «Mos i mbikorrigjoni fëmijët tuaj, përndryshe do t’u hiqni gjithë guximin.» (Kolosianëve 3:21, Phillips) Po ashtu, ajo pranon se ndëshkimi fizik, zakonisht nuk është metoda më frytdhënëse mësimore. Fjalët e urta 17:10 thotë: «Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai.» Veç kësaj, Bibla rekomandon disiplinën parandaluese. Ligjin e përtërirë 11:19, prindërit janë të nxitur që të përfitojnë nga momentet joformale, për të ngulitur vlerat morale në fëmijët e tyre.—Shiko edhe Ligjin e përtërirë 6:6, 7.

Këshillat e Biblës që s’njohin kohë, janë të qarta për prindërit. Fëmijët kanë nevojë për disiplinë të vazhdueshme e të dashur. Përvoja praktike tregon se një këshillë e tillë vepron me të vërtetë. *

Kapërcimi i pengesave që ndajnë njerëzit

Sot, njerëzit janë të ndarë nga pengesa raciale, kombëtare dhe etnike. Mure të tilla artificiale kanë kontribuar në masakrat e njerëzve të pafajshëm nëpër luftërat përreth botës. Sikur historia të ishte një tregues, perspektiva që burra e gra të racave dhe kombeve të ndryshme ta konsiderojnë dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin si të barabartë, është e zymtë. «Zgjidhja,—thotë një burrë shteti afrikan,—ndodhet në zemrat tona.»11 Por nuk është e lehtë të ndryshosh zemrat e njerëzve. Megjithatë, le të shqyrtojmë se si mesazhi i Biblës i bën thirrje zemrës dhe ushqen qëndrimet e barazisë.

Mësimi biblik se Perëndia «prej një njeriu krijoi mbarë gjininë njerëzore», përjashton çdo ide të superioritetit racial. (Veprat 17:26, DSF) Ai tregon se në të vërtetë ka vetëm një racë: raca njerëzore. Më tej, Bibla na inkurajon të bëhemi «imitues të Perëndisë», për të cilin ajo thotë: «Perëndia nuk tregohet i anshëm; por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai.» (Efesianëve 5:1; Veprat 10:34, 35) Për ata që e marrin Biblën seriozisht dhe që përpiqen me të vërtetë të jetojnë sipas mësimeve të saj, kjo njohuri ka një ndikim bashkues. Ajo vepron në nivelin më të thellë, në zemrën e njeriut, duke shkrirë pengesat e bëra nga njeriu, të cilat i ndajnë popujt. Të shqyrtojmë një shembull.

Kur Hitleri ndezi luftën anembanë Evropës, kishte një grup të krishterësh, Dëshmitarët e Jehovait, të cilët me vendosmëri nuk pranuan të bashkoheshin në masakrën e njerëzve të pafajshëm. Ata ‘nuk ngritën shpatën’ kundër njerëzve të tjerë. Këtë qëndrim e morën, sepse kishin dëshirë t’i pëlqenin Perëndisë. (Isaia 2:3, 4; Mikea 4:3, 5) Ata i besonin me të vërtetë mësimet e Biblës, pra, që asnjë komb apo racë nuk është më e mirë se një tjetër. (Galatasve 3:28) Për shkak të qëndrimit të tyre paqedashës, Dëshmitarët e Jehovait ishin ndër të burgosurit e parë në kampet e përqendrimit.—Romakëve 12:18.

Por jo të gjithë ata që pohonin se ndiqnin Biblën morën një qëndrim të tillë. Pak pas Luftës II Botërore, Martin Nimëler, një klerik gjerman protestant, shkroi: «Kushdo që dëshiron të fajësojë Perëndinë për [luftërat] nuk e njeh, apo nuk dëshiron ta njohë, Fjalën e Perëndisë. . . . Kishat e krishtere, gjatë gjithë kohëve, kanë ofruar vazhdimisht shërbesat e tyre në bekimin e luftërave, trupave dhe armëve, duke u lutur në një mënyrë aspak të krishterë për shkatërrimin e armiqve të tyre në luftë. I gjithë ky është faji ynë dhe faji i baballarëve tanë, por në asnjë mënyrë nuk duhet fajësuar Perëndia. Ne të krishterët e sotëm qëndrojmë kokulur para një të ashtuquajturi sekt, si Studentët e Sinqertë të Biblës [Dëshmitarët e Jehovait], të cilët me qindra e mijëra u dërguan nëpër kampet e përqendrimit dhe [madje] vdiqën, pasi nuk pranuan të shërbenin në luftë dhe të hapnin zjarr mbi njerëzit.»12

Sot e kësaj dite, Dëshmitarët e Jehovait janë të mirënjohur për vëllazërinë e tyre, e cila bashkon arabë dhe judenj, kroatë dhe serbë, hutu dhe tutsi. Megjithatë, Dëshmitarët e pranojnë menjëherë se ky unitet është i mundur, jo ngaqë ata janë më të mirë se të tjerët, por sepse ata janë të motivuar nga fuqia e mesazhit të Biblës.—1. Thesalonikasve 2:13.

Drejtim praktik që nxit shëndet të mirë mendor

Shëndeti fizik i një personi ndikohet shpesh nga gjendja e shëndetit të tij mendor dhe emocional. Për shembull, studimet shkencore kanë vërtetuar ndikimet dëmtuese të zemërimit. Në një libër të tyre, dr. Redford Uilliams, drejtor i kërkimeve në sjellje, në Qendrën Mjekësore të Universitetit Djuk dhe gruaja e tij, Virxhinia Uilliams, thonë: «Pjesa më e madhe e dëshmisë në dispozicion sugjeron se njerëzit që zemërohen kollaj janë në një rrezik më të madh për sëmundje kardiovaskulare (si dhe për sëmundje të tjera) për një sërë arsyesh, duke përfshirë zvogëlimin e mbështetjes shoqërore, rritjen e kundërveprimit biologjik kur janë të zemëruar dhe shtimin e dhënies pas sjelljeve të rrezikshme për shëndetin.»—Anger Kills.13

Mijëra vjet përpara këtyre studimeve shkencore, me terma të thjeshtë, por të qartë, Bibla vendosi një lidhje mes gjendjes sonë emocionale dhe shëndetit tonë fizik: «Një zemër e qetë është jeta e organizmit mishor, por xhelozia është kalbësira e kockave.» (Fjalët e urta 14:30, BR; 17:22) Me mençuri, Bibla këshillonte: «Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen [apo «tërbimin», BR].» Apo: «Mos u nxito në frymën tënde të zemërohesh.»—Psalmi 37:8; Predikuesi 7:9.

Bibla përmban këshilla të mençura edhe për kontrollimin e zemërimit. Për shembull, Fjalët e urta 19:11 thotë: «Mendjehollësia e një njeriu sigurisht e ngadalëson zemërimin e tij dhe është e bukur nga ana e tij që ta kapërcejë shkeljen.» (BR) Fjala hebraike për «mendjehollësi» rrjedh nga një folje që tërheq vëmendjen ndaj «dijenisë për arsyen» e diçkaje.14 Këshilla e mençur është: «Mendo përpara se të veprosh.» Përpjekja për të kuptuar arsyet në bazë të të cilave të tjerët flasin a veprojnë në njëfarë mënyre, mund ta ndihmojë një person që të jetë më tolerant e më pak i prirur ndaj zemërimit.—Fjalët e urta 14:29.

Një tjetër këshillë praktike e gjejmë në Kolosianëve 3:13, ku thuhet: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni lirisht njëri-tjetrin.» (BR) Acarimet e vogla janë pjesë e jetës. Shprehja «vazhdoni të duroni njëri-tjetrin» sugjeron tolerimin e gjërave që nuk na pëlqejnë te të tjerët. «Të falësh» do të thotë të mos mbash inat. Disa herë, është e mençur t’i nxjerësh jashtë ndjenjat e hidhura, në vend se t’i ushqesh ato; duke strukur në gji zemërimin, s’bëjmë gjë tjetër veçse shtojmë barrën tonë.—Shiko kutinë «Drejtim praktik për marrëdhëniet njerëzore».

Sot, ka shumë burime për këshilla dhe drejtim. Por Bibla është vërtet e pashoqe. Këshillat e saj nuk janë thjesht teori e po ashtu ato kurrë nuk janë për të keqen tonë. Përkundrazi, mençuria e tyre ka dalë «plotësisht e besueshme». (Psalmi 93:5, DSF) Për më tepër, këshillat e Biblës nuk njohin kohë. Edhe pse u përfundua afro 2.000 vjet më parë, fjalët e saj janë ende të zbatueshme. Ato zbatohen me efekte të barabarta pavarësisht nga ngjyra e lëkurës sonë apo nga vendi ku jetojmë. Fjalët e Biblës janë edhe të fuqishme, me fuqinë për t’i ndryshuar njerëzit për mirë. (Hebrenjve 4:12) Prandaj, leximi i këtij libri dhe zbatimi i parimeve të tij, mund të përmirësojë cilësinë e jetës suaj.

[Shënimet]

^ par. 13 Fjala hebraike da·vaqʹ, e përkthyer këtu «ngjitet», «bart idenë e ngjitjes pas dikujt në dashuri të përzemërt dhe besnikëri».4 Në greqisht, fjala e përkthyer «do të ngjitet» në Mateun 19:5 lidhet me fjalën që do të thotë «ngjis me tutkall», «çimentoj», «lidh së bashku ngushtësisht».5

^ par. 18 Në kohët biblike, fjala «shkop» (hebraisht sheʹvet) nënkuptonte një «shufër» apo një «stap», të tillë si ata që përdorin barinjtë.10 Në këtë kontekst, shkopi i autoritetit sugjeron drejtim të dashur, jo brutalitet të ashpër.—Krahaso Psalmi 23:4.

^ par. 19 Shikoni kapitujt «Stërvitini fëmijët që në foshnjëri», «Ndihmojini adoleshentët që të rriten të mbarë», «A ka ndonjë rebel në shtëpi?» dhe «Mbroni familjen tuaj nga ndikimet shkatërimtare», në librin Sekreti i lumturisë familjare, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Diçitura në faqen 24]

Bibla ofron këshilla të qarta e të arsyeshme mbi jetën familjare

[Kutia në faqen 23]

Karakteristika të familjeve të shëndetshme

Disa vite më parë, një edukatore dhe specialiste familjare drejtoi një anketë të zgjeruar, në të cilën më shumë se 500 profesionistëve që merren me familjet, iu kërkua të komentonin mbi aspektet që kishin vëzhguar ata në familjet «e shëndetshme». Në mënyrë interesante, ndërmjet aspekteve më të zakonshme ishin gjëra që Bibla i kishte rekomanduar shumë kohë më parë.

Në krye të listës qëndronte praktikimi i një komunikimi të mirë, duke përfshirë metodat frytdhënëse të sheshimit të mosmarrëveshjeve. Një taktikë e zakonshme e gjetur në familjet e shëndetshme, është që «askush të mos shkojë në shtrat i zemëruar me tjetrin», vërejti autorja e anketës.6 Megjithatë, mbi 1.900 vjet të shkuara, Bibla paralajmëronte: «Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj.» (Efesianëve 4:26) Në kohët biblike, ditët llogariteshin nga lindja dhe perëndimi i diellit. Pra, shumë kohë përpara studimeve familjare të ekspertëve modernë, Bibla këshillonte me mençuri: Zgjidhini çështjet që ju ndajnë me shpejtësi, përpara se të mbarojë një ditë e të fillojë tjetra.

Familjet e shëndetshme «nuk nisin biseda mbi tema potencialisht shpërthyese, tamam përpara se të dalin nga shtëpia apo përpara se të shkojnë në shtrat», zbuloi autorja. «Shumë e shumë herë kam dëgjuar frazën ‘koha e duhur’.»7 Në mënyrë të pavetëdijshme, shumë familje i kanë bërë jehonë proverbit të Biblës të shkruar mbi 2.700 vjet më parë: «Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi.» (Fjalët e urta 15:23; 25:11) Ky krahasim mund të na sjellë ndër mend zbukurime të arta në formën e mollëve, të vendosura mbi tabaka të gdhendura prej argjendi, sende këto të çmuara e të bukura në kohët biblike. Kjo na përcjell idenë e bukurisë dhe të vlerës së fjalëve të thëna në kohën e përshtatshme. Në rrethana stresuese, fjalët e duhura të thëna në kohën e duhur janë të paçmueshme.—Fjalët e urta 10:19.

[Kutia në faqen 26]

Drejtim praktik për marrëdhëniet njerëzore

«Zemërohuni dhe mos mëkatoni; në shtratin tuaj mendoni shumë në zemrën tuaj dhe qëndroni në heshtje.» (Psalmi 4:4) Në shumë raste që përfshijnë fyerje të vogla, do të ishte e mençur t’i përmbanit fjalët, duke shmangur kështu përplasje emocionale.

«Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim.» (Fjalët e urta 12:18) Mendoni para se të flitni. Fjalët e pamenda mund t’i plagosin të tjerët e të vrasin miqësinë.

«Një përgjigje, kur është e butë, e kthen prapa tërbimin, por një fjalë që shkakton dhimbje bën që të rritet zemërimi.» (Fjalët e urta 15:1, BR) Duhet vetëkontroll për t’u përgjigjur me butësi, por një rrugë e tillë shpesh i zbut problemet dhe nxit lidhje paqësore.

«Shpërthim ujërash vërshimi është fillimi i grindjes, prandaj, para se të niset zënia, largohu.» (Fjalët e urta 17:14) Është e mençur të dilni nga një situatë shpërthyese, përpara se të humbni kontrollin.

«Mos ji i shpejtë për të treguar fyerje; sepse fyerja ushqehet nga të marrët.» (Predikuesi 7:9, The New English Bible) Shpesh, emocionet vijnë para veprimeve. Personi që shpejton të ofendohet është i marrë, sepse rruga e tij mund të çojë në fjalë dhe veprime të pamatura.

[Figura në faqen 25]

Dëshmitarët e Jehovait ishin ndër të burgosurit e parë në kampet e përqendrimit