Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush mund t’i bëjë ballë Princit të princave?

Kush mund t’i bëjë ballë Princit të princave?

Kapitulli Dhjetë

Kush mund t’i bëjë ballë Princit të princave?

1, 2. Pse ka rëndësi për ne vizioni që pati Danieli në vitin e tretë të mbretërimit të Belshazarit?

KANË kaluar pesëdhjetë e shtatë vjet që nga shkatërrimi i tempullit të Jehovait në Jerusalem. Belshazari dhe i ati, Nabonidi, sundojnë së bashku në Perandorinë Babilonase, fuqia e tretë botërore e profecisë biblike. * Profeti i Perëndisë, Danieli, ndodhet i mërguar në Babiloni. Gjatë «vitit të tretë të mbretërimit të Belshazarit, mbretit», Jehovai i dërgon Danielit një vizion që zbulon disa hollësi të rivendosjes së adhurimit të vërtetë.—Danieli 8:1.

2 Vizioni profetik që pa, pati një ndikim të thellë te Danieli dhe është me interes të madh për ne që jetojmë në «kohën e fundit». Engjëlli Gabriel i thotë Danielit: «Ja tek po të bëj të njohësh atë që do të ndodhë në pjesën përfundimtare të shpalljes së dënimit, sepse është për kohën e caktuar të fundit.» (Danieli 8:16, 17, 19, 27) Le të shqyrtojmë, pra, me interes të thellë atë që pa Danieli dhe domethënien e saj për ne sot.

NJË DASH ME DY BRIRË

3, 4. Cilën kafshë pa Danieli të qëndronte përpara vijës së ujit dhe kë simbolizon ajo?

3 «Fillova të shoh në vizion,—shkruan Danieli,—dhe ndodhi, ndërsa po shihja, që isha në Shushan (Suza), kështjella, e cila është në Elam, rajoni i juridiksionit; dhe vazhdova të shihja në vizion dhe unë vetë u ndodha pranë vijës së ujit të Ulait.» (Danieli 8:2) Nuk thuhet nëse Danieli ishte vërtet në Shushan, kryeqyteti i Elamit që ndodhej rreth 350 kilometra në lindje të Babilonisë, apo vetëm nga vizioni iu duk se ishte atje.

4 Danieli vazhdon: «Kur ngrita sytë, atëherë pashë dhe ja, një dash që qëndronte përpara vijës së ujit dhe kishte dy brirë.» (Danieli 8:3a) Identiteti i dashit nuk mbetet një mister për Danielin. Më vonë, engjëlli Gabriel deklaron: «Dashi që pe, i cili kishte dy brirët, përfaqëson mbretërit e Medisë dhe Persisë.» (Danieli 8:20) Medët erdhën nga pllaja malore në lindje të Asirisë, ndërsa persët në fillim bënin shpesh një jetë nomade në rajonin në veri të Gjirit Persik. Megjithatë, ndërsa Perandoria Medo-Perse rritej, banorët e saj zhvilluan një shije të jashtëzakonshme për luksin.

5. Si u bë më i lartë briri që «doli më pas»?

5 «Të dy brirët ishin të lartë,—tregon Danieli,—por njëri ishte më i lartë se tjetri dhe më i larti ishte ai që doli më pas.» (Danieli 8:3b) Briri më i lartë që doli më vonë paraqet persët, ndërsa briri tjetër përfaqëson medët. Në fillim mbizotëronin medët. Por në vitin 550 p.e.s., Kiri, sundimtari i Persisë, arriti një fitore të lehtë mbi mbretin med, Astiagjin. Kiri kombinoi zakonet dhe ligjet e dy popujve, bashkoi mbretëritë e tyre dhe zgjeroi pushtimet e tyre. Që prej asaj kohe, perandoria u bë një fuqi botërore dyshe.

DASHI MBAHET ME TË MADH

6, 7. Si ndodhi që «asnjë bishë e egër nuk qëndronte më përpara» dashit?

6 Duke vazhduar përshkrimin e dashit, Danieli deklaron: «Pashë dashin duke goditur me brirë drejt perëndimit, drejt veriut dhe drejt jugut dhe asnjë bishë e egër nuk qëndronte më përpara tij dhe nuk kishte asnjë njeri që të lironte nga dora e tij. Dhe ai bënte sipas vullnetit të tij dhe mbahej me të madh.»—Danieli 8:4.

7 Në vizionin e mëparshëm që iu dha Danielit, Babilonia ishte paraqitur nga bisha e egër që doli prej detit dhe që ishte si një luan me krahët e një shqiponje. (Danieli 7:4, 17) Ajo bishë simbolike tregoi se nuk qe në gjendje të qëndronte përpara «dashit» të këtij vizioni të ri. Në vitin 539 p.e.s., Babilonia ra në duart e Kirit të Madh. Për pothuajse 50 vjet pas kësaj, «asnjë bishë e egër» apo qeveri politike, nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë Perandorisë Medo-Perse: fuqia e katërt botërore e profecisë biblike.

8, 9. (a) Në ç’mënyrë ‘goditi me brirë drejt perëndimit, drejt veriut dhe drejt jugut’ dashi? (b) Çfarë thotë libri i Esterës për pasuesin e mbretit pers Dari I?

8 Duke ardhur prej ‘lindjes së diellit’, nga lindja, fuqia botërore medo-perse bëri si ia kishte qejfi, duke «goditur me brirë drejt perëndimit, drejt veriut dhe drejt jugut». (Isaia 46:11) Mbret Kambisi II, i cili pasoi Kirin e Madh, pushtoi Egjiptin. Pasuesi i tij ishte mbreti pers Dari I, i cili në vitin 513 p.e.s. shkoi drejt perëndimit përmes ngushticës së Bosforit dhe pushtoi territorin evropian të Trakës, kryeqyteti i së cilës ishte Bizanti (tani Stambolli). Në vitin 508 p.e.s., ai nënshtroi Trakën, ndërsa në vitin 496 p.e.s. pushtoi Maqedoninë. Kështu, në kohën e Darit, «dashi» medo-pers kishte pushtuar territore në tri drejtime kryesore: në veri, Babiloninë dhe Asirinë, në perëndim nëpër Azinë e Vogël dhe në jug, Egjiptin.

9 Në vërtetim të madhështisë së Perandorisë Medo-Perse, Bibla flet për pasuesin e Darit, Kserksin I, si «Aseri që sundonte si mbret nga India në Etiopi, mbi njëqind e njëzet e shtatë rajone juridiksioni». (Estera 1:1) Por kjo perandori madhështore do t’ia linte vendin një tjetre dhe në lidhje me këtë vizioni i Danielit zbulon disa hollësi interesante, të cilat duhet ta forcojnë besimin tonë te fjala profetike e Perëndisë.

CJAPI RRËZON DASHIN

10. Cila ishte kafsha që në vizionin e Danielit rrëzoi «dashin»?

10 Imagjino habinë e Danielit për atë që sheh tani. Tregimi thotë: «Unë, nga ana ime, vazhdova të shqyrtoja dhe ja, një cjap vinte nga perëndimi i diellit mbi sipërfaqen e tërë tokës dhe nuk e prekte tokën. Dhe për sa i përket cjapit, midis syve të tij ndodhej një bri i spikatshëm. Dhe vazhdoi të vinte deri te dashi që kishte dy brirët, të cilin e kisha parë që qëndronte përpara vijës së ujit; dhe erdhi duke vrapuar drejt tij në tërbimin e tij të fuqishëm. Dhe e pashë të vinte shumë pranë dashit dhe filloi të tregonte hidhësi ndaj tij, e rrëzoi dashin, theu dy brirët e tij dhe te dashi doli se s’kishte fuqi për t’i qëndruar përpara. Kështu, ai e hodhi përtokë dhe e shkeli me këmbë dhe doli se dashi nuk pati asnjë për ta liruar nga duart e tij.» (Danieli 8:5-7) Ç’do të thotë e gjithë kjo?

11. (a) Çfarë shpjegimi dha engjëlli Gabriel për «cjapin leshtor» dhe «bririn e madh» të tij? (b) Kush paraqitej nga briri i spikatshëm?

11 As Danieli dhe as ne nuk kemi pse të hamendemi në lidhje me domethënien e këtij vizioni. «Cjapi leshtor përfaqëson mbretin e Greqisë; dhe sa për bririn e madh që ishte midis syve të tij, ai përfaqëson mbretin e parë»,—e informon Danielin engjëlli Gabriel. (Danieli 8:21) Në vitin 336 p.e.s., u kurorëzua mbreti i fundit i Perandorisë Perse, Dari III (Kodomani). Po atë vit, Aleksandri u bë mbret në Maqedoni. Historia tregon që Aleksandri i Madh doli se ishte ai që qe parathënë si i pari «mbret i Greqisë». Në vitin 334 p.e.s., duke filluar «nga perëndimi i diellit» apo perëndimi, Aleksandri veproi me shpejtësi. Si të ‘mos prekte tokën’, ai pushtoi territore dhe rrëzoi «dashin». Duke i dhënë fund sundimit prej pothuajse dy shekujsh të Medo-Persisë, Greqia u bë kështu fuqia e pestë botërore me domethënie biblike. Ç’përmbushje e jashtëzakonshme e profecisë hyjnore!

12. Si u «thye» «briri i madh» i cjapit simbolik dhe cilët ishin katër brirët që dolën në vend të tij?

12 Por pushteti i Aleksandrit do ta kishte jetën të shkurtër. Më tej, vizioni zbulon: «Dhe cjapi, nga ana e tij, u mbajt me të madh deri në ekstrem; por sapo u bë i fuqishëm, briri i madh u thye dhe në vend të tij dolën në mënyrë të spikatur katër, drejt katër erërave të qiejve.» (Danieli 8:8) Duke shpjeguar profecinë, Gabrieli thotë: «Duke qenë se ky u thye, kështu që së fundi ishin katër ata që u ngritën në vend të tij, janë katër mbretëri prej kombit të tij që do të ngrihen, por jo me fuqinë e tij.» (Danieli 8:22) Siç ishte parathënë, tamam në kulmin e karrierës së tij fitimtare, Aleksandri u «thye» apo vdiq, kur s’ishte veçse 32 vjeç. Së fundi, perandoria e tij e madhe u nda mes katër gjeneralëve të tij.

NJË BRI I VOGËL I MISTERSHËM

13. Çfarë doli nga njëri prej katër brirëve dhe si veproi ai?

13 Pjesa tjetër e vizionit përfshin një periudhë prej më shumë se 2.200 vjetësh dhe përmbushja e tij shtrihet deri në ditët e sotme. Danieli shkruan: «Nga njëri prej tyre [katër brirëve] doli një bri tjetër, një i vogël, dhe vazhdoi të zmadhohej shumë drejt jugut, drejt lindjes së diellit dhe drejt Stolisë. Dhe vazhdoi të zmadhohej deri tek ushtria e qiejve, kështu që bëri të binin në tokë disa nga ushtria dhe disa nga yjet dhe i shkeli me këmbë. Dhe deri te Princi i ushtrisë u mbajt me të madh dhe prej tij u hoq tipari i qëndrueshëm dhe vendi i përcaktuar i shenjtërores së tij u hodh poshtë. Dhe vetë një ushtri u dorëzua gradualisht, bashkë me flijimin e vazhdueshëm, për shkak të shkeljes; dhe vazhdoi ta hidhte përtokë të vërtetën, veproi dhe pati sukses.»—Danieli 8:9-12.

14. Çfarë tha engjëlli Gabriel në lidhje me veprimtaritë e bririt të vogël simbolik dhe çfarë do t’i ndodhte atij briri?

14 Përpara se të mund të kuptojmë domethënien e fjalëve të sapocituara, duhet t’i kushtojmë vëmendje engjëllit të Perëndisë. Pasi tregon qartë ardhjen në fuqi të katër mbretërive nga perandoria e Aleksandrit, engjëlli Gabriel thotë: «Në pjesën përfundimtare të mbretërisë së tyre, ndërsa shkelësit veprojnë drejt kryerjes, do të ngrihet një mbret me pamje të egër fytyre dhe që kupton thëniet e dykuptimta. Dhe fuqia e tij duhet të bëhet e madhe, por jo me anë të fuqisë së tij. Dhe do të shkaktojë rrënim në një mënyrë të habitshme dhe me siguri do të dalë i suksesshëm dhe do të veprojë me efektshmëri. Dhe do t’i çojë me të vërtetë të fuqishmit në rrënim, si dhe popullin e përbërë nga të shenjtët. Dhe sipas mendjehollësisë së tij, ai do të bëjë me siguri edhe që mashtrimi t’ia dalë mbanë në dorën e tij. Dhe në zemrën e tij do të mbahet me të madh dhe gjatë një kohe pa shqetësime do të çojë shumë në rrënim. Dhe do të ngrihet kundër Princit të princave, por do të thyhet jo nga dorë.»—Danieli 8:23-25.

15. Ç’gjë i tha engjëlli Danielit të bënte në lidhje me vizionin?

15 «Ti, nga ana jote, mbaje sekret vizionin,—i thotë engjëlli Danielit,—sepse është ende për shumë ditë.» (Danieli 8:26) Përmbushja e kësaj pjese të vizionit nuk duhej të ndodhte për «shumë ditë» dhe Danieli duhej ta ‘mbante sekret vizionin’. Me sa duket, domethënia e tij mbeti një mister për Danielin. Megjithatë, deri tani, ato «shumë ditë» duhet të kenë kaluar me siguri. Kështu që pyesim: ‘Çfarë zbulon historia botërore në lidhje me përmbushjen e këtij vizioni profetik?’

BRIRI I VOGËL BËHET I MADH NË FUQI

16. (a) Prej cilit bri simbolik doli briri i vogël? (b) Si u bë Roma fuqia e gjashtë botërore e profecisë biblike, por pse nuk ishte ajo briri i vogël simbolik?

16 Sipas historisë, briri i vogël ishte degëzim i njërit prej katër brirëve simbolikë, i atij që ishte më i drejtuar për nga perëndimi. Kjo ishte mbretëria helenistike e gjeneralit Kasandër mbi Maqedoninë dhe Greqinë. Më vonë, kjo mbretëri u përpi nga mbretëria e gjeneralit Lisimak, mbreti i Trakës dhe i Azisë së Vogël. Në shekullin e dytë para erës sonë, këta sektorë perëndimorë të zotërimit helenistik u pushtuan nga Roma. Gjithashtu, aty nga viti 30 p.e.s., Roma gllabëroi të gjitha mbretëritë helenistike, duke e bërë veten fuqinë e gjashtë botërore të profecisë biblike. Por Perandoria Romake nuk ishte briri i vogël i vizionit të Danielit, sepse ajo perandori nuk vazhdoi deri në «kohën e caktuar të fundit».—Danieli 8:19.

17. (a) Ç’marrëdhënie pati Britania me Perandorinë Romake? (b) Si lidhet Perandoria Britanike me mbretërinë helenistike të Maqedonisë dhe Greqisë?

17 Cilin, pra, identifikon historia si atë ‘mbret agresiv me pamje të egër fytyre’? Britania ishte faktikisht një degëzim veriperëndimor i Perandorisë Romake. Deri nga fillimet e shekullit të pestë të e.s., aty ku tani është Britania kishte provinca romake. Me kalimin e kohës, Perandoria Romake u dobësua, por ndikimi i qytetërimit greko-romak vazhdoi në Britani dhe në pjesë të tjera të Evropës që kishin qenë nën zotërimin romak. «Me rënien e Perandorisë Romake,—shkroi fituesi i Çmimit Nobel, poeti dhe autori meksikan Oktavio Paz,—vendin e saj e zuri kisha.» Ai shtoi: «Etërit e kishës, si edhe studiuesit e mëvonshëm, e shartuan filozofinë greke me doktrinën e krishterë.» Gjithashtu, filozofi dhe matematikani i shekullit të 20-të Bertrand Rasëll vërejti: «Qytetërimi i Perëndimit, i cili ka dalë nga burimet greke, bazohet në një traditë filozofike dhe shkencore që filloi në Milet [qytet grek në Azinë e Vogël] dy mijë e pesëqind vjet më parë.» Pra, mund të thuhej se Perandoria Britanike i pati rrënjët e saj kulturore në mbretërinë helenistike të Maqedonisë dhe Greqisë.

18. Cili është briri i vogël që në «kohën e fundit» u bë «një mbret me pamje të egër»? Shpjego.

18 Rreth vitit 1763 të e.s., Perandoria Britanike kishte mundur rivalet e saj të fuqishme, Spanjën dhe Francën. Që prej asaj kohe e më tej, ajo tregoi se ishte padronia e deteve dhe fuqia e shtatë botërore e profecisë biblike. Edhe pas shkëputjes nga Britania të 13 kolonive amerikane në vitin 1776, për të themeluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Perandoria Britanike u rrit derisa përfshiu një të katërtën e të gjithë sipërfaqes së tokës dhe një të katërtën e popullsisë së saj. Fuqia e shtatë botërore fitoi një forcë edhe më të madhe, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkëpunuan me Britaninë për të formuar fuqinë botërore dyshe anglo-amerikane. Ekonomikisht dhe ushtarakisht, kjo fuqi ishte bërë vërtet «një mbret me pamje të egër». Pra, briri i vogël që u bë një fuqi e egër politike në «kohën e fundit», është fuqia botërore anglo-amerikane.

19. Çfarë është «Stolia» e përmendur në vizion?

19 Danieli pa se briri i vogël «vazhdoi të zmadhohej shumë» drejt «Stolisë». (Danieli 8:9) Toka e Premtuar, të cilën Jehovai ia dha popullit të tij të zgjedhur, ishte kaq e bukur, saqë quhej «stolia e të gjitha vendeve», domethënë e krejt tokës. (Ezekieli 20:6, 15) Vërtet, Britania e pushtoi Jerusalemin më 9 dhjetor 1917 dhe në vitin 1920 Lidhja e Kombeve i dha Britanisë së Madhe mandatin mbi Palestinën, i cili do të vazhdonte deri më 14 maj 1948. Por vizioni është profetik dhe përmban shumë simbole. Edhe «Stolia» që përmendet në vizion nuk simbolizon Jerusalemin, por gjendjen tokësore të popullit, të cilin gjatë kohës së sundimit të fuqisë së shtatë botërore, Perëndia e konsideron si të shenjtë. Le të shohim se si përpiqet t’i kërcënojë të shenjtët fuqia botërore anglo-amerikane.

«VENDI I SHENJTËRORES SË TIJ» I HEDHUR POSHTË

20. Cilët janë «ushtria e qiejve» dhe «yjet» që briri i vogël përpiqet t’i rrëzojë?

20 Briri i vogël «vazhdoi të zmadhohej deri tek ushtria e qiejve, kështu që bëri të binin në tokë disa nga ushtria dhe disa nga yjet». Sipas shpjegimit engjëllor, «ushtria e qiejve» dhe «yjet» që briri i vogël orvatet t’i zbresë janë «populli i përbërë nga të shenjtët». (Danieli 8:10, 24) Këta «të shenjtë» janë të krishterë të mirosur nga fryma. Meqenëse kanë hyrë në një marrëdhënie me Perëndinë me anë të besëlidhjes së re, e cila ka hyrë në fuqi me anë të gjakut të derdhur të Jezu Krishtit, ata janë shenjtëruar, janë pastruar dhe janë veçuar për shërbim ekskluziv ndaj Perëndisë . (Hebrenjve 10:10; 13:20) Meqenëse i ka caktuar si trashëgimtarë me Birin e tij në trashëgiminë qiellore, Jehovai i konsideron si të shenjtë. (Efesianëve 1:3, 11, 18-20) Pra, në vizionin e Danielit, «ushtria e qiejve» i referohet mbetjes në tokë të 144.000 «të shenjtëve», që do të mbretërojnë në qiell me Qengjin.—Zbulesa 14:1-5.

21. Cilët zënë një «vend të shenjtë», të cilin fuqia e shtatë botërore orvatet ta shkretojë?

21 Sot, ata që kanë mbetur nga 144.000-t janë përfaqësues tokësorë të «Jerusalemit qiellor», Mbretërisë së Perëndisë që i ngjan një qyteti, dhe masës së marrë nëpërmjet tempullit të tij. (Hebrenjve 12:22, 28; 13:14) Në këtë kuptim, ata zënë një «vend të shenjtë», të cilin fuqia e shtatë botërore përpiqet ta shkelë dhe ta shkretojë. (Danieli 8:13) Duke folur për atë vend të shenjtë edhe si për «vendin e vendosur të shenjtërores [së Jehovait]», Danieli thotë: «Prej tij [Jehovait] u hoq tipari i qëndrueshëm dhe vendi i vendosur i shenjtërores së tij u hodh poshtë. Dhe vetë një ushtri u dorëzua gradualisht, bashkë me flijimin e vazhdueshëm, për shkak të shkeljes; dhe vazhdoi ta hidhte përtokë të vërtetën, veproi dhe pati sukses.» (Danieli 8:11, 12) Si u përmbush kjo?

22. Në ç’mënyrë kreu një «shkelje» të konsiderueshme fuqia e shtatë botërore gjatë Luftës II Botërore?

22 Çfarë përjetuan Dëshmitarët e Jehovait gjatë Luftës II Botërore? Ata vuajtën nën një persekutim intensiv! Ky persekutim filloi në vendet naziste dhe fashiste. Por shpejt ‘e vërteta u hodh përtokë’ në mbarë zotërimin e gjerë të ‘bririt të vogël, fuqia e të cilit ishte bërë e madhe’. «Ushtria» e lajmëtarëve të Mbretërisë dhe vepra e tyre e predikimit të «lajmit të mirë» u ndalua pothuajse në të gjithë Komonuelthin Britanik. (Marku 13:10) Kur rekrutuan efektivin e tyre ushtarak, këto kombe refuzuan t’i përjashtonin Dëshmitarët e Jehovait nga shërbimi ushtarak, duke mos treguar aspak respekt për emërimin e tyre teokratik si shërbëtorë të Perëndisë. Në Shtetet e Bashkuara, shërbëtorët besimplotë të Jehovait përjetuan dhunën e turmave të egërsuara dhe poshtërimin në forma të ndryshme. Fuqia e shtatë botërore, në të vërtetë, u përpoq të hiqte një flijim lavdie, «frytin e buzëve», që i ofrohet rregullisht Jehovait nga populli i vet si «tipari i qëndrueshëm» i adhurimit të tyre. (Hebrenjve 13:15) Në këtë mënyrë, kjo fuqi botërore kreu «shkeljen» e pushtimit të zotërimit të ligjshëm të Perëndisë Më të Lartë, «vendin e vendosur të shenjtërores së tij».

23. (a) Gjatë Luftës II Botërore, si u ngrit «kundër Princit të princave» fuqia botërore anglo-amerikane? (b) Kush është «Princi i princave»?

23 Duke persekutuar «të shenjtët» gjatë Luftës II Botërore, briri i vogël u mbajt me të madh «deri te Princi i ushtrisë». Ose, siç thotë engjëlli Gabriel, u ngrit «kundër Princit të princave». (Danieli 8:11, 25) Titulli «Princi i princave» përdoret ekskluzivisht për Perëndinë Jehova. Fjala hebraike sar, e përkthyer «princ», ka lidhje me një folje që do të thotë «ushtroj zotërim». Përveçse i referohet birit të një mbreti ose një personi të rangut mbretëror, kjo fjalë përdoret edhe në rastin e një kryetari apo kreu. Libri i Danielit përmend princa të tjerë engjëllorë, si për shembull Mikaelin. Perëndia është Kryeprinci i të gjithë princave të tillë. (Danieli 10:13, 21; krahaso Psalmin 83:18.) A mund ta imagjinojmë që dikush të mund t’i bëjë ballë Jehovait, Princit të princave?

«VENDI I SHENJTË» I ÇUAR NË GJENDJEN E DUHUR

24. Cilën siguri na jep Danieli 8:14?

24 Askush nuk mund t’i bëjë ballë Princit të princave, madje as edhe një mbret aq ‘i egër në pamje’ sa fuqia botërore anglo-amerikane! Orvatjet e këtij mbreti për të shkretuar shenjtëroren e Perëndisë nuk kanë sukses. Pas një periudhe prej «dy mijë e treqind mbrëmjesh dhe mëngjesesh,— thotë lajmëtari engjëllor,—vendi i shenjtë do të çohet me siguri në gjendjen e tij të duhur» ose «do të dalë fitimtar».—Danieli 8:13, 14, The New English Bible.

25. Sa e gjatë është periudha profetike prej 2.300 ditësh dhe me cilën ngjarje duhet lidhur ajo?

25 Të 2.300 ditët përbëjnë një periudhë profetike. Kështu që në të përfshihet një vit profetik prej 360 ditësh. (Zbulesa 11:2, 3; 12:6, 14) Pra, këto 2.300 ditë do të ishin baras me 6 vjet, 4 muaj dhe 20 ditë. Kur ishte kjo periudhë? E pra, në vitet 30, populli i Perëndisë në vende të ndryshme filloi të përjetonte persekutimin në rritje. Edhe gjatë Luftës II Botërore, Dëshmitarët e Jehovait u persekutuan egërsisht në vendet e fuqisë botërore dyshe anglo-amerikane. Pse? Për shkak të këmbënguljes së tyre që t’i ‘bindeshin Perëndisë si sundimtar, në vend se njerëzve’. (Veprat 5:29) Prandaj, 2.300 ditët duhet të kenë lidhje me atë luftë. * Por, ç’mund të thuhet për fillimin dhe fundin e kësaj periudhe profetike?

26. (a) Cila është data më e hershme nga kur duhet të fillojë llogaritja e 2.300 ditëve? (b) Kur përfundoi periudha prej 2.300 ditësh?

26 Që «vendi i shenjtë» të «çohej» apo të kthehej në atë gjendje që duhej të ishte, llogaritja e 2.300 ditëve duhet të ketë filluar që nga koha kur ai ishte më parë në «gjendjen e duhur» nga këndvështrimi i Perëndisë. Kjo gjë nuk ndodhi më përpara se 1 qershori i vitit 1938, kur Kulla e Rojës botoi pjesën e parë të artikullit «Organizata». Pjesa e dytë u botua në numrin e 15 qershorit 1938. Duke llogaritur 2.300 ditë (6 vjet, 4 muaj dhe 20 ditë sipas kalendarit hebraik) nga 1 ose 15 qershori 1938, arrijmë në datën 8 ose 22 tetor 1944. Ditën e parë të një asambleje speciale që u mbajt në Pitsburg të Pensilvanisë, SHBA, më 30 shtator dhe 1 tetor 1944, presidenti i Shoqatës Watch Tower foli mbi temën «Rreshtimi teokratik sot». Në mbledhjen vjetore të korporatës, më 2 tetor, statusi i Shoqatës u ndryshua në përpjekje për ta bërë sa më të përafërt me një organizim teokratik që do të lejonte ligji. Me botimin e kërkesave të sqaruara biblike, shpejt organizata teokratike u vendos edhe më plotësisht në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait.

27. Çfarë dëshmie ekzistonte se gjatë viteve plot persekutim të Luftës II Botërore, «tipari i qëndrueshëm» u kufizua?

27 Ndërsa 2.300 vjetët ndiqnin rrjedhën e tyre gjatë Luftës II Botërore, e cila filloi në vitin 1939, ofrimi i «tiparit të qëndrueshëm» në shenjtëroren e Perëndisë ishte rreptësisht i kufizuar, për shkak të persekutimit. Në vitin 1938, Shoqata Watch Tower Bible and Tract kishte 39 degë që mbikëqyrnin veprën e Dëshmitarëve në mbarë botën, por rreth vitit 1943 kishte vetëm 21 të tilla. Edhe rritja e numrit të lajmëtarëve të Mbretërisë gjatë kësaj periudhe ishte e vogël.

28, 29. (a) Ç’zhvillime ndodhën në organizatën e Jehovait, ndërsa afrohej fundi i Luftës II Botërore? (b) Ç’mund të thuhet rreth orvatjeve brutale të armikut për shkretimin dhe shkatërrimin e «vendit të shenjtë»?

28 Siç e vumë re, gjatë muajve të fundit të Luftës II Botërore, Dëshmitarët e Jehovait ripohuan vendosmërinë e tyre për të lartësuar sundimin e Perëndisë Jehova, duke i shërbyer si një organizatë teokratike. Ky ishte objektivi me të cilin në vitin 1944 nisi riorganizimi i veprës së tyre dhe i strukturës udhëheqëse. Në fakt, Kulla e Rojës, 15 tetor 1944, kishte një artikull me titullin «Të organizuar për veprën përfundimtare». Ai dhe artikuj të tjerë të asaj periudhe, të cilët kishin të bënin me shërbimin, treguan se 2.300 ditët kishin përfunduar dhe se «vendi i shenjtë» ishte përsëri në «gjendjen e duhur» të tij.

29 Orvatjet brutale të armikut për të shkretuar dhe shkatërruar «vendin e shenjtë» kishin dështuar plotësisht. Vërtet, mbetja e «të shenjtëve» në tokë, bashkë me shokët e saj të «shumicës së madhe», kishte dalë fitimtare. (Zbulesa 7:9) Edhe shenjtërorja, në gjendjen e saj të duhur teokratike, tani vazhdon t’i bëjë shërbim të shenjtë Jehovait.

30. Çfarë do t’i ndodhë së shpejti «mbretit me pamje të egër»?

30 Fuqia botërore anglo-amerikane mban ende pozitën e saj. «Por do të thyhet jo nga dorë»,—tha engjëlli Gabriel. (Danieli 8:25) Shumë shpejt, kjo fuqi e shtatë e profecisë biblike, ky «mbret me pamje të egër», do të thyhet jo nga duar njerëzore, por nga një fuqi mbinjerëzore në Harmagedon. (Danieli 2:44; Zbulesa 16:14, 16) Sa drithëruese është të dish se atëherë, sovraniteti i Perëndisë Jehova, Princit të princave, do të shfajësohet!

[Shënimet]

^ par. 1 Shtatë fuqitë botërore me një domethënie të veçantë biblike janë Egjipti, Asiria, Babilonia, Medo-Persia, Greqia, Roma dhe fuqia dyshe anglo-amerikane. Të gjitha këto fuqi vlejnë të përmenden, sepse kanë pasur të bëjnë me popullin e Jehovait.

^ par. 25 Danieli 7:25 flet edhe për një periudhë kohe, kur ‘të shenjtët e Supremit përndiqen vazhdimisht’. Siç u shpjegua në kapitullin e mëparshëm, kjo kishte të bënte me Luftën e Parë Botërore.

ÇFARË KE KUPTUAR?

• Ç’paraqet «dashi» me «dy brirë»?

«cjapi leshtor» me «bririn e madh» të tij?

katër brirët që dalin në vend të «bririt të madh»?

briri i vogël që doli nga njëri prej katër brirëve?

• Gjatë Luftës II Botërore, si u përpoq fuqia botërore anglo-amerikane ta shkretonte «vendin e shenjtë» dhe a ia doli mbanë?

[Pyetjet]

[Harta dhe figura në faqen 166]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Perandoria Medo-Perse

Jerusalemi

Babilonia

Memfisi

Ekbatana

Suza

Persepoli

MAQEDONIA

EGJIPTI

ETIOPIA

INDIA

[Harta dhe figura në faqen 169]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Perandoria Greke

MAQEDONIA

Babilonia

EGJIPTI

Lumi Ind

[Harta në faqen 172]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Perandoria Romake

BRITANIA

ITALIA

Roma

Jerusalemi

EGJIPTI

[Figura që zë gjithë faqen 164]

[Figurat në faqen 174]

Disa figura të shquara të fuqisë botërore anglo-amerikane:

1. Xhorxh Uashington, president i parë i SHBA-së (1789-1797)

2. Mbretëresha Viktoria e Britanisë (1837-1901)

3. Udrou Uilson, president i SHBA-së (1913-1921)

4. Dejvid Lloid Xhorxh, kryeministër i Britanisë (1916-1922)

5. Uinston Çërçill, kryeministër i Britanisë (1940-1945, 1951-1955)

6. Frenklin D. Rusvelt, president i SHBA-së (1933-1945)