Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të identifikojmë adhuruesit e vërtetë në kohën e fundit

Të identifikojmë adhuruesit e vërtetë në kohën e fundit

Kapitulli Shtatëmbëdhjetë

Të identifikojmë adhuruesit e vërtetë në kohën e fundit

1. Sipas kapitullit 7 të Danielit, cilat përvoja të jashtëzakonshme do të përjetonte një grup i vogël dhe i pambrojtur njerëzish në ditët tona?

NJË grusht shumë i vogël njerëzish të pambrojtur gjenden nën sulmin e egër të një fuqie të madhe botërore. Ata mbijetojnë të pacënuar dhe madje përjetojnë një përtëritje, jo si rezultat i forcës së tyre, por sepse Perëndia Jehova i çmon. Këto ngjarje që ndodhën në pjesën e parë të shekullit të 20-të, u parathanë në kapitullin 7 të Danielit. Por, kush ishin këta njerëz? I njëjti kapitull i Danielit u referohet atyre si «të shenjtëve të Supremit», Perëndisë Jehova. Aty zbulohet, gjithashtu, se këta individë do të përfundonin si bashkësundimtarë në Mbretërinë Mesianike!—Danieli 7:13, 14, 18, 21, 22, 25-27.

2. (a) Si ndihet Jehovai për shërbëtorët e tij të mirosur? (b) Cila do të ishte një rrugë e mençur për t’u ndjekur gjatë këtyre kohëve?

2 Siç mësuam në kapitullin 11 të Danielit, mbreti i veriut do të marrë fund përgjithmonë, pasi të ketë kërcënuar vendin e sigurt frymor të këtyre njerëzve besnikë. (Danieli 11:45; krahaso Ezekielin 38:18-23.) Po, Jehovai i mbron shumë të mirosurit e tij besnikë. Psalmi 105:14, 15 na thotë: «Për shkak të tyre, [Jehovai] qortoi mbretër, duke thënë: ‘Ju njerëz, mos i prekni të mirosurit e mi dhe mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi.’» E pra, a nuk do të ishe dakord se në këto kohë të trazuara do të ishte e mençur që «shumica e madhe» në rritje të shoqërohet sa më afër që të jetë e mundur me këta të shenjtë? (Zbulesa 7:9; Zaharia 8:23) Jezu Krishti porositi që njerëzit ngjashëm deleve të bënin pikërisht këtë: të shoqëroheshin me vëllezërit e tij frymorë të mirosur, duke i përkrahur në veprën e tyre.—Mateu 25:31-46; Galatasve 3:29.

3. (a) Pse nuk është e lehtë të gjesh ithtarët e mirosur të Jezuit dhe të qëndrosh pranë tyre? (b) Si do të ndihmojë kapitulli 12 i Danielit në lidhje me këtë?

3 Megjithatë, Kundërshtari i Perëndisë, Satanai, ka bërë dhe bën një luftë të gjithanshme kundër të mirosurve. Ai i ka dhënë shtysë fesë së rreme dhe ka arritur kështu ta mbushë botën me të krishterë të rremë. Si rezultat, janë mashtruar shumë njerëz. Të tjerë, thjesht kanë humbur shpresën se mund t’i gjejnë ndonjëherë ata që përfaqësojnë fenë e vërtetë. (Mateu 7:15, 21-23; Zbulesa 12:9, 17) Edhe ata që faktikisht e gjejnë «tufën e vogël» dhe shoqërohen me ta, duhet të luftojnë për ta ruajtur besimin, sepse kjo botë përpiqet vazhdimisht t’ua gërryejë atë. (Luka 12:32) Po ti? A i ke gjetur «të shenjtët e Supremit» dhe a po shoqërohesh me ta? A e njeh dëshminë me baza, e cila provon se ata që ke gjetur janë vërtet ata që ka zgjedhur Perëndia? Një dëshmi e tillë mund ta forcojë besimin tënd. Ajo mund të të pajisë, gjithashtu, që t’i ndihmosh të tjerët të kuptojnë natyrën e vërtetë të rrëmujës fetare në botën e sotme. Kapitulli 12 i Danielit përmban një bollëk të kësaj njohurie jetëdhënëse.

PRINCI MADHËSHTOR HIDHET NË VEPRIM

4. (a) Cilat janë dy gjërat e dallueshme që parathotë Danieli 12:1 në lidhje me Mikaelin? (b) Në librin e Danielit, çfarë nënkupton shpesh «qëndrimi» i një monarku?

4 Danielin 12:1 lexojmë: «Gjatë asaj kohe do të ngrihet Mikaeli, princi madhështor që po qëndron në favor të bijve të popullit tënd.» Ky varg parathotë këto dy gjëra të dallueshme në lidhje me Mikaelin: e para, që ai «po qëndron», duke dhënë kështu idenë e një gjendjeje që shtrihet përgjatë një periudhe kohore; e dyta, që ai «do të ngrihet», duke dhënë kështu idenë e një ngjarjeje gjatë asaj periudhe kohore. Së pari duhet të dimë periudhën kur Mikaeli po «qëndron në favor të bijve të popullit [të Danielit]». Sill ndër mend se Mikael është emri që iu dha Jezuit në rolin e tij si Sundimtar qiellor. Referimi që i bëhet faktit se ai «po qëndron», na kujton mënyrën në të cilën është përdorur gjetkë ky term në librin e Danielit. Shpesh, ai i referohet veprimit të një mbreti, si për shembull marrjes së pushtetit nga ana e tij.—Danieli 11:2-4, 7, 20, 21.

5, 6. (a) Gjatë cilës periudhë kohore po qëndron Mikaeli? (b) Kur dhe si «ngrihet» Mikaeli dhe me çfarë rezultatesh?

5 Është e dukshme se këtu engjëlli po fliste qartë për një periudhë kohore që është specifikuar diku në profecitë biblike. Jezui e quajti atë «prania» e tij (greqisht parousi’a), kur ai do të sundonte si Mbret në qiell. (Mateu 24:37-39) Kjo periudhë kohore quhet, gjithashtu, «ditët e fundit» dhe «koha e fundit». (2. Timoteut 3:1; Danieli 12:4, 9) Që kur filloi ajo periudhë në vitin 1914, Mikaeli ka qenë duke qëndruar si Mbret në qiell.—Krahaso Isainë 11:10; Zbulesa 12:7-9.

6 Por, kur «ngrihet» Mikaeli? Kur të ngrihet për të ndërmarrë një veprim të veçantë. Këtë Jezui do ta bëjë në të ardhmen. Zbulesa 19:11-16 e përshkruan në mënyrë profetike Jezuin si Mbreti i fuqishëm Mesianik, që kalëron në krye të një ushtrie engjëllore dhe sjell shkatërrimin mbi armiqtë e Perëndisë. Danieli 12:1 vazhdon: «Dhe do të ndodhë me siguri një kohë angështie, e tillë që nuk ka ndodhur që kur u shfaq një komb deri në atë kohë.» Si Kryeekzekutuesi i caktuar nga Jehovai, Krishti do t’i japë fund gjithë sistemit të lig të gjërave gjatë «mjerimit të madh» të parathënë.—Mateu 24:21; Jeremia 25:33; 2. Selanikasve 1:6-8; Zbulesa 7:14; 16:14, 16.

7. (a) Çfarë shprese ekziston për të gjithë besnikët gjatë «kohës së angështisë» që po vjen? (b) Çfarë është libri i Jehovait dhe pse është jetësore të gjendemi në të?

7 Çfarë do të ndodhë me popullin që ushtron besim gjatë kësaj periudhe të zymtë? Më tej, Danielit iu tha: «Gjatë asaj kohe, populli yt do të shpëtohet, kushdo që gjendet i shkruar në libër.» (Krahaso Lukën 21:34-36.) Çfarë është ky libër? Në thelb, ai përfaqëson faktin që Perëndia Jehova i kujton ata që bëjnë vullnetin e tij. (Malakia 3:16; Hebrenjve 6:10) Ata që janë shkruar në këtë libër të jetës janë populli më i sigurt në botë, sepse gëzojnë mbrojtjen hyjnore. Çfarëdo dëmi që mund t’u ndodhë atyre, mund dhe do të zhbëhet. Edhe sikur t’i rrëmbejë vdekja përpara kësaj «kohe angështie» që po vjen, ata qëndrojnë të sigurt në kujtesën e pakufishme të Jehovait. Ai do t’i mbajë mend ata dhe do t’i ringjallë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezu Krishtit.—Veprat 24:15; Zbulesa 20:4-6.

TË SHENJTËT «ZGJOHEN»

8. Cilën perspektivë të këndshme na ofron Danieli 12:2?

8 Shpresa e ringjalljes është vërtet ngushëlluese. Danieli 12:2 e përmend atë, duke thënë: «Do të ketë shumë nga ata në gjumë në dheun e pluhurit që do të zgjohen, këta për jetën me kohëzgjatje të pacaktuar e ata për turpe dhe për urrejtjen e thellë me kohëzgjatje të pacaktuar.» (Krahaso Isainë 26:19.) Këto fjalë mund të na kujtojnë fare mirë premtimin prekës të Jezu Krishtit për një ringjallje të përgjithshme. (Gjoni 5:28, 29) Ç’shpresë drithëruese! Vetëm mendo për miqtë dhe familjarët e dashur, tashmë të vdekur, të cilëve u jepet mundësia për të jetuar përsëri në të ardhmen! Por ky premtim në librin e Danielit i referohet kryesisht një lloji tjetër ringjalljeje: asaj që ka ndodhur tashmë. Si ka mundësi?

9. (a) Pse është e arsyeshme të presim që Danieli 12:2 të gjejë përmbushje gjatë ditëve të fundit? (b) Cilës lloj ringjalljeje i referohet profecia dhe si e dimë?

9 Shqyrto kontekstin. Siç kemi parë, vargu i parë i kapitullit 12 zbatohet jo vetëm për fundin e këtij sistemi gjërash, por edhe për krejt periudhën e ditëve të fundit. Në fakt, pjesa më e madhe e kapitullit e gjen përmbushjen jo te parajsa tokësore që po vjen, por gjatë kohës së fundit. A ka ndodhur ndonjë ringjallje gjatë kësaj periudhe? Apostulli Pavël shkroi për ringjalljen e «atyre që i përkasin Krishtit», si për një ringjallje që ndodh «gjatë pranisë së tij». Megjithatë, ata që janë ringjallur në jetën në qiell janë ngritur «të paprishshëm». (1. Korintasve 15:23, 52) Asnjëri prej tyre nuk është ngritur ‘për turpet dhe urrejtjen e thellë me kohëzgjatje të pacaktuar’, të parathëna në Danielin 12:2. A ekziston ndonjë lloj tjetër ringjalljeje? Në Bibël, ringjallja ka disa herë një domethënie frymore. Për shembull, si Ezekieli, ashtu edhe Zbulesa, përmbajnë fragmente profetike që zbatohen për një rigjallërim ose ringjallje frymore.—Ezekieli 37:1-14; Zbulesa 11:3, 7, 11.

10. (a) Në ç’kuptim u ringjall mbetja e mirosur gjatë kohës së fundit? (b) Megjithëse ishin rigjallëruar, si u zgjuan disa prej të mirosurve ndaj «turpeve dhe urrejtjes së thellë me kohëzgjatje të pacaktuar»?

10 A ka ndodhur një rigjallërim i tillë frymor i shërbëtorëve të mirosur të Perëndisë në kohën e fundit? Po! Është një realitet historik që, në vitin 1918, një mbetje e vogël të krishterësh besnikë iu nënshtrua një sulmi të jashtëzakonshëm që pengoi shërbimin e tyre publik të organizuar. Pas kësaj, krejt ndryshe nga ç’pritej, në vitin 1919 ata u kthyen në jetë në kuptimin frymor. Këto fakte përputhen me përshkrimin e ringjalljes së parathënë në Danielin 12:2. Disa «u zgjuan» vërtet frymësisht në atë kohë dhe pas saj. Por, mjerisht, jo të gjithë qëndruan në një gjendje frymësisht të gjallë. Ata që pasi u zgjuan zgjodhën ta hidhnin poshtë Mbretin Mesianik dhe që lanë shërbimin e Perëndisë, fituan për veten ‘turpe dhe urrejtjen e thellë me kohëzgjatje të pacaktuar’, të përshkruara në Danielin 12:2. (Hebrenjve 6:4-6) Megjithatë, të mirosurit besimplotë, duke e përdorur mirë gjendjen e tyre frymësisht të rigjallëruar, përkrahën besnikërisht Mbretin Mesianik. Në fund, siç pohon profecia, besnikëria e tyre çon në një «jetë me kohëzgjatje të pacaktuar». Sot, gjallëria e tyre frymore, me gjithë kundërshtimin, na ndihmon t’i identifikojmë.

ATA ‘SHKËLQEJNË SI YJET’

11. Kush janë sot «ata që kanë mendjehollësi» dhe në ç’kuptim shkëlqejnë si yjet?

11 Dy vargjet e mëposhtme në kapitullin 12 të Danielit bëjnë edhe më shumë për të na ndihmuar që të identifikojmë «të shenjtët e Supremit». Në vargun 3, engjëlli i thotë Danielit: «Ata që kanë mendjehollësi do të shkëlqejnë si ndriçimi i shtrirjes dhe ata që çojnë të shumtët në drejtësi, si yjet në kohë të pacaktuar, po, përgjithmonë.» Kush janë ata që «kanë mendjehollësi» sot? Përsëri, dëshmia flet qartë për të njëjtët «të shenjtë të Supremit». Në fund të fundit, kush veç mbetjes së të mirosurve besnikë pati mendjehollësinë për të dalluar se Mikaeli, Princi Madhështor, filloi të qëndronte si Mbret në vitin 1914? Duke predikuar të vërteta si këto, si dhe duke mbajtur një sjellje të krishterë, ata kanë qenë duke «shkëlqyer si ndriçues» në këtë botë frymësisht të errët. (Filipianëve 2:15; Gjoni 8:12) Në lidhje me ta, Jezui profetizoi: «Në atë kohë, të drejtët do të shkëlqejnë aq ndritshëm sa dielli në mbretërinë e Atit të tyre.»—Mateu 13:43.

12. (a) Gjatë kohës së fundit, si janë përfshirë të mirosurit në «çuarjen e të shumtëve në drejtësi»? (b) Si do t’i çojnë të mirosurit shumë veta në drejtësi dhe si do të ‘shkëlqejnë si yjet’ gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit?

12 Danieli 12:3 na tregon madje se me çfarë vepre do të ishin të zënë këta të krishterë të mirosur në kohën e fundit. Ata do të «sillnin të shumtët në drejtësi». Mbetja e mirosur filloi të mblidhte ata që kishin mbetur nga 144.000 bashkëtrashëgimtarët e Krishtit. (Romakëve 8:16, 17; Zbulesa 7:3, 4) Kur u përfundua kjo vepër, me sa duket aty nga mesi i viteve 30, ata filluan të mblidhnin «shumicën e madhe» të «deleve të tjera». (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16) Edhe këta ushtrojnë besim në flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit. Prandaj, ata kanë një qëndrim të pastër para Jehovait. Sot, kur numërojnë miliona, ata gëzojnë shpresën për ta mbijetuar shkatërrimin që po vjen të kësaj bote të ligë. Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, Jezui dhe 144.000 bashkëmbretërit dhe bashkëpriftërinjtë e tij, do të zbatojnë për të gjithë njerëzimin e bindur në tokë dobitë e plota të shpërblesës, duke i ndihmuar me anë të saj të gjithë ata që ushtrojnë besim të heqin çdo gjurmë të fundit të mëkatit të trashëguar nga Adami. (2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 7:13, 14; 20:5, 6) Atëherë, në kuptimin më të plotë, të mirosurit do të marrin pjesë në ‘çuarjen e të shumtëve në drejtësi’ dhe do të ‘shkëlqejnë si yjet në qiell’. A e çmon shpresën për të jetuar në tokë, nën qeverinë e lavdishme qiellore të Krishtit dhe të bashkësundimtarëve të tij? Ç’privilegj është të marrësh pjesë me «të shenjtët» në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë!—Mateu 24:14.

ATA «ENDEN ANDEJ-KËTEJ»

13. Në ç’kuptim u vulosën dhe u bënë sekrete fjalët e librit të Danielit?

13 Deklarata që engjëlli i bën Danielit, e cila filloi që në Danielin 10:20, tani mbyllet me këto fjalë që të ngrohin zemrën: «Dhe sa për ty, o Daniel, bëji sekrete fjalët dhe vulose librin deri në kohën e fundit. Shumë do të enden andej-këtej dhe njohuria e vërtetë do të bëhet e bollshme.» (Danieli 12:4) Një pjesë e madhe e asaj që Danieli u frymëzua të shkruante, për kuptueshmërinë njerëzore u bë vërtet sekrete dhe e vulosur. Ja pse më vonë, vetë Danieli shkroi: «Tani, sa për mua, dëgjova, por nuk munda të kuptoja.» (Danieli 12:8) Në këtë kuptim, libri i Danielit mbeti i vulosur për shekuj të tërë. Ç’të themi për sot?

14. (a) Gjatë «kohës së fundit», cilët janë ‘endur andej-këtej’ dhe ku? (b) Çfarë dëshmie ekziston se Jehovai e ka bekuar këtë ‘endje andej-këtej’?

14 Ne kemi privilegjin të jetojmë në «kohën e fundit» të parathënë në librin e Danielit. Siç u profetizua, shumë besnikë janë ‘endur andej-këtej’ në faqet e Fjalës së Perëndisë. Rezultati? Me bekimin e Jehovait, njohuria e vërtetë është bërë e bollshme. Besnikët e mirosur Dëshmitarë të Jehovait janë bekuar me një mendjehollësi që u ka bërë të mundur të kuptojnë se Biri i njeriut u bë Mbret në vitin 1914, të identifikojnë bishat e profecisë së Danielit, të paralajmërojnë kundër «gjësë së neveritshme që shkakton shkretim», dhe këto s’janë veçse disa shembuj. (Danieli 11:31) E pra, ky bollëk njohurie është edhe një shenjë tjetër identifikuese e «të shenjtëve të Supremit». Por Danieli mori një dëshmi tjetër.

ATA ‘COPËTOHEN NË PJESË’

15. Cila pyetje ngrihet tani nga një engjëll dhe kë mund të na kujtojë kjo pyetje?

15 Ne mbajmë mend se Danieli i mori këto mesazhe engjëllore në bregun e «lumit të madh» Hidekel, që njihet edhe si lumi Tigër. (Danieli 10:4) Tani, ai sheh këtu tri krijesa engjëllore dhe thotë: «Unë, Danieli, pashë dhe ja, dy të tjerë që qëndronin në këmbë, njëri në këtë anë të lumit dhe tjetri në atë anë të lumit. Atëherë, njëri i tha burrit të veshur me li, i cili ishte mbi ujërat e lumit: ‘Sa kohë do të kalojë deri në fundin e gjërave të mrekullueshme?’» (Danieli 12:5, 6) Pyetja që ngriti këtu engjëlli mund të na kujtojë përsëri «të shenjtët e Supremit». Në fillim të «kohës së fundit», në vitin 1914, atyre u interesonte shumë pyetja se sa kohë do të kalonte derisa të përmbusheshin premtimet e Perëndisë. Fakti që të shenjtët janë qendra e profecisë, bëhet i dukshëm nga përgjigjja që iu dha kësaj pyetjeje.

16. Cilën profeci shpall engjëlli dhe si e thekson ai sigurinë e përmbushjes së saj?

16 Tregimi i Danielit vazhdon: «Dhe fillova të dëgjoja burrin e veshur me li, i cili ishte mbi ujërat e lumit, ndërsa ngrinte lart dorën e tij të djathtë dhe dorën e tij të majtë drejt qiejve dhe betohej për Atë që është gjallë për kohë të pacaktuar: ‘Do të jetë për një kohë të caktuar, kohë të caktuara dhe një gjysmë. Dhe sapo të ketë mbaruar copëtimi në pjesë i fuqisë së popullit të shenjtë, të gjitha këto gjëra do të arrijnë përfundimin e tyre.’» (Danieli 12:7) Kjo është një çështje serioze. Engjëlli ngre të dyja duart në një betim, ndoshta që ky gjest të jetë i dukshëm për të dy engjëjt në anët e kundërta të lumit të gjerë. Në këtë mënyrë, ai thekson sigurinë absolute të përmbushjes së kësaj profecie. Por, kur janë këto kohë të caktuara? Gjetja e përgjigjes nuk është aq e vështirë sa mund të mendosh.

17. (a) Cilat paralele duhen gjetur në profecitë që ndodhen në Danielin 7:25, Danielin 12:7 dhe Zbulesën 11:3, 7, 9? (b) Sa të gjata janë tri kohët e gjysmë?

17 Kjo profeci është jashtëzakonisht e ngjashme me dy profeci të tjera. Njëra, që e shqyrtuam në kapitullin 9 të këtij botimi, gjendet në Danielin 7:25, ndërsa tjetra në Zbulesën 11:3, 7, 9. Vër re disa prej paraleleve. Secila prej tyre ndodh gjatë kohës së fundit. Të dyja profecitë kanë të bëjnë me shërbëtorët e shenjtë të Perëndisë, duke i treguar ata si të persekutuar dhe madje përkohësisht, jo në gjendje për të kryer aktivitetin e tyre publik të predikimit. Secila profeci tregon se shërbëtorët e Perëndisë rigjallërohen dhe pastaj rifillojnë veprën e tyre, duke zmbrapsur persekutuesit e tyre. Gjithashtu, secila profeci përmend zgjatjen e kësaj periudhe vështirësish për të shenjtët. Që të dyja këto profeci në Danielin (7:25 dhe 12:7) i referohen ‘një kohe, kohëve dhe një gjysmë kohe’. Studiuesit e Biblës në përgjithësi pranojnë se kjo do të thotë tri kohë e gjysmë. Zbulesa i referohet së njëjtës periudhë si 42 muaj ose 1.260 ditë. (Zbulesa 11:2, 3) Kjo vërteton faktin se këto tri kohë e gjysmë në Danielin u referohen tri vjetëve e gjysmë prej 360 ditësh secili. Por, kur filluan këto 1.260 ditë?

18. (a) Sipas Danieli 12:7, ç’gjë do të shënonte fundin e 1.260 ditëve? (b) Kur u copëtua së fundi në pjesë «fuqia e popullit të shenjtë» dhe si ndodhi kjo? (c) Kur filluan 1.260 ditët dhe si ‘profetizuan të veshur me thasë’ të mirosurit gjatë asaj periudhe?

18 Profecia është shumë e qartë për sa i përket kohës kur do të përfundonin 1.260 ditët: kur ‘mbaron copëtimi në pjesë i fuqisë së popullit të shenjtë’. Në mes të vitit 1918, anëtarët kryesues të Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, përfshirë edhe presidentin e saj, J. F. Rutherford, u shpallën fajtorë nën akuza të rreme, u dënuan me izolim për një kohë të gjatë dhe u burgosën. Të shenjtët e Perëndisë e panë vërtet veprën e tyre ‘të copëtuar në pjesë’, fuqinë e tyre, të thyer. Duke llogaritur tre vjet e gjysmë nga mesi i vitit 1918, arrijmë në fundin e vitit 1914. Në atë kohë, grupi i vogël i të mirosurve po shtrëngonte radhët për sulmin e furishëm të persekutimit. Lufta I Botërore kishte shpërthyer dhe kundërshtimi ndaj veprës së tyre po shtohej. Madje, për vitin 1915, ata e bazuan shkrimin e tyre të vitit te kjo pyetje që u drejtoi Krishti ithtarëve të tij: «A jeni në gjendje të pini nga kupa ime?» (Mateu 20:22, King James Version) Siç ishte parathënë në Zbulesën 11:3, periudha prej 1.260 ditësh që pasoi ishte një periudhë zije për të mirosurit: ishte njësoj sikur ata të ishin duke profetizuar të veshur me thasë. Persekutimi u rëndua. Disa prej tyre u burgosën, të tjerë u sulmuan nga turmat dhe të tjerë akoma u torturuan. Shuma veta i lëshoi zemra nga vdekja e presidentit të parë të Shoqatës, C. T. Russell, në vitin 1916. Por, çfarë do të ndodhte pasi kjo periudhë e zymtë të mbyllej me vrasjen e këtyre të shenjtëve si një organizatë predikuese?

19. Si na siguron profecia në kapitullin 11 të Zbulesës se të mirosurit nuk do t’i bënin të heshtnin për një kohë të gjatë?

19 Profecia paralele që gjendet në Zbulesën 11:3, 9, 11, tregon se pasi vriten, «dy dëshmitarët» shtrihen të vdekur vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, tre vjet e gjysmë, derisa rigjallërohen. Ngjashëm, profecia në kapitullin 12 të Danielit tregon se të shenjtët nuk do të rrinin në heshtje, por i priste më shumë punë akoma.

ATA JANË ‘PASTRUAR, ZBARDHUR DHE RAFINUAR’

20. Sipas Danielit 12:10, cilat bekime do të vinin mbi të mirosurit pas përvojave të tyre të vështira?

20 Siç u vërejt më sipër, Danieli i shkroi këto gjëra, por nuk mundi t’i kuptonte. Megjithatë, ai duhet të ketë pyetur veten nëse të shenjtët do të asgjësoheshin me të vërtetë nga duart e persekutuesve të tyre, sepse pyeti: «Cila do të jetë pjesa përfundimtare e këtyre gjërave?» Engjëlli iu përgjigj: «Shko, Daniel, sepse fjalët janë bërë sekrete dhe janë vulosur deri në kohën e fundit. Shumë do të pastrohen, do të zbardhen dhe do të jenë të rafinuar. Dhe me siguri të ligjtë do të veprojnë me ligësi dhe asnjë prej të ligjve nuk do të kuptojë, por ata që kanë mendjehollësi do të kuptojnë.» (Danieli 12:8-10) Për të shenjtët ekzistonte një shpresë e sigurt! Në vend se të shkatërroheshin, ata do të zbardheshin, do të bekoheshin me një qëndrim të pastër para Perëndisë Jehova. (Malakia 3:1-3) Mendjehollësia e tyre në çështjet frymore do t’i aftësonte për t’u mbajtur të pastër në sytë e Perëndisë. Në kontrast me ta, të ligjtë do të refuzonin t’i kuptonin gjërat frymore. Por, kur do të ndodhte e gjithë kjo?

21. (a) Periudha kohore e parathënë në Danielin 12:11 do të fillonte kur të krijoheshin cilat kushte? (b) Çfarë ishte «tipari i qëndrueshëm» dhe kur u hoq ai? (Shiko kutinë në faqen 298.)

21 Danielit iu tha: «Qysh prej kohës që tipari i qëndrueshëm është hequr dhe është vënë gjëja e neveritshme që shkakton shkretim, do të jenë një mijë e dyqind e nëntëdhjetë ditë.» Kështu që kjo periudhë kohore do të fillonte kur të krijoheshin disa kushte specifike. «Tipari i qëndrueshëm» ose «flijimi * i vazhdueshëm» duhej hequr. (Danieli 12:11, shënimi, BR) Për cilin flijim e kishte fjalën engjëlli? Jo për flijimet në kafshë që ofroheshin në ndonjë tempull tokësor. Ja pse edhe tempulli që dikur ndodhej në Jerusalem ishte thjesht një «kopje e realitetit», e tempullit të madh frymor të Jehovait, i cili u vu në veprim në vitin 29 të e.s., kur Krishti u bë Kryeprifti i tij! Në këtë tempull frymor, i cili përfaqëson masën e marrë nga Perëndia për adhurimin e pastër, nuk ka nevojë për oferta të vazhdueshme mëkati, sepse «Krishti u ofrua njëherë e përgjithmonë për të bartur mëkatet e shumë vetave». (Hebrenjve 9:24-28) Megjithatë, të gjithë të krishterët e vërtetë ofrojnë flijime në këtë tempull. Apostulli Pavël shkroi: «Nëpërmjet [Krishtit] le t’i ofrojmë gjithnjë Perëndisë një flijim lëvdimi, domethënë, frytin e buzëve që i bëjnë shpallje publike emrit të tij.» (Hebrenjve 13:15) Kështu që ky kusht i parë i profecisë, heqja e «tiparit të qëndrueshëm», ndodhi në mes të vitit 1918, kur praktikisht, vepra e predikimit u pezullua.

22. (a) Çfarë është «gjëja e neveritshme» shkretuese dhe kur u vendos ajo? (b) Kur filloi periudha kohore e parathënë në Danielin 12:11 dhe kur mori fund ajo?

22 Por, ç’të themi për kushtin e dytë, «vënien» ose vendosjen e «gjësë së neveritshme që shkakton shkretim»? Siç e pamë në trajtimin që i bëmë Danielit 11:31, kjo gjë e neveritshme ishte në fillim Lidhja e Kombeve dhe ridoli më vonë si Kombet e Bashkuara. Që të dyja këto janë të neveritshme në kuptimin që janë shpallur si e vetmja shpresë për paqe në tokë. Kështu, në zemrat e shumë vetave, këto institucione zunë në fakt vendin e Mbretërisë së Perëndisë! Lidhja u propozua zyrtarisht në janar të vitit 1919. Pra, në atë kohë, u plotësuan që të dyja kushtet e Danielit 12:11. Kështu që 1.290 ditët nisën në fillim të vitit 1919 dhe vazhduan deri në vjeshtë (hemisfera veriore) të vitit 1922.

23. Si përparuan të shenjtët e Perëndisë drejt një qëndrimi të pastruar gjatë 1.290 ditëve të parathëna në kapitullin 12 të Danielit?

23 Gjatë asaj kohe, a bënë progres të shenjtët drejt zbardhjes dhe pastrimit në sytë e Perëndisë? Sigurisht që po! Në mars të vitit 1919, presidenti i Shoqatës Watch Tower dhe shokët e tij të ngushtë u liruan nga burgu. Më vonë i shkarkuan nga akuzat e rreme kundër tyre. Të vetëdijshëm se vepra e tyre ishte larg përfundimit, ata u angazhuan menjëherë, duke organizuar një kongres për në shtator të vitit 1919. Po atë vit, përveç revistës Kulla e Rojës, u botua për herë të parë një revistë shoqëruese. Në fillim e quajtur Epoka e artë (tani Zgjohuni!), ajo ka mbështetur gjithmonë Kullën e Rojës në demaskimin pa u trembur të korruptimit të kësaj bote dhe në ndihmën që i ka dhënë popullit të Perëndisë për të mbetur i pastër. Aty nga fundi i 1.290 ditëve të parathëna, të shenjtët kishin shkuar shumë përpara në udhën drejt një qëndrimi të pastruar dhe të ndrequr. Në shtator të vitit 1922, pikërisht rreth kohës kur mori fund kjo periudhë, ata mbajtën në Sedar Point, Ohaio, SHBA, një kongres që la gjurmë. Ky kongres i dha një shtysë të jashtëzakonshme veprës së predikimit. Megjithatë, ekzistonte ende nevoja për të bërë më shumë progres. Ky progres iu la periudhës së veçantë pasuese.

LUMTURI PËR TË SHENJTËT

24, 25. (a) Cila periudhë kohore parathuhet në Danielin 12:12 dhe, me sa duket, kur filloi e kur mbaroi ajo? (b) Cila ishte gjendja frymore e mbetjes së mirosur në fillim të 1.335 ditëve?

24 Engjëlli i Jehovait e përfundon profecinë e tij në lidhje me të shenjtët, me këto fjalë: «I lumtur është ai që qëndron në pritje dhe që mbërrin në një mijë e treqind e tridhjetë e pesë ditët!» (Danieli 12:12) Engjëlli nuk jep asnjë të dhënë për kohën e fillimit ose mbarimit të kësaj periudhe. Nga historia teokratike duket thjesht se ajo vjen menjëherë pas periudhës që e paraprin. Nëse është kështu, ajo do të ishte nga vjeshta e vitit 1922 deri në fund të pranverës së vitit 1926 (hemisfera veriore). A arritën të shenjtët në një gjendje lumturie nga fundi i asaj periudhe? Po, në aspekte të rëndësishme frymore.

25 Edhe pas kongresit të vitit 1922 (treguar në faqen 302), disa prej të shenjtëve të Perëndisë kishin mall për të kaluarën. Materiali bazë i studimit në mbledhjet e tyre ishte ende Bibla dhe vëllimet e C. T. Russell Studime mbi Shkrimet. Në atë kohë, ekzistonte një pikëpamje e përkrahur gjerësisht, sipas së cilës viti 1925 ishte viti i fillimit të ringjalljes dhe i rivendosjes së Parajsës në tokë. Kështu që shumë po i shërbenin Perëndisë, duke pasur në mend një datë fikse. Disa refuzuan me arrogancë të merrnin pjesë në veprën e predikimit publik. Kjo nuk ishte një situatë e lehtë.

26. Ndërsa 1.335 ditët vazhdonin, si ndryshoi gjendja frymore e të mirosurve?

26 Megjithatë, ndërsa 1.335 ditët kalonin, e gjithë kjo filloi të ndryshonte. Predikimi doli në plan të parë, kur u morën masa që kushdo të merrte pjesë në shërbimin në fushë. U programuan mbledhje për studimin e Kullës së Rojës çdo javë. Numri i 1 marsit 1925 kishte artikullin historik «Lindja e kombit», i cili i dha popullit të Perëndisë një kuptueshmëri të plotë për atë që kishte ndodhur në periudhën e viteve 1914-1919. Pasi kaloi viti 1925, të shenjtët nuk i shërbyen më Perëndisë me sytë nga një afat përfundimtar i afërt dhe i qartë. Përkundrazi, gjëja më e rëndësishme ishte shenjtërimi i emrit të Jehovait. Kjo e vërtetë jetësore u nxor në pah si kurrë më parë në Kullën e Rojës, 1 janar 1926, në artikullin: «Kush do ta nderojë Jehovain?» Në kongresin e mbajtur në maj të vitit 1926, doli libri Çlirim. (Shiko faqen 302.) Ky ishte një nga librat e serive të librave të rinj, që kishin për qëllim të zëvendësonin Studime mbi Shkrimet. Të shenjtët nuk shikonin më nga e kaluara. Ata shikonin të sigurt drejt së ardhmes dhe veprës që i priste. Prandaj, siç ishte profetizuar, kur përfunduan 1.335 ditët, të shenjtët ndodheshin në një gjendje të lumtur.

27. Si na ndihmon një vështrim i përgjithshëm i kapitullit 12 të Danielit të identifikojmë përfundimisht të mirosurit e Jehovait?

27 Sigurisht, gjatë kësaj epoke të stuhishme nuk rezistuan të gjithë. Kjo është pa dyshim arsyeja se përse engjëlli kishte theksuar rëndësinë e ‘qëndrimit në pritje’. Ata që duruan dhe qëndruan në pritje, u bekuan shumë. Një vështrim i përgjithshëm i kapitullit 12 të Danielit e bën të qartë këtë. Siç u paratha, të mirosurit u rigjallëruan ose u ringjallën në kuptimin frymor. Meqenëse u autorizuan për t’u «endur andej-këtej» në Fjalën e Perëndisë dhe u udhëhoqën nga fryma e shenjtë, atyre iu dha një mendjehollësi e shkëlqyer mbi këtë Fjalë, për të zgjidhur mistere të lashta. Jehovai i pastroi dhe i bëri të shkëlqejnë frymësisht, aq ndritshëm sa dhe yjet. Për pasojë, ata i çuan shumë veta në një qëndrim të drejtë para Perëndisë Jehova.

28, 29. Për çfarë duhet të jemi të vendosur, ndërsa «koha e fundit» i afrohet përfundimit të saj?

28 Me gjithë këto shenja profetike për identifikimin e «të shenjtëve të Supremit», ç’gjë mund ta justifikojë dështimin për t’i njohur dhe për t’u shoqëruar me ta? Bekime të mëdha e presin shumicën e madhe, e cila bashkohet në shërbim të Jehovait me këtë klasë që sa vjen e zvogëlohet. Të gjithë ne duhet të rrimë në pritje të përmbushjes së premtimeve të Perëndisë. (Habakuku 2:3) Në ditët tona, Mikaeli, Princi Madhështor, ka qenë dhe është duke qëndruar në favor të popullit të Perëndisë për dekada të tëra. Së shpejti, ai do të hidhet në veprim, si ekzekutuesi i emëruar hyjnisht i këtij sistemi gjërash. Kur ai ta bëjë këtë, në ç’gjendje do të jemi ne?

29 Përgjigjja e kësaj pyetjeje do të varet nga fakti nëse zgjedhim apo jo që të jetojmë tani një jetë me integritet. Që ta forcojmë vendosmërinë tonë për të vepruar kështu, ndërsa «koha e fundit» po mbaron, le të shqyrtojmë vargun e fundit të librit të Danielit. Trajtimi i tij në kapitullin vijues do të na ndihmojë të kuptojmë se si qëndroi Danieli përpara Perëndisë së tij dhe se si do të qëndrojë përpara Tij në të ardhmen.

[Shënimi]

^ par. 21Septuagintën greke, e përkthyer thjesht si «flijimi».

ÇFARË KE KUPTUAR?

Gjatë cilës periudhë kohore «po qëndron» Mikaeli dhe si e kur do të «ngrihet» ai?

Cilës lloj ringjalljeje i referohet Danieli 12:2?

Cilat data shënojnë fillimin dhe fundin

e tri kohëve e gjysmë të përmendura në Danielin 12:7?

1.290 ditëve të parathëna në Danielin 12:11?

1.335 ditëve të profetizuara në Danielin 12:12?

Si ndihmohemi për të identifikuar adhuruesit e vërtetë të Jehovait, duke i kushtuar vëmendje kapitullit 12 të Danielit?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 298]

HEQJA E TIPARIT TË QËNDRUESHËM

Në librin e Danielit, termi «tipar i qëndrueshëm» shfaqet pesë herë. Ai i referohet një flijimi lavdie, «frytit të buzëve» që i ofrohet rregullisht Perëndisë Jehova me anë të shërbëtorëve të tij. (Hebrenjve 13:15) Për heqjen e tij të parathënë flitet në Danielin 8:11; 11:31 dhe 12:11.

Gjatë të dyja luftërave botërore, populli i Jehovait u persekutua ashpërsisht në mbretëritë e «mbretit të veriut» dhe «mbretit të jugut». (Danieli 11:14, 15) Heqja e «tiparit të qëndrueshëm» ndodhi nga fundi i Luftës I Botërore, kur vepra e predikimit pothuajse u pezullua në mes të vitit 1918. (Danieli 12:7) Gjatë Luftës II Botërore, «tipari i qëndrueshëm» u «hoq» në mënyrë të ngjashme për 2.300 ditë nga fuqia botërore anglo-amerikane. (Danieli 8:11-14; shiko kapitullin 10 të këtij libri.) Ai u hoq edhe nga «krahët» nazistë për një periudhë kohore që në Shkrime nuk specifikohet.—Danieli 11:31; shiko kapitullin 15 të këtij libri.

[Tabela dhe figurat në faqen 301]

PERIUDHA KOHORE PROFETIKE NË DANIELIN

Shtatë kohë (2.520 vjet): Tetor 607 p.e.s. deri në

Danieli 4:16, 25 tetor 1914 e.s.

(Vendoset Mbretëria Mesianike.

Shiko kapitullin 6 të këtij libri.)

Tri kohë e gjysmë Dhjetor 1914 deri në qershor 1918

(1.260 ditë): (Të krishterët e mirosur përndiqen.

Danieli 7:25; 12:7 Shiko kapitullin 9 të këtij libri.)

2.300 mbrëmje dhe 1 ose 15 qershor 1938 deri në

mëngjese: 8 ose 22 tetor 1944

Danieli 8:14 («Shumica e madhe» shfaqet, shtohet.

Shiko kapitullin 10 të këtij libri.)

70 javë (490 vjet): 455 p.e.s. deri në 36 të e.s.

Danieli 9:24-27 (Ardhja e Mesisë dhe shërbimi i tij në

tokë. Shiko kapitullin 11 të këtij libri.)

1.290 ditë: Janar 1919 deri në shtator 1922

Danieli 12:11 (Të krishterët e mirosur zgjohen dhe

bëjnë progres frymor.)

1.335 ditë: Shtator 1922 deri në maj 1926

Danieli 12:12 (Të krishterët e mirosur arrijnë në

një gjendje të lumtur.)

[Figurat në faqen 287]

Shërbëtorët e njohur të Jehovait u dërguan padrejtësisht në burgun federal të Atlantës, Xhorxhia, SHBA. Nga e majta në të djathtë: (ulur) A. H. Macmillan, J. F. Rutherford, W. E. Van Amburgh; (në këmbë), G. H. Fisher, R. J. Martin, G. DeCecca, F. H. Robison dhe C. J. Woodworth

[Figurat në faqen 299]

Në vitin 1919 (lart) dhe në vitin 1922 (poshtë), në Sedar Point, Ohaio, SHBA, u mbajtën kongrese që lanë gjurmë

[Figura që zë gjithë faqen 302]