Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 2

A është vërtet e mundur ‘t’i afrohemi Perëndisë’?

A është vërtet e mundur ‘t’i afrohemi Perëndisë’?

1, 2. (a) Çfarë mund t’u duket e pabesueshme shumë vetave, por për çfarë na siguron Bibla? (b) Cilën marrëdhënie të ngushtë iu lejua Abrahamit të kishte dhe përse?

SI DO të ndiheshe në qoftë se Krijuesi i qiellit dhe i tokës do të thoshte për ty «ky është miku im»? Shumë vetave kjo mund t’u duket e pabesueshme. Në fund të fundit, si do të ishte e mundur që një njeri i thjeshtë të lidhte miqësi me Perëndinë Jehova? Mirëpo, Bibla na siguron se mund t’i afrohemi vërtet Perëndisë.

2 Abrahami i lashtë ishte një njeri që kishte një lidhje të tillë të ngushtë. Jehovai e quajti këtë patriark ‘miku im’. (Isaia 41:8) Po, Jehovai e shihte Abrahamin si një mik personal. Abrahamit iu lejua të kishte këtë marrëdhënie të ngushtë sepse «tregoi besim te Jehovai». (Jakovit 2:23) Edhe sot Jehovai kërkon mundësi për ‘t’u lidhur’ me ata që i shërbejnë nga dashuria. (Ligji i përtërirë 10:15) Fjala e tij na nxit: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» (Jakovit 4:8) Në këto fjalë gjejmë edhe një ftesë, edhe një premtim.

3. Çfarë ftese na bën Jehovai dhe cili premtim lidhet me të?

3 Jehovai na fton që t’i afrohemi atij. Ai është gati dhe dëshiron që të na pranojë si miq. Në të njëjtën kohë premton se po të ndërmarrim hapa për t’iu afruar atij, edhe ai do të bëjë të njëjtën gjë, do të na afrohet neve. Kështu mund të krijojmë diçka vërtet të çmuar, ‘miqësinë e ngushtë me Jehovain’. * (Psalmi 25:14) «Miqësia e ngushtë» përcjell idenë që ke një mik të zemrës me të cilin mund të flasësh në mënyrë konfidenciale.

4. Si do ta përshkruaje një mik të ngushtë, dhe në ç’mënyrë Jehovai tregon se është një mik i tillë për ata që i afrohen?

4 A ke një mik të ngushtë të cilit i hap zemrën? Një mik i tillë është dikush që interesohet për ty. Ke besim tek ai, sepse e ka treguar veten se është besnik. Gëzimet që provon të shtohen kur i ndan me të. Pesha e brengave të lehtësohet ngaqë ai të dëgjon me dhembshuri. Ai të kupton edhe atëherë kur duket sikur askush tjetër nuk e bën këtë. Në mënyrë të ngjashme, kur i afrohesh Perëndisë, fiton një Mik të pashoq që të vlerëson vërtet, që interesohet thellësisht për ty dhe të kupton plotësisht. (Psalmi 103:14; 1 Pjetrit 5:7) I beson atij ndjenjat e tua më të thella, sepse e di që është besnik ndaj atyre që janë besnikë me të. (Psalmi 18:25) Megjithatë ky privilegj për të pasur miqësi të ngushtë me Perëndinë është diçka që mund ta arrijmë vetëm sepse ai e ka bërë të mundur.

Jehovai ka hapur rrugën

5. Çfarë bëri Jehovai që ne të kemi mundësi t’i afrohemi atij?

5 Po të varej nga ne, si mëkatarë që jemi nuk do të mund t’i afroheshim dot kurrë Perëndisë. (Psalmi 5:4) «Por Perëndia na e rekomandon dashurinë e vet në atë që, ndërsa akoma ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne»,​—shkroi apostulli Pavël. (Romakëve 5:8) Po, Jehovai mori masa që Jezui ‘të jepte shpirtin e tij si shpërblesë në këmbim të shumë vetave’. (Mateu 20:28) Besimi ynë në këtë flijim shpërblyes bën të mundur që t’i afrohemi Perëndisë. Meqenëse Perëndia «na deshi i pari», ai hodhi themelin që ne të lidhim miqësi me të.​—1 Gjonit 4:19.

6, 7. (a) Si e dimë që Jehovai nuk është një Perëndi që fshihet e që nuk dëshiron ta njohim? (b) Në cilat mënyra ka zbuluar Jehovai se ç’person është?

6 Jehovai ka ndërmarrë edhe një hap tjetër: na ka zbuluar se ç’person është. Një miqësi bëhet e ngushtë vetëm kur e njeh vërtet një njeri, kur vlerëson cilësitë e tij dhe mënyrën se si vepron. Prandaj, po qe se Jehovai do të ishte një Perëndi që fshihet, që nuk dëshiron ta njohim, nuk do të kishim kurrë lidhje të ngushtë me të. Por ai nuk fshihet, përkundrazi dëshiron që ta njohim. (Isaia 45:19) Për më tepër, gjërat që zbulon ai për veten e tij janë në dispozicion për të gjithë, edhe për ata që mund të quhen të parëndësishëm sipas normave të botës.​—Mateu 11:25.

Jehovai na ka zbuluar se ç’person është nëpërmjet veprave të krijimit dhe Fjalës së tij të shkruar

7 Si na e ka zbuluar Jehovai se si është? Veprat e tij të krijimit nxjerrin në pah disa aspekte të personalitetit të tij: fuqinë e pakufishme që ka, mençurinë e thellë dhe dashurinë e tij të madhe. (Romakëve 1:20) Por Jehovai nuk na zbulohet vetëm nëpërmjet gjërave që ka krijuar. Duke qenë gjithnjë Komunikuesi i Madh, ai ka siguruar një tregim të shkruar, Fjalën e tij, Biblën, ku zbulon se ç’person është.

Të vërejmë ‘hijeshinë e Jehovait’

8. Pse mund të thuhet që vetë Bibla është dëshmi e dashurisë që ka Jehovai për ne?

8 Vetë Bibla është dëshmi e dashurisë që ka Jehovai për ne. Në Fjalën e tij, ai zbulon se si është me anë të termave që mund t’i kuptojmë, provë kjo se jo vetëm që na do, por dëshiron ta njohim e ta duam. Ajo që lexojmë në këtë libër të çmuar na jep mundësi të vërejmë ‘hijeshinë e Jehovait’ dhe na nxit që të duam t’i afrohemi atij. (Psalmi 90:17) Le të shqyrtojmë disa nga mënyrat inkurajuese në të cilat Jehovai në Fjalën e tij na ka zbuluar se ç’person është.

9. Cilët janë disa shembuj të pohimeve të drejtpërdrejta në Bibël që nxjerrin në pah cilësitë e Perëndisë?

9 Shkrimet përmbajnë shumë pohime të drejtpërdrejta që nxjerrin në pah cilësitë e Perëndisë. Vër re disa shembuj. «Jehovai është dashurues i drejtësisë.» (Psalmi 37:28) Perëndia është «i lartësuar në fuqi». (Jobi 37:23) «‘Unë jam besnik’,​—është thënia e Jehovait.» (Jeremia 3:12) «Ai është i mençur në zemër.» (Jobi 9:4) Është «Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe plot me dashamirësi e të vërtetë». (Dalja 34:6) «Ti, o Jehova, je i mirë dhe gati për të falur.» (Psalmi 86:5) E si u përmend në kapitullin e mëparshëm, njëra cilësi është mbizotëruese: «Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:8) Ndërsa mediton për këto cilësi të këndshme, a nuk ndihesh i tërhequr drejt këtij Perëndie të pakrahasueshëm?

Bibla na ndihmon t’i afrohemi Jehovait

10, 11. (a) Çfarë ka përfshirë Jehovai në Fjalën e tij për të na ndihmuar që ta shohim më qartë personalitetin e tij? (b) Cili shembull në Bibël na ndihmon ta përfytyrojmë fuqinë e Perëndisë në veprim?

10 Përveçse na thotë se cilat janë cilësitë e tij, me dashuri Jehovai ka përfshirë në Fjalën e tij shembuj konkretë të këtyre cilësive në veprim. Tregime të tilla krijojnë përfytyrime të gjalla që na ndihmojnë t’i kuptojmë më qartë aspektet e ndryshme të personalitetit të tij. Kjo gjë pastaj na ndihmon t’i afrohemi atij. Shqyrto një shembull.

11 Një gjë është të lexojmë se Perëndia është «energjik në fuqi». (Isaia 40:26) Por është krejt tjetër të lexojmë se si e çliroi ai Izraelin kur e bëri të kalonte përmes Detit të Kuq e pastaj si e mbështeti kombin në shkretëtirë për 40 vjet. Mund të përfytyroni ujërat shkumëzuese që ndahen në mes. Mund ta imagjinosh kombin, ndoshta 3.000.000 veta gjithsej, ndërsa ecën në shtratin e thatë të detit, ndërkohë që ujërat e ngurtësuara qëndrojnë si mure masive në secilën anë. (Dalja 14:21; 15:8) Mund të shohësh dëshmi të kujdesit e të mbrojtjes së Perëndisë gjatë kohës së qëndrimit në shkretëtirë. Nga shkëmbi vërshon ujë, në sipërfaqen e tokës shfaqet ushqimi që ngjan me farëra të bardha. (Dalja 16:31; Numrat 20:11) Këtu Jehovai zbulon jo vetëm se ka fuqi, por edhe se e përdor në dobi të popullit të tij. A nuk ndihemi të qetësuar kur e dimë se lutjet tona shkojnë te një Perëndi i fuqishëm, i cili «është për ne strehë dhe forcë, ndihmë që gjendet me lehtësi gjatë vuajtjeve»?​—Psalmi 46:1.

12. Si na ndihmon Jehovai që ta «shohim», duke përdorur terma që mund t’i kuptojmë?

12 Jehovai, i cili është frymë, ka bërë edhe më shumë për të na ndihmuar që ta njohim. Si njerëz ne jemi të kufizuar nga realitetet e dukshme, prandaj nuk mund të arrijmë të shohim në sferën frymore. Që Perëndia të përpiqej të na përshkruante veten e tij me terma frymorë do të ishte sikur ne të përpiqeshim t’i shpjegonim dikujt që ka lindur i verbër hollësi të pamjes sonë të jashtme, si për shembull ngjyrën e syve ose qukat. Përkundrazi, me dashamirësi Jehovai na ndihmon që ta «shohim», duke përdorur terma që mund t’i kuptojmë. Disa herë përdor metafora dhe krahasime, duke e krahasuar veten me gjëra që ne i njohim. Madje e përshkruan veten me disa tipare njerëzore. *

13. Cilin përfytyrim krijon Isaia 40:11, dhe si ndikon kjo te ti?

13 Vër re përshkrimin që gjejmë për Jehovain tek Isaia 40:11, ku thuhet: «Si një bari do ta kullotë kopenë e vet. Me krahun e tij do t’i mbledhë së bashku qengjat dhe do t’i mbajë në gji.» Këtu Jehovai krahasohet me një bari që i mbledh qengjat me «krahun e tij». Kjo përshkruan aftësinë e Perëndisë për të mbrojtur dhe për të mbështetur popullin e tij, madje edhe ata që janë më të dobët e të pambrojtur. Mund të ndihemi të sigurt në krahët e tij të fortë, sepse në qoftë se i qëndrojmë besnikë, ai nuk do të na braktisë kurrë. (Romakëve 8:38, 39) Bariu i Madh i mban qengjat «në gji», një shprehje që bën fjalë për palat e gjera të veshjes së sipërme, në të cilat bariu mbante nganjëherë një qengj të sapolindur. Kështu na jepet siguria se Jehovai na ka për zemër dhe përkujdeset me butësi për ne. Është thjesht e natyrshme të duam të jemi afër tij.

‘Biri është i gatshëm ta zbulojë’

14. Pse mund të thuhet që nëpërmjet Jezuit Jehovai na ka zbuluar deri në hollësi se ç’person është?

14 Në Fjalën e tij Jehovai na zbulon deri në hollësi se ç’person është nëpërmjet Birit të tij të dashur, Jezuit. Askush nuk mund t’i pasqyrojë mendimet dhe ndjenjat e Perëndisë më saktë ose të na e shpjegojë Atë në mënyrë më të gjallë, sesa Jezui. Në fund të fundit, ky Bir i parëlindur kishte qenë bashkë me Atin para se të krijoheshin krijesat e tjera frymore dhe universi fizik. (Kolosianëve 1:15) Jezui e njihte shumë nga afër Jehovain. Ja përse mund të thoshte: «Askush nuk e di se kush është Biri, përveç Atit; dhe askush nuk e di se kush është Ati, përveç Birit dhe atij të cilit Biri është i gatshëm t’ia zbulojë.» (Luka 10:22) Kur ishte njeri në tokë, Jezui e bëri të njohur Atin e tij në dy mënyra të rëndësishme.

15, 16. Cilat janë dy mënyrat se si e bëri të njohur Jezui Atin e tij?

15 Së pari, mësimet e Jezuit na ndihmojnë ta njohim Atin e tij. Jezui e përshkroi Jehovain me fjalë që na prekin zemrën. Për shembull, për të përshkruar Perëndinë e mëshirshëm që mirëpret mëkatarët e penduar, Jezui e krahasoi Jehovain me një baba që fal. Ky baba u prek kaq thellë kur pa birin e tij plëngprishës që po kthehej, saqë vrapoi e iu hodh në qafë të birit dhe e puthi me butësi. (Luka 15:11-24) Jezui e portretizoi Jehovain edhe si një Perëndi që «tërheq» njerëzit me zemër të ndershme, sepse i do të gjithë si individë. (Gjoni 6:44) Ai di madje edhe kur bie në tokë një harabel i vogël. «Mos kini frikë,​—shpjegoi Jezui,​—ju vleni më tepër se shumë harabela.» (Mateu 10:29, 31) Nuk mund të mos na tërheqë një Perëndi kaq i dashur.

16 Së dyti, shembulli i Jezuit na tregon se si është Jehovai. Jezui e pasqyroi me kaq përsosmëri Atin e tij, saqë mundi të thoshte: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Prandaj, kur në Ungjij lexojmë për Jezuin, për ndjenjat që shfaqi dhe për mënyrën se si veproi me të tjerët, në njëfarë kuptimi po shohim një portret të gjallë të Atit të tij. Vështirë se Jehovai do të na i kishte zbuluar cilësitë e tij më qartë, sesa në këtë mënyrë. Përse?

17. Ilustro se çfarë ka bërë Jehovai për të na ndihmuar të kuptojmë se si është.

17 Le ta ilustrojmë. Ta zëmë se dëshiron të shpjegosh çfarë është mirëdashja. Ndoshta e përkufizon me fjalë. Por, në qoftë se tregon dikë që po kryen një vepër mirëdashëse dhe thua «ky është një shembull i mirëdashjes», fjala «mirëdashje» merr më tepër domethënie dhe bëhet më e lehtë për t’u kuptuar. Jehovai ka bërë diçka të ngjashme për të na ndihmuar që të kuptojmë se si është. Përveçse e ka përshkruar veten e tij me fjalë, na ka dhënë shembullin e gjallë të Birit të tij. Te Jezui cilësitë e Perëndisë shihen në veprim. Nëpërmjet tregimeve të Ungjijve që përshkruajnë Jezuin, Jehovai në të vërtetë po thotë: «Kështu jam unë.» Si e përshkruajnë Jezuin kur ishte në tokë tregimet e frymëzuara?

18. Si e shprehu Jezui fuqinë, drejtësinë dhe mençurinë?

18 Katër cilësitë kryesore të Perëndisë u shprehën bukur te Jezui. Ai kishte fuqi mbi sëmundjet, urinë e madje edhe mbi vdekjen. Megjithatë, ndryshe nga njerëzit egoistë që e keqpërdorin fuqinë ose pushtetin që kanë, ai nuk e përdori kurrë fuqinë mrekullibërëse për veten e tij ose për të dëmtuar të tjerët. (Mateu 4:2-4) Ai e donte drejtësinë. I mbushej zemra me indinjatë të drejtë kur shihte tregtarët e pandershëm që zhvatnin njerëzit. (Mateu 21:12, 13) I trajtonte me paanshmëri të varfrit dhe të shtypurit, duke i ndihmuar që të ‘gjenin freskim’ për shpirtrat e tyre. (Mateu 11:4, 5, 28-30) Në mësimet e Jezuit, i cili ishte «më shumë se Solomoni», kishte një mençuri të pakrahasueshme. (Mateu 12:42) Por Jezui nuk bëri kurrë me mençurinë e tij shfaqje për t’u dukur. Fjalët e tij preknin zemrat e njerëzve të thjeshtë, sepse mësimet e tij ishin të qarta, të thjeshta dhe praktike.

19, 20. (a) Në ç’mënyrë Jezui ishte një shembull i jashtëzakonshëm i dashurisë? (b) Çfarë duhet të mbajmë në mend kur lexojmë për shembullin e Jezuit dhe meditojmë rreth tij?

19 Jezui ishte një shembull i jashtëzakonshëm i dashurisë. Gjatë gjithë shërbimit të tij e shfaqi dashurinë në aspektet e shumta të saj, duke përfshirë empatinë dhe dhembshurinë. Ndiente gjithnjë keqardhje kur i shihte të tjerët që vuanin. Vazhdimisht kjo ndjeshmëri ndaj nevojave të të tjerëve e shtynte të vepronte. (Mateu 14:14) Ndonëse shëroi të sëmurët dhe ushqeu të uriturit, Jezui e shprehu dhembshurinë në një mënyrë shumë më jetësore. I ndihmoi të tjerët që të njihnin, të pranonin dhe të donin të vërtetën për Mbretërinë e Perëndisë, e cila do t’i sjellë bekime të përhershme njerëzimit. (Marku 6:34; Luka 4:43) Mbi të gjitha, Jezui tregoi dashuri vetëmohuese duke dhënë me dëshirë shpirtin e tij për të tjerët.​—Gjoni 15:13.

20 A është për t’u habitur që njerëz të të gjitha moshave dhe prejardhjeve ndiheshin të tërhequr drejt këtij njeriu me përzemërsi të butë dhe me ndjenja të thella? (Marku 10:13-16) Gjithsesi, ndërsa lexojmë për shembullin e gjallë të Jezuit dhe meditojmë për të, le të mbajmë gjithnjë në mend se te ky Bir po shohim një pasqyrim të qartë të Atit të tij.​—Hebrenjve 1:3.

Një mjet ndihmës për studim

21, 22. Çfarë përfshin ta kërkojmë Jehovain dhe ç’përmban ky mjet ndihmës për studim për të na ndihmuar në këtë përpjekje?

21 Duke e zbuluar kaq qartë vetveten në Fjalën e tij, Jehovai nuk lë asnjë dyshim se dëshiron që ne të jemi afër tij. Në të njëjtën kohë, nuk na detyron që të kërkojmë të kemi një marrëdhënie të miratuar me të. Na përket neve ta kërkojmë Jehovain «ndërkohë që mund të gjendet». (Isaia 55:6) Të kërkojmë Jehovain përfshin të arrijmë të njohim cilësitë e tij dhe mënyrën se si vepron, siç zbulohen në Bibël. Mjeti ndihmës për studim që po lexon tani ka për qëllim të të ndihmojë që të marrësh këtë njohuri.

22 Do të vëresh se ky libër është i ndarë në pjesë që përkojnë me katër cilësitë kryesore të Jehovait: fuqinë, drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë. Secila pjesë fillon me një përmbledhje të cilësisë që trajtohet. Pastaj disa nga kapitujt që vijojnë shpjegojnë se si e shfaq Jehovai atë cilësi në aspektet e ndryshme të saj. Secila pjesë përmban edhe një kapitull që tregon se si e shfaqi me shembullin e tij Jezui atë cilësi, si edhe një kapitull tjetër që shqyrton se si mund ta pasqyrojmë në jetën tonë atë.

23, 24. (a) Shpjego kutinë e veçantë «Pyetje për meditim». (b) Si na ndihmon meditimi që të afrohemi edhe më shumë me Perëndinë?

23 Duke filluar me këtë kapitull, ka edhe një kuti të veçantë me titull «Pyetje për meditim». Për shembull, shiko në faqen 24. Shkrimet dhe pyetjet nuk janë menduar si një rishikim i kapitullit. Në vend të kësaj, qëllimi i tyre është të të ndihmojnë që të meditosh për aspekte të tjera të rëndësishme të temës që po trajtohet. Si mund ta përdorësh me efektshmëri këtë kuti? Kërkoji të gjitha shkrimet e cituara dhe lexoji me kujdes vargjet. Pastaj shqyrto pyetjen që shoqëron çdo shkrim. Medito rreth përgjigjeve. Ndoshta mund të bësh disa kërkime. Bëji vetes pyetje të tjera: ‘Çfarë më tregon ky informacion për Jehovain? Si ndikon në jetën time? Si mund ta përdor për të ndihmuar të tjerët?’

24 Ky meditim mund të na ndihmojë që të afrohemi gjithnjë e më shumë me Jehovain. Pse? Bibla e lidh meditimin me zemrën. (Psalmi 19:14) Kur meditojmë me çmueshmëri rreth asaj që mësojmë për Perëndinë, informacioni depërton në zemrën tonë figurative, ku ndikon në mendimet tona, na nxit ndjenjat dhe përfundimisht na shtyn të veprojmë. Na thellohet dashuria për Perëndinë, dhe kjo dashuri na shtyn të duam t’i pëlqejmë atij, duke e parë si Mikun tonë më të shtrenjtë. (1 Gjonit 5:3) Për të pasur një marrëdhënie të tillë, duhet të njohim cilësitë e Jehovait dhe mënyrën se si vepron. Por së pari, le të shqyrtojmë një aspekt të personalitetit të Perëndisë, i cili na jep arsye që na shtyn t’i afrohemi: shenjtërinë e tij.

^ par. 3 Është interesante se fjala hebraike e përkthyer ‘miqësi e ngushtë’ përdoret edhe tek Amosi 3:7, ku thuhet se Zotëria Sovran Jehova ua zbulon «çështjen konfidenciale» shërbëtorëve të tij, duke u bërë të njohur që më përpara se çfarë ka si qëllim të bëjë.

^ par. 12 Për shembull Bibla flet për fytyrën, sytë, veshët, flegrat e hundës, gojën, krahët dhe këmbët e Perëndisë. (Psalmi 18:15; 27:8; 44:3; Isaia 60:13; Mateu 4:4; 1 Pjetrit 3:12) Këto shprehje figurative nuk duhen marrë në kuptimin e drejtpërdrejtë, ashtu si për shembull nuk merret në kuptimin e drejtpërdrejtë kur Jehovai quhet «Shkëmbi» ose «mburojë».​—Ligji i përtërirë 32:4; Psalmi 84:11.