Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 3

«I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jehovai»

«I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jehovai»

1, 2. Cilin vegim mori profeti Isaia, dhe çfarë na mëson për Jehovain ky vegim?

ISAIA ishte i shtangur nga skena që gjendej para tij: një vegim nga Perëndia. Dukej një skenë kaq reale! Më vonë Isaia shkroi se në të vërtetë e ‘pa Jehovain’ në fronin e Tij të lartë. Palat e mantelit të Jehovait mbushnin tempullin e madh të Jerusalemit.​—Isaia 6:1, 2.

2 Isaia u mahnit edhe nga ajo që dëgjoi: një këngë kaq e fuqishme, saqë e lëkundi tempullin deri në themele. Këngën e këndonin serafinët, krijesa frymore të një rangu shumë të lartë. Melodia e tyre e harmonishme dhe e fuqishme kumbonte me fjalë madhështore: «I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jehovai i ushtrive. Plotësia e gjithë tokës është lavdia e tij.» (Isaia 6:3, 4) Fakti që fjala «i shenjtë» këndohej tri herë i jepte asaj një theksim të veçantë e me të drejtë, pasi Jehovai është i shenjtë në shkallën më të lartë. (Zbulesa 4:8) Shenjtëria e Jehovait theksohet në të gjithë Biblën. Në qindra vargje emri i tij shoqërohet me fjalët «i shenjtë» dhe «shenjtëria».

3. Në ç’mënyrë pikëpamjet e gabuara për shenjtërinë e Jehovait i bëjnë shumë veta të largohen nga Perëndia, në vend që t’i afrohen atij?

3 Qartë, pra, një nga gjërat parësore që Jehovai dëshiron të kuptojmë për të është se ai është i shenjtë. Mirëpo shumë veta sot stepen nga kjo ide. Gabimisht disa e lidhin shenjtërinë me qëndrimin si tepër i drejtë ose me përshpirtshmërinë e rremë. Njerëzve që luftojnë me ndjenjat e pavlefshmërisë shenjtëria e Perëndisë mund t’u duket më shumë frikësuese, sesa tërheqëse. Mund të kenë frikë se nuk do të jenë kurrë të denjë për t’iu afruar këtij Perëndie të shenjtë. Prandaj, shumë veta largohen nga Perëndia për shkak të shenjtërisë së tij. Kjo është për të ardhur keq, sepse në të vërtetë shenjtëria e Perëndisë është një arsye që na shtyn t’i afrohemi atij. Pse? Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, le të shqyrtojmë se çfarë është shenjtëria e vërtetë.

Çfarë është shenjtëria?

4, 5. (a) Çfarë nënkupton shenjtëria dhe çfarë nuk nënkupton? (b) Cilat janë dy mënyra të rëndësishme se si është «i veçuar» Jehovai?

4 Fakti që Perëndia është i shenjtë nuk do të thotë se është tepër i vetëkënaqur, fodull ose përbuzës. Përkundrazi, ai i urren këto cilësi. (Proverbat 16:5; Jakovit 4:6) Prandaj, çfarë do të thotë në të vërtetë fjala «i shenjtë»? Në hebraishten biblike kjo fjalë vjen nga një term që do të thotë «i veçuar». Në adhurim, «i shenjtë» përdoret për gjërat që mbahen si të shenjtëruara ose që janë të veçuara nga përdorimi i përditshëm. Shenjtëria përcjell fuqimisht edhe idenë e pastërtisë e të dëlirësisë. Si zbatohet për Jehovain kjo fjalë? A do të thotë kjo se ai është «i veçuar» nga njerëzit e papërsosur dhe u rri larg atyre?

5 Aspak. Si «i Shenjti i Izraelit», Jehovai e përshkroi veten duke thënë se banonte «në mes» të popullit të tij, edhe pse ky popull ishte mëkatar. (Isaia 12:6; Hozea 11:9) Prandaj shenjtëria nuk e bën atë të paafrueshëm. Atëherë, në ç’mënyrë është «i veçuar»? Në dy mënyra të rëndësishme. Së pari, është i veçuar nga i gjithë krijimi në kuptimin që vetëm ai është Më i Larti. Pastërtia e tij është absolute dhe e pafundme. (Psalmi 40:5; 83:18) Së dyti, Jehovai është plotësisht i veçuar në kuptimin që s’ka të bëjë fare me mëkatin dhe ky është një mendim ngushëllues. Përse?

6. Pse mund të gjejmë ngushëllim në faktin që Jehovai është krejtësisht i paprekshëm nga mëkati?

6 Jetojmë në një botë ku shenjtëria e vërtetë është gjë e rrallë. Çdo gjë që ka të bëjë me shoqërinë njerëzore të larguar nga Perëndia është e ndotur në ndonjë mënyrë, e njollosur me mëkat dhe papërsosmëri. Të gjithëve na duhet të luftojmë kundër mëkatit brenda nesh. E të gjithë jemi në rrezikun se mos na mposht mëkati, po ta ulim vigjilencën. (Romakëve 7:15-25; 1 Korintasve 10:12) Jehovai është jashtë çfarëdo rreziku të tillë. Ai është plotësisht i paprekshëm nga mëkati dhe si i tillë s’ka për t’u njollosur kurrë as nga gjurma më e vogël e tij. Kjo na bind edhe më tepër se përshtypja që kemi për Jehovain si Ati ideal është e vërtetë, sepse do të thotë që mund të mbështetemi plotësisht tek ai. Ndryshe nga shumë baballarë njerëzorë mëkatarë, Jehovai nuk do të bëhet asnjëherë i pandershëm, i shthurur dhe as nuk do të na keqtrajtojë. Për shkak të shenjtërisë së tij, një gjë e tillë është krejt e pamundur. Madje ndonjëherë Jehovai edhe është betuar në emër të shenjtërisë së tij, sepse asgjë tjetër nuk mund të jetë më e besueshme se ajo. (Amosi 4:2) A nuk na qetëson kjo?

7. Pse mund të thuhet që shenjtëria është pjesë përbërëse e natyrës së Jehovait?

7 Shenjtëria është pjesë përbërëse e vetë natyrës së Jehovait. Çfarë do të thotë kjo? Për ta ilustruar shqyrto fjalët «njeri» dhe «i papërsosur». Nuk mund ta përkufizosh fjalën e parë pa përmendur të dytën. Ne na përshkon papërsosmëria dhe ndikon në çdo gjë që bëjmë. Tani shqyrto dy fjalë shumë të ndryshme: «Jehova» dhe «i shenjtë». Shenjtëria përshkon Jehovain. Ai është krejtësisht i pastër dhe i ndershëm. Nuk mund ta njohim dot Jehovain siç është në të vërtetë pa shqyrtuar seriozisht dhe pa kuptuar këtë fjalë të thellë: «i shenjtë».

«Shenjtëria i përket Jehovait»

8, 9. Çfarë tregon se Jehovai i ndihmon njerëzit e papërsosur që të bëhen të shenjtë në kuptimin relativ?

8 Meqenëse Jehovai personifikon cilësinë e shenjtërisë, mund të thuhet me të drejtë se ai është burimi i çdo shenjtërie. Jehovai nuk e mban me egoizëm për vete këtë cilësi të çmuar, por ua jep edhe të tjerëve me bujari. Për shembull, kur Perëndia i foli Moisiut nëpërmjet një engjëlli te kaçubja që digjej, edhe toka përreth saj u bë e shenjtë ngaqë Jehovai ishte i pranishëm aty.​—Dalja 3:5.

9 A mund të bëhen të shenjtë njerëzit e papërsosur me ndihmën e Jehovait? Po, në një kuptim relativ. Perëndia i dha popullit të tij, Izraelit, mundësinë që të bëhej «një komb i shenjtë». (Dalja 19:6) E bekoi këtë komb me një sistem adhurimi që ishte i shenjtë, i pastër e i dëlirë. Prandaj në Ligjin e Moisiut shenjtëria është një temë që përsëritet. Në të vërtetë, kryeprifti mbante një pllakë ari në pjesën e përparme të çallmës, ku të gjithë mund ta shihnin tek shndriste në dritë. Në të ishin skalitur fjalët: «Shenjtëria i përket Jehovait.» (Dalja 28:36) Prandaj adhurimi i tyre, e më gjerë edhe vetë mënyra e tyre e jetesës, duhej të dallohej nga një normë e lartë pastërtie dhe dëlirësie. Jehovai u tha: «Duhet të jeni të shenjtë, sepse unë Jehovai, Perëndia juaj, jam i shenjtë.» (Levitiku 19:2) Për sa kohë që izraelitët jetuan sipas këshillave të Perëndisë në masën që ishte e mundur për njerëzit e papërsosur, ishin të shenjtë në kuptimin relativ.

10. Çfarë kontrasti për sa i përket shenjtërisë ekzistonte midis Izraelit të lashtë dhe kombeve përreth?

10 Ky theks që u vu mbi shenjtërinë ishte në kontrast të thellë me adhurimin e kombeve përreth Izraelit. Ato kombe pagane adhuronin perëndi ekzistenca e të cilëve ishte një gënjeshtër e mashtrim, perëndi që portretizoheshin si të dhunshëm, lakmitarë dhe të shthurur. Ata nuk ishin fare të shenjtë. Prandaj, adhurimi i këtyre perëndive bënte që edhe njerëzit të mos ishin të shenjtë. Kështu që Jehovai i paralajmëroi shërbëtorët e tij që të qëndronin të veçuar nga adhuruesit paganë e nga praktikat e tyre fetare të ndotura.​—Levitiku 18:24-28; 1 Mbretërve 11:1, 2.

11. Si është e dukshme shenjtëria e organizatës qiellore të Jehovait (a) tek engjëjt? (b) te serafinët? (c) te Jezui?

11 Edhe në periudhat më të mira, Izraeli i lashtë, kombi i zgjedhur i Jehovait, arrinte ta pasqyronte vetëm në mënyrë të mjegullt shenjtërinë e organizatës qiellore të Perëndisë. Miliona krijesat frymore që i shërbejnë me besnikëri Perëndisë quhen ‘moritë e shenjta’ të tij. (Ligji i përtërirë 33:2; Juda 14) Ata e pasqyrojnë në mënyrë të përsosur bukurinë e pastër e të shkëlqyeshme të shenjtërisë së Perëndisë. Veç kësaj, kujto edhe serafinët që pa Isaia në vegim. Teksti i këngës që këndonin ata tregon se këto krijesa të fuqishme frymore luajnë një rol të rëndësishëm për ta bërë të njohur në gjithë universin shenjtërinë e Jehovait. Mirëpo, ka një krijesë frymore që qëndron mbi të gjitha ato: Biri i vetëmlindur i Perëndisë. Jezui është pasqyrimi më i lartë i shenjtërisë së Jehovait. Me të drejtë ai njihet si «i Shenjti i Perëndisë».​—Gjoni 6:68, 69.

Emër i shenjtë, frymë e shenjtë

12, 13. (a) Pse emri i Perëndisë është përshkruar me të drejtë si i shenjtë? (b) Pse duhet shenjtëruar emri i Perëndisë?

12 Ç’të themi për vetë emrin e Perëndisë? Siç e pamë në kapitullin e parë, ky emër nuk është vetëm një titull ose një emërtim. Ai paraqet Perëndinë Jehova, duke përfshirë të gjitha cilësitë e tij. Prandaj Bibla na thotë se ‘emri i tij është i shenjtë’. (Isaia 57:15) Në Ligjin e Moisiut dënohej me vdekje përdhosja e emrit të Perëndisë. (Levitiku 24:16) Gjithashtu, vër re se cila ishte gjëja e parë që përmendi Jezui në lutje: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Të shenjtërosh diçka do të thotë ta ndash veç e ta përnderosh, ta mbash si të shenjtë. Por, përse një gjë kaq e pastër nga natyra siç është emri i Perëndisë do të kishte nevojë të shenjtërohej?

13 Emrin e shenjtë të Perëndisë e kanë vënë në dyshim dhe e kanë përlyer me gënjeshtra e shpifje. Në Eden, Satanai gënjeu për Jehovain, duke lënë të nënkuptohej se Ai është një Sovran i padrejtë. (Zanafilla 3:1-5) Që nga ajo kohë, Satanai, sundimtari i kësaj bote të ligë, ka bërë çmos që gënjeshtrat për Perëndinë të shumohen. (Gjoni 8:44; 12:31; Zbulesa 12:9) Fetë e kanë paraqitur Perëndinë si tiran, të paafrueshëm ose mizor. Kanë pohuar se kanë mbështetjen e tij në luftërat e tyre gjakatare. Merita për veprat e mrekullueshme të krijimit që ka bërë Perëndia shpesh i është dhënë rastësisë së verbër ose evolucionit. Po, emri i Perëndisë, të cilin e kanë përgojuar me ligësi, duhet shenjtëruar, i duhet rikthyer lavdia që meriton me të drejtë. Ne e presim me padurim shenjtërimin e emrit të tij dhe shfajësimin e sovranitetit të tij e jemi të lumtur të marrim pjesë në ndonjë mënyrë në plotësimin e këtij qëllimi madhështor.

14. Pse fryma e Perëndisë quhet e shenjtë dhe pse është kaq e rëndë të blasfemosh kundër frymës së shenjtë?

14 Ka edhe diçka tjetër që lidhet ngushtësisht me Jehovain e që pothuajse gjithnjë quhet e shenjtë: fryma ose forca e tij vepruese. (Zanafilla 1:2) Jehovai e përdor këtë forcë të pamposhtshme për të plotësuar qëllimet e tij. Perëndia e bën gjithçka në mënyrë të shenjtë e të pastër, kështu që forca e tij vepruese me të drejtë quhet fryma e shenjtë ose fryma e shenjtërisë. (Luka 11:13; Romakëve 1:4) Të blasfemosh kundër frymës së shenjtë, gjë që përfshin të veprosh me dashje kundër qëllimeve të Jehovait, përbën mëkat të pafalshëm.​—Marku 3:29.

Pse shenjtëria e Jehovait na afron me të?

15. Pse pasja e frikës hyjnore është një reagim i përshtatshëm ndaj shenjtërisë së Jehovait dhe çfarë përfshin kjo frikë?

15 Pra, s’është e vështirë ta kuptojmë përse Bibla e lidh shenjtërinë e Perëndisë me frikën që duhet të kenë njerëzit ndaj tij. Për shembull, te Psalmi 99:3 lexojmë: «Le ta përlëvdojnë emrin tënd, që është i madh e ngjall frikë; ai është i shenjtë.» Por kjo frikë nuk është një tmerr i sëmurë. Përkundrazi, është një ndjenjë e fortë e nderimit të thellë, e respektit në formën e tij më të lartë. Është e përshtatshme të ndihemi kështu, duke qenë se shenjtëria e Perëndisë qëndron shumë më lart se ne. Ajo ka një pastërti të shndritshme, është e lavdishme. Megjithatë nuk është një cilësi që duhet të na largojë. Përkundrazi, pikëpamja e duhur për shenjtërinë e Perëndisë do të na afrojë më shumë me Të. Përse?

Shenjtëria duhet të na tërheqë ashtu si na tërheq bukuria

16. (a) Si lidhet shenjtëria me bukurinë? Jep një shembull. (b) Si e theksojnë pastërtinë, dëlirësinë dhe dritën përshkrimet që jepen në vegime për Jehovain?

16 Pikësëpari, Bibla e lidh shenjtërinë me bukurinë. Tek Isaia 63:15, qielli përshkruhet si ‘banesa e lartë e shenjtërisë dhe e bukurisë’ së Perëndisë. Bukuria na tërheq. Për shembull, shiko figurën në faqen 33. A nuk të bën për vete kjo pamje? Çfarë e bën kaq tërheqëse? Vër re se sa i kulluar duket uji. Edhe ajri duhet të jetë i pastër, sepse qielli është i kaltër dhe drita duket sikur vezullon. Tani, sikur kjo pamje të ndryshohej, domethënë rrjedha e ujit të bllokohej nga plehrat, pemët e shkëmbinjtë të shëmtoheshin me fjalë të shkruara përsipër dhe ajri të ndotej nga smogu, nuk do të na pëlqente më pamja, përkundrazi do të na neveritej. Është e natyrshme që bukurinë ta shoqërojmë me pastërtinë, dëlirësinë dhe dritën. Të njëjtat fjalë mund të përdoren për të përshkruar shenjtërinë e Jehovait. S’është çudi që na magjepsin përshkrimet që jepen në vegime për Jehovain. Një bukuri plot dritë, që vezullon si gurët e çmuar, që ndriçon si zjarr ose si metalet më të pastra e më të shkëlqyeshme, e tillë është bukuria e Perëndisë tonë të shenjtë.​—Ezekieli 1:25-28; Zbulesa 4:2, 3.

17, 18. (a) Si reagoi fillimisht Isaia nga vegimi që pati? (b) Si e përdori Jehovai një serafin për të ngushëlluar Isainë dhe ç’domethënie pati veprimi që bëri serafini?

17 Mirëpo, a duhet të na bëjë të ndihemi më të ulët shenjtëria e Perëndisë? Sigurisht që përgjigjja është po. Në fund të fundit, ne jemi më të ulët se Jehovai, dhe kjo është pak ta themi. A duhet të na largojë nga ai fakti që dimë këtë? Shqyrto se si reagoi Isaia kur dëgjoi serafinët që shpallnin shenjtërinë e Jehovait. «Unë thashë: ‘I mjeri unë! Jam pothuajse i katandisur të hesht, sepse jam njeri me buzë të papastra dhe banoj mes një populli me buzë të papastra; sepse sytë e mi kanë parë vetë Mbretin, Jehovain e ushtrive!’» (Isaia 6:5) Po, shenjtëria e pafundme e Jehovait i kujtoi Isaisë se sa mëkatar dhe i papërsosur ishte. Në fillim ai burrë besnik u ndie fare përtokë, por Jehovai nuk e la në këtë gjendje.

18 Menjëherë një serafin e ngushëlloi profetin. Si e bëri këtë? Ajo krijesë e fuqishme frymore fluturoi deri te altari, mori prej tij një thëngjill dhe me të preku buzët e Isaisë. Kjo mund të duket se sjell dhembje më tepër se ngushëllim. Por, mos harro se ky ishte një vegim, plot me domethënie simbolike. Isaia, një hebre besnik, e dinte mirë se në altarin e tempullit ofroheshin përditë flijime, për të bërë shlyerjen e mëkateve. Me dashuri, serafini i kujtoi profetit se ndonëse ky i fundit ishte vërtet i papërsosur, «me buzë të papastra», mund të kishte një qëndrim të pastër para Perëndisë. * Jehovai ishte gati ta quante të shenjtë, të paktën në kuptimin relativ, një njeri të papërsosur e mëkatar.​—Isaia 6:6, 7.

19. Si mund të jemi të shenjtë në kuptimin relativ, ndonëse jemi të papërsosur?

19 E njëjta gjë është e vërtetë sot. Të gjitha ato flijime që ofroheshin në altar në Jerusalem ishin vetëm hije e diçkaje më të madhe, e flijimit të vetëm të përsosur që u ofrua nga Jezu Krishti në vitin 33 të e.s. (Hebrenjve 9:11-14) Në qoftë se pendohemi vërtet për mëkatet tona, e ndreqim rrugën e gabuar dhe ushtrojmë besim tek ai flijim, jemi të falur. (1 Gjonit 2:2) Edhe ne mund të kemi një qëndrim të pastër para Perëndisë. Kështu, apostulli Pjetër na kujton: «Është shkruar: ‘Duhet të jeni të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.’» (1 Pjetrit 1:16) Vër re se Jehovai nuk tha se duhet të jemi po aq të shenjtë sa ai. Ai nuk pret kurrë nga ne diçka që është e pamundur. (Psalmi 103:13, 14) Përkundrazi, Jehovai na thotë të jemi të shenjtë, sepse ai është i shenjtë. «Si bij të dashur», ne përpiqemi ta imitojmë sa më mirë që mundemi si njerëz të papërsosur që jemi. (Efesianëve 5:1) Prandaj, arritja e shenjtërisë është një punë e vazhdueshme. Ndërsa rritemi frymësisht, punojmë ditë për ditë për të ‘përsosur shenjtërinë’.​—2 Korintasve 7:1.

20. (a) Pse është e rëndësishme të kuptojmë se mund të jemi të pastër në sytë e Perëndisë tonë të shenjtë? (b) Si reagoi Isaia kur mësoi se mëkatet e tij ishin shlyer?

20 Jehovai e do atë që është e drejtë dhe e pastër. Ai e urren mëkatin. (Habakuku 1:13) Por nuk na urren neve. Për sa kohë që kemi të njëjtën pikëpamje si ai për mëkatin, duke urryer atë që është e keqe dhe duke dashur atë që është e mirë, e për sa kohë që përpiqemi të ndjekim gjurmët e përsosura të Krishtit Jezu, Jehovai na i fal mëkatet. (Amosi 5:15; 1 Pjetrit 2:21) Kur e kuptojmë se mund të jemi të pastër në sytë e Perëndisë tonë të shenjtë, kjo lë gjurmë të thella te ne. Në fillim, për shembull, shenjtëria e Jehovait i kujtoi Isaisë që ishte i papastër. Ai thirri: «I mjeri unë!» Por, kur e kuptoi se mëkatet e tij ishin shlyer, e ndryshoi qëndrimin. Kur Jehovai kërkoi një vullnetar për të kryer një caktim, Isaia doli përpara menjëherë, ndonëse nuk e dinte as se çfarë do të përfshinte ai caktim. Ai thirri: «Ja ku jam! Më dërgo mua.»​—Isaia 6:5-8.

21. Çfarë baze kemi për të besuar se mund ta zhvillojmë cilësinë e shenjtërisë?

21 Ne jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë të shenjtë dhe ai na ka krijuar me cilësi morale e me aftësinë për të pasur një botëkuptim frymor. (Zanafilla 1:26) Brenda secilit prej nesh ekziston potenciali për të qenë të shenjtë. Jehovai na ndihmon me kënaqësi ndërsa vazhdojmë të zhvillojmë cilësinë e shenjtërisë. Duke bërë këtë do të afrohemi gjithnjë e më shumë me Perëndinë tonë të shenjtë. Më tej, ndërsa do të shqyrtojmë cilësitë e Jehovait në kapitujt që do të vijojnë, do të shohim se ka edhe shumë arsye të tjera të fuqishme për t’iu afruar atij.

^ par. 18 Shprehja «me buzë të papastra» është me vend, pasi në Bibël buzët përdoren shpesh në kuptimin figurativ për të paraqitur të folurit ose gjuhën që përdoret. Te të gjithë njerëzit e papërsosur, një përqindje e madhe mëkatesh mund të vijnë si pasojë e mënyrës se si përdoret aftësia e të folurit.​—Proverbat 10:19; Jakovit 3:2, 6.