Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 10

‘Të bëhemi imitues të Perëndisë’ në përdorimin e fuqisë

‘Të bëhemi imitues të Perëndisë’ në përdorimin e fuqisë

1. Në cilin kurth dinak bien me lehtësi njerëzit e papërsosur?

«NJË kurth dinak i zë pusi atij që ka fuqi.» Këto fjalë të një poeteshe të shekullit të 19-të na e drejtojnë vëmendjen te një rrezik tinëzar: keqpërdorimi i fuqisë. Mjerisht, njerëzit e papërsosur bien shumë lehtë në këtë kurth. Në të vërtetë, gjatë gjithë historisë «njeriu ka mbizotëruar mbi njeriun në dëm të tij». (Eklisiastiu 8:9) Fuqia e përdorur pa dashuri i ka sjellë si pasojë njerëzimit vuajtje të papërshkrueshme.

2, 3. (a) Pse është e jashtëzakonshme mënyra si e përdor Jehovai fuqinë? (b) Çfarë mund të përfshijë fuqia që kemi ne dhe si duhet ta përdorim atë?

2 Gjithsesi, është domethënëse që Perëndia Jehova, i cili ka fuqi të pakufizuar, nuk e keqpërdor kurrë fuqinë e tij. Siç e kemi vërejtur në kapitujt e mëparshëm, ai e përdor gjithnjë në harmoni me qëllimet e tij të dashura fuqinë që ka, qoftë kjo fuqi krijuese, shkatërruese, mbrojtëse ose ripërtëritëse. Kur mendojmë thellë për mënyrën se si e ushtron ai fuqinë, ndihemi të shtyrë që t’i afrohemi. Kjo, nga ana e vet, mund të na motivojë që ‘të bëhemi imitues të Perëndisë’ në mënyrën si e përdorim ne vetë fuqinë. (Efesianëve 5:1) Por, çfarë fuqie mund të zotërojmë ne si njerëz të dobët që jemi?

3 Sill ndër mend që njeriu u krijua «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë» e sipas ngjashmërisë me të. (Zanafilla 1:26, 27) Prandaj, edhe ne kemi fuqi, të paktën në njëfarë mase. Fuqia jonë mund të përfshijë aftësinë për të bërë punë, për të vepruar; pasjen e kontrollit ose të autoritetit mbi të tjerët; aftësinë për të ndikuar te të tjerët, sidomos tek ata që na duan; forcën fizike ose forcën ekonomike. Psalmisti tha për Jehovain: «Tek ti është burimi i jetës.» (Psalmi 36:9, DSF) Kështu që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë Perëndia është burimi i çdo fuqie që me të drejtë mund të kemi. Prandaj duam ta përdorim këtë fuqi në mënyra që i pëlqejnë atij. Si mund ta bëjmë këtë?

Çelësi është dashuria

4, 5. (a) Cili është çelësi për ta përdorur drejt fuqinë dhe si e tregon këtë vetë shembulli i Perëndisë? (b) Si do të na ndihmojë dashuria që ta përdorim drejt fuqinë?

4 Çelësi për ta përdorur drejt fuqinë është dashuria. A nuk e tregon këtë vetë shembulli i Perëndisë? Sill ndër mend që në kapitullin e parë kemi trajtuar katër cilësitë kryesore të Perëndisë: fuqinë, drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë. Cila është mbizotëruese nga të katra cilësitë? Dashuria. «Perëndia është dashuri»,​—thuhet te 1 Gjonit 4:8. Po, dashuria përbën vetë natyrën e Jehovait dhe ndikon në çdo gjë që bën ai. Kështu, çdo shfaqje e fuqisë së tij motivohet nga dashuria dhe së fundi është për të mirën e atyre që kanë dashuri për të.

5 Dashuria do të na ndihmojë edhe ne që ta përdorim drejt fuqinë që kemi. Në fund të fundit, Bibla na thotë se dashuria është «mirëdashëse» dhe «nuk kërkon interesat e veta». (1 Korintasve 13:4, 5) Pra, dashuria nuk do të na lejojë që të sillemi me ashpërsi ose me mizori me ata mbi të cilët kemi njëfarë autoriteti. Përkundrazi, do t’i trajtojmë të tjerët me dinjitet e do t’i vëmë nevojat dhe ndjenjat e tyre para tonave.​—Filipianëve 2:3, 4.

6, 7. (a) Çfarë është frika nga Perëndia dhe pse kjo cilësi do të na ndihmojë që të mos e keqpërdorim fuqinë? (b) Ilustro si lidhet frika se mos i shkaktojmë pakënaqësi Perëndisë me dashurinë që kemi për të.

6 Dashuria lidhet me një cilësi tjetër që mund të na ndihmojë të mos e keqpërdorim fuqinë. Kjo cilësi është frika nga Perëndia. Çfarë vlere ka ajo? «Me frikën e Jehovait njeriu largohet nga e keqja»,​—thuhet te Proverbat 16:6. E natyrisht, keqpërdorimi i fuqisë futet te gjërat e këqija, nga të cilat duhet të largohemi. Frika nga Perëndia do të na pengojë që t’i keqtrajtojmë njerëzit mbi të cilët kemi fuqi. Përse? Pikësëpari, e dimë se do t’i japim llogari Perëndisë për mënyrën si i trajtojmë këta njerëz. (Nehemia 5:1-7, 15) Por frika nga Perëndia përfshin më shumë se kaq. Termat e gjuhës origjinale të përdorur për fjalën «frikë» shpesh i referohen respektit dhe nderimit të thellë për Perëndinë. Kështu, Bibla e shoqëron frikën me dashurinë për Perëndinë. (Ligji i përtërirë 10:12, 13) Ky nderim i thellë përfshin frikën e shëndetshme se mos i shkaktojmë pakënaqësi Perëndisë. Kjo jo thjesht ngaqë u druhemi pasojave, por sepse e duam vërtet Perëndinë.

7 Për ta ilustruar, mendo për lidhjen e shëndoshë që ekziston ndërmjet një djali të vogël dhe babait të tij. Djali e ndien se babai interesohet për të me dashuri e përzemërsi. Por di edhe se çfarë kërkon i ati prej tij dhe e di se ai do ta disiplinojë po të sillet keq. Nuk është se djali jeton me tmerrin e babait. Përkundrazi, e do shumë të atin dhe kënaqet duke bërë gjërat që do t’i sjellin buzëqeshjen e tij miratuese. E njëjta gjë është me frikën nga Perëndia. Meqë e duam Jehovain, Atin tonë qiellor, druhemi se mos bëjmë ndonjë gjë që do ta bënte të ndihej ‘i hidhëruar në zemër’. (Zanafilla 6:6) Dëshira jonë është që t’ia gëzojmë zemrën. (Proverbat 27:11) Ja përse duam ta përdorim drejt fuqinë që kemi. Le të shqyrtojmë më shkoqur se si mund ta bëjmë këtë.

Brenda familjes

8. (a) Çfarë autoriteti kanë burrat në familje dhe si duhet ushtruar ky autoritet? (b) Si mund ta tregojë një burrë se e nderon gruan e tij?

8 Në fillim të shqyrtojmë rrethin familjar. «Burri është kreu i gruas së tij»,​—thuhet te Efesianëve 5:23. Si duhet ta ushtrojë burri këtë autoritet që i ka dhënë Perëndia? Bibla u thotë burrave që të banojnë me gratë e tyre «sipas njohurisë, duke u dhënë nderim si një ene më të dobët». (1 Pjetrit 3:7) Fjala greke që është përkthyer «nderim» ka kuptimin «çmim, vlerë, . . . respekt». Disa forma të kësaj fjale përkthehen «dhurata» dhe «i çmuar». (Veprat 28:10; 1 Pjetrit 2:7) Burri që e nderon gruan e vet nuk e sulmon kurrë fizikisht dhe as nuk e poshtëron e nuk e ul, duke e bërë të ndihet e pavlerë. Përkundrazi, e pranon vlerën që ka ajo dhe e trajton me respekt. E tregon se ajo është e çmuar për të me fjalët e me veprimet e tij, qoftë kur janë vetëm për vetëm, qoftë kur janë me të tjerët. (Proverbat 31:28) Një burrë i tillë do të fitojë jo vetëm dashurinë dhe respektin e së shoqes, por ç’është më e rëndësishmja, miratimin e Perëndisë.

Bashkëshortët e përdorin drejt fuqinë e tyre, duke e trajtuar njëri-tjetrin me dashuri e respekt

9. (a) Çfarë fuqie kanë gratë në familje? (b) Çfarë mund ta ndihmojë një grua që t’i përdorë aftësitë e saj për të mbështetur të shoqin dhe me cilin rezultat?

9 Edhe gratë kanë njëfarë fuqie në familje. Bibla tregon për gra të perëndishme të cilat, duke respektuar kryesinë e duhur, me nismën e tyre ndikuan në mënyrë pozitive te burrat e tyre ose i ndihmuan që të shmangnin ndonjë gjykim të gabuar. (Zanafilla 21:9-12; 27:46–28:2) Ndoshta një grua ka mendje më të mprehtë se i shoqi ose mund të ketë aftësi të tjera që ai s’i ka. Megjithatë, ajo duhet të ketë «respekt të thellë» për burrin e saj dhe ‘të jetë e nënshtruar’ ndaj tij «si ndaj Zotërisë». (Efesianëve 5:22, 33) Synimi për t’i pëlqyer Perëndisë do ta ndihmojë një grua që t’i përdorë aftësitë e saj për ta mbështetur të shoqin, në vend që t’ia ulë vlerat ose të përpiqet të zotërojë mbi të. Një ‘grua e tillë vërtet e mençur’ bashkëpunon ngushtësisht me të shoqin për të ndërtuar familjen. Në këtë mënyrë ajo ruan edhe paqen me Perëndinë.​—Proverbat 14:1.

10. (a) Çfarë autoriteti u ka dhënë Perëndia prindërve? (b) Çfarë do të thotë fjala ‘disiplinë’ dhe si duhet dhënë ajo? (Shih edhe shënimin.)

10 Edhe prindërit kanë autoritet, të cilin ua ka dhënë Perëndia. Bibla këshillon: «Etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.» (Efesianëve 6:4) Në Bibël fjala ‘disiplinë’ mund të nënkuptojë «rritje, stërvitje, mësim». Fëmijët kanë nevojë për disiplinë, pasi ata rriten të mbarë kur kanë udhëzime e kufij të qartë. Këtë disiplinë ose mësim Bibla e lidh me dashurinë. (Proverbat 13:24) Prandaj, «shkopi i disiplinës» kurrë nuk duhet përdorur në mënyrë abuzive qoftë emocionalisht, qoftë fizikisht. * (Proverbat 22:15; 29:15) Disiplina e rreptë ose e ashpër, e pashoqëruar me dashuri, përbën një abuzim të autoritetit prindëror dhe mund t’i vrasë shpirtërisht fëmijët. (Kolosianëve 3:21) Nga ana tjetër, disiplina e ekuilibruar, e dhënë në mënyrë të përshtatshme, u jep të kuptojnë fëmijëve se prindërit i duan dhe janë në merak se çfarë personash po bëhen ata.

11. Si mund ta përdorin drejt fëmijët fuqinë e tyre?

11 Ç’të themi për fëmijët? Si mund ta përdorin ata drejt fuqinë që kanë? «Bukuria e të rinjve është fuqia e tyre»,​—thuhet te Proverbat 20:29. Për të rinjtë s’ka asnjë mënyrë më të mirë për të përdorur forcën dhe energjinë, sesa t’i shërbejnë ‘Krijuesit të tyre të Madh’. (Eklisiastiu 12:1) Të rinjtë bëjnë mirë të mbajnë ndër mend se veprimet e tyre mund të ndikojnë te ndjenjat e prindërve. (Proverbat 23:24, 25) Kur fëmijët u binden prindërve me frikë Perëndie dhe qëndrojnë në rrugën e drejtë, u sjellin gëzim në zemër prindërve. (Efesianëve 6:1) Kjo sjellje «është e pëlqyeshme në Zotërinë».​—Kolosianëve 3:20.

Brenda kongregacionit

12, 13. (a) Çfarë pikëpamjeje duhet të kenë pleqtë për autoritetin që kanë në kongregacion? (b) Ilustro pse pleqtë duhet ta trajtojnë kopenë me butësi.

12 Jehovai ka siguruar mbikëqyrës që të marrin drejtimin në kongregacionin e krishterë. (Hebrenjve 13:17) Këta burra të kualifikuar duhet ta përdorin autoritetin që u ka dhënë Perëndia për të dhënë ndihmën e duhur dhe për të rritur mirëqenien e kopesë. A u jep të drejtë pleqve pozita e tyre që të sillen si padronë me bashkëbesimtarët? Aspak! Pleqtë duhet të kenë një pikëpamje të ekuilibruar e të përulur për rolin e tyre në kongregacion. (1 Pjetrit 5:2, 3) Bibla u thotë mbikëqyrësve: ‘Kulloteni kongregacionin e Perëndisë, të cilin ai e bleu me gjakun e Birit të vet.’ (Veprat 20:28) Këtu gjendet një arsye e fuqishme pse çdo pjesëtar i kopesë duhet trajtuar me butësi.

13 Mund ta ilustrojmë në këtë mënyrë. Një mik i ngushtë të kërkon që të kujdesesh për një gjë që ai e ka shumë të shtrenjtë. Ti e di se miku yt ka paguar një çmim të lartë për këtë send. A nuk do ta mbaje me delikatesë e me kujdes të madh? Në mënyrë të ngjashme, Perëndia u ka besuar pleqve përgjegjësinë që të kujdesen për një gjë që ai e ka shumë të shtrenjtë: për kongregacionin, pjesëtarët e të cilit krahasohen me dele. (Gjoni 21:16, 17) Për Jehovain delet e tij janë shumë të shtrenjta; kaq të shtrenjta, saqë i bleu me gjakun e çmuar të Birit të tij të vetëmlindur, Jezu Krishtit. Jehovai s’mund të kishte paguar një çmim tjetër më të lartë për delet e tij. Pleqtë e përulur i trajtojnë delet e Jehovait duke mbajtur në mendje këtë.

Fuqia e gjuhës

14. Çfarë fuqie ka gjuha?

14 «Vdekja dhe jeta janë në dorë të gjuhës»,​—thotë Bibla. (Proverbat 18:21) Gjuha mund të bëjë vërtet shumë dëme. Cili prej nesh nuk ka ndier asnjëherë thumbin e një komenti të pamenduar ose edhe përçmues? Megjithatë, gjuha ka edhe fuqinë për të shëruar. «Gjuha e të mençurve është shërim»,​—thuhet te Proverbat 12:18. Po, fjalët pozitive e të shëndetshme mund të jenë si një balsam qetësues e shërues për zemrën. Shiko disa shembuj.

15, 16. Në cilat mënyra mund ta përdorim gjuhën për t’u dhënë zemër të tjerëve?

15 «U flitni në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të ligështuar»,​—na nxit 1 Selanikasve 5:14. Edhe shërbëtorët besnikë të Jehovait nganjëherë luftojnë me depresionin. Si mund t’i ndihmojmë? T’u japim lavdërime specifike e të sinqerta për t’i ndihmuar që të shohin vlerën që kanë në sytë e Jehovait. T’u lexojmë fjalët e fuqishme të shkrimeve biblike që tregojnë se Jehovai interesohet vërtet dhe i do ata që janë «me zemër të vrarë» dhe ‘me frymë të dërrmuar’. (Psalmi 34:18) Kur e përdorim fuqinë e gjuhës për të ngushëlluar të tjerët, tregojmë se po imitojmë Perëndinë tonë të dhembshur, «që ngushëllon të dëshpëruarit».​—2 Korintasve 7:6, New American Standard Bible.

16 Mund ta përdorim fuqinë e gjuhës edhe për t’u dhënë zemër atyre që kanë shumë nevojë për një gjë të tillë. A i ka vdekur ndonjë bashkëbesimtari një njeri i dashur? Fjalët dashamirëse që shprehin interesin dhe merakun tonë mund ta ngushëllojnë zemrën e pikëlluar. A ndihet ndoshta një vëlla i moshuar a motër e moshuar sikur është i tepërt? Një njeri që mendon mund ta përdorë gjuhën për t’i siguruar këta të moshuar se janë shumë të vlerësuar dhe të çmuar. A po lufton dikush me një sëmundje kronike? Fjalët mirëdashëse, të thëna me anë të një telefonate ose personalisht, mund ta çelin vërtet dikë që është sëmurë. Sa shumë duhet të kënaqet Krijuesi ynë kur e përdorim fuqinë që ka gjuha për të thënë gjëra që janë ‘të mira për ndërtim’!​—Efesianëve 4:29.

Predikimi i lajmit të mirë është një mënyrë e shkëlqyer për të përdorur fuqinë tonë

17. Në cilën mënyrë të rëndësishme mund ta përdorim gjuhën në dobi të të tjerëve dhe pse duhet ta bëjmë këtë?

17 Nuk ka mënyrë tjetër më të rëndësishme për ta përdorur fuqinë e gjuhës, sesa duke u dhënë të tjerëve lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. «Mos ua mbaj të mirën atyre që u takon, kur e ke në dorë për ta bërë»,​—thuhet te Proverbat 3:27. E kemi si detyrim ndaj të tjerëve t’u themi lajmin e mirë jetëshpëtues. Nuk do të ishte e drejtë të mbanim për vete mesazhin urgjent që Jehovai na ka dhënë me kaq bujari. (1 Korintasve 9:16, 22) Por, në ç’masë pret Jehovai që të marrim pjesë në këtë vepër?

T’i shërbejmë Jehovait «me gjithë forcën» tonë

18. Çfarë pret Jehovai nga ne?

18 Dashuria për Jehovain na shtyn që të marrim pjesë plotësisht në shërbimin e krishterë. Çfarë pret nga ne Jehovai në këtë drejtim? Diçka që të gjithë ne, pavarësisht nga rrethanat që kemi në jetë, mund ta japim: «Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain e jo si për njerëzit.» (Kolosianëve 3:23) Kur po jepte urdhërimin më të madh, Jezui tha: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Marku 12:30) Po, Jehovai pret nga secili prej nesh që ta duam dhe t’i shërbejmë me gjithë shpirt.

19, 20. (a) Meqë shpirti përfshin edhe zemrën, mendjen e forcën, pse përmenden te Marku 12:30 këto gjëra të tjera? (b) Çfarë do të thotë t’i shërbejmë me gjithë shpirt Jehovait?

19 Çfarë do të thotë t’i shërbejmë me gjithë shpirt Perëndisë? Shpirti i referohet të gjithë personit, me të gjitha aftësitë fizike e mendore. Meqë shpirti përfshin zemrën, mendjen dhe forcën, pse përmenden këto gjëra të tjera te Marku 12:30? Shqyrto një ilustrim. Në kohët biblike një njeri mund të shiste vetveten (shpirtin) e të bëhej skllav. Megjithatë, skllavi mund të mos i shërbente me gjithë zemër pronarit të tij, mund të mos e përdorte të gjithë forcën ose të gjitha aftësitë mendore për të çuar përpara interesat e pronarit. (Kolosianëve 3:22) Prandaj, me sa duket, Jezui i përmendi këto gjëra të tjera për të theksuar se në shërbimin që i bëjmë Perëndisë nuk duhet të kursejmë asgjë. T’i shërbejmë me gjithë shpirt Perëndisë do të thotë të japim nga vetja, duke përdorur forcën dhe energjitë tona në masën më të plotë që është e mundur në shërbim të tij.

20 Mos vallë të shërbejmë me gjithë shpirt do të thotë se që të gjithë duhet të kalojmë të njëjtën sasi kohe dhe energjie në shërbim? Vështirë se është e mundur kjo, pasi rrethanat dhe aftësitë ndryshojnë nga një njeri te tjetri. Për shembull, një i ri me shëndet të mirë dhe qëndresë fizike mund të kalojë më shumë kohë në predikim se ata të cilëve po u shteron forca për shkak të moshës së shkuar. Një beqar që nuk ka detyrime familjare mund të bëjë më shumë sesa dikush që i duhet të kujdeset për familjen. Sa mirënjohës duhet të jemi në qoftë se kemi forcën dhe rrethanat që na japin mundësi të bëjmë shumë në shërbim! Sigurisht, nuk duam asnjëherë të kemi frymën e kritikës, duke e krahasuar veten me të tjerët në këtë drejtim. (Romakëve 14:10-12) Përkundrazi, duam ta përdorim fuqinë për t’u dhënë zemër të tjerëve.

21. Cila është mënyra më e mirë dhe më e rëndësishme për ta përdorur fuqinë që kemi?

21 Jehovai ka dhënë shembullin e përsosur duke e përdorur drejt fuqinë. Duam ta imitojmë sa më mirë që mundemi si njerëz të papërsosur që jemi. Mund ta përdorim drejt fuqinë duke i trajtuar me dinjitet ata mbi të cilët kemi njëfarë autoriteti. Përveç kësaj, duam ta bëjmë me gjithë shpirt veprën jetëshpëtuese të predikimit që na ka dhënë Jehovai për të kryer. (Romakëve 10:13, 14) Mos harro se Jehovai është i kënaqur kur i jep më të mirën që ti vetë, pra shpirti yt, mund të japë. A nuk ndihesh i shtyrë nga zemra që të bësh gjithçka mundesh për t’i shërbyer këtij Perëndie që na kupton dhe na do? Nuk ka mënyrë tjetër më të mirë ose më të rëndësishme për ta përdorur fuqinë që ke.

^ par. 10 Në kohët biblike, fjala hebraike e përkthyer ‘shkop’ nënkuptonte një thupër ose kërrabë si ajo që përdorte një bari për të drejtuar delet. (Psalmi 23:4) Ngjashëm, «shkopi» i autoritetit prindëror ka të bëjë me drejtimin e dashur, jo me ndëshkimin e ashpër ose mizor.