Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 14

Jehovai siguron një «shpërblesë në këmbim të shumë vetave»

Jehovai siguron një «shpërblesë në këmbim të shumë vetave»

1, 2. Si e përshkruan Bibla gjendjen e njerëzimit dhe cila është e vetmja rrugëdalje?

«E GJITHË krijesa vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku.» (Romakëve 8:22) Me këto fjalë e përshkruan apostulli Pavël gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhemi. Nga pikëpamja njerëzore duket se s’ka asnjë rrugë shpëtimi nga vuajtjet, nga mëkati e nga vdekja. Por Jehovai nuk ka kufizimet që kanë njerëzit. (Numrat 23:19) Perëndia i drejtësisë na ka siguruar një rrugëdalje për vuajtjet tona. Kjo rrugëdalje është shpërblesa.

2 Shpërblesa është dhurata më e madhe që i ka bërë Jehovai njerëzimit. Ajo bën të mundur çlirimin tonë nga mëkati e nga vdekja. (Efesianëve 1:7) Është baza për shpresën e jetës së përhershme, në qiell ose në një tokë parajsore. (Luka 23:43; Gjoni 3:16; 1 Pjetrit 1:4) Por, çfarë është saktësisht shpërblesa? Si na e bën të qartë ajo drejtësinë e Jehovait, që është e shkallës më të lartë?

Si lindi nevoja për shpërblesën?

3. (a) Pse lindi nevoja për shpërblesën? (b) Pse Perëndia thjesht nuk mund ta zëvendësonte me diçka më të lehtë dënimin me vdekje për pasardhësit e Adamit?

3 Nevoja për shpërblesën lindi për shkak të mëkatit të Adamit. Si pasojë e mosbindjes ndaj Perëndisë, Adami u la si trashëgimi pasardhësve të tij sëmundjet, pikëllimin, dhembjen dhe vdekjen. (Zanafilla 2:17; Romakëve 8:20) Perëndia nuk mund të binte në sentimentalizëm e thjesht ta zëvendësonte me diçka më të lehtë dënimin me vdekje. Një gjë e tillë do të përbënte shpërfilljen e vetë ligjit të tij: «Paga që paguan mëkati është vdekja.» (Romakëve 6:23) E sikur Jehovai t’i shfuqizonte normat e tij të drejtësisë, do të kishin mbretëruar kaosi universal dhe paligjshmëria.

4, 5. (a) Si shpifi Satanai për Perëndinë dhe pse Jehovai ishte i detyruar t’u përgjigjej atyre akuzave? (b) Ç’akuzë bëri Satanai kundër shërbëtorëve besnikë të Jehovait?

4 Siç e pamë në kapitullin 12, nga rebelimi në Eden lindën çështje edhe më të mëdha se vetë rebelimi. Satanai e mbuloi me një re të zezë emrin e mirë të Perëndisë. Në të vërtetë, ai e akuzoi Jehovain se ishte gënjeshtar dhe një diktator mizor që u mohonte lirinë krijesave të tij. (Zanafilla 3:1-5) Duke prishur në dukje qëllimin e Perëndisë për ta mbushur tokën me njerëz të drejtë, Satanai gjithashtu e akuzoi Perëndinë se kishte dështuar. (Zanafilla 1:28; Isaia 55:10, 11) Sikur Jehovai të mos u kishte dhënë përgjigje këtyre sfidave, shumë krijesa të tij inteligjente ndoshta do ta kishin humbur deri diku sigurinë te sundimi i tij.

5 Satanai shpifi edhe për shërbëtorët besnikë të Jehovait, duke i akuzuar se i shërbenin Atij vetëm me motive egoiste dhe se po të gjendeshin nën presion, asnjë prej tyre nuk do t’i qëndronte besnik Perëndisë. (Jobi 1:9-11) Këto çështje kishin shumë më tepër rëndësi sesa gjendja e vështirë e njerëzimit. Me të drejtë Jehovai u ndie i detyruar t’u përgjigjej akuzave shpifëse të Satanait. Por, si mund t’i zgjidhte Perëndia këto çështje dhe në të njëjtën kohë të shpëtonte njerëzimin?

Shpërblesa​—Një barasvlerës

6. Cilat janë disa shprehje që përdoren në Bibël për të përshkruar mjetin e siguruar nga Perëndia për të shpëtuar njerëzimin?

6 Zgjidhja që dha Jehovai ishte njëkohësisht tepër e mëshirshme dhe jashtëzakonisht e drejtë, një zgjidhje që asnjë njeri s’do ta kishte gjetur dot kurrë. E megjithatë kishte një thjeshtësi të mahnitshme. Për të flitet si një blerje, pajtim, shpengim dhe shlyerje. (Psalmi 49:8; Danieli 9:24; Galatasve 3:13; Kolosianëve 1:20; Hebrenjve 2:17) Por shprehja që ndoshta i përshkruan më mirë gjërat është ajo që përdori vetë Jezui. Ai tha: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e tij si shpërblesë [greqisht lytron] në këmbim të shumë vetave.»​—Mateu 20:28.

7, 8. (a) Çfarë kuptimi ka termi «shpërblesë» në Shkrime? (b) Në ç’mënyrë shpërblesa përfshin një barasvlerës?

7 Çfarë është shpërblesa? Fjala greke e përdorur këtu rrjedh nga një folje që ka kuptimin «të lëshosh, të çlirosh». Ky term përdorej për të përshkruar shumën e parave që paguhej në këmbim të lirimit të robërve të luftës. Në thelb, pra, shpërblesa mund të përkufizohet si diçka që paguhet për të blerë përsëri një gjë. Në Shkrimet Hebraike, fjala për «shpërblesë» (kofer) vjen nga një folje që ka kuptimin «të mbulosh». Për shembull, Perëndia i tha Noesë që ta ‘mbulonte’ (një formë e së njëjtës fjalë) arkën me zift. (Zanafilla 6:14) Kjo na ndihmon të kuptojmë se të shpërblesh do të thotë edhe të mbulosh mëkatet.​—Psalmi 65:3.

8 Është domethënëse që një fjalor, Theological Dictionary of the New Testament, komenton se kjo fjalë (kofer) «tregon gjithnjë një barasvlerës» ose diçka që përkon. Kështu, kapaku i arkës së besëlidhjes kishte një formë që përkonte me vetë arkën. * Në mënyrë të ngjashme, për të shpërblyer ose për të mbuluar mëkatin duhet paguar një çmim që përkon plotësisht me dëmin e shkaktuar nga mëkati ose që e mbulon plotësisht atë. Prandaj, Ligji që Perëndia i dha Izraelit thoshte: «Do të jepet shpirt për shpirt, sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë e këmbë për këmbë.»​—Ligji i përtërirë 19:21.

9. Pse burrat me besim bënë flijime në kafshë, dhe si i pa Jehovai flijime të tilla?

9 Burrat me besim, që nga Abeli e më pas, i bënë flijime në kafshë Perëndisë. Duke bërë kështu treguan se ishin të vetëdijshëm për mëkatin dhe për nevojën për shpengim. Treguan edhe besimin e tyre në çlirimin e premtuar nga Perëndia nëpërmjet «farës» së tij. (Zanafilla 3:15; 4:1-4; Levitiku 17:11; Hebrenjve 11:4) Jehovai i pa me pëlqim këto flijime dhe i miratoi këta adhurues të tij. Megjithatë, e shumta e shumta flijimet në kafshë ishin veçse diçka simbolike. Kafshët nuk e mbulonin dot me të vërtetë mëkatin e njeriut, sepse janë më të ulëta se njeriu. (Psalmi 8:4-8) Kështu, Bibla thotë: «Është e pamundur t’i heqë mëkatet gjaku i demave dhe i cjepve.» (Hebrenjve 10:1-4) Këto flijime vetëm sa paraqitnin ose simbolizonin flijimin e vërtetë shpërblyes që duhej të vinte.

«Shpërblesë përkatëse»

10. (a) Me kë duhej të përkonte shpërblyesi e përse? (b) Pse nevojitej vetëm një flijim njerëzor?

10 «Në Adamin të gjithë po vdesin»,​—tha apostulli Pavël. (1 Korintasve 15:22) Prandaj shpërblesa duhej të përfshinte vdekjen e barasvlerësit të saktë të Adamit, pra vdekjen e një njeriu të përsosur. (Romakëve 5:14) Asnjë lloj tjetër krijese nuk mund t’i drejtpeshonte anët e peshores së drejtësisë. Vetëm një njeri i përsosur që nuk ishte nën dënimin me vdekjen adamike mund të jepte një «shpërblesë përkatëse». Duhej të ishte një njeri që përkonte në mënyrë të përsosur me Adamin. (1 Timoteut 2:6) Nuk do të ishte e nevojshme që miliona e miliona njerëz të flijoheshin që të përkonin me çdo pasardhës të Adamit. Apostulli Pavël shpjegoi: «Nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit] mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit.» (Romakëve 5:12) E «meqë vdekja është nëpërmjet një njeriu», Perëndia mori masa për ta shpenguar njerëzimin «nëpërmjet një njeriu». (1 Korintasve 15:21) Si?

Një «shpërblesë përkatëse për të gjithë»

11. (a) Si do ta «shijonte vdekjen për çdo njeri» shpërblyesi? (b) Pse Adami dhe Eva nuk mund të nxirrnin dobi nga shpërblesa? (Shih shënimin.)

11 Jehovai mori masa që një njeri i përsosur ta flijonte vullnetarisht jetën e tij. Sipas Romakëve 6:23 «paga që paguan mëkati është vdekja». Duke flijuar jetën e tij, shpërblyesi do të «shijonte vdekjen për çdo njeri». Me fjalë të tjera, do të paguante pagën e mëkatit të Adamit. (Hebrenjve 2:9; 2 Korintasve 5:21; 1 Pjetrit 2:24) Kjo do të kishte pasoja të thella ligjore. Duke e anuluar dënimin me vdekje që ishte mbi pasardhësit e bindur të Adamit, shpërblesa do ta asgjësonte fuqinë shkatërruese të mëkatit që nga burimi i saj. *​—Romakëve 5:16.

12. Ilustro se si pagimi i një borxhi të vetëm mund t’u sjellë dobi shumë njerëzve.

12 Për ta ilustruar mendo sikur jeton në një qytet ku shumica e banorëve janë të punësuar në një fabrikë të madhe. Ti dhe fqinjët e tu paguheni mirë për punën që bëni dhe keni një jetë të rehatshme. Domethënë e kishit, sepse një ditë të bukur fabrika mbyllet. Përse? Administratori i fabrikës u korruptua dhe e çoi sipërmarrjen në falimentim. Duke u gjendur papritur të papunë, ti dhe fqinjët tuaj s’keni mundësi të paguani faturat. Bashkëshortët, fëmijët dhe kreditorët vuajnë për shkak të korruptimit të një njeriu të vetëm. A ka ndonjë rrugëdalje? Po! Një mirëbërës i pasur vendos të ndërhyjë. Ai e kupton vlerën që ka fabrika dhe i vjen keq për punonjësit e shumtë të saj e për familjet e tyre. Prandaj merr masa që të paguhet borxhi i fabrikës dhe e rihap atë. Shlyerja e atij borxhi të vetëm u sjell lehtësim punonjësve të shumtë dhe familjeve të tyre, si edhe kreditorëve. Në mënyrë të ngjashme, shlyerja e borxhit të Adamit u sjell dobi miliona e miliona njerëzve.

Kush e siguron shpërblesën?

13, 14. (a) Si e siguroi Jehovai shpërblesën për njerëzimin? (b) Kujt i paguhet shpërblesa dhe pse është e nevojshme kjo pagesë?

13 Vetëm Jehovai mund të siguronte ‘Qengjin . . . që heq mëkatin e botës’. (Gjoni 1:29) Por Perëndia nuk dërgoi një engjëll çfarëdo për të shpëtuar njerëzimin. Përkundrazi, dërgoi Atë që mund t’i jepte përgjigjen përfundimtare e vendimtare akuzës që kishte bërë Satanai kundër shërbëtorëve të Jehovait. Po, Jehovai bëri sakrificën më të madhe duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur, «të cilin ai e kishte veçanërisht për zemër». (Proverbat 8:30) Me gatishmëri Biri i Perëndisë «e zbrazi veten» nga natyra e tij qiellore. (Filipianëve 2:7) Me një mrekulli Jehovai e transferoi jetën dhe modelin e personalitetit të Birit të tij të parëlindur qiellor në barkun e një virgjëreshe judeje me emrin Marie. (Luka 1:27, 35) Si njeri ai do të quhej Jezu. Por në kuptimin ligjor mund të quhej Adami i dytë, sepse përkonte në mënyrë të përsosur me Adamin. (1 Korintasve 15:45, 47) Kështu Jezui mund të flijonte veten si shpërblesë për njerëzimin mëkatar.

14 Kujt do t’i paguhej kjo shpërblesë? Psalmi 49:7 e thotë në mënyrë specifike se shpërblesa i paguhet «Perëndisë». Por, a nuk është vetë Jehovai ai që ka marrë masa për të dhënë shpërblesën? Po, por kjo nuk e zhvlerëson shpërblesën, duke e bërë thjesht një shkëmbim të pakuptimtë e mekanik, si të marrësh para nga njëri xhep e t’i futësh te tjetri. Duhet kuptuar se shpërblesa nuk është një këmbim fizik, por një veprim ligjor. Duke siguruar pagimin e shpërblesës, edhe pse kjo i kushtoi shumë shtrenjtë, Jehovai pohoi edhe një herë se i përmbahet vendosmërisht drejtësisë së tij të përsosur.​—Zanafilla 22:7, 8, 11-13; Hebrenjve 11:17; Jakovit 1:17.

15. Pse ishte e nevojshme që Jezui të vuante e të vdiste?

15 Në pranverën e vitit 33 të e.s., Jezu Krishti iu nënshtrua vullnetarisht një prove të rëndë që çoi deri në pagimin e shpërblesës. Lejoi që ta arrestonin në bazë të akuzave të rreme, ta shpallnin fajtor dhe ta gozhdonin në një shtyllë ekzekutimi. A ishte vërtet e nevojshme që Jezui të vuante kaq shumë? Po, sepse duhej zgjidhur çështja e besnikërisë së shërbëtorëve të Perëndisë. Vlen të përmendet se Perëndia nuk e lejoi Herodin ta vriste Jezuin kur ky ishte fëmijë. (Mateu 2:13-18) Kurse si i rritur Jezui ishte në gjendje ta përballonte vrullin e sulmeve të Satanait duke i kuptuar plotësisht çështjet që ishin përfshirë. * Duke qëndruar «besnik, i patëkeq, i pandotur, i ndarë nga mëkatarët», pavarësisht nga trajtimi i llahtarshëm që iu bë, Jezui dha prova të mahnitshme e vendimtare se Jehovai ka vërtet shërbëtorë që i qëndrojnë besimplotë nën sprova. (Hebrenjve 7:26) Ja përse një çast para se të vdiste, Jezui thirri triumfues: «U krye!»​—Gjoni 19:30.

Përfundon veprën e tij shpenguese

16, 17. (a) Si e vazhdoi Jezui veprën e tij shpenguese? (b) Pse ishte e nevojshme që Jezui të dilte «për ne përpara personit të Perëndisë»?

16 Jezui s’e kishte mbaruar ende veprën e tij shpenguese. Ditën e tretë pasi Jezui kishte vdekur, Jehovai e ngriti nga të vdekurit. (Veprat 3:15; 10:40) Me këtë veprim të rëndësishëm Jehovai jo vetëm që e shpërbleu Birin e tij për shërbimin besnik që bëri, por i dha mundësinë që të mbaronte veprën e tij shpenguese si Kryeprifti i Perëndisë. (Romakëve 1:4; 1 Korintasve 15:3-8) Apostulli Pavël shpjegon: «Kur Krishti erdhi si kryeprift . . . , ai hyri, jo, jo me gjakun e cjepëve dhe të demave të rinj, por me gjakun e vet, një herë e mirë në vendin e shenjtë dhe mori për ne një çlirim të përhershëm. Sepse Krishti nuk hyri në një vend të shenjtë të bërë me duar, i cili është kopje e realitetit, por në vetë qiellin, që të paraqitet tani për ne përpara personit të Perëndisë.»​—Hebrenjve 9:11, 12, 24.

17 Krishti s’mund ta çonte gjakun e tij të mirëfilltë në qiell. (1 Korintasve 15:50) Por çoi atë që simbolizonte ky gjak, domethënë vlerën ligjore të jetës së tij të përsosur njerëzore që ishte flijuar. Atëherë ai e paraqiti zyrtarisht përpara personit të Perëndisë vlerën e asaj jete si shpërblesë në këmbim të njerëzimit mëkatar. A e pranoi Jehovai këtë flijim? Po, e kjo u bë e dukshme në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur u derdh fryma e shenjtë mbi afro 120 dishepuj të mbledhur në Jerusalem. (Veprat 2:1-4) Sado që kjo ngjarje ishte entuziazmuese, në atë kohë shpërblesa vetëm sa kishte filluar të sillte dobi të mrekullueshme.

Dobi që sjell shpërblesa

18, 19. (a) Cilat janë dy grupet e njerëzve që nxjerrin dobi nga pajtimi i mundësuar nga gjaku i Krishtit? (b) Cilat janë disa nga dobitë e tanishme dhe të ardhshme të shpërblesës që marrin ata të ‘shumicës së madhe’?

18 Në letrën që u drejton kolosianëve, Pavli shpjegon se Perëndisë iu duk e udhës që nëpërmjet Krishtit të pajtonte me veten e Tij të gjitha gjërat e tjera, duke bërë paqe me anë të gjakut që derdhi Jezui në shtyllën e torturës. Pavli shpjegon edhe se ky pajtim përfshin dy grupe të veçanta individësh, domethënë «gjërat në qiej» dhe «gjërat mbi tokë». (Kolosianëve 1:19, 20; Efesianëve 1:10) Grupi i parë përbëhet nga 144.000 të krishterë, të cilëve u jepet shpresa për të shërbyer si priftërinj në qiell e për të sunduar si mbretër mbi tokën, së bashku me Krishtin Jezu. (Zbulesa 5:9, 10; 7:4; 14:1-3) Me anë të këtyre personave, dobitë e shpërblesës do të zbatohen dalëngadalë te njerëzimi i bindur, gjatë një periudhe njëmijëvjeçare.​—1 Korintasve 15:24-26; Zbulesa 20:6; 21:3, 4.

19 «Gjërat mbi tokë» janë ata individë që shpresojnë të gëzojnë jetën e përsosur në Parajsën në tokë. Te Zbulesa 7:9-17 ata përshkruhen si ‘një shumicë e madhe’, e cila do të mbijetojë në ‘shtrëngimin e madh’ që po vjen. Por nuk u duhet të presin deri atëherë për të provuar dobitë që sjell shpërblesa. Tashmë i kanë «larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit». Duke qenë se ushtrojnë besim te shpërblesa, ata marrin që tani dobi frymore nga kjo masë e dashur. Janë shpallur të drejtë si miq të Perëndisë. (Jakovit 2:23) Falë flijimit të Jezuit, mund ‘t’i afrohen me çiltërsi fjale fronit të dashamirësisë së pamerituar’. (Hebrenjve 4:14-16) Kur gabojnë, mund të marrin falje të vërtetë. (Efesianëve 1:7) Megjithëse janë të papërsosur, kanë një ndërgjegje të pastër. (Hebrenjve 9:9; 10:22; 1 Pjetrit 3:21) Pra, pajtimi me Perëndinë nuk është diçka që shpresohet të ndodhë, por është bërë realitet që tani. (2 Korintasve 5:19, 20) Gjatë Mijëvjeçarit, dalëngadalë ata individë ‘do të lirohen nga skllavëria e prishjes’ dhe më në fund ‘do të kenë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë’.​—Romakëve 8:21.

20. Si ndikohesh personalisht kur mediton rreth shpërblesës?

20 «Faleminderit Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit» për shpërblesën! (Romakëve 7:25) Kjo masë është e thjeshtë në thelb, por me një ndikim kaq të madh sa të na mbushë me nderim të thellë. (Romakëve 11:33) Në qoftë se meditojmë me çmueshmëri rreth saj, shpërblesa na prek zemrën, duke na afruar gjithnjë e më shumë me Perëndinë e drejtësisë. Ashtu si psalmisti, kemi çdo arsye për ta lavdëruar Jehovain, sepse «e do drejtësinë dhe të drejtën».​—Psalmi 33:5.

^ par. 8 Te Dalja 25:17-22 fjala «kapak» është përkthyer nga një fjalë që ka lidhje me termin kofer.

^ par. 11 Adami dhe Eva nuk mund të kishin nxjerrë dobi nga shpërblesa. Në Ligjin e Moisiut kishte këtë parim për një vrasës me dashje: «Nuk duhet të marrësh asnjë shpërblesë për shpirtin e një vrasësi që meriton të vdesë.» (Numrat 35:31) Është e qartë se Adami dhe Eva meritonin të vdisnin, sepse e shkelën urdhrin e Perëndisë me dashje e me vetëdije të plotë. Në këtë mënyrë hoqën dorë nga perspektiva e tyre për jetën e përhershme.

^ par. 15 Për të kompensuar mëkatin e Adamit, Jezui nuk duhej të vdiste si një fëmijë i përsosur, por si një burrë i përsosur. Mos harro se Adami mëkatoi me dashje, duke e pasur të qartë në mendje se sa i rëndë ishte ai veprim e pasojat e tij. Prandaj, për t’u bërë «Adami i fundit» e për të mbuluar atë mëkat, Jezui duhej të bënte një zgjedhje të peshuar mirë e të vetëdijshme për t’i qëndruar besnik Jehovait. (1 Korintasve 15:45, 47) Kështu, e tërë jeta besimplotë e Jezuit, duke përfshirë edhe vdekjen e tij flijuese, shërbeu si ‘një akt i vetëm shfajësimi’.​—Romakëve 5:18, 19.