Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 16

‘Të ushtrojmë drejtësinë’ teksa ecim me Perëndinë

‘Të ushtrojmë drejtësinë’ teksa ecim me Perëndinë

1-3. (a) Pse i jemi borxhlinj Jehovait? (b) Çfarë kërkon prej nesh Shpëtimtari ynë i dashur?

MENDO sikur ke ngecur në një anije që po mbytet. Pikërisht atëherë kur të duket se s’ka më shpresë, mbërrin dikush e të shpëton. Sa i lehtësuar ndihesh kur shpëtimtari yt të largon nga rreziku dhe të thotë: «Shpëtove!» A nuk do të ndiheshe borxhli ndaj këtij njeriu? I detyron jetën në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

2 Në disa aspekte kjo ilustron atë që ka bërë Jehovai për ne. Patjetër që jemi borxhlinj ndaj tij, sepse ka siguruar shpërblesën, duke na dhënë mundësinë të shpëtojmë nga kthetrat e mëkatit dhe të vdekjes. Ndihemi jashtë rrezikut duke e ditur se, për sa kohë që të tregojmë besim në këtë flijim të çmuar, na falen mëkatet dhe e ardhmja jonë e përhershme është e sigurt. (1 Gjonit 1:7; 4:9) Siç e pamë në kapitullin 14, shpërblesa është shprehja më e lartë e dashurisë dhe e drejtësisë së Jehovait. Si duhet të përgjigjemi ne?

3 Është me vend të shqyrtojmë se çfarë kërkon prej nesh Shpëtimtari ynë. Nëpërmjet profetit Mikea, Jehovai thotë: «Ai ta ka thënë, o njeri tokësor, atë që është e mirë. Dhe çfarë kërkon Jehovai prej teje, përveçse të ushtrosh drejtësinë, të duash dashamirësinë dhe të jesh modest teksa ecën me Perëndinë tënd?» (Mikea 6:8) Vër re se një nga gjërat që kërkon Jehovai prej nesh është që ‘të ushtrojmë drejtësinë’. Si mund ta bëjmë këtë?

Të ndjekim ‘drejtësinë e vërtetë’

4. Si e dimë që Jehovai pret nga ne të jetojmë në harmoni me normat e tij të drejta?

4 Jehovai pret nga ne që të jetojmë sipas normave të tij për të drejtën dhe të gabuarën. Meqë normat e tij janë të drejta, kur veprojmë në përputhje me to po ndjekim drejtësinë. «Mësoni të bëni të mirën; kërkoni drejtësinë»,​—thuhet te Isaia 1:17. Fjala e Perëndisë na nxit që ‘të kërkojmë drejtësinë’. (Sofonia 2:3) Na nxit edhe ‘të veshim personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi të vërtetë’. (Efesianëve 4:24) Drejtësia e vërtetë e përjashton dhunën, papastërtinë e imoralitetin, pasi këto dhunojnë atë që është e shenjtë.​—Psalmi 11:5; Efesianëve 5:3-5.

5, 6. (a) Pse nuk është një barrë për ne të përputhemi me normat e Jehovait? (b) Si e tregon Bibla që ndjekja e drejtësisë është një proces i vazhdueshëm?

5 A bëhet një barrë për ne të përputhemi me normat e drejta të Jehovait? Jo. Një njeri që e ka për zemër Jehovain nuk acarohet nga kërkesat e tij. Meqë e duam Perëndinë tonë dhe gjithçka që ai përfaqëson, duam të jetojmë ashtu si i pëlqen atij. (1 Gjonit 5:3) Sill ndër mend se Jehovai «i do veprat e drejta». (Psalmi 11:7) Në qoftë se duam ta imitojmë vërtet drejtësinë hyjnore, duhet të zhvillojmë dashuri për gjërat që Jehovai i do dhe urrejtje për ato që i urren.​—Psalmi 97:10.

6 Si njerëz të papërsosur ne nuk e kemi të lehtë të ndjekim drejtësinë. Duhet të zhveshim personalitetin e vjetër me praktikat e tij mëkatare dhe të veshim personalitetin e ri. Bibla thotë se personaliteti i ri «rinohet» nëpërmjet njohurisë së saktë. (Kolosianëve 3:9, 10) Shprehja e gjuhës origjinale e përkthyer «rinohet» tregon se veshja e personalitetit të ri është një proces i vazhdueshëm, i cili kërkon përpjekje të zellshme. Pavarësisht se sa shumë përpiqemi të bëjmë atë që është e drejtë, nganjëherë natyra mëkatare na bën të pengohemi në mendime, në fjalë ose në veprime.​—Romakëve 7:14-20; Jakovit 3:2.

7. Si duhet të ndihemi kur biem para disa pengesave ndërsa përpiqemi të ndjekim drejtësinë?

7 Si duhet të ndihemi kur biem para këtyre pengesave ndërsa përpiqemi të ndjekim drejtësinë? Patjetër që nuk duam ta minimizojmë seriozitetin e mëkatit. Por, në të njëjtën kohë, nuk duhet të dorëzohemi kurrë, me mendimin se këto mangësi na bëjnë të padenjë për t’i shërbyer Jehovait. Perëndia ynë hirmadh ka marrë masa për t’i pranuar përsëri ata që pendohen me të vërtetë. Shqyrto fjalët qetësuese të apostullit Gjon: «Po ju shkruaj këto gjëra që të mos kryeni mëkat.» Por pastaj shtoi në mënyrë realiste: «Megjithatë, edhe nëse ndonjëri kryen mëkat [për shkak të papërsosmërisë së trashëguar], ne kemi një ndihmës pranë Atit, një që është i drejtë, Jezu Krishtin.» (1 Gjonit 2:1) Pikërisht, Jehovai ka siguruar flijimin shpërblyes të Jezuit, me qëllim që t’i shërbejmë Atij në mënyrë të pranueshme, pavarësisht nga natyra jonë mëkatare. A nuk na shtyn kjo që të duam të bëjmë çmos për t’i pëlqyer Jehovait?

Lajmi i mirë dhe drejtësia hyjnore

8, 9. Si e demonstron drejtësinë e Jehovait shpallja e lajmit të mirë?

8 Ne mund të ushtrojmë drejtësi, e në të vërtetë të imitojmë drejtësinë hyjnore, duke marrë pjesë plotësisht në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Ç’lidhje ka ndërmjet drejtësisë së Jehovait dhe lajmit të mirë?

9 Jehovai nuk do ta sjellë fundin e këtij sistemi të lig pa dhënë më parë paralajmërimin për këtë. Kur dha profecinë për atë që do të ndodhte gjatë kohës së fundit, Jezui tha: «Më parë duhet të predikohet lajmi i mirë në të gjitha kombet.» (Marku 13:10; Mateu 24:3) Përdorimi i fjalës «më parë» tregon se vepra mbarëbotërore e predikimit do të pasohet nga ngjarje të tjera. Këto ngjarje përfshijnë shtrëngimin e madh të parathënë, i cili do të sjellë shkatërrimin e të ligjve dhe do të përgatitë rrugën për ardhjen e botës së re të drejtë. (Mateu 24:14, 21, 22) Është e sigurt që askush nuk mund ta akuzojë me plot gojën Jehovain se tregohet i padrejtë me të ligjtë. Duke e dhënë më parë paralajmërimin, ai po u jep këtyre njerëzve mundësi të mjaftueshme për të ndryshuar sjelljen e tyre dhe për t’i shpëtuar shkatërrimit.​—Jonai 3:1-10.

Shfaqim drejtësinë hyjnore kur me paanshmëri u japim lajmin e mirë të tjerëve

10, 11. Si e pasqyrojmë drejtësinë hyjnore nëpërmjet predikimit të lajmit të mirë?

10 Si e pasqyrojmë drejtësinë hyjnore nëpërmjet predikimit të lajmit të mirë? Para së gjithash është më se e drejtë që të bëjmë çmos për t’i ndihmuar të tjerët të marrin shpëtimin. Mendo përsëri për ilustrimin e anijes që po mbytet dhe që dikush të shpëton. Tani që je shëndoshë e mirë në varkën e shpëtimit, pa dyshim do të duash të ndihmosh të tjerët që janë ende në ujë. Në mënyrë të ngjashme, ne kemi një detyrim ndaj atyre që ende po përpëliten në «ujërat» e kësaj bote të ligë. Është e vërtetë se shumë veta mund ta hedhin poshtë mesazhin tonë. Por ama për sa kohë që Jehovai vazhdon të jetë i durueshëm, ne kemi përgjegjësinë t’u japim atyre mundësinë të «arrijnë në pendim» dhe të kenë shpresën për të shpëtuar.​—2 Pjetrit 3:9.

11 Duke ua predikuar lajmin e mirë të gjithë atyre që takojmë, shfaqim drejtësi edhe në një mënyrë tjetër të rëndësishme: tregojmë paanshmëri. Sill ndër mend se «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm». (Veprat 10:34, 35) Në qoftë se duam të imitojmë drejtësinë e Tij nuk duhet t’i paragjykojmë njerëzit. Përkundrazi duhet t’u japim lajmin e mirë të tjerëve, pavarësisht nga raca ose nga shtresa e tyre shoqërore a gjendja financiare. Kështu u japim të gjithë atyre që duan të dëgjojnë një mundësi për të dëgjuar e për t’iu përgjigjur pozitivisht lajmit të mirë.​—Romakëve 10:11-13.

Mënyra si i trajtojmë të tjerët

12, 13. (a) Pse nuk duhet të nxitohemi që të gjykojmë të tjerët? (b) Ç’domethënie ka këshilla e Jezuit «mos gjykoni më» e «mos dënoni më»? (Shih edhe shënimin.)

12 Mund të ushtrojmë drejtësi edhe duke i trajtuar të tjerët ashtu siç na trajton Jehovai ne. Është tepër e lehtë t’i gjykojmë të tjerët, duke kritikuar të metat e tyre dhe duke vënë në dyshim motivet që kanë. Por, cili prej nesh do të donte që Jehovai t’ia hetonte me imtësi e pa mëshirë motivet dhe mangësitë? Jehovai nuk vepron kështu me ne. Psalmisti tha: «Në qoftë se gabimet do të ishin ato që shikon ti o Jah, o Jehova, kush do të mund të qëndronte në këmbë?» (Psalmi 130:3) A nuk jemi mirënjohës që Perëndia ynë i drejtë e i mëshirshëm zgjedh të mos përqendrohet te të metat tona? (Psalmi 103:8-10) Atëherë, si duhet t’i trajtojmë të tjerët?

13 Në rast se e kuptojmë që drejtësia e Jehovait shoqërohet me mëshirë, nuk do të nxitohemi për t’i gjykuar të tjerët në çështje që në të vërtetë nuk na takojnë ose që s’kanë shumë rëndësi. Në Predikimin e tij në Mal, Jezui paralajmëroi: «Mos gjykoni më, që të mos gjykoheni.» (Mateu 7:1) Sipas tregimit të Lukës, Jezui shtoi: «Mos dënoni më e nuk do të jeni të dënuar kurrsesi.» * (Luka 6:37) Jezui tregoi se e kuptonte që njerëzit e papërsosur kanë prirjen për të gjykuar të tjerët. Në qoftë se ndonjë nga dëgjuesit e tij e kishte zakon t’i gjykonte ashpër të tjerët, duhej t’i jepte fund kësaj.

14. Për cilat arsye duhet ‘të mos i gjykojmë më’ të tjerët?

14 Pse duhet ‘të mos i gjykojmë më’ të tjerët? Pikësëpari, sepse autoriteti ynë është i kufizuar. Dishepulli Jakov na kujton: «Një është ligjdhënës dhe gjykatës», Jehovai. Prandaj, Jakovi pyet drejtpërdrejt dhe hapur: «Ti kush je që të gjykosh të afërmin tënd?» (Jakovit 4:12; Romakëve 14:1-4) Veç kësaj, natyra jonë mëkatare mund të na bëjë të jemi të padrejtë në mënyrën si gjykojmë. Shumë qëndrime e motive, ku përfshihen paragjykimet, një sedër e prekur, xhelozia dhe ndjenja e tepruar e drejtësisë, mund të na e shtrembërojnë mënyrën si i shohim njerëzit e tjerë. Duke menduar për këto, si edhe për kufizime të tjera që kemi, vështirë se do të nxitohemi për të gjetur të meta te të tjerët. Nuk i lexojmë dot zemrat e as nuk mund të njohim të gjitha rrethanat personale të të tjerëve. Atëherë, kush jemi ne që t’i akuzojmë bashkëbesimtarët për motive të gabuara ose të kritikojmë përpjekjet e tyre në shërbim të Perëndisë? Është shumë më mirë të imitojmë Jehovain duke kërkuar anët e mira te vëllezërit tanë dhe motrat tona, në vend që të përqendrohemi në mangësitë e tyre.

15. Cilat fjalë e trajtime nuk kanë vend mes adhuruesve të Perëndisë e përse?

15 Ç’të themi për pjesëtarët e familjes? Mjerisht, në botën e sotme disa nga gjykimet më të ashpra shprehen në familje, edhe pse ajo duhej të ishte një oazë paqeje. S’është e pazakontë të dëgjojmë për bashkëshortë, bashkëshorte e prindër që i keqtrajtojnë pjesëtarët e familjes së tyre, duke «i dënuar» me sulme të vazhdueshme gojore e fizike. Por fjalët e panjerëzishme, sarkazma e hidhur dhe keqtrajtimi fizik nuk kanë vend mes adhuruesve të Perëndisë. (Efesianëve 4:29, 31; 5:33; 6:4) Këshilla e Jezuit që ‘të mos gjykojmë më’ e ‘të mos dënojmë më’ nuk e humb vlerën me të vënë këmbë në shtëpi. Të mos harrojmë se ushtrimi i drejtësisë përfshin t’i trajtojmë të tjerët ashtu siç na trajton Jehovai ne. Perëndia ynë nuk na trajton kurrë me ashpërsi ose mizori. Përkundrazi, është «shumë i butë në përzemërsi» ndaj atyre që e duan. (Jakovit 5:11) Çfarë shembulli i mrekullueshëm për t’u imituar!

Pleq që shërbejnë «për vetë drejtësinë»

16, 17. (a) Çfarë pret Jehovai nga pleqtë? (b) Çfarë duhet bërë kur një mëkatar nuk shfaq pendim të vërtetë dhe përse?

16 Të gjithë ne kemi përgjegjësinë të ushtrojmë drejtësi, por pleqtë në kongregacionin e krishterë kanë një përgjegjësi të veçantë në këtë aspekt. Vër re përshkrimin profetik që dokumentoi Isaia për ‘princat’ ose pleqtë: «Ja! Një mbret do të mbretërojë për vetë të drejtën dhe për sa u përket princave, do të sundojnë si princa për vetë drejtësinë.» (Isaia 32:1) Po, Jehovai pret që pleqtë të shërbejnë në përputhje me drejtësinë. Si mund ta bëjnë këtë?

17 Këta burra të kualifikuar frymësisht janë shumë të vetëdijshëm se drejtësia ose e drejta kërkon që kongregacioni të mbahet i pastër. Nganjëherë pleqtë janë të detyruar të gjykojnë raste keqbërjesh të rënda. Kur bëjnë këtë mbajnë në mend se drejtësia hyjnore përpiqet të tregojë mëshirë, nëse është e mundur. Prandaj përpiqen ta ndihmojnë mëkatarin që të pendohet. E sikur mëkatari të mos shfaqë pendim të vërtetë, pavarësisht nga përpjekje të tilla që bëhen për ta ndihmuar? Me drejtësi të përsosur, Fjala e Jehovait tregon se duhet ndërmarrë një hap i vendosur: «Hiqeni të ligun nga mesi juaj.» Kjo do të thotë që ai të përjashtohet nga kongregacioni. (1 Korintasve 5:11-13; 2 Gjonit 9-11) Pleqtë trishtohen që duhet të ndërmarrin një veprim të tillë, por e pranojnë se kjo është e nevojshme për të mbrojtur pastërtinë morale e frymore të kongregacionit. Edhe në këtë rast, shpresojnë që një ditë mëkatari të vijë në vete dhe të kthehet prapë në kongregacion.​—Luka 15:17, 18.

18. Çfarë mbajnë parasysh pleqtë kur u japin të tjerëve këshilla të bazuara në Bibël?

18 Të shërbesh në përputhje me drejtësinë përfshin edhe të japësh këshilla të bazuara në Bibël, kur është e nevojshme. Sigurisht, pleqtë nuk kërkojnë të gjejnë të meta te të tjerët. As nuk gjuajnë rastin për të ndrequr dikë. Por, ndoshta një bashkëbesimtar hedh «ndonjë hap të gabuar përpara se të jetë i vetëdijshëm për të». Pa harruar se drejtësia hyjnore nuk është as mizore, as e pandjeshme, pleqtë do të ndihen të shtyrë që ‘të përpiqen ta ndreqin një njeri të tillë me një frymë butësie’. (Galatasve 6:1) Prandaj, pleqtë nuk e qortojnë me ashpërsi një njeri që ka gabuar e nuk përdorin fjalë të rënda. Përkundrazi, këshilla që jepet me dashuri e inkurajon atë që e merr. Edhe kur qortojnë në mënyrë të prerë, duke thënë shkoqur se cilat janë pasojat e një drejtimi jo të mençur, pleqtë mbajnë parasysh se bashkëbesimtari që ka gabuar është një dele në kopenë e Jehovait. * (Luka 15:7) Kur duket qartë se këshilla ose qortimi motivohen nga dashuria dhe jepen me dashuri, ka më shumë të ngjarë që kush ka gabuar të ndreqet.

19. Çfarë vendimesh duhet të marrin pleqtë dhe ku duhet t’i bazojnë këto vendime?

19 Shpesh pleqve u duhet të marrin vendime që ndikojnë te bashkëbesimtarët. Për shembull, pleqtë mblidhen periodikisht për të shqyrtuar nëse vëllezër të tjerë në kongregacion kualifikohen për t’u rekomanduar si pleq ose shërbëtorë ndihmës. Ata e dinë sa e rëndësishme është të jenë të paanshëm. Kur marrin vendime, nuk mbështeten te ndjenjat që provojnë vetë, por lënë që të drejtohen nga kërkesat e Perëndisë për këto emërime. Kështu veprojnë «pa paragjykim, duke mos bërë asgjë sipas një prirjeje për të mbajtur anën».​—1 Timoteut 5:21.

20, 21. (a) Çfarë përpiqen të jenë pleqtë e përse? (b) Çfarë mund të bëjnë pleqtë për të ndihmuar ‘shpirtrat e ligështuar’?

20 Pleqtë ushtrojnë drejtësi hyjnore edhe në mënyra të tjera. Pasi paratha se pleqtë do të shërbenin «për vetë drejtësinë», Isaia vazhdoi: «Secili duhet të bëhet si një vend për t’u fshehur nga era dhe si një vend i fshehtë nga stuhia, si përrenj uji në një vend pa ujë, si hija e një shkrepi të rëndë në një tokë të shkretuar.» (Isaia 32:2) Pra, pleqtë përpiqen të jenë burim ngushëllimi dhe freskimi për bashkadhuruesit e tyre.

21 Sot, me të gjitha problemet që mund të na rëndojnë, shumë veta kanë nevojë për inkurajim. Pleq, çfarë mund të bëni për të ndihmuar ‘shpirtrat e ligështuar’? (1 Selanikasve 5:14) Dëgjojini me empati. (Jakovit 1:19) Ndoshta kanë nevojë të flasin me dikë të cilit i besojnë, për të shprehur ‘merakun’ që kanë në zemër. (Proverbat 12:25) Sigurojini se për Jehovain, si edhe për vëllezërit e motrat, janë të dëshirueshëm, të çmuar dhe të dashur. (1 Pjetrit 1:22; 5:6, 7) Gjithashtu, mund të luteni bashkë me ta dhe për ta. Këta individë mund të ngushëllohen shumë tek dëgjojnë një plak të lutet me gjithë zemër për ta. (Jakovit 5:14, 15) Përpjekjet tuaja të dashura për të ndihmuar ata që janë të dëshpëruar nuk do të kalojnë pa u vënë re nga Perëndia i drejtësisë.

Pleqtë pasqyrojnë drejtësinë e Jehovait kur u japin zemër të shkurajuarve

22. Në cilat mënyra mund ta imitojmë drejtësinë e Jehovait dhe me cilin rezultat?

22 Është e vërtetë se duke imituar drejtësinë e Jehovait afrohemi gjithnjë e më shumë me të. Kur mbështetim normat e tij të drejta, kur u japim të tjerëve lajmin e mirë jetëshpëtues dhe kur zgjedhim të përqendrohemi tek anët e mira të të tjerëve, në vend që të kërkojmë të metat e tyre, po shfaqim drejtësinë hyjnore. Pleq, kur mbroni pastërtinë e kongregacionit, kur jepni këshilla ndërtuese biblike, kur merrni vendime të paanshme dhe kur u jepni zemër të shkurajuarve, po pasqyroni drejtësinë hyjnore. Sa duhet t’i gëzohet zemra Jehovait kur sheh nga qielli popullin e tij që përpiqet me të gjitha forcat për të ‘ushtruar drejtësi’ teksa ecën me Perëndinë!

^ par. 13 Disa përkthime përdorin shprehjet «mos gjykoni» e «mos dënoni». Të përkthyera kështu, ato kanë kuptimin «mos filloni të gjykoni» e «mos filloni të dënoni». Mirëpo, këtu shkrimtarët e Biblës kanë përdorur një fjali mohore në kohën e tashme të mënyrës urdhërore, ku tregohet një veprim në vazhdim. Pra, veprimet që përshkruhen ishin duke ndodhur, por u duhej dhënë fund.

^ par. 18 Te 2 Timoteut 4:2, Bibla thotë se nganjëherë pleqtë duhet ‘të qortojnë, të heqin vërejtje, të nxitin’. Fjala greke e përkthyer «nxit» (parakaleo) mund të ketë kuptimin «të inkurajosh». Një fjalë greke e lidhur me të, parakletos, mund t’i referohet avokatit në një çështje ligjore. Prandaj, edhe atëherë kur pleqtë japin qortim me vendosmëri, duhet t’u venë në ndihmë atyre që kanë nevojë për ndihmë frymore.