Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 17

‘O thellësi e mençurisë së Perëndisë!’

‘O thellësi e mençurisë së Perëndisë!’

1, 2. Cili ishte qëllimi i Jehovait për ditën e shtatë dhe si u vu në provë mençuria e Perëndisë në fillim të kësaj dite?

U PRISH! Njerëzimi, kulmi që kurorëzoi ditën e gjashtë të krijimit, papritur u shemb nga maja më e lartë në pikën më të ulët! Jehovai e kishte shpallur ‘shumë të mirë’ «çdo gjë që kishte bërë», përfshirë këtu edhe njerëzimin. (Zanafilla 1:31) Por në fillim të ditës së shtatë, Adami dhe Eva zgjodhën të ndiqnin Satanain në rebelim dhe u zhytën në mëkat, papërsosmëri e vdekje.

2 Mund të jetë dukur sikur qëllimi i Jehovait për ditën e shtatë nuk doli siç ishte menduar e s’kishte më shpresë për t’u plotësuar. Ajo ditë, ashtu si gjashtë të tjerat para saj, duhej të zgjaste mijëra vjet. Jehovai e kishte shpallur të shenjtë ditën e shtatë, dhe në fund të saj e gjithë toka do të bëhej parajsë e do të mbushej me një familje njerëzore të përsosur. (Zanafilla 1:28; 2:3) Por, si do të ndodhnin këto gjëra pas atij rebelimi shkatërrimtar? Çfarë do të bënte Perëndia? Ja ku ishte një provë e jashtëzakonshme, e ndoshta prova më e madhe, e mençurisë së Jehovait.

3, 4. (a) Pse përgjigjja e Jehovait ndaj rebelimit në Eden është një shembull i mençurisë së tij para të cilit mbetesh pa fjalë? (b) Cilën të vërtetë duhet të mbajmë në mendje me përulësi, ndërsa studiojmë mençurinë e Jehovait?

3 Jehovai u përgjigj menjëherë. U dha dënimin rebelëve në Eden dhe, në të njëjtën kohë, tregoi diçka të mrekullueshme për të ardhmen: qëllimin e tij për t’u dhënë fund problemeve që do të vinin nga ajo që sapo kishin bërë. (Zanafilla 3:15) Qëllimi largpamës i Jehovait e ka fillesën në Eden e vazhdon gjatë mijëra vjetëve të historisë njerëzore e më tej, në të ardhmen e largët. Ky qëllim ka një thjeshtësi të mrekullueshme, e megjithatë është kaq i thellë, saqë një lexues i Biblës mund ta kalojë me kënaqësi gjithë jetën duke studiuar dhe duke menduar për të. Për më tepër, qëllimi i Jehovait do të realizohet patjetër. Do t’u japë fund të gjitha ligësive, mëkatit dhe vdekjes. Do ta çojë njerëzimin besnik në përsosmëri. E gjithë kjo do të ndodhë përpara se të mbarojë dita e shtatë, kështu që, në fund të fundit, Jehovai do ta ketë përmbushur qëllimin e tij për tokën dhe për njerëzimin tamam sipas programit.

4 Një mençuri e tillë të lë pa fjalë, apo jo? Apostulli Pavël u nxit të shkruante: «O thellësi . . . e mençurisë . . . së Perëndisë!» (Romakëve 11:33) Tani që do të studiojmë aspekte të ndryshme të kësaj cilësie hyjnore, përulësia duhet të na shtyjë të mbajmë në mendje një të vërtetë thelbësore: shumë-shumë mund ta prekim vetëm përciptas temën e mençurisë së paanë të Jehovait. (Jobi 26:14) Së pari, le ta përkufizojmë këtë cilësi që na mahnit.

Çfarë është mençuria hyjnore?

5, 6. Ç’lidhje ka ndërmjet njohurisë dhe mençurisë, e deri ku arrin njohuria e Jehovait?

5 Mençuria dhe njohuria nuk janë e njëjta gjë. Brenda një kompjuteri mund të gjendet një sasi marramendëse njohurie, por vështirë që dikush ta quajë të mençur një pajisje të tillë. Gjithsesi, mençuria dhe njohuria janë të lidhura me njëra-tjetrën. (Proverbat 10:14) Për shembull, në qoftë se do të doje ndonjë këshillë të mençur për të përballuar një problem të rëndë shëndetësor, a do të shkoje te dikush që ka pak ose s’ka fare njohuri nga mjekësia? Vështirë se do ta bëje! Prandaj, njohuria e saktë është thelbësore për të pasur mençuri të vërtetë.

6 Jehovai ka një bagazh të pafund njohurie. Duke qenë ‘Mbreti i përjetësisë’, vetëm ai ka jetuar përgjithmonë. (Zbulesa 15:3) E gjatë atyre epokave të panumërta, ka qenë në dijeni të gjithçkaje. Bibla thotë: «Nuk ka krijesë që të mos jetë e dukshme përpara tij, por të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit kemi për t’i dhënë llogari.» (Hebrenjve 4:13; Proverbat 15:3) Duke qenë Krijuesi, Jehovai e kupton plotësisht atë që ka bërë vetë dhe e ka vëzhguar gjithçka që ka bërë njeriu qysh nga fillimi. Ai heton zemrën e gjithsecilit dhe nuk i shpëton asgjë. (1 Kronikave 28:9) Meqë na ka krijuar me vullnet të lirë, kënaqet kur sheh që bëjmë zgjedhje të mençura në jetë. Duke qenë ‘Dëgjuesi i lutjes’, ai dëgjon përnjëherësh sa e sa lutje të panumërta. (Psalmi 65:2) E s’ka nevojë ta themi, Jehovai ka kujtesë të përsosur.

7, 8. Si shfaq Jehovai kuptueshmëri, aftësi dalluese dhe mençuri?

7 Por Jehovai nuk ka vetëm njohuri. Sheh edhe si lidhen faktet me njëri-tjetrin dhe dallon tablonë e përgjithshme që krijohet nga bashkimi i shumë e shumë hollësive. Ai peshon dhe gjykon, duke dalluar të mirën nga e keqja dhe të rëndësishmen nga e parëndësishmja. Për më tepër, shkon përtej asaj që është e dukshme dhe heton me imtësi zemrën. (1 Samuelit 16:7) Pra, Jehovai ka kuptueshmëri dhe aftësi dalluese, cilësi që janë më të larta se njohuria. Por mençuria është edhe më e lartë.

8 Mençuria i bashkon me njëra-tjetrën njohurinë, aftësinë dalluese e kuptueshmërinë dhe i vë në punë. Pikërisht, disa nga fjalët origjinale biblike të përkthyera «mençuri», fjalë për fjalë kanë kuptimin «punë e efektshme» ose «mençuri praktike». Pra, mençuria e Jehovait nuk është vetëm teori. Ajo është praktike dhe sjell rezultate të mira. Duke u mbështetur në njohurinë e tij të gjerë dhe në kuptueshmërinë e thellë, Jehovai gjithnjë merr vendimet më të mira, duke i zbatuar ato nëpërmjet veprimeve më të mira që mund të merren me mend. Kjo është mençuri e vërtetë! Jehovai e tregon qartë vërtetësinë e pohimit të Jezuit: «Mençuria del e drejtë me anë të veprave të saj.» (Mateu 11:19) Veprat e Jehovait në gjithë universin japin dëshmi të fuqishme për mençurinë e tij.

Tregues të mençurisë hyjnore

9, 10. (a) Çfarë lloj mençurie tregon Jehovai dhe si e ka shfaqur atë? (b) Në ç’mënyrë qeliza është tregues i mençurisë së Jehovait?

9 A je mrekulluar ndonjëherë duke parë shkathtësinë e një zejtari që bën gjëra të bukura, të cilat funksionojnë mirë? Kjo është një lloj mençurie që të lë mbresa. (Dalja 31:1-3) Burimi dhe zotëruesi i kësaj mençurie është vetë Jehovai. Askush tjetër nuk ka një mençuri të tillë. Mbreti David tha për Jehovain: «Do të të lavdëroj sepse jam bërë në një mënyrë të mrekullueshme që ngjall frikë. Veprat e tua janë të mrekullueshme dhe shpirti im e di mirë këtë.» (Psalmi 139:14) Është e vërtetë që sa më shumë të mësojmë për trupin e njeriut, aq më shumë na magjeps mençuria e Jehovait.

10 Le ta ilustrojmë: secili prej nesh ka zënë fill si një qelizë e vetme, domethënë një qelizë-vezë e nënës, e pllenuar nga një spermatozoid i babait. Shumë shpejt kjo qelizë filloi të ndahej. Ne, pra produkti përfundimtar, jemi të përbërë nga rreth 100 trilionë qeliza. Këto qeliza janë mikroskopike. Rreth 10.000 qeliza me madhësi mesatare do të mund të qëndronin në kokën e një gjilpëre. E megjithatë, secila prej tyre është një krijesë me kompleksitet marramendës. Qeliza është shumë më e ndërlikuar se çfarëdo makine ose fabrike që ka bërë njeriu. Shkencëtarët thonë se qeliza është si një qytet me mure: ka hyrje-dalje të kontrolluara, një sistem transporti, një rrjet komunikimi, centrale elektrike, fabrika, shërbime për eliminimin e mbeturinave dhe për riciklimin, mekanizma mbrojtës e madje edhe njëfarë qeverie qendrore në bërthamën e saj. Për më tepër, qeliza mund ta riprodhojë plotësisht vetveten vetëm në pak orë.

11, 12. (a) Çfarë i bën qelizat në një embrion që po zhvillohet të ndryshojnë nga njëra-tjetra dhe si është kjo në harmoni me Psalmin 139:16? (b) Në cilat mënyra e tregon truri i njeriut se jemi ‘bërë në mënyrë të mrekullueshme’?

11 Sigurisht, jo të gjitha qelizat janë njëlloj. Gjatë procesit të ndarjes së qelizave të embrionit, ato marrin funksione shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Disa do të jenë qeliza nervore, të tjerat qeliza të kockave, të muskujve, të gjakut ose të syrit. I gjithë ky diferencim është i programuar në «bibliotekën» e projektit gjenetik të qelizës, në ADN. Është interesant fakti se Davidi u frymëzua t’i thoshte Jehovait: «Sytë e tu panë embrionin tim dhe në librin tënd ishin shkruar të gjitha pjesët e tij.»​—Psalmi 139:16.

12 Disa pjesë të trupit janë jashtëzakonisht të ndërlikuara. Të shqyrtojmë për shembull trurin e njeriut. Disa e kanë quajtur atë gjënë më të ndërlikuar që është zbuluar deri tani në univers. Përbëhet nga rreth 100 miliardë qeliza nervore, numër pothuajse i njëjtë me numrin e yjeve në galaktikën tonë. Nga secila prej këtyre qelizave dalin degëzime që formojnë mijëra lidhje me qelizat e tjera. Shkencëtarët thonë se truri i njeriut mund të mbajë brenda tij gjithë informacionin që gjendet në tërë bibliotekat e botës dhe se kapaciteti i tij i depozitimit mund të jetë vërtet i pamatshëm. Ndonëse kanë dhjetëra vjet që e studiojnë këtë organ ‘të bërë në mënyrë të mrekullueshme’, shkencëtarët e pranojnë se ndoshta kurrë nuk do ta kuptojnë plotësisht se si punon truri.

13, 14. (a) Si e tregojnë milingonat dhe krijesat e tjera se janë «instinktivisht të mençura» dhe çfarë na mëson kjo për Krijuesin e tyre? (b) Pse mund të themi se krijime të tilla si rrjeta e merimangës janë bërë «me mençuri»?

13 Por njerëzit janë vetëm një shembull i mençurisë krijuese të Jehovait. Te Psalmi 104:24 thuhet: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti.» Mençuria e Jehovait është e dukshme në çdo krijim që na rrethon. Milingona, për shembull, është ‘instinktivisht e mençur’. (Proverbat 30:24) Me të vërtetë, kolonitë e milingonave janë organizuar shkëlqyeshëm. Disa koloni milingonash ruajnë, strehojnë dhe marrin ushqim nga insekte të quajtura morra bimësh, sikur këta të ishin bagëti. Disa milingona të tjera veprojnë si të ishin bujq, duke kultivuar «prodhime» kërpudhash. Shumë krijesa të tjera janë programuar që të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme, të shtyra nga instinkti. Miza e shtëpisë kryen akrobaci ajrore që edhe avionët më të përparuar që ka bërë njeriu nuk mund t’i përsëritin. Zogjtë shtegtarë kur lëvizin orientohen nga yjet, nga fusha magnetike e tokës ose ndjekin njëfarë harte të brendshme. Biologët kalojnë vite të tëra duke studiuar sjelljet e ndërlikuara që janë programuar në këto krijesa. Atëherë, sa i mençur që duhet të jetë Programuesi hyjnor!

14 Shkencëtarët kanë mësuar shumë nga mençuria krijuese e Jehovait. Madje ka edhe një fushë të inxhinierisë që quhet biomimetikë, e cila përpiqet të kopjojë projektet që gjenden në natyrë. Për shembull, ndoshta të ka rastisur të shohësh i mahnitur bukurinë e një rrjete merimange. Kurse një inxhinier e sheh atë si një mrekulli projektimi. Kjo rrjetë është e përbërë nga disa fije të holla që duken të brishta, por që janë përpjesëtimisht më të forta se çeliku dhe se fibrat nga të cilat përbëhen veshjet antiplumb. Por, sa të forta janë saktësisht? Ta zëmë se po e zmadhojmë një rrjetë merimange deri sa të arrijë përmasat e një rrjete peshkimi. Me këtë madhësi, rrjeta e merimangës mund të ndalë një avion pasagjerësh në fluturim e sipër. Po, Jehovai i ka bërë të gjitha këto gjëra «me mençuri».

Kush i programoi krijesat e tokës që të ishin «instinktivisht të mençura»?

Tregon mençuri jo vetëm lidhur me tokën

15, 16. (a) Çfarë dëshmie për mençurinë e Jehovait japin qiejt e mbushur me yje? (b) Si dëshmon pozita e Jehovait si Komandant Suprem i një numri të jashtëzakonshëm engjëjsh për mençurinë e këtij Administratori?

15 Mençuria e Jehovait është e dukshme në veprat e tij kudo në univers. Qiejtë e mbushur me yje, për të cilët folëm paksa në kapitullin 5, nuk janë të vendosur kuturu në hapësirë. Falë mençurisë së ‘ligjeve të qiellit’ që ka bërë Jehovai, qiejt janë organizuar për bukuri në galaktika me struktura të përcaktuara. Këto grupohen në grumbuj që, nga ana e tyre, kombinohen dhe formojnë supergrumbuj. (Jobi 38:33, Dio) Nuk habitemi që Jehovai u referohet trupave qiellorë si një ‘ushtri’! (Isaia 40:26) Por ka një ushtri tjetër që e tregon edhe më qartë mençurinë e Jehovait.

16 Siç e përmendëm në kapitullin 4, Perëndia mban titullin «Jehovai i ushtrive», sepse është Komandanti Suprem i një ushtrie shumë të madhe, të përbërë nga qindra milionë krijesa frymore. Kjo është një provë e fuqisë së Jehovait. Por, si përfshihet këtu mençuria e tij? Mendo për këtë: Jehovai dhe Jezui nuk janë asnjëherë pa punë. (Gjoni 5:17) Nga kjo rrjedh se edhe shërbëtorët engjëllorë të Më të Lartit janë gjithnjë të zënë me punë. Gjithashtu, mos harro se ato janë krijesa më të larta se njeriu, tepër inteligjente dhe tepër të fuqishme. (Hebrenjve 1:7; 2:7) E megjithatë, për miliarda vjet Jehovai i ka mbajtur të gjithë këta engjëj të zënë e të angazhuar për të bërë me gëzim punë të ndryshme: «për të përmbushur fjalën e tij» dhe «për të kryer vullnetin e tij». (Psalmi 103:20, 21) Sa mahnitëse duhet të jetë mençuria e këtij Administratori!

Jehovai është ‘i vetmi i mençur’

17, 18. Pse thotë Bibla që Jehovai është ‘i vetmi i mençur’, dhe pse mençuria e tij duhet të na mahnitë?

17 Tani që kemi parë këto dëshmi, a na duket çudi që Bibla tregon se mençuria e Jehovait është e pashoqe? Për shembull, Bibla thotë se Jehovai është ‘i vetmi i mençur’. (Romakëve 16:27) Vetëm Jehovai zotëron mençuri në kuptimin absolut. Ai është burimi i gjithë mençurisë së vërtetë. (Proverbat 2:6) Ja përse Jezui, ndonëse më i mençuri nga të gjitha krijesat e Jehovait, nuk u mbështet në mençurinë e tij, por foli siç i tha Ati i tij.​—Gjoni 12:48-50.

18 Vër re se si e shprehu apostulli Pavël faktin që mençuria e Jehovait është e pashoqe: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pahulumtueshme janë udhët e tij!» (Romakëve 11:33) Duke e filluar vargun me pasthirrmën «O», Pavli shfaqi një ndjenjë të fuqishme, që në këtë rast ishte nderim i thellë. Fjala greke që zgjodhi ai për «thellësi» lidhet ngushtë me fjalën për «humnerë». Prandaj, fjalët e tij krijojnë një përfytyrim të gjallë. Kur kundrojmë mençurinë e Jehovait, është si të shohim me vëmendje një hon pa cak e pa fund, një terren kaq të thellë e të gjerë, saqë asnjëherë nuk do ta kuptonim dot sa i madh është, jo më ta hulumtonim ose ta matnim me hollësi. (Psalmi 92:5) A nuk na duket vetja të vegjël kur mendojmë këtë?

19, 20. (a) Pse shqiponja është simbol i përshtatshëm i mençurisë hyjnore? (b) Si e ka shfaqur Jehovai zotësinë e tij për të parë në të ardhmen?

19 Jehovai është ‘i vetmi i mençur’ edhe në një kuptim tjetër: vetëm ai është i zoti të shohë në të ardhmen. Nuk duhet ta harrojmë se Jehovai përdor shqiponjën me shikim të mprehtë për të simbolizuar mençurinë hyjnore. Shqiponja mbretërore peshon vetëm rreth 5 kilogramë, por sytë i ka më të mëdhenj se të një njeriu të rritur. Shikimi i shqiponjës është tepër i mprehtë, duke i dhënë mundësi këtij zogu të dallojë edhe një pre fare të vogël me qindra metra e ndoshta me kilometra larg. Vetë Jehovai një herë tha për shqiponjën: «Sytë e saj vazhdojnë të shohin shumë larg.» (Jobi 39:29) Në kuptim të ngjashëm, Jehovai mund të shohë «shumë larg» në kohë, mund të shohë në të ardhmen.

20 Bibla është plot me dëshmi që tregojnë se kjo është e vërtetë. Ajo përmban qindra profeci ose, thënë ndryshe, histori të shkruara që më përpara. Përfundimi i luftërave, ngritja dhe rënia e fuqive botërore, e madje edhe strategji specifike të betejave të komandantëve ushtarakë, ishin të gjitha të parathëna në Bibël, në disa raste me qindra vjet para se të ndodhnin.​—Isaia 44:25–45:4; Danieli 8:2-8, 20-22.

21, 22. (a) Pse nuk ka asnjë bazë për të nxjerrë përfundimin se Jehovai i ka parashikuar të gjitha zgjedhjet që do të bëjmë ne në jetë? Ilustroje. (b) Si e dimë që mençuria e Jehovait nuk është e ftohtë ose e pandjeshme?

21 Por, a do të thotë kjo se Perëndia tashmë i ka parashikuar zgjedhjet që do të bësh ti në jetë? Disa që predikojnë doktrinën e paracaktimit ngulin këmbë se përgjigjja është po. Mirëpo, ky koncept në të vërtetë e minon mençurinë e Jehovait, sepse nënkupton që ai nuk e kontrollon dot aftësinë e tij për të parë në të ardhmen. Le ta ilustrojmë: po të kishe një zë të rrallë për të kënduar, a do të thoshte kjo se nuk do të kishe rrugë tjetër veçse të këndoje gjithë kohën? Koncepti është fare absurd. Po ashtu, Jehovai e ka zotësinë për të ditur që më përpara të ardhmen, por nuk e përdor këtë zotësi gjithë kohën. Kjo mund të cenonte vullnetin tonë të lirë, një dhuratë të çmuar që Jehovai nuk do të na e heqë kurrë.​—Ligji i përtërirë 30:19, 20.

22 Edhe më keq, vetë koncepti i paracaktimit të lë të mendosh që mençuria e Jehovait është e ftohtë, pa zemër, e pandjeshme ose pa dhembshuri. Por asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës, sesa ky koncept! Bibla mëson se Jehovai është «i mençur në zemër». (Jobi 9:4) Jo se ai ka zemër të mirëfilltë, por Bibla shpesh e përdor këtë term në lidhje me personin e brendshëm, i cili përfshin motivet dhe ndjenjat, si dashurinë. Prandaj, mençuria e Jehovait, ashtu si cilësitë e tjera të tij, udhëhiqet nga dashuria.​—1 Gjonit 4:8.

23. Çfarë duhet të na shtyjë të bëjmë fakti që mençuria e Jehovait është më e lartë se jona?

23 Natyrisht mençuria e Jehovait është krejt e besueshme. Ajo qëndron kaq shumë më lart se mençuria jonë, saqë me dashuri Fjala e Perëndisë na nxit: «Beso te Jehovai me gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» (Proverbat 3:5, 6) Le të gërmojmë tani në mençurinë e Jehovait, për t’iu afruar më shumë Perëndisë tonë me mençuri të pakufishme.