Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 19

‘Mençuria e Perëndisë në një sekret të shenjtë’

‘Mençuria e Perëndisë në një sekret të shenjtë’

1, 2. Cili ‘sekret i shenjtë’ duhet të na interesojë dhe përse?

SEKRETET! Ngaqë zgjojnë kureshtje, magjepsin dhe hutojnë, njerëzit shpesh e kanë të vështirë t’i mbajnë për vete. Megjithatë, Bibla thotë: «Lavdia e Perëndisë është ta mbajë të fshehtë një çështje.» (Proverbat 25:2) Po, si Sundimtar Sovran dhe si Krijues, me të drejtë Jehovai ia mban të fshehta ose sekret disa gjëra njerëzimit, derisa të vijë koha e duhur për t’i zbuluar ato.

2 Gjithsesi, në Fjalën e tij Jehovai ka zbuluar një sekret magjepsës e që të ngjall kureshtje. Është quajtur ‘sekreti i shenjtë i vullnetit të Perëndisë’. (Efesianëve 1:9) Të mësojmë për të nuk do të shërbejë vetëm për të na shuar kureshtjen. Njohuria për këtë sekret mund të çojë në shpëtim dhe mund të japë në njëfarë mase kuptueshmëri për mençurinë e pamatshme të Jehovait.

Zbulohet hap pas hapi

3, 4. Si siguroi shpresë profecia e dokumentuar te Zanafilla 3:15 dhe cilin mister ose ‘sekret të shenjtë’ përmbante ajo?

3 Kur Adami dhe Eva mëkatuan, mund të jetë dukur se qëllimi i Jehovait për të pasur një parajsë tokësore të banuar nga njerëz të përsosur ishte prishur. Por Perëndia u mor menjëherë me këtë problem. Ai tha: «Unë do të vë armiqësi mes teje [gjarprit] dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë në kokë dhe ti do ta plagosësh në thembër.»​—Zanafilla 3:15.

4 Këto ishin fjalë pështjelluese dhe misterioze. Kush ishte kjo grua? Kush ishte gjarpri? Kush ishte «fara» që do të shtypte gjarprin në kokë? Adami dhe Eva vetëm mund të provonin ta gjenin me hamendje. Megjithatë, fjalët e Perëndisë siguruan shpresë për pasardhësit besnikë të atij çifti jobesnik. Drejtësia do të triumfonte. Qëllimi i Jehovait do të plotësohej. Por, si? Eh, ky ishte një mister! Bibla e quan ‘mençuria e Perëndisë në një sekret të shenjtë, mençuria e fshehur’.​—1 Korintasve 2:7.

5. Ilustro përse Jehovai e zbuloi shkallë-shkallë sekretin e tij.

5 Duke qenë «Zbulues i të fshehtave», Jehovai me kalimin e kohës do të zbulonte hollësi që kishin të bënin me zhvillimin e këtij sekreti. (Danieli 2:28) Por këtë do ta bënte dalëngadalë, hap pas hapi. Për ta ilustruar, mund të mendojmë ndoshta për mënyrën si përgjigjet një baba i dashur kur djali i tij i vogël e pyet: «Babi, si lindin fëmijët?» Një baba i mençur shpjegon vetëm aq gjëra sa mund të kuptojë vogëlushi. Ndërsa djali rritet, babai i tregon më tepër. Po kështu, Jehovai përcakton se kur është gati populli i tij që ai t’i zbulojë më tej vullnetin dhe qëllimin e tij.​—Proverbat 4:18; Danieli 12:4.

6. (a) Për çfarë qëllimi shërben një besëlidhje ose një kontratë? (b) Pse na bën përshtypje që Jehovai bën besëlidhje me njerëzit?

6 Si i dha Jehovai këto zbulime? Në shumicën e rasteve përdori një sërë besëlidhjesh ose kontratash. Mbase të ka rastisur të lidhësh ndonjë kontratë, ndoshta për të blerë një shtëpi ose për të dhënë a për të marrë para hua. Kjo kontratë ishte një garanci ligjore se kushtet e marrëveshjes së bërë do të respektoheshin. Por, pse Jehovait do t’i duhej të bënte besëlidhje solemne ose kontrata me njerëzit? Sigurisht fjala e tij është një garanci më se e mjaftueshme për premtimet që ai bën. Kjo është e vërtetë, e megjithatë, në disa raste me mirëdashje Perëndia e ka mbështetur fjalën e tij me kontrata ligjore. Këto marrëveshje të pacenueshme na japin ne njerëzve të papërsosur një bazë edhe më të fortë për të pasur siguri te premtimet e Jehovait.​—Hebrenjve 6:16-18.

Besëlidhja me Abrahamin

7, 8. (a) Ç’besëlidhje bëri Jehovai me Abrahamin, dhe si hodhi dritë mbi sekretin e shenjtë kjo besëlidhje? (b) Si e ngushtoi dalëngadalë Jehovai mundësinë për të qenë në linjën e prejardhjes së Farës së premtuar?

7 Më shumë se dy mijë vjet pas dëbimit të njeriut nga Parajsa, Jehovai i tha shërbëtorit të tij besnik Abraham: «Do ta shumoj sigurisht farën tënde si yjet e qiejve . . . me anë të farës sate me siguri do të bekohen të gjitha kombet e tokës, falë faktit që ti e ke dëgjuar zërin tim.» (Zanafilla 22:17, 18) Ky nuk ishte thjesht një premtim; Jehovai e parashtroi në formën e një besëlidhjeje ligjore dhe e mbështeti me betimin e tij të pathyeshëm. (Zanafilla 17:1, 2; Hebrenjve 6:13-15) Mendo pak, Zotëria Sovran bëri një kontratë për të bekuar njerëzimin!

«Do ta shumoj . . . farën tënde si yjet e qiejve»

8 Besëlidhja abrahamike zbuloi se Fara e premtuar do të vinte si njeri, sepse do të ishte pasardhës i Abrahamit. Po kush do të ishte? Kaloi ca kohë dhe Jehovai zbuloi se nga bijtë e Abrahamit, Isaku do të ishte paraardhësi i Farës. Nga dy djemtë e Isakut u zgjodh Jakobi. (Zanafilla 21:12; 28:13, 14) Më vonë Jakobi tha këto fjalë profetike për njërin nga 12 djemtë e tij: «Skeptri nuk do të largohet nga Juda, as shkopi i komandantit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shilohu [«Ai të cilit i përket»]; atij do t’i përkasë bindja e popujve.» (Zanafilla 49:10) Në këtë çast u kuptua se Fara do të ishte një mbret, i cili do të ishte pasardhës i Judës.

Besëlidhja me Izraelin

9, 10. (a) Ç’besëlidhje bëri Jehovai me kombin e Izraelit dhe ç’mbrojtje siguroi kjo besëlidhje? (b) Si e tregoi Ligji nevojën e njerëzimit për një shpërblesë?

9 Në vitin 1513 p.e.s. Jehovai mori një masë që përgatiti terrenin për zbulime të mëtejshme lidhur me sekretin e shenjtë. Ai lidhi një besëlidhje me pasardhësit e Abrahamit, me kombin e Izraelit. Ndonëse tani nuk është më në fuqi, kjo besëlidhje e Ligjit të Moisiut ishte pjesë thelbësore e qëllimit të Jehovait për të sjellë Farën e premtuar. Si? Shqyrto tri mënyra. Së pari, Ligji ishte si një mur mbrojtës. (Efesianëve 2:14) Ligjet e tij të drejta shërbenin si një mur ndarës midis hebrenjve dhe johebrenjve. Kështu Ligji ndihmoi për të ruajtur linjën e Farës së premtuar. Kryesisht falë kësaj mbrojtjeje, kombi ekzistonte ende kur erdhi koha e caktuar nga Perëndia që Mesia të lindte në fisin e Judës.

10 Së dyti, Ligji tregoi plotësisht nevojën që ka njerëzimi për një shpërblesë. Duke qenë i përsosur, Ligji nxirrte në pah se ishte e pamundur që njerëzit mëkatarë t’i qëndronin plotësisht besnikë atij. Kështu që shërbeu «për të bërë të qarta shkeljet, derisa të mbërrinte fara, së cilës i ishte bërë premtimi». (Galatasve 3:19) Shlyerja që siguronte Ligji për mëkatet nëpërmjet flijimeve në kafshë ishte e përkohshme. Por Pavli shkroi se, meqë «është e pamundur t’i heqë mëkatet gjaku i demave dhe i cjepve», këto flijime ishin vetëm paraqitje paraprake të flijimit shpërblyes të Krishtit. (Hebrenjve 10:1-4) Pra, për hebrenjtë besnikë besëlidhja u bë një ‘tutor që çon te Krishti’.​—Galatasve 3:24.

11. Cilën perspektivë të mrekullueshme i dha Izraelit besëlidhja e Ligjit, por pse kombi si i tërë e humbi këtë mundësi?

11 Së treti, kjo besëlidhje i dha kombit të Izraelit një perspektivë të mrekullueshme. Jehovai u tha se po t’i qëndronin besnikë besëlidhjes, do të bëheshin «një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë». (Dalja 19:5, 6) Së fundi, nga Izraeli natyror erdhën pjesëtarët e parë të një mbretërie qiellore priftërinjsh. Por, në përgjithësi, Izraeli u rebelua ndaj besëlidhjes së Ligjit, hodhi poshtë Farën mesianike dhe e humbi këtë mundësi. Atëherë, kush do ta plotësonte mbretërinë e priftërinjve? Ç’lidhje do të kishte me Farën e premtuar ky komb i bekuar? Këto aspekte të sekretit të shenjtë do të zbuloheshin në kohën e duhur të Perëndisë.

Besëlidhja e mbretërisë së linjës së Davidit

12. Ç’besëlidhje bëri Jehovai me Davidin dhe si hodhi dritë kjo mbi sekretin e shenjtë të Perëndisë?

12 Në shekullin e 11-të p.e.s., Jehovai hodhi edhe më tepër dritë mbi sekretin e shenjtë, kur bëri një besëlidhje tjetër. Ai i premtoi mbretit besnik David: «Kam për të ngritur pas teje farën tënde, . . . dhe do ta vendos patundshmërisht mbretërinë e tij . . . Kam për ta vendosur patundshmërisht fronin e mbretërisë së tij përgjithnjë.» (2 Samuelit 7:12, 13; Psalmi 89:3) Tani mundësia për të qenë në linjën familjare të Farës së premtuar u kufizua në shtëpinë e Davidit. Por, a do të mundej një njeri i zakonshëm të sundonte «përgjithnjë»? (Psalmi 89:20, 29, 34-36) Veç kësaj, a do të mundej ky mbret njerëzor ta shpëtonte njerëzimin nga mëkati e nga vdekja?

13, 14. (a) Çfarë premtimi i bën Jehovai Mbretit të tij të mirosur, sipas Psalmit 110? (b) Çfarë zbulimesh të tjera u bënë nëpërmjet profetëve të Jehovait për sa i përket Farës që do të vinte?

13 Nën frymëzim, Davidi shkroi: «Thënia e Jehovait drejtuar Zotërisë tim është: ‘Ulu në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.’ Jehovai është betuar (e nuk do t’i vijë keq): ‘Ti je prift përgjithnjë sipas mënyrës së Melkisedekut.’» (Psalmi 110:1, 4) Fjalët e Davidit gjetën zbatim të drejtpërdrejtë te Fara e premtuar ose Mesia. (Veprat 2:35, 36) Ky Mbret nuk do të sundonte nga Jerusalemi, por nga qielli, në «të djathtën» e Jehovait. Kjo do t’i jepte autoritet jo vetëm mbi vendin e Izraelit, por mbi gjithë tokën. (Psalmi 2:6-8) Ja ku u zbulua diçka më tepër. Vër re se Jehovai bëri një betim solemn që Mesia do të ishte «prift . . . sipas mënyrës së Melkisedekut». Fara që do të vinte do të kishte një caktim të drejtpërdrejtë nga Perëndia për të shërbyer si Mbret dhe Prift, ashtu si Melkisedeku, i cili shërbeu si mbret-prift në kohën e Abrahamit.​—Zanafilla 14:17-20.

14 Gjatë viteve, Jehovai përdori profetët e tij për të bërë zbulime të mëtejshme rreth sekretit të tij të shenjtë. Isaia, për shembull, zbuloi se Fara do të pësonte një vdekje flijuese. (Isaia 53:3-12) Mikea paratha vendin ku do të lindte Mesia. (Mikea 5:2) Danieli profetizoi madje kohën e saktë kur do të shfaqej Fara e kur do të vdiste.​—Danieli 9:24-27.

Zbulohet sekreti i shenjtë

15, 16. (a) Si lindi «nga një grua» Biri i Jehovait? (b) Çfarë trashëgoi Jezui nga prindërit e tij njerëzorë e në ç’kohë erdhi si Fara e premtuar?

15 Se si do të përmbusheshin këto profeci mbeti një mister derisa u shfaq Fara. Te Galatasve 4:4 thuhet: «Kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, i cili lindi nga një grua.» Në vitin 2 p.e.s., një engjëll i tha Marisë, një virgjëreshe judeje: «Ja, ti do të ngjizesh në barkun tënd e do të lindësh një bir dhe ke për t’ia vënë emrin Jezu. Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit dhe Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij. . . . Fryma e shenjtë do të vijë mbi ty dhe fuqia e Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet. Për këtë arsye, gjithashtu, ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë.»​—Luka 1:31, 32, 35.

16 Më vonë, Jehovai e transferoi jetën e Birit të tij që nga qielli në barkun e Marisë, kështu që ai lindi nga një grua. Maria ishte një grua e papërsosur, por megjithatë Jezui nuk trashëgoi papërsosmëri prej saj, sepse ishte «Biri i Perëndisë». Në të njëjtën kohë, duke qenë pasardhës të Davidit prindërit njerëzorë të Jezuit i dhanë Atij edhe të drejtat natyrore, edhe ato ligjore si trashëgimtar i Davidit. (Veprat 13:22, 23) Në pagëzimin e Jezuit në vitin 29 të e.s., Jehovai e mirosi me frymën e shenjtë dhe tha: «Ky është Biri im, i dashuri.» (Mateu 3:16, 17) Më në fund Fara kishte ardhur. (Galatasve 3:16) Ishte koha për të zbuluar më shumë për sekretin e shenjtë.​—2 Timoteut 1:10.

17. Si u hodh dritë mbi domethënien e Zanafillës 3:15?

17 Gjatë shërbimit të tij Jezui identifikoi Satanain si gjarprin e Zanafillës 3:15 dhe pasuesit e Satanait si farën e gjarprit. (Mateu 23:33; Gjoni 8:44) Më vonë u zbulua se si do të dërrmoheshin përgjithmonë të gjithë këta. (Zbulesa 20:1-3, 10, 15) Kurse gruaja u identifikua si «Jerusalemi lart», domethënë organizata qiellore e Jehovait ngjashëm një gruaje, e përbërë nga krijesat frymore. *​—Galatasve 4:26; Zbulesa 12:1-6.

Besëlidhja e re

18. Cili është qëllimi i ‘besëlidhjes së re’?

18 Ndoshta zbulimi më i mahnitshëm nga të gjithë u bë natën para se Jezui të vdiste, kur ai u tregoi dishepujve të tij besimplotë për «besëlidhjen e re». (Luka 22:20) Ashtu si nga pararendësja e saj, pra besëlidhja e Ligjit të Moisiut, nga kjo besëlidhje e re do të lindte «një mbretëri priftërinjsh». (Dalja 19:6; 1 Pjetrit 2:9) Mirëpo, ajo nuk do të krijonte një komb prej mishi, por një komb frymor, «Izraelin e Perëndisë», të përbërë vetëm nga ithtarët e mirosur besnikë të Krishtit. (Galatasve 6:16) Këta pjesëmarrës në besëlidhjen e re do të punonin bashkë me Jezuin për të bekuar racën njerëzore.

19. (a) Pse është e mundur që të lindë «një mbretëri priftërinjsh» nga besëlidhja e re? (b) Pse të krishterët e mirosur quhen «një krijesë e re» dhe sa veta do të shërbejnë në qiej bashkë me Krishtin?

19 Por, pse ishte e mundur që nga besëlidhja e re të lindte «një mbretëri priftërinjsh» për të bekuar njerëzimin? Sepse, në vend që t’i dënojë dishepujt e Krishtit si mëkatarë, ajo krijon mundësinë që atyre t’u falen mëkatet nëpërmjet flijimit të tij. (Jeremia 31:31-34) Pasi fitojnë një qëndrim të pastër para Jehovait, ai i birëson në familjen e tij qiellore dhe i miros me frymën e shenjtë. (Romakëve 8:15-17; 2 Korintasve 1:21) Kështu ata provojnë «një lindje të re për një shpresë të gjallë . . . [të] rezervuar në qiej». (1 Pjetrit 1:3, 4) Meqenëse kjo gjendje e lartësuar është tërësisht e re për njerëzit, të krishterët e mirosur të lindur nga fryma quhen «një krijesë e re». (2 Korintasve 5:17) Bibla zbulon se ata që së fundi do të sundojnë nga qielli mbi njerëzimin e shpenguar do të jenë 144.000.​—Zbulesa 5:9, 10; 14:1-4.

20. (a) Cili zbulim për sa i përket sekretit të shenjtë u bë në vitin 36 të e.s.? (b) Kush do t’i gëzojë bekimet që iu premtuan Abrahamit?

20 Së bashku me Jezuin, këta të mirosur bëhen «fara e Abrahamit». * (Galatasve 3:29) Të parët që u zgjodhën ishin izraelitë natyrorë. Por në vitin 36 të e.s., u zbulua një aspekt tjetër i sekretit të shenjtë: edhe johebrenjtë do të kishin pjesë në shpresën qiellore. (Romakëve 9:6-8; 11:25, 26; Efesianëve 3:5, 6) A do të ishin të krishterët e mirosur të vetmit që do të gëzonin bekimet që iu premtuan Abrahamit? Jo, sepse flijimi i Jezuit i sjell dobi gjithë botës. (1 Gjonit 2:2) Me kalimin e kohës Jehovai zbuloi se një «shumicë e madhe» me numër të papërcaktuar do të mbijetonte kur të vinte fundi i sistemit të Satanait. (Zbulesa 7:9, 14) Shumë e shumë të tjerë do të ringjalleshin, me perspektivën për të jetuar përgjithmonë në Parajsë!​—Luka 23:43; Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 20:11-15; 21:3, 4.

Mençuria e Perëndisë dhe sekreti i shenjtë

21, 22. Si e shfaq sekreti i shenjtë mençurinë e Jehovait?

21 Sekreti i shenjtë është një shfaqje mahnitëse e ‘mençurisë mjaft të larmishme të Perëndisë’. (Efesianëve 3:8-10) Çfarë mençurie që shfaqi Jehovai duke formuluar këtë sekret, e pastaj duke e zbuluar kështu hap pas hapi! Me mençuri ai mori parasysh kufizimet e njerëzve, duke i lejuar që të tregonin se si ishte në të vërtetë zemra e tyre.​—Psalmi 103:14.

22 Jehovai tregoi mençuri të pakrahasueshme edhe që zgjodhi Jezuin si Mbret. Biri i Jehovait është i denjë për t’u besuar më shumë se çdo krijesë tjetër në univers. Kur jetoi si njeri prej mishi e prej gjaku, Jezui provoi shumë lloj vështirësish. Ai i kupton plotësisht problemet e njerëzve. (Hebrenjve 5:7-9) Ç’të themi për bashkësundimtarët e Jezuit? Gjatë shekujve janë mirosur edhe burra, edhe gra, që janë zgjedhur nga të gjitha racat, gjuhët e prejardhjet. Nuk ka asnjë problem që ndonjë individ mes tyre të mos e ketë hasur dhe kapërcyer. (Efesianëve 4:22-24) Do të jetë kënaqësi të jetojmë nën sundimin e këtyre mbretërve e priftërinjve të mëshirshëm.

23. Çfarë privilegji kanë të krishterët për sa i përket sekretit të shenjtë të Jehovait?

23 Apostulli Pavël shkroi: ‘Sekreti i shenjtë që ishte i fshehur që nga sistemet dhe brezat e kaluar tani u është shfaqur të shenjtëve të tij.’ (Kolosianëve 1:26) Po, të shenjtët e mirosur të Jehovait kanë kuptuar shumë për sekretin e shenjtë dhe ua kanë dhënë këtë njohuri edhe miliona të tjerëve. Çfarë privilegji që kemi të gjithë ne! Jehovai na ka «bërë të njohur sekretin e shenjtë të vullnetit të tij». (Efesianëve 1:9) Le t’ua tregojmë edhe të tjerëve këtë sekret të mrekullueshëm, duke i ndihmuar edhe ata që të ndalen e të shohin mençurinë e pakrahasueshme të Perëndisë Jehova!

^ par. 17 ‘Sekreti i shenjtë i përkushtimit hyjnor’ u zbulua edhe te Jezui. (1 Timoteut 3:16) Për shumë kohë një nga sekretet ose misteret kishte qenë: a do të mundte ndonjë njeri t’i qëndronte besnik në mënyrë të përsosur Jehovait? Jezui e zbuloi përgjigjen. Ai qëndroi besnik në çdo sprovë që i solli Satanai.​—Mateu 4:1-11; 27:26-50.

^ par. 20 Me të njëjtin grup njerëzish Jezui bëri edhe «një besëlidhje . . . për një mbretëri». (Luka 22:29, 30) Me një fjalë, Jezui bëri një kontratë me këtë ‘kope të vogël’, që të sundonin me të në qiell si pjesë dytësore e farës së Abrahamit.​—Luka 12:32.