Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 20

«I mençur në zemër», e megjithatë i përulur

«I mençur në zemër», e megjithatë i përulur

1-3. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai është i përulur?

NJË baba dëshiron t’i mësojë fëmijës së tij të vogël diçka shumë të rëndësishme. Do me çdo kusht që t’i prekë zemrën fëmijës. Si duhet t’i flasë? A duhet të ngrihet hijerëndë mbi fëmijën e t’i flasë me fjalë të ashpra? Apo duhet të përkulet për të qenë në të njëjtën lartësi me fëmijën dhe t’i flasë në mënyrë të butë e tërheqëse? Sigurisht që një baba i mençur e i përulur do të zgjidhte mënyrën e butë.

2 Çfarë lloj Ati është Jehovai: fodull apo i përulur, i ashpër apo i butë? Jehovai është i gjithëdijshëm e me mençuri të pafundme. Mirëpo, a e ke vënë re se njohuria dhe inteligjenca nuk i bëjnë medoemos të përulur njerëzit? Siç e thotë Bibla, «njohuria krekos». (1 Korintasve 3:19; 8:1) Por Jehovai, i cili është «i mençur në zemër», është edhe i përulur. (Jobi 9:4) Kjo s’do të thotë që ai është në ndonjë mënyrë i ulët në pozitë ose që i mungon madhështia, por që s’është fare fodull. Përse jo?

3 Jehovai është i shenjtë. Prandaj fodullëku, një cilësi që ndot, nuk ekziston tek ai. (Marku 7:20-22) Për më tepër, vër re se çfarë i tha Jehovait profeti Jeremia: «Me siguri që shpirti yt [vetë Jehovai] do të kujtohet për mua dhe do të përkulet thellë mbi mua.» * (Vajtimet 3:20) Mendo pak! Jehovai, Zotëria Sovran i universit, ishte i gatshëm të ‘përkulej’ ose të zbriste në nivelin e Jeremisë, për t’i kushtuar vëmendje këtij njeriu të papërsosur në favor të tij. (Psalmi 113:7) Po, Jehovai është i përulur. Por, çfarë përfshin përulësia hyjnore? Si lidhet ajo me mençurinë? E përse është e rëndësishme për ne?

Si e tregon Jehovai se është i përulur?

4, 5. (a) Çfarë është përulësia, si shfaqet ajo dhe pse nuk duhet ta marrim kurrë për dobësi ose ndrojtje? (b) Si shfaqi përulësi Jehovai në marrëdhëniet e tij me Davidin dhe sa e rëndësishme është për ne përulësia e Jehovait?

4 Përulësia është të qenët i përulur në mendje, mungesa e arrogancës dhe e krenarisë. Duke qenë cilësi e brendshme e zemrës, përulësia shfaqet në tipare të tilla, si butësia, durimi dhe arsyetueshmëria. (Galatasve 5:22, 23) Mirëpo, këto cilësi të perëndishme nuk duhet t’i marrim asnjëherë për dobësi ose ndrojtje. Ato nuk janë në kundërshtim me zemërimin e drejtë të Jehovait ose me përdorimin e fuqisë së tij shkatërruese. Përkundrazi, me përulësinë dhe me butësinë e tij, Jehovai tregon forcën tejet të madhe që ka, fuqinë për ta kontrolluar veten me përsosmëri. (Isaia 42:14) Si lidhet përulësia me mençurinë? Një vepër referimi për Biblën komenton: «Përulësia në thelb përkufizohet . . . si altruizëm dhe është baza themelore për gjithë mençurinë.» Pra, mençuria e vërtetë nuk mund të ekzistojë pa përulësinë. Si nxjerrim dobi ne nga përulësia e Jehovait?

Një baba i mençur sillet me përulësi dhe me butësi me fëmijët e tij

5 Mbreti David i këndoi Jehovait: «Ti do të më japësh mburojën tënde të shpëtimit dhe dora jote e djathtë do të më mbështetë, vetë përulësia jote do të më bëjë të madh.» (Psalmi 18:35) Me një fjalë, Jehovai u përkul për ta ndihmuar këtë njeri të papërsosur, duke e mbrojtur e duke e mbështetur ditë për ditë. Davidi e kuptonte që në qoftë se do të gjente shpëtim, e madje edhe në qoftë se së fundi do të arrinte njëfarë madhështie si mbret, kjo do të ndodhte vetëm sepse Jehovai ishte i gatshëm të përulej në këtë mënyrë. Po vërtet, cili nga ne do të kishte ndonjë shpresë për shpëtim nëse Jehovai nuk do të ishte i përulur, gati për t’u përkulur që të na trajtojë si një Atë i butë e i dashur?

6, 7. (a) Pse Bibla nuk i referohet kurrë Jehovait si modest? (b) Ç’lidhje ka butësia me mençurinë, dhe kush ka lënë shembullin më të lartë në këtë drejtim?

6 Ia vlen të përmendim se ka dallim midis përulësisë dhe modestisë. Modestia është një cilësi e shkëlqyer që njerëzit besnikë duhet ta zhvillojnë. Ashtu si përulësia, ajo lidhet me mençurinë. Për shembull te Proverbat 11:2 thuhet: «Mençuria është me modestët.» Por, megjithatë, Bibla nuk i referohet kurrë Jehovait si modest. Pse jo? Siç përdoret në Shkrime, modestia përcjell idenë e vetëdijes që ka një person për kufizimet e tij. I Plotfuqishmi nuk ka kufizime, përveç atyre që ai vetë vendos për veten, për shkak të normave të drejta që ka. (Marku 10:27; Titit 1:2) Për më tepër, duke qenë Më i Larti, ai nuk është i nënshtruar ndaj askujt. Prandaj koncepti i modestisë s’ka se si të zbatohet për Jehovain.

7 Megjithatë, Jehovai është i përulur dhe i butë. Ai u mëson shërbëtorëve të tij se butësia është thelbësore për të pasur mençurinë e vërtetë. Në Fjalën e tij flitet për «butësinë që i përket mençurisë». * (Jakovit 3:13) Shqyrto shembullin e Jehovait në këtë aspekt.

Me përulësi Jehovai delegon dhe dëgjon

8-10. (a) Pse është e jashtëzakonshme që Jehovai tregon gatishmëri për të deleguar e për të dëgjuar? (b) Si ka vepruar i Plotfuqishmi me përulësi me engjëjt e tij?

8 Një dëshmi prekëse të përulësisë së Jehovait e gjejmë në gatishmërinë e tij për të deleguar përgjegjësi dhe për të dëgjuar. Edhe vetë fakti që Jehovai e bën këtë të habit, pasi ai s’ka nevojë për ndihmë ose për këshilla. (Isaia 40:13, 14; Romakëve 11:34, 35) Gjithsesi, herë pas here Bibla na tregon se Jehovai zbret në nivelin e të tjerëve në këto mënyra.

9 Shqyrto për shembull një ngjarje të jashtëzakonshme nga jeta e Abrahamit. Atij i erdhën tre mysafirë, njërit prej të cilëve iu drejtua me emrin «Jehova». Në realitet mysafirët ishin engjëj, por njëri prej tyre vinte në emër të Jehovait dhe vepronte në emër të Tij. Kur ky engjëll fliste dhe vepronte, në realitet po fliste e po vepronte vetë Jehovai. Në këtë mënyrë, Jehovai i tha Abrahamit se Ai kishte dëgjuar ‘një britmë të lartë ankimi për Sodomën dhe Gomorrën’. Jehovai tha: «Jam më se i vendosur të zbres, që të shoh nëse ata veprojnë tamam sipas klithmës që ka ardhur deri tek unë, dhe nëse jo, kam për ta marrë vesh.» (Zanafilla 18:3, 20, 21) Sigurisht, mesazhi i Jehovait nuk nënkuptonte se i Plotfuqishmi do të ‘zbriste’ vetë atje. Në vend të kësaj, ai dërgoi përsëri engjëj për ta përfaqësuar. (Zanafilla 19:1) Përse? Meqë Jehovai sheh gjithçka, a nuk mund ta ‘merrte vesh’ vetë cila ishte gjendja reale e asaj zone? Patjetër që po. E megjithatë, me përulësi Jehovai u dha atyre engjëjve caktimin që të hetonin gjendjen dhe të vizitonin Lotin e familjen e tij në Sodomë.

10 Veç kësaj, Jehovai dëgjon. Në një rast ai u kërkoi engjëjve të tij që t’i sugjeronin mënyra të ndryshme për të shkaktuar rrënimin e mbretit të lig Akab. Jehovai s’kishte nevojë për këtë ndihmë. Prapëseprapë, pranoi sugjerimin e një engjëlli dhe e caktoi që ta vinte në praktikë atë sugjerim. (1 Mbretërve 22:19-22) A nuk ishte përulësi kjo?

11, 12. Si e kuptoi Abrahami përulësinë e Jehovait?

11 Madje, Jehovai është i gatshëm të dëgjojë edhe njerëzit e papërsosur, të cilët dëshirojnë të shprehin shqetësimet e tyre. Për shembull, kur Jehovai i tha fillimisht Abrahamit se kishte për qëllim të shkatërronte Sodomën dhe Gomorrën, ky njeri besnik mbeti i pështjelluar. «S’mund të mendohet kurrë për ty»,​—tha Abrahami. Pastaj shtoi: «A nuk do të bëjë atë që është e drejtë Gjykatësi i gjithë tokës?» Ai e pyeti Jehovain nëse do ta kursente qytetin po të gjendeshin atje 50 njerëz të drejtë. Jehovai e siguroi se do ta bënte. Por Abrahami e pyeti prapë, duke e ulur numrin në 45, pastaj 40 e kështu me radhë. Me gjithë sigurinë që i dha Jehovai, Abrahami nguli këmbë derisa numri zbriti në 10. Ndoshta Abrahami ende nuk e kuptonte plotësisht se sa i mëshirshëm është Jehovai. Gjithsesi, me durim e me përulësi Jehovai e la mikun e tij Abraham t’i shprehte në këtë mënyrë shqetësimet e tij.​—Zanafilla 18:23-33.

12 Sa njerëz të ndritur e të shkolluar do ta dëgjonin me kaq durim një njeri me inteligjencë shumë më të ulët? * E tillë është përulësia e Perëndisë tonë. Gjatë të njëjtit bashkëbisedim, Abrahami arriti të kuptonte edhe se Jehovai është «i ngadalshëm në zemërim». (Dalja 34:6) Ndoshta duke e kuptuar se s’kishte të drejtë të vinte në diskutim atë që bën Më i Larti, dy herë Abrahami u lut: «Të lutem, mos u ndeztë Jehovai nga zemërimi.» (Zanafilla 18:30, 32) Natyrisht që Jehovai nuk u zemërua. Ai ka vërtet ‘butësinë që i përket mençurisë’.

Jehovai është i arsyeshëm

13. Cila është domethënia e fjalës «i arsyeshëm» siç përdoret në Bibël, dhe pse kjo fjalë e përshkruan siç duhet Jehovain?

13 Përulësia e Jehovait shfaqet edhe te një cilësi tjetër e bukur, te arsyetueshmëria. Kjo cilësi shpesh u mungon njerëzve të papërsosur. Jehovai jo vetëm që është i gatshëm t’i dëgjojë krijesat e tij inteligjente, por është i gatshëm edhe të hapë rrugë kur nuk ka diçka që bie ndesh me parimet e drejta. Siç përdoret në Bibël, fjala «i arsyeshëm» fjalë për fjalë do të thotë «që hap rrugë». Edhe kjo cilësi është shenjë dalluese e mençurisë hyjnore. Te Jakovit 3:17 thuhet: «Mençuria nga lart është . . . e arsyeshme.» Në cilin kuptim është i arsyeshëm Jehovai që ka mençuri të pafundme? Pikësëpari, është gati të përshtatet. Mos harro që vetë emri i tij na mëson se Jehovai shkakton të bëhet çfarëdo gjëje që nevojitet për të përmbushur qëllimet e tij. (Dalja 3:14) A nuk tregon kjo një prirje për t’u përshtatur dhe për t’u treguar i arsyeshëm?

14, 15. Çfarë na mëson për organizatën qiellore të Jehovait vegimi që pa Ezekieli për karrocën qiellore të Jehovait dhe si ndryshon ajo nga organizatat në botë?

14 Ka një pjesë të veçantë në Bibël që na ndihmon të kuptojmë sadopak aftësinë e Jehovait për t’u përshtatur. Profetit Ezekiel iu dha një vegim i organizatës qiellore të Jehovait, të përbërë nga krijesat frymore. Ezekieli pa një karrocë me përmasa mahnitëse, «mjetin e transportit» që Jehovai e ka gjithnjë nën kontrollin e Tij. Gjëja më interesante ishte mënyra si lëvizte ajo. Rrotat gjigante kishin katër anë dhe ishin plot me sy, me qëllim që të shihnin kudo e të ndryshonin drejtim në çast, pa ndaluar e pa u kthyer pas. Veç kësaj, kjo karrocë gjigante nuk ecte ngadalë si mjetet kaba që bëjnë njerëzit. Ajo mund të lëvizte me shpejtësinë e rrufesë, madje duke bërë kthesa 90-gradëshe. (Ezekieli 1:1, 14-28) Po, është e shkëlqyer mënyra si përshtatet organizata e Jehovait, ngjashëm Sovranit të plotfuqishëm që e ka nën kontroll, duke qenë e shpejtë për t’i marrë në shqyrtim situatat dhe nevojat gjithnjë në ndryshim.

15 Njerëzit vetëm sa mund të përpiqen të imitojnë këtë aftësi të përsosur për t’u përshtatur. Por ama, shumë shpesh njerëzit dhe organizatat e tyre janë më tepër të ngurta se të gatshme për t’u përshtatur, më tepër të paarsyeshme se të gatshme për të hapur rrugë. Le ta ilustrojmë: një anije cisternë gjigante ose një tren mallrash mund të jetë mbresëlënës për nga përmasat dhe fuqia. Por a mund t’u përgjigjen rrethanave kur ndryshojnë papritur? Në qoftë se përpara një treni mallrash vihet një pengesë në shina, as që bëhet fjalë për ta kthyer trenin, por as edhe për ta ndaluar menjëherë atë. Pas frenimit, një treni të rëndë mallrash mund t’i duhen pothuajse dy kilometra para se të ndalojë. Po kështu, pasi t’i jenë fikur motorët, një anije e madhe cisternë mund të vazhdojë të lundrojë deri në 8 kilometra më tej. Edhe sikur t’u jepet motorëve lëvizje mbrapsht, gjithsesi anija cisternë mund të vazhdojë të ecë përpara rreth 3 kilometra. Po kështu është edhe me organizatat njerëzore që janë të prirura ndaj ngurtësisë dhe paarsyetueshmërisë. Për shkak të krenarisë, shpesh njerëzit nuk pranojnë t’u përshtaten nevojave dhe rrethanave që ndryshojnë. Kjo ngurtësi ka çuar në falimentim korporata dhe ka rrëzuar qeveri. (Proverbat 16:18) Sa të lumtur mund të jemi që as Jehovai, as organizata e tij, nuk janë aspak kështu!

Si shfaq arsyetueshmëri Jehovai?

16. Si tregoi arsyetueshmëri Jehovai në mënyrën se si veproi me Lotin para shkatërrimit të Sodomës dhe të Gomorrës?

16 Të marrim edhe një herë në shqyrtim shkatërrimin e Sodomës dhe të Gomorrës. Lotit dhe familjes së tij iu dhanë udhëzime të qarta nga engjëlli i Jehovait: «Ikni në rajonin malor.» Por kjo ide nuk i pëlqeu Lotit. «Jo kështu, të lutem, Jehova!»​—u lut ai. I bindur se do të vdiste po t’i duhej të ikte në male, Loti u lut që ai dhe familja e tij të lejoheshin të iknin në një qytet aty afër, në Zoar. Mirëpo Jehovai kishte pasur ndër mend ta shkatërronte atë qytet. Për më tepër frika e Lotit ishte pa baza. Natyrisht që Jehovai mund ta mbronte Lotin në male! E megjithatë, Jehovai u hapi rrugë lutjeve të Lotit dhe e kurseu Zoarin. «Mirë, po ta marr parasysh edhe këtë»,​—i tha engjëlli Lotit. (Zanafilla 19:17-22) A nuk ishte një gjë e arsyeshme kjo nga ana e Jehovait?

17, 18. Si e tregoi Jehovai se është i arsyeshëm në mënyrën si veproi me ninevitët?

17 Jehovai reagon edhe ndaj pendimit me gjithë zemër, duke bërë gjithnjë atë që është e mëshirshme dhe e drejtë. Shqyrto se çfarë ndodhi kur profeti Jona u dërgua në qytetin e lig e të dhunshëm të Ninevisë. Kur Jonai kaloi nëpër rrugët e Ninevisë, mesazhi i frymëzuar që shpalli ai ishte shumë i thjeshtë: qyteti i fuqishëm do të shkatërrohej pas 40 ditësh. Mirëpo, rrethanat ndryshuan kryekëput! Ninevitët u penduan!​—Jonai, kapitulli 3.

18 Mësojmë shumë gjëra po të krahasojmë mënyrën si reagoi Jehovai me mënyrën si reagoi Jonai ndaj këtij ndryshimi të rrethanave. Në këtë rast, Jehovai u përshtat, duke u bërë Ai që fal mëkatet dhe jo «një luftëtar burrëror». * (Dalja 15:3) Kurse Jonai u tregua joelastik dhe shumë më pak i mëshirshëm. Në vend që të pasqyronte arsyetueshmërinë e Jehovait, ai reagoi më shumë si treni i mallrave ose si anija cisternë, që u përmendën më sipër. Ai kishte shpallur shkatërrimin, e prandaj ky shkatërrim duhej të ndodhte! Por, me durim Jehovai i dha këtij profeti të paduruar një mësim të paharrueshëm lidhur me arsyetueshmërinë dhe mëshirën.​—Jonai, kapitulli 4.

Jehovai është i arsyeshëm dhe i kupton kufizimet tona

19. (a) Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai është i arsyeshëm në atë që pret prej nesh? (b) Si e tregon Proverbat 19:17 se Jehovai është një Zotëri ‘i mirë dhe i arsyeshëm’, si edhe jashtëzakonisht i përulur?

19 Së fundi, Jehovai është i arsyeshëm në atë që pret prej nesh. Mbreti David tha: «Ai e di mirë se si jemi formuar dhe nuk harron se jemi pluhur.» (Psalmi 103:14) Jehovai i kupton kufizimet dhe të metat tona më mirë se vetë ne. Ai nuk pret kurrë nga ne më shumë sesa mund të bëjmë. Bibla bën një dallim ndërmjet zotërinjve njerëzorë që janë ‘të mirë e të arsyeshëm’ dhe atyre që «vështirë se kënaqen». (1 Pjetrit 2:18) Çfarë lloj Zotërie është Jehovai? Vër re se çfarë thuhet te Proverbat 19:17: «Kush i jep hir të përvuajturit i jep hua Jehovait.» Është e qartë se vetëm një zotëri i mirë dhe i arsyeshëm do të vinte re çdo akt mirëdashjeje që u bëhet të përvuajturve. Për më tepër, ky shkrim sugjeron se Krijuesi i universit në të vërtetë e sheh veten si të jetë në borxh ndaj njerëzve të thjeshtë që kryejnë këto vepra mëshire. Kjo përulësi që shohim këtu është e llojit më të thellë.

20. Çfarë sigurie kemi se Jehovai i dëgjon lutjet tona dhe u përgjigjet atyre?

20 Jehovai është po njësoj i butë dhe i arsyeshëm në mënyrën se si i trajton shërbëtorët e tij sot. Kur i lutemi me besim, ai na dëgjon. E ndonëse nuk dërgon lajmëtarë engjëllorë që të flasin me ne, nuk duhet të nxjerrim përfundimin se ai nuk u përgjigjet lutjeve tona. Sill ndër mend se kur apostulli Pavël u kërkoi bashkëbesimtarëve që të ‘vazhdonin të luteshin’ që ai të lirohej nga burgu, shtoi: «Që të kthehem sa më shpejt te ju.» (Hebrenjve 13:18, 19) Prandaj lutjet tona në të vërtetë mund ta nxitin Jehovain që të bëjë diçka të cilën përndryshe nuk do ta kishte bërë.​—Jakovit 5:16.

21. Cilin përfundim s’duhet të nxjerrim asnjëherë për përulësinë e Jehovait, por, në vend të kësaj, çfarë duhet të kuptojmë rreth tij?

21 Sigurisht, asnjë nga këto shfaqje të përulësisë së Jehovait, pra butësia e tij, gatishmëria për të dëgjuar, durimi i tij dhe arsyetueshmëria që ka, nuk nënkupton se Jehovai bën kompromis me parimet e tij të drejta. Kleri i të ashtuquajturit krishterim mund të mendojë se po tregohet i arsyeshëm kur u gudulis veshët kopeve të tij, duke i zbutur normat morale të Jehovait. (2 Timoteut 4:3) Por prirja e njerëzve për të bërë kompromis atëherë kur u leverdis nuk ka të bëjë fare me arsyetueshmërinë hyjnore. Jehovai është i shenjtë, prandaj nuk do t’i ndotë kurrë normat e tij të drejta. (Levitiku 11:44) Pra, le ta duam arsyetueshmërinë e Jehovait për atë që është, domethënë provë e përulësisë së tij. A nuk entuziazmohesh kur mendon se Perëndia Jehova, Qenia më e mençur në univers, është edhe jashtëzakonisht i përulur? Çfarë kënaqësie është t’i afrohemi këtij Perëndie madhështor, e megjithatë të butë, të durueshëm e të arsyeshëm!

^ par. 3 Skribët e lashtë ose soferimët e ndryshuan këtë varg, duke thënë se ai që përkulet është Jeremia e jo Jehovai. Me sa duket ata mendonin se nuk ishte e përshtatshme të thoshin që Perëndia bën një veprim kaq të përulur. Për pasojë, shumë përkthimeve u mungon thelbi i këtij vargu të bukur. Megjithatë, The New English Bible me saktësi ka fjalët e Jeremisë drejtuar Perëndisë: «Kujtohu, oh kujtohu dhe përkulu drejt meje.»

^ par. 7 Versione të tjera përdorin «përulësinë që i përket mençurisë» dhe «atë butësi që është shenja dalluese e mençurisë».

^ par. 12 Është interesante se në Bibël durimi dhe fodullëku janë në kontrast me njëri-tjetrin. (Eklisiastiu 7:8) Durimi i Jehovait është një dëshmi e mëtejshme e përulësisë së tij.​—2 Pjetrit 3:9.

^ par. 18Psalmin 86:5 për Jehovain thuhet se është «i mirë dhe gati për të falur». Kur ky psalm u përkthye në greqisht, shprehja «gati për të të falur» u përkthye epieikes ose «i arsyeshëm».