Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 23

«Ai na deshi i pari»

«Ai na deshi i pari»

1-3. Cilët janë disa faktorë që e bënë vdekjen e Jezuit të ndryshme nga të gjitha të tjerat në histori?

NJË ditë pranvere rreth 2.000 vjet më parë, një njeri i pafajshëm u gjykua, u dënua për krime që nuk i kishte bërë kurrë dhe më pas u torturua deri në vdekje. Ky s’ishte as i pari e mjerisht as i fundit ekzekutim mizor e i padrejtë në histori. Gjithsesi, kjo vdekje ishte e ndryshme nga të gjitha të tjerat.

2 Ndërsa ky njeri vuante gjatë orëve të fundit plot mundim, vetë qielli e tregoi se sa rëndësi kishte kjo ngjarje. Ndonëse ishte mesditë, papritur mbi tokë ra errësira. Sipas një historiani, «drita e diellit u errësua». (Luka 23:44, 45) Pastaj, pikërisht para se të jepte frymën e fundit, ky njeri tha këto fjalë të paharrueshme: «U krye!» Po, duke dhënë jetën e tij ai kreu diçka të mrekullueshme. Flijimi i tij ishte akti më i madh i dashurisë që ka bërë ndonjëherë një njeri.​—Gjoni 15:13; 19:30.

3 Kuptohet që ky njeri ishte Jezu Krishti. Njerëzit i njohin mirë vuajtjet dhe vdekjen e tij në atë ditë të zymtë të 14 nisanit, në vitin 33 të e.s. Por shpesh ata shpërfillin një fakt të rëndësishëm. Ndonëse Jezui vuajti jashtëzakonisht, dikush tjetër vuajti edhe më shumë. E pra, dikush tjetër atë ditë bëri një sakrificë edhe më të madhe, aktin më të madh të dashurisë që ka bërë ndonjëherë dikush në univers. Cili akt ishte ky? Përgjigjja e kësaj pyetjeje na çon në mënyrë të përshtatshme drejt temës më të rëndësishme nga të gjitha: dashurisë së Jehovait.

Akti më i madh i dashurisë

4. Si e kuptoi një ushtar romak se Jezui nuk ishte një njeri i zakonshëm dhe në cilin përfundim arriti ai?

4 Centurioni romak që po mbikëqyrte ekzekutimin e Jezuit mbeti i shtangur nga errësira që i parapriu vdekjes së Jezuit, si edhe nga tërmeti i fuqishëm që pasoi. «Pa dyshim që ky ishte Biri i Perëndisë!»​—tha ai. (Mateu 27:54) Ishte e qartë se Jezui nuk ishte një njeri i zakonshëm. Ai ushtar kishte ndihmuar që të ekzekutohej Biri i vetëmlindur i Perëndisë Më të Lartë! Por, sa i shtrenjtë ishte ky Bir për Atin e tij?

5. Sa vjet kaloi Biri me Atin e tij në qiell para se të vinte si njeri në tokë?

5 Bibla e quan Jezuin «i parëlinduri i gjithë krijimit». (Kolosianëve 1:15) Vetëm mendo: Biri i Jehovait ekzistonte më përpara se universi fizik. Por, atëherë, për sa kohë kishin qenë së bashku Ati me Birin? Disa shkencëtarë përllogaritin se universi ka një moshë 13-miliardë vjeçare. A arrin dot ta përfytyrosh sa shumë kohë është? Por, edhe sikur kjo përllogaritje të jetë e saktë, e gjithë ajo periudhë 13-miliardë vjeçare do të ishte më e shkurtër se koha që ka jetuar Biri i Jehovait! Me se merrej ai gjatë gjithë atyre epokave?

6. (a) Me se angazhohej Biri i Jehovait gjatë ekzistencës së tij paranjerëzore? (b) Ç’lloj lidhjeje ekziston midis Jehovait dhe Birit të tij?

6 Me gëzim, Biri shërbeu si ‘kryemjeshtri’ i Atit të tij. (Proverbat 8:30) Bibla thotë: «Pa [Birin] nuk erdhi në ekzistencë as edhe një gjë.» (Gjoni 1:3) Pra, Jehovai dhe Biri i tij punuan së bashku për të sjellë në ekzistencë të gjitha gjërat e tjera. Ç’periudha entuziazmuese dhe të lumtura që kaluan së bashku! Shumë veta do të pajtohen me mendimin se dashuria ndërmjet prindit dhe fëmijës është jashtëzakonisht e fortë. E, veç kësaj, dashuria «është një lidhje e përsosur bashkimi». (Kolosianëve 3:14) Atëherë, cili prej nesh mund të arrijë të kuptojë sa e fuqishme është një lidhje që ka ekzistuar për një kohë kaq të gjatë? Është e qartë se Perëndinë Jehova dhe Birin e tij i bashkon lidhja më e fortë e dashurisë që mund të krijohet ndonjëherë.

7. Si i shprehu Jehovai ndjenjat që kishte për Birin e tij, në kohën kur u pagëzua Jezui?

7 Megjithatë, Ati e dërgoi Birin e tij në tokë që të lindte si një foshnjë. Kjo nënkuptoi që për disa dhjetëvjeçarë Jehovait iu desh të hiqte dorë nga shoqëria e ngushtë me Birin e tij të dashur në qiell. Me interes të madh, Ai shihte nga qielli ndërsa Jezui rritej e bëhej njeri i përsosur. Rreth moshës 30-vjeçare Jezui u pagëzua. S’ka nevojë të hamendemi se çfarë ndjeu Jehovai për të, pasi Ai vetë foli që nga qielli: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin e kam miratuar.» (Mateu 3:17) Ati duhet të ketë qenë shumë i kënaqur teksa shihte se Jezui bënte me besnikëri gjithçka që ishte profetizuar, gjithçka që kërkohej prej tij.​—Gjoni 5:36; 17:4.

8, 9. (a) Ç’hoqi Jezui më 14 nisan të vitit 33 të e.s. dhe ç’ndikim pati kjo te Ati i tij qiellor? (b) Pse Jehovai lejoi që Biri i tij të vuante e të vdiste?

8 Por, si u ndie Jehovai në 14 nisan të vitit 33 të e.s.? Si u ndie kur Jezuin e tradhtuan, e pastaj e arrestoi një turmë njerëzish në mes të natës? Kur Jezuin e braktisën miqtë e tij dhe iu nënshtrua një gjyqi të paligjshëm? Kur e tallën, e pështynë dhe e goditën me grushta? Kur e rrahën me kamxhik, duke ia bërë kurrizin copë? Kur e gozhduan duar e këmbë në një shtyllë druri dhe e lanë atje të varur, ndërsa njerëzit e shanin? Si u ndie Ati kur Biri i tij i dashur i thirri, ndërsa ishte në grahmat e vdekjes? Si u ndie Jehovai kur Jezui dha frymën e fundit dhe, për herë të parë që nga fillimi i gjithë krijimit, Biri i Tij i dashur nuk ekzistonte më?​—Mateu 26:14-16, 46, 47, 56, 59, 67; 27:38-44, 46; Gjoni 19:1.

«Perëndia . . . dha Birin e tij të vetëmlindur»

9 S’kemi fjalë për të përshkruar këtë. Jehovai ka ndjenja, prandaj dhembja që duhet të ketë ndier për vdekjen e Birit të tij ishte aq e madhe, sa nuk shprehet dot me fjalë. Ajo që mund të shprehet është motivi pse Jehovai lejoi të ndodhte kjo gjë. Pse Ati u la vend ndjenjave të tilla? Jehovai na zbulon diçka të mrekullueshme te Gjoni 3:16, një varg biblik kaq i rëndësishëm, saqë është quajtur ungjilli në miniaturë. Aty thuhet: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» Prandaj motivi pse Jehovai e bëri këtë përmblidhet me një fjalë: dashuri. Dhurata e Jehovait, pra dërgimi i Birit të tij që të vuante dhe të vdiste për ne, ishte akti më i madh i dashurisë që është kryer ndonjëherë.

Përkufizimi i dashurisë hyjnore

10. Cilën nevojë kanë njerëzit dhe çfarë ka ndodhur me domethënien e fjalës «dashuri»?

10 Çfarë do të thotë fjala «dashuri»? Dashuria është përshkruar si nevoja më e madhe që kanë njerëzit. Që kur lindin e derisa vdesin, njerëzit luftojnë për të pasur dashuri, çelen nga ngrohtësia e saj, e madje edhe treten e vdesin nga mungesa e saj. Gjithsesi, është e habitshme që s’është e lehtë të përkufizohet dashuria. Natyrisht që njerëzit flasin shumë për dashurinë. Ka një vërshim të pafund librash, këngësh dhe poezish që flasin për të, por ato jo gjithnjë e qartësojnë domethënien e dashurisë. Përkundrazi, kjo fjalë përdoret e stërpërdoret kaq shpesh, saqë domethënia e vërtetë e saj duket gjithnjë e më e pakapshme.

11, 12. (a) Ku mund të mësojmë shumë për dashurinë dhe përse? (b) Cilat lloje të dashurisë ishin specifikuar në greqishten e lashtë dhe cila fjalë përdoret më shpesh në Shkrimet e Krishtere Greke për fjalën «dashuri»? (Shih edhe shënimin.) (c) Çfarë do të thotë fjala agape?

11 Gjithsesi, Bibla mëson me qartësi për sa i përket dashurisë. Fjalori i Vajnit, Expository Dictionary of New Testament Words, vëren: «Dashuria mund të njihet vetëm nga veprimet që nxit.» Në Bibël janë dokumentuar veprimet e Jehovait që na mësojnë shumë për dashurinë e tij, domethënë për përzemërsinë mirëdashëse që ka për krijesat e tij. Për shembull, ç’gjë tjetër mund të tregojë më shumë për këtë cilësi sesa akti suprem i dashurisë së Jehovait i përshkruar më sipër? Në kapitujt që vijojnë do të shohim shumë shembuj të tjerë të dashurisë së Jehovait në veprim. Veç kësaj mund të fitojmë kuptueshmëri nga fjalët origjinale që janë përdorur në Bibël për fjalën «dashuri». Në greqishten e lashtë kishte katër fjalë për fjalën «dashuri». * Prej këtyre, ajo që është përdorur më shpesh në Shkrimet e Krishtere Greke është fjala agape. Një fjalor biblik e quan këtë «fjalën më të fuqishme që mund të mendohet për dashurinë». Përse?

12 Fjala agape zbatohet për dashurinë që udhëhiqet nga parimet. Prandaj është më tepër sesa vetëm një reagim emocional ndaj dikujt tjetër. Ka një shtrirje më të gjerë dhe në thelb ka të bëjë më shumë me arsyen e me paramendimin. Mbi të gjitha, fjala agape tregon një dashuri që është krejtësisht altruiste. Për shembull, shikoje edhe një herë Gjonin 3:16. Çfarë është ‘bota’ që Perëndia e deshi aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur? Është bota e përbërë nga njerëzimi që mund të shpengohet. Ky term përfshin shumë njerëz që tani për tani po bëjnë një jetë mëkatare. A e do Jehovai secilin prej tyre si një mik të tijin, ashtu si donte Abrahamin besimplotë? (Jakovit 2:23) Jo, por me dashuri Jehovai u tregon mirësi të gjithëve, edhe pse kjo mund t’i kushtojë shumë. Ai dëshiron që të gjithë të pendohen dhe të ndryshojnë rrugë. (2 Pjetrit 3:9) Shumë veta veprojnë kështu. Këta ai i mirëpret me lumturi si miqtë e tij.

13, 14. Çfarë tregon se fjala agape shpesh përfshin përzemërsinë e ngrohtë?

13 Por, disa kanë një mendim të gabuar për fjalën agape. Mendojnë se ajo nënkupton një lloj dashurie që është e ftohtë, vetëm në nivelin mendor. E vërteta është se fjala agape shpesh përfshin përzemërsinë e ngrohtë. Për shembull, kur shkroi «Ati e do Birin», Gjoni përdori një formë të fjalës agape. A i mungon përzemërsia e ngrohtë kësaj dashurie? Vër re se Jezui tha «Ati e ka për zemër Birin», duke përdorur një formë të fjalës fileo. (Gjoni 3:35; 5:20) Dashuria e Jehovait shpesh përfshin përzemërsinë e butë, por ama nuk verbohet kurrë nga sentimentalizmi. Ajo udhëhiqet gjithnjë nga parimet e tij të mençura e të drejta.

14 Siç e kemi parë, të gjitha cilësitë e Jehovait janë të shkëlqyera, të përsosura dhe tërheqëse. Por dashuria është më tërheqësja nga të gjitha. Asgjë tjetër nuk na tërheq kaq fort drejt Jehovait. Lumturisht, dashuria është edhe cilësia e tij mbizotëruese. Si e dimë këtë?

«Perëndia është dashuri»

15. Cilin pohim bën Bibla për cilësinë e dashurisë që ka Jehovai e në ç’kuptim është i veçantë ky pohim? (Shih edhe shënimin.)

15 Bibla thotë për dashurinë diçka që nuk e thotë asnjëherë për cilësitë e tjera kryesore të Jehovait. Shkrimet nuk thonë se Perëndia është fuqi ose se Perëndia është drejtësi, apo edhe se Perëndia është mençuri. Ai i zotëron këto cilësi, është burimi parësor i tyre dhe nuk krahasohet me askënd për sa u përket këtyre tri cilësive. Por, për cilësinë e katërt thuhet diçka më e thellë: «Perëndia është dashuri.» * (1 Gjonit 4:8) Çfarë do të thotë kjo?

16-18. (a) Pse Bibla thotë që «Perëndia është dashuri»? (b) Nga gjithë krijesat e tokës, pse njeriu është simbol i përshtatshëm i dashurisë së Jehovait?

16 Shprehja «Perëndia është dashuri» nuk është një ekuacion i thjeshtë, si të thuash «Perëndia baraz me dashuri». Nuk mund ta kthejmë dot nga ana tjetër pohimin e të themi «dashuria është Perëndi». Jehovai është shumë më tepër se një cilësi abstrakte. Përveç dashurisë, ai ka një shumëllojshmëri ndjenjash dhe karakteristikash të tjera. Megjithatë, dashuria e karakterizon të tërin Jehovain. Prandaj, një vepër referimi thotë për këtë varg: «Thelbi ose natyra e Perëndisë është dashuri.» Në përgjithësi, mund ta mendojmë kështu: fuqia i jep mundësi Jehovait që të veprojë. Drejtësia dhe mençuria e udhëheqin në mënyrën si vepron. Por dashuria e motivon Jehovain që të veprojë. E dashuria është gjithnjë e pranishme në mënyrën si i përdor ai cilësitë e tjera.

17 Shpesh thuhet se Jehovai është personifikimi i dashurisë. Prandaj, në qoftë se duam të mësojmë për dashurinë e bazuar në parime, duhet të mësojmë për Jehovain. Sigurisht që këtë cilësi të bukur mund ta shohim të shfaqet edhe te njerëzit. Por, pse ekziston tek ata? Në kohën e krijimit Jehovai tha këto fjalë, me sa duket Birit të tij: «Le të bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë, sipas ngjashmërisë sonë.» (Zanafilla 1:26) Nga gjithë krijesat e tokës, vetëm burrat e gratë mund të zgjedhin të duan dhe kështu të imitojnë Atin e tyre qiellor. Sill ndër mend se Jehovai përdori krijesa të ndryshme për të simbolizuar cilësitë e tij kryesore. Megjithatë, si simbol të cilësisë së Tij mbizotëruese, dashurisë, zgjodhi krijesën e vet më të lartë tokësore, njeriun.​—Ezekieli 1:10.

18 Kur duam në mënyrë altruiste e të udhëhequr nga parimet, po pasqyrojmë cilësinë mbizotëruese të Jehovait. Apostulli Gjon në të vërtetë shkroi: «Nga ana jonë, ne kemi dashuri, sepse ai na deshi i pari.» (1 Gjonit 4:19) Por, në cilat mënyra Jehovai na ka dashur i pari?

Jehovai mori nismën

19. Pse mund të thuhet që dashuria luajti rol kyç në veprën krijuese të Jehovait?

19 Dashuria nuk është gjë e re. Në fund të fundit, çfarë e motivoi Jehovain që të krijonte? S’ishte se ai ndihej vetëm dhe kishte nevojë për shoqëri. Jehovai është i plotë në vetvete dhe nuk ka nevojë për askënd. Atij nuk i mungon asgjë që të mund t’ia japë dikush tjetër. Por dashuria e tij, një cilësi vepruese, e motivoi natyrshëm që të donte t’u jepte gëzimin e jetës krijesave inteligjente që do ta vlerësonin këtë dhuratë. «Fillimi i krijimit të Perëndisë» ishte Biri i tij i vetëmlindur. (Zbulesa 3:14) Pastaj Jehovai e përdori këtë Kryemjeshtër për të sjellë në ekzistencë të gjitha gjërat e tjera, duke filluar me engjëjt. (Jobi 38:4, 7; Kolosianëve 1:16) Të bekuar me liri, intelekt dhe me ndjenja, këto krijesa të fuqishme kishin mundësinë të formonin lidhje të tjera të përzemërta dashurie, me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha me Perëndinë Jehova. (2 Korintasve 3:17) Kështu, ata shfaqën dashuri sepse dikush i deshi i pari.

20, 21. Çfarë dëshmie të dashurisë së Jehovait kishin para syve Adami dhe Eva, e megjithatë si reaguan?

20 Po kështu ishte edhe me njerëzimin. Që nga fillimi, Adami dhe Eva praktikisht u mbuluan me dashuri. Kudo që i hidhnin sytë në shtëpinë e tyre parajsore në Eden, mund të shihnin dëshmi të dashurisë që kishte Ati për ta. Vër re se çfarë thotë Bibla: «Perëndia Jehova mbolli një kopsht në Eden, drejt lindjes, dhe vendosi atje njeriun që kishte formuar.» (Zanafilla 2:8) A ke qenë ndonjëherë në një kopsht ose park vërtet të bukur? Çfarë të ka pëlqyer më shumë? Rrezet e dritës që depërtonin përmes gjetheve të pemëve që i bënin hije një këndi të veçuar? Shumëllojshmëria marramendëse e ngjyrave të luleve në një lëndinë? Ndoshta në sfond dëgjohej melodia e një përroi gurgullues, e zogjve këngëtarë dhe e insekteve zukatëse? Po aromat e pemëve, të frutave dhe të luleve? Sido që të jetë, asnjë park i sotëm nuk mund të krahasohet me atë në Eden. Përse jo?

21 Atë park e kishte mbjellë vetë Jehovai. Duhet të ketë pasur një bukuri që s’mund të përshkruhet me fjalë. Atje gjendej çdo pemë e këndshme për nga bukuria dhe për nga frutat e shijshme. Kopshti ishte i ujitur mirë, me hapësirë dhe gëlonte nga një shumëllojshmëri mahnitëse kafshësh. Adami dhe Eva kishin gjithçka që do t’ua bënte jetën të lumtur e të plotë, përfshirë edhe një punë shpërblyese e shoqëri të përsosur. Jehovai i deshi i pari, prandaj kishin çdo arsye për t’iu përgjigjur po njëlloj. E megjithatë nuk e bënë këtë. Në vend që t’i bindeshin me dashuri Atit të tyre qiellor, ata me egoizëm u rebeluan ndaj tij.​—Zanafilla, kapitulli 2.

22. Si tregoi përgjigjja e Jehovait ndaj rebelimit në Eden se dashuria e tij është besnike?

22 Sa e dhembshme duhet të ketë qenë kjo për Jehovain! Por, a e hidhëroi ky rebelim zemrën e tij të dashur? Jo! «Dashamirësia [ose «dashuria besnike», shënimi] e tij vazhdon përjetë.» (Psalmi 136:1) Prandaj, menjëherë ai vuri si qëllim të merrte masa të dashura për të shpenguar ata pasardhës të Adamit dhe Evës që do të ishin të prirur siç duhet. Siç e kemi parë, këto masa përfshinin flijimin shpërblyes të Birit të tij të dashur, gjë që i kushtoi kaq shtrenjtë Atit.​—1 Gjonit 4:10.

23. Cila është një nga arsyet përse Jehovai është ‘Perëndia i lumtur’, dhe ç’pyetje thelbësore do të trajtohet në kapitullin vijues?

23 Po, që nga fillimi Jehovai ka marrë nismën duke i treguar i pari dashuri njerëzimit. «Ai na deshi i pari» në shumë e shumë mënyra. Dashuria nxit harmoninë dhe gëzimin, prandaj s’është habi që Jehovai përshkruhet si ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:11) Mirëpo, lind një pyetje e rëndësishme. A na do vërtet Jehovai si individë? Kapitulli vijues do të flasë për këtë çështje.

^ par. 11 Folja fileo, që ka kuptimin «të kesh përzemërsi për, të kesh për zemër ose të pëlqesh (siç mund të ndihet dikush për një mik të ngushtë a për një vëlla)», përdoret shpesh në Shkrimet e Krishtere Greke. Një formë e fjalës storge ose dashuri për rrethin e ngushtë familjar, përdoret te 2 Timoteut 3:3 për të treguar se kjo dashuri do të mungonte jashtëzakonisht shumë gjatë ditëve të fundit. Erosi ose dashuria romantike midis sekseve të kundërta nuk përdoret në Shkrimet e Krishtere Greke, ndonëse Bibla flet edhe për këtë lloj dashurie.​—Proverbat 5:15-20.

^ par. 15 Ka edhe pohime të tjera në Bibël që kanë ndërtim të ngjashëm. Për shembull, «Perëndia është dritë» dhe «Perëndia është . . . një zjarr që tret». (1 Gjonit 1:5; Hebrenjve 12:29) Por këto duhen kuptuar si metafora, pasi e krahasojnë Jehovain me gjëra fizike. Jehovai është si drita, pasi është i shenjtë dhe i ndershëm. Tek ai nuk ka kurrfarë ‘errësire’ ose papastërtie. Veç kësaj, mund të krahasohet me zjarrin për faktin që përdor fuqinë shkatërruese.