Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 27

«Oh, sa e madhe është mirësia e tij!»

«Oh, sa e madhe është mirësia e tij!»

1, 2. Deri ku arrin mirësia e Perëndisë, dhe me sa forcë shprehet Bibla për këtë cilësi?

TEKSA admirojnë qiellin e përflakur nga rrezet e diellit në perëndim, disa miq të vjetër hanë së bashku përjashta, duke qeshur e duke folur. Në një vend tjetër, shumë larg, një bujk sheh arat e tij dhe buzëqesh i kënaqur, sepse në qiell janë grumbulluar re të zeza dhe pikat e para të shiut po bien mbi të mbjellat e etura. Diku tjetër, burrë e grua gëzohen pa masë kur shohin fëmijën e tyre që hedh hapat e parë gati-gati duke u rrëzuar.

2 E dinë ose jo, që të gjithë këta njerëz po përfitojnë nga e njëjta gjë: nga mirësia e Perëndisë Jehova. Njerëzit fetarë e përsëritin shpesh shprehjen «Perëndia është i mirë». Kurse Bibla shprehet me shumë më tepër forcë. Ajo thotë: «Oh, sa e madhe është mirësia e tij!» (Zakaria 9:17) Por sot duket se pak veta e dinë me të vërtetë se çfarë nënkuptojnë këto fjalë. Çfarë përfshin në të vërtetë mirësia e Perëndisë Jehova, dhe si ndikon te secili prej nesh kjo cilësi e Perëndisë?

Një karakteristikë e jashtëzakonshme e dashurisë hyjnore

3, 4. Çfarë është mirësia, dhe pse mirësia e Jehovait mund të përshkruhet më saktë si shprehje e dashurisë së tij?

3 Në shumë gjuhë të sotme fjala «mirësi» është një fjalë që nuk të përcjell ndonjë kuptim kush e di se çfarë. Por, siç përdoret në Bibël mirësia s’është aspak e tillë. Kryesisht ka të bëjë me virtytin dhe përsosurinë morale. Pra, në njëfarë kuptimi, mund të themi se mirësia e përshkon Jehovain. Që të gjitha cilësitë e tij, duke përfshirë fuqinë, drejtësinë dhe mençurinë e tij, janë tërësisht të mira. Gjithsesi, mirësia mund të përshkruhet më saktë si shprehje e dashurisë së Jehovait. Përse?

4 Mirësia është një cilësi vepruese, altruiste. Apostulli Pavël tregoi se te njerëzit kjo cilësi është edhe më tërheqëse se drejtësia. (Romakëve 5:7) Për një njeri të drejtë mund të besosh se do t’u përmbahet me besnikëri kërkesave të ligjit, por një njeri i mirë bën më tepër. Ai merr nismën, duke bërë përpjekje konkrete për t’u sjellë dobi të tjerëve. Siç do ta shohim, Jehovai është me siguri i mirë në këtë kuptim. Është e qartë se kjo mirësi buron nga dashuria e pakufishme e Jehovait.

5-7. Pse Jezui nuk pranoi ta quanin «Mësues i mirë» dhe cilën të vërtetë të thellë pohoi me këtë veprim?

5 Gjithashtu, Jehovai është i pashoq për sa i përket mirësisë së tij. Jo shumë kohë para se Jezui të vdiste, një njeri iu afrua për t’i bërë një pyetje, duke iu drejtuar me fjalët «Mësues i mirë». Jezui iu përgjigj: «Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë përveç njërit, Perëndisë.» (Marku 10:17, 18) Ndoshta kjo përgjigje mund të të lërë në mëdyshje. Pse e korrigjoi Jezui atë njeri? A nuk ishte vërtet Jezui një «Mësues i mirë»?

6 Duket qartë se ai njeri po e përdorte shprehjen «Mësues i mirë» si një titull lajkatues. Me modesti Jezui e drejtoi këtë lavdi te Ati i tij qiellor, i cili është i mirë në kuptimin më të lartë. (Proverbat 11:2) Por Jezui po pohonte edhe një të vërtetë të thellë. Vetëm Jehovai është standardi i asaj që është e mirë. Vetëm ai ka të drejtën sovrane për të përcaktuar se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Adami dhe Eva, duke u rebeluar kur hëngrën nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, u përpoqën ta merrnin për vete këtë të drejtë. Ndryshe nga ata, Jezui me përulësi ia lë Atit të tij të drejtën për të vendosur normat.

7 Për më tepër Jezui e dinte se Jehovai është burimi i gjithçkaje që është vërtet e mirë. Ai është Dhuruesi i ‘çdo dhurate të mirë dhe i çdo gjëje të përsosur’. (Jakovit 1:17) Le të shqyrtojmë si bëhet e dukshme mirësia e Jehovait në bujarinë e tij.

Dëshmi të mirësisë së madhe të Jehovait

8. Si i ka treguar Jehovai mirësi gjithë njerëzimit?

8 Të gjithë ata që kanë jetuar kanë nxjerrë dobi nga mirësia e Jehovait. Te Psalmi 145:9 thuhet: «Jehovai është i mirë me të gjithë.» Cilët janë disa shembuj të mirësisë së tij të gjithanshme? Bibla thotë: «[Ai] nuk e la veten pa dëshmi, meqë bëri mirë, duke ju dhënë shira nga qielli dhe stinë të frytshme, duke i mbushur zemrat tuaja plot e përplot me ushqim dhe hare.» (Veprat 14:17) A nuk të është kënaqur shpirti kur ke ngrënë ndonjë darkë a drekë të shijshme? Por nuk do ta bënim dot këtë po të mos ishte për mirësinë e Jehovait, i cili e projektoi këtë tokë me rezervat e ujit të rrjedhshëm që qarkullon gjithnjë dhe me «stinë të frytshme» për të prodhuar ushqime me bollëk. Këtë mirësi Jehovai nuk ua ka treguar vetëm atyre që e duan, por kujtdo. Jezui tha: «Ai e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët.»​—Mateu 5:45.

Jehovai na ‘jep shira nga qielli dhe stinë të frytshme’

9. Si e ilustron molla mirësinë e Jehovait?

9 Një pjesë e madhe e njerëzve nuk mendojnë shumë për bujarinë e madhe që i është treguar njerëzimit, falë veprimit të vazhdueshëm të diellit, të shiut dhe të stinëve të frytshme. Shqyrto për shembull mollën. Kjo frutë është e zakonshme në gjithë rajonet e tokës që kanë klimë të butë. E megjithatë është e bukur, e shijshme dhe plot me lëng freskues e me përbërës ushqimorë të rëndësishëm. A e dije se në mbarë botën ka rreth 7.500 varietete të ndryshme mollësh, që kanë ngjyra nga e kuqja në të verdhë e në jeshile, e që kanë përmasa nga pak më e madhe se një qershi deri në madhësinë e një portokalli të madh? Fara e vogël e mollës duket e parëndësishme kur e mban në dorë, por prej saj rritet një nga pemët më të bukura. (Kënga e Solomonit 2:3) Çdo pranverë pema e mollës zbukurohet me një kurorë të madhërishme lulesh dhe çdo vjeshtë bën fruta. Çdo vit, duke vazhduar në këtë mënyrë deri në 75 vjet, një pemë molle do të japë fruta sa të mbushen mesatarisht 20 arka me peshë 19 kilogramë secila!

Nga kjo farë e vogël rritet një pemë që mund t’i ushqejë dhe t’i kënaqë njerëzit për dhjetëra vjet

10, 11. Si e bëjnë të qartë shqisat mirësinë e Perëndisë?

10 Me mirësinë e tij të pafundme Jehovai na ka dhënë një trup që është «bërë në mënyrë të mrekullueshme», me shqisa që janë projektuar për të na ndihmuar të perceptojmë veprat e tij dhe të kënaqemi me to. (Psalmi 139:14) Mendo përsëri për skenat që u përshkruan në hyrje të këtij kapitulli. Cilat pamje u sjellin gëzim këtyre çasteve? Faqet e kuqe të një fëmije të kënaqur. Shiu që bie litarë-litarë në ara. Ngjyra e kuqe, e artë dhe vjollcë e një perëndimi. Syri i njeriut është projektuar që të dallojë më shumë se 300.000 nuanca ngjyrash! Shqisa e të dëgjuarit kap nuancat e tonit të një zëri të dashur, pëshpërimën e erës nëpër pemë, të qeshurën entuziaste të një vogëlushi. Pse kemi mundësi t’i gëzojmë këto pamje e tinguj? Bibla thotë: «Qoftë veshin që dëgjon, qoftë syrin që shikon, Jehovai vetë i ka bërë që të dy.» (Proverbat 20:12) Por këto janë vetëm dy nga shqisat.

11 Shqisa e të nuhaturit është një dëshmi tjetër e mirësisë së Jehovait. Hunda e njeriut mund të dallojë rreth 10.000 erëra. Mendo vetëm për disa prej tyre: ushqimi yt i preferuar, lulet, gjethet e rëna, aroma e lehtë e tymit nga një zjarr bubulak. Kurse shqisa e të prekurit të jep mundësi të ndiesh përkëdheljen e flladit të erës në fytyrë, përqafimin qetësues të një njeriu të dashur, lëkurën e lëmuar të një frute që ke në dorë. Kur e kafshon frutën, futet në punë shqisa e të shijuarit. Kur bulëzat e shijes dallojnë ndijimet e ndryshme që krijohen nga përbërja e ndërlikuar kimike e frutës, kombinimi i shijeve bën të të lëshojë goja lëng. Po, kemi çdo arsye të themi për Jehovain: «Sa me bollëk është mirësia jote, të cilën e ke ruajtur për ata që të frikësohen!» (Psalmi 31:19) Por, si e ka «ruajtur» Jehovai mirësinë për ata që i frikësohen atij?

Mirësi me dobi të përhershme

12. Cilat masa që ka marrë Jehovai janë më të rëndësishmet e përse?

12 Jezui tha: «Është shkruar: ‘Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait.’» (Mateu 4:4) Vërtet, masat frymore që Jehovai ka marrë për ne mund të kenë shumë më tepër vlerë për ne sesa ato fizike, sepse çojnë në jetën e përhershme. Në kapitullin 8 të këtij libri vumë re se Jehovai në këto ditë të fundit e ka përdorur fuqinë e tij ripërtëritëse për të sjellë në ekzistencë një parajsë frymore. Një aspekt kyç i kësaj parajse është bollëku i ushqimit frymor.

13, 14. (a) Çfarë pa në vegim profeti Ezekiel, dhe ç’domethënie ka për ne sot? (b) Çfarë masash frymore jetëdhënëse merr Jehovai për shërbëtorët e tij besnikë?

13 Në një nga profecitë madhështore të rivendosjes që përmban Bibla, profetit Ezekiel iu dha një vegim i tempullit të rivendosur e të lartësuar. Prej atij tempulli rridhte një rrëke uji, që sa vinte e zgjerohej dhe thellohej, derisa u bë një «përrua dy herë më i madh se zakonisht». Kudo ku rridhte ky lumë sillte bekime. Në brigjet e tij lulëzuan pemë që siguronin ushqim dhe shërim. Gjithashtu, lumi i solli jetë dhe pjellori Detit të Vdekur që ishte i kripur dhe i pajetë. (Ezekieli 47:1-12) Por, çfarë do të thoshte e gjithë kjo?

14 Vegimi nënkuptonte se Jehovai do ta rivendoste rregullin e tij për adhurimin e pastër, të paraqitur nga tempulli që pa Ezekieli. Si ai lumë, i parë në vegim, masat që ka marrë Perëndia për të mbështetur jetën do të vërshonin te populli i tij me një bollëk gjithnjë e më të madh. Që nga rivendosja e adhurimit të pastër në vitin 1919, Jehovai e ka bekuar popullin e tij me masa jetëdhënëse. Si e ka bërë këtë? Po ja, Biblat, literatura biblike, mbledhjet dhe kongreset kanë shërbyer që të gjitha për t’u sjellë të vërteta jetësore miliona njerëzve. Me anë të këtyre mjeteve Jehovai i ka bërë të ditur popullit të tij masën më të rëndësishme që ka marrë ai për të mbështetur jetën. Kjo masë është flijimi shpërblyes i Krishtit, i cili bën të mundur një qëndrim të pastër para Jehovait dhe shpresën e jetës së përhershme për të gjithë ata që e duan dhe i frikësohen me të vërtetë Perëndisë. * Prandaj, gjatë gjithë këtyre ditëve të fundit, ndërkohë që frymësisht bota ka përjetuar zi buke, populli i Jehovait ka gëzuar një gosti frymore.​—Isaia 65:13.

15. Në cilin kuptim do të vërshojë mirësia e Jehovait për njerëzimin besimplotë gjatë Mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit?

15 Por lumi që pa Ezekieli në vegim nuk do të pushojë së vërshuari kur të përfundojë ky sistem i vjetër. Përkundrazi, do të vërshojë edhe më me bollëk gjatë Mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit. Në atë kohë, me anë të Mbretërisë mesianike, Jehovai do të zbatojë vlerën e plotë të flijimit të Jezuit, duke e çuar dalëngadalë në përsosmëri njerëzimin besimplotë. Sa do të ngazëllojmë në atë kohë për mirësinë e Jehovait!

Karakteristika të tjera të mirësisë së Jehovait

16. Si tregon Bibla se mirësia e Jehovait përfshin edhe cilësi të tjera, e cilat janë disa prej tyre?

16 Mirësia e Jehovait nuk përfshin vetëm bujarinë. Perëndia i tha Moisiut: «Unë vetë do të bëj që gjithë mirësia ime të kalojë para fytyrës sate dhe do të shpall emrin e Jehovait përpara teje.» Më tej tregimi thotë: «Jehovai kalonte përpara fytyrës së tij dhe shpallte: ‘Jehovai, Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe plot me dashamirësi e të vërtetë.’» (Dalja 33:19; 34:6) Pra mirësia e Jehovait përfshin disa cilësi të shkëlqyera. Le të shqyrtojmë vetëm dy prej tyre.

17. Si i trajton Jehovai njerëzit e papërsosur dhe cila cilësi e bën të veprojë në këtë mënyrë?

17 «Hirmadh.» Kjo cilësi e bën Jehovain të jetë i sjellshëm dhe i afrueshëm në marrëdhëniet me krijesat e tij. Në vend që të jetë i prerë, i ftohtë ose tiran, siç ndodh shpesh me njerëzit e fuqishëm, Jehovai është zemërbutë dhe mirëdashës. Për shembull, ai i tha Abramit: «Ngriji sytë, të lutem, dhe shiko nga vendi ku je, drejt veriut, drejt jugut, drejt lindjes dhe drejt perëndimit.» (Zanafilla 13:14) Shumë përkthime e heqin shprehjen «të lutem». Por studiuesit biblikë komentojnë se shprehja në hebraishten origjinale përfshin një pjesëz fjalëformuese që e ndryshon pohimin nga urdhër në një kërkesë të bërë me mirësjellje. Ka edhe raste të tjera të ngjashme. (Zanafilla 31:12; Ezekieli 8:5) Mendo, Sovrani i universit u thotë «të lutem» njerëzve të thjeshtë! A nuk na ngrohet zemra kur mendojmë se sa i mirë dhe i afrueshëm është Perëndia ynë hirmadh, Jehovai, në një botë ku janë kaq të zakonshme ashpërsia, dhuna dhe egërsia?

18. Në cilin kuptim është Jehovai «plot me . . . të vërtetë», dhe pse këto fjalë na qetësojnë?

18 «Plot me . . . të vërtetë.» Pandershmëria sot është bërë prirja mbizotëruese në botë. Por Bibla na kujton: «Perëndia nuk është njeri që të gënjejë.» (Numrat 23:19) Madje Titit 1:2 thotë se «Perëndia . . . nuk mund të gënjejë». Është tepër i mirë për t’ia lejuar vetes një gjë të tillë. Kështu, premtimet e Jehovait janë plotësisht të besueshme dhe mund të jemi gjithmonë të sigurt se fjalët e tij do të përmbushen. Madje, Jehovai quhet «Perëndia i së vërtetës». (Psalmi 31:5) Ai jo vetëm që nuk thotë gënjeshtra, por edhe e jep me bollëk të vërtetën. Nuk është një person i mbyllur, i rezervuar ose që mban të fshehta, por, përkundrazi, me bujari i ndriçon shërbëtorët e tij besimplotë, duke u dhënë mençuri nga rezervat e pakufishme të mençurisë që ka. * Madje u mëson se si të jetojnë në përputhje me të vërtetat që u jep, me qëllim që ata ‘të vazhdojnë të ecin në të vërtetën’. (3 Gjonit 3) Përgjithësisht, si duhet të ndikojë te secili prej nesh mirësia e Jehovait?

‘Rrëzëlleni nga mirësia e Jehovait’

19, 20. (a) Si u përpoq Satanai t’ia minonte Evës besimin te mirësia e Jehovait, e cila qe pasoja? (b) Çfarë ndikimi duhet të ketë me të drejtë te ne mirësia e Jehovait dhe përse?

19 Kur tundoi Evën në kopshtin e Edenit, si gjë të parë Satanai i minoi asaj me tinëzi besimin te mirësia e Jehovait. Jehovai i kishte thënë Adamit: «Nga çdo pemë e kopshtit mund të hash sa të ngopesh.» Nga mijëra pemët që duhet të kenë zbukuruar atë kopsht, vetëm për njërën Jehovai vuri kufi. Megjithatë, vër re si e formuloi Satanai pyetjen e parë që i bëri Evës: «Vërtet tha Perëndia që nuk duhet të hani nga çdo pemë e kopshtit?» (Zanafilla 2:9, 16; 3:1) Satanai i shtrembëroi fjalët e Jehovait për ta shtyrë Evën që të mendonte se Jehovai po u mbante diçka të mirë. Mjerisht, kjo taktikë funksionoi. Eva, si edhe shumë gra të tjera e burra të tjerë pas saj, filloi të dyshonte për mirësinë e Perëndisë, i cili i kishte dhënë gjithçka që ajo zotëronte.

20 E dimë mirë se sa shumë brenga e mjerim sollën këto dyshime. Prandaj, le t’u vëmë veshin fjalëve të Jeremisë 31:12, ku thuhet: «Ata me siguri . . . do të rrëzëllejnë nga mirësia e Jehovait.» Në të vërtetë, mirësia e Jehovait duhet të na bëjë të rrëzëllejmë nga gëzimi. Nuk duhet t’i vëmë kurrë në dyshim motivet e Perëndisë tonë, i cili është plot mirësi. Mund t’i besojmë tërësisht atij, sepse u do vetëm të mirën atyre që e duan.

21, 22. (a) Në cilat mënyra do të doje t’i përgjigjeshe mirësisë së Jehovait? (b) Për cilën cilësi do të flasim në kapitullin vijues dhe si ndryshon ajo nga mirësia?

21 Veç kësaj, kënaqemi kur kemi rast për t’u folur të tjerëve për mirësinë e Perëndisë. Për sa i përket popullit të Jehovait, te Psalmi 145:7 thuhet: «Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe.» (Dio) Çdo ditë që jetojmë nxjerrim dobi në ndonjë mënyrë nga mirësia e Jehovait. Pse të mos e bëjmë zakon që ta falënderojmë çdo ditë Jehovain për mirësinë e tij, duke qenë sa më specifikë që të jetë e mundur? Të mendojmë për këtë cilësi, ta falënderojmë çdo ditë Jehovain për të dhe t’u tregojmë të tjerëve rreth saj do të na ndihmojë të imitojmë Perëndinë tonë të mirë. E ndërsa kërkojmë mënyra për të bërë mirë, siç bën edhe Jehovai, do t’i afrohemi edhe më shumë atij. Apostulli i moshuar Gjon shkroi: «I dashur, mos ji imitues i asaj që është e keqe, por i asaj që është e mirë. Ai që bën të mirën vjen prej Perëndisë.»​—3 Gjonit 11.

22 Mirësia e Jehovait shoqërohet edhe me cilësi të tjera. Për shembull, Perëndia është edhe «plot me dashamirësi» ose dashuri besnike. (Dalja 34:6) Kjo cilësi është më e kufizuar se mirësia, pasi Jehovai e shpreh veçanërisht ndaj shërbëtorëve të tij besimplotë. Në kapitullin vijues do të mësojmë si e bën këtë.

^ par. 14 Nuk mund të ketë shembull më të madh të mirësisë së Jehovait se shpërblesa. Nga miliona e miliona krijesa frymore prej të cilave mund të zgjidhte, Jehovai zgjodhi Birin e tij të dashur e të vetëmlindur, që të vdiste për ne.

^ par. 18 Me arsye të vlefshme, Bibla e lidh të vërtetën me dritën. «Dërgoje dritën dhe të vërtetën tënde»,​—këndoi psalmisti. (Psalmi 43:3) Jehovai u jep dritë frymore me bollëk atyre që janë të gatshëm të mësohen ose të ndriçohen prej tij.​—2 Korintasve 4:6; 1 Gjonit 1:5.