Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 29

‘Të njohim dashurinë e Krishtit’

‘Të njohim dashurinë e Krishtit’

1-3. (a) Çfarë e motivoi Jezuin që të donte të ishte si Ati i tij? (b) Cilat tipare të dashurisë së Jezuit do të shqyrtojmë?

A KE parë ndonjëherë një djalë të vogël që përpiqet të jetë si babai i tij? Djali mund ta imitojmë babanë në mënyrën si ecën, si flet ose si vepron. Me kalimin e viteve mund të përvetësojë edhe vlerat morale e frymore të babait. Pikërisht, dashuria dhe admirimi që ka një bir për babanë e tij të dashur e shtyn të dojë të jetë si i ati.

2 Ç’të themi për marrëdhënien që ekziston ndërmjet Jezuit dhe Atit të tij qiellor? «Unë e dua Atin»,​—tha Jezui në një rast. (Gjoni 14:31) Askush s’mund ta dojë Jehovain më shumë se ky Bir, i cili ishte me Atin shumë kohë para se të vinte në ekzistencë çfarëdo krijese tjetër. Kjo dashuri e motivoi këtë Bir të përkushtuar ndaj Atit që të donte të ishte si Ai.​—Gjoni 14:9.

3 Në kapitujt e mëparshëm të këtij libri kemi trajtuar se si e imitoi me përsosmëri Jezui fuqinë, drejtësinë dhe mençurinë e Jehovait. Po dashurinë e Atit të tij, si e pasqyroi Jezui? Le të shqyrtojmë tri tipare të dashurisë së Jezuit: frymën vetëmohuese, dhembshurinë e butë dhe gatishmërinë për të falur.

«Askush nuk ka dashuri më të madhe sesa kjo»

4. Si la Jezui shembullin më të madh për sa i përket dashurisë vetëmohuese?

4 Jezui la një shembull të jashtëzakonshëm për sa i përket dashurisë vetëmohuese. Vetëmohimi përfshin t’i vësh me altruizëm nevojat dhe interesat e të tjerëve mbi të tuat. Si tregoi Jezui një dashuri të tillë? Ai vetë shpjegoi: «Askush nuk ka dashuri më të madhe sesa kjo, që dikush të japë shpirtin e vet për miqtë e tij.» (Gjoni 15:13) Me gatishmëri, Jezui dha jetën e tij të përsosur për ne. Kjo ishte shprehja më e madhe e dashurisë që ka treguar ndonjëherë një njeri. Por Jezui tregoi dashuri vetëmohuese edhe në mënyra të tjera.

5. Pse largimi nga qielli ishte një sakrificë e bërë me dashuri nga Biri i vetëmlindur i Perëndisë?

5 Në ekzistencën e tij paranjerëzore, Biri i vetëmlindur i Perëndisë kishte një pozitë të privilegjuar e të lartësuar në qiell. Ai ishte mik i ngushtë me Jehovain dhe me një mori krijesash frymore. Pavarësisht nga këto epërsi që kishte, ky Bir i dashur «e zbrazi veten dhe mori formën e një skllavi, duke u bërë në ngjashmëri me njerëzit». (Filipianëve 2:7) Me gatishmëri, erdhi të jetonte mes njerëzve mëkatarë në një botë që «dergjet nën pushtetin e të ligut». (1 Gjonit 5:19) A nuk ishte kjo një sakrificë e bërë me dashuri nga Biri i Perëndisë?

6, 7. (a) Në cilat mënyra tregoi Jezui dashuri vetëmohuese gjatë shërbimit të tij tokësor? (b) Cilin shembull prekës të dashurisë altruiste gjejmë te Gjoni 19:25-27?

6 Gjatë gjithë shërbimit të tij tokësor, Jezui tregoi dashuri vetëmohuese në mënyra të ndryshme. Ai ishte krejtësisht altruist. Ishte kaq i përpirë nga shërbimi i tij, saqë sakrifikoi rehatitë normale me të cilat njerëzit janë mësuar. «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë ku të pushojnë,​—tha ai,​—por Biri i njeriut s’ka ku ta mbështetë kokën.» (Mateu 8:20) Duke qenë zdrukthëtar i zoti, Jezui mund të kishte përdorur ca kohë për të ndërtuar një shtëpi të rehatshme për vete ose për të bërë orendi të bukura, t’i shiste e kështu të kishte ca para mënjanë. Gjithsesi, nuk i përdori aftësitë e tij për të grumbulluar gjëra materiale.

7 Një shembull vërtet prekës të dashurisë vetëmohuese të Jezuit e gjejmë te Gjoni 19:25-27. Përfytyro se sa shumë gjëra duhet të ketë pasur në mendje e në zemër Jezui pasditen kur vdiq. Ndërsa vuante në shtyllë, ishte në merak për dishepujt e tij, për veprën e predikimit, e sidomos për besnikërinë e tij dhe si do të ndikonte ajo në emrin e Atit të vet. Në të vërtetë, krejt e ardhmja e njerëzimit varej prej tij. E megjithatë, disa çaste para se të vdiste Jezui u interesua edhe për nënën e vet, Marinë, e cila me sa duket në atë kohë ishte vejushë. Jezui i kërkoi apostullit Gjon që të kujdesej për Marinë si ta kishte nënën e tij, e më pas apostulli e mori Marinë në shtëpinë e tij. Pra, Jezui mori masa që dikush të kujdesej për nevojat fizike e frymore të nënës së tij. Ç’shprehje e butë e dashurisë altruiste!

«U shty nga keqardhja»

8. Cila është domethënia e fjalës greke që përdor Bibla për të përshkruar dhembshurinë e Jezuit?

8 Jezui, ashtu si Ati i tij, ishte i dhembshur. Shkrimet e përshkruajnë Jezuin si një njeri që u gjendej pranë njerëzve që vuanin, sepse prekej thellë. Për të përshkruar dhembshurinë që kishte Jezui, Bibla përdor një fjalë greke që është përkthyer «u shty nga keqardhja». Një studiues thotë: «Kjo fjalë përshkruan . . . një ndjenjë që e prek njeriun në thellësi të qenies së tij. Në greqisht ajo është fjala më e fuqishme që mund të shprehë ndjenjën e dhembshurisë.» Shqyrto disa situata në të cilat Jezui veproi i shtyrë nga një dhembshuri e thellë.

9, 10. (a) Cilat ishin rrethanat që e bënë Jezuin dhe apostujt e tij të kërkonin një vend të qetë? (b) Kur një turmë i prishi qetësinë, si reagoi Jezui dhe përse?

9 I shtyrë t’u përgjigjej nevojave frymore. Tregimi te Marku 6:30-34 bën të qartë se çfarë e shtynte kryesisht Jezuin që të shprehte keqardhjen që ndiente. Përfytyro këtë skenë. Apostujt ishin të entuziazmuar, sepse sapo kishin përfunduar një udhëtim predikimi me shtrirje të gjerë. U kthyen te Jezui dhe me padurim i raportuan gjithçka kishin parë e dëgjuar. Por rreth tyre u mblodh një turmë e madhe, duke mos i lënë kohë as për të ngrënë Jezuit dhe apostujve të tij. Duke qenë gjithnjë njeri që i kapte gjërat shpejt, Jezui e vuri re se apostujt ishin të lodhur, prandaj u tha: «Ejani ju vetë veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak.» I hipën një barke dhe shkuan në një vend të qetë, në pjesën më veriore të detit të Galilesë. Por turma i pa që po iknin. Edhe të tjerë dëgjuan për këtë. Të gjithë këta u nisën me nxitim përgjatë bregut verior dhe mbërritën në anën tjetër para se të mbërrinte barka!

10 A u inatos Jezui që iu prish qetësia? Aspak! Ai u prek në zemër kur pa turmën që po e priste, e cila përbëhej nga mijëra veta. Marku shkroi: «Ai pa një turmë të madhe, por u shty nga keqardhja për ta, sepse ishin si dele pa bari. Dhe filloi t’u mësonte shumë gjëra.» Jezui i pa ata njerëz si individë që kishin nevoja frymore. Ishin si dele që kishin humbur rrugën e ishin të pashpresa, pasi s’kishin bari që t’i udhëhiqte ose t’i mbronte. Jezui e dinte se udhëheqësit fetarë zemërgur, nga të cilët pritej të ishin barinj të dashur, i kishin lënë pas dore njerëzit e thjeshtë. (Gjoni 7:47-49) Ai ndjeu keqardhje për njerëzit, kështu që filloi t’u mësonte «për mbretërinë e Perëndisë». (Luka 9:11) Vër re se Jezui ndjeu keqardhje për njerëzit para se të shihte cili do të ishte reagimi i tyre për gjërat që do t’u mësonte. Me fjalë të tjera, dhembshuria e butë nuk erdhi si rrjedhim pasi ai kishte mësuar turmën, por ishte motivi që e shtyu për t’i mësuar ata.

‘Ai shtriu dorën dhe e preku’

11, 12. (a) Si i shihnin njerëzit në kohët biblike të lebrosurit, por si reagoi Jezui kur iu afrua një njeri «plot lebër»? (b) Si mund të ketë ndikuar tek i lebrosuri prekja e Jezuit, dhe si e ilustron këtë përvoja e një mjeku?

11 I shtyrë të lehtësonte vuajtjet. Njerëzit që kishin sëmundje të ndryshme e ndienin se Jezui kishte dhembshuri, kështu që tërhiqeshin drejt tij. Kjo u bë e dukshme sidomos kur Jezuit, të cilin e ndiqnin pas turma njerëzish, iu afrua një njeri «plot lebër». (Luka 5:12) Në kohët biblike, të lebrosurit viheshin në karantinë, për t’i mbrojtur të tjerët që të mos infektoheshin. (Numrat 5:1-4) Por me kalimin e kohës udhëheqësit rabinikë nxitën një pikëpamje mizore për lebrën dhe i detyruan njerëzit të zbatonin rregullat e tyre shtypëse. * Mirëpo, vër re si iu përgjigj Jezui të lebrosurit: «Tek ai erdhi, gjithashtu, një i lebrosur, duke iu përgjëruar, madje duke rënë në gjunjë e duke i thënë: ‘Po të duash ti, mund të më bësh të pastër.’ Atëherë, ai u shty nga keqardhja, shtriu dorën, e preku dhe i tha: ‘Dua. Bëhu i pastër.’ Dhe menjëherë lebra iu zhduk.» (Marku 1:40-42) Jezui e dinte se, sipas ligjit, ai i lebrosur as që duhej të ishte atje. E megjithatë, në vend që ta dëbonte, u prek kaq thellë, saqë bëri diçka që as mund të mendohej. Jezui e preku këtë njeri!

12 A e përfytyron dot se çfarë donte të thoshte kjo prekje për të lebrosurin? Për ta ilustruar, shqyrto një përvojë. Dr. Pol Brandi, specialist për sëmundjen e lebrës, tregon për një të lebrosur që kuroi në Indi. Gjatë vizitës, mjeku ia vuri dorën në sup të lebrosurit dhe i shpjegoi, nëpërmjet një përkthyesi, mjekimin që duhej të bënte. Papritur, i lebrosuri filloi të qante. «Mos thashë ndonjë gjë që s’shkon?»​—pyeti mjeku. Përkthyesi e pyeti të riun në gjuhën e tij dhe u përgjigj: «Jo, doktor. Ai thotë se po qan ngaqë ju i vutë dorën në sup. Deri në çastin kur erdhi këtu, kishte vite që asnjeri s’e kishte prekur.» Për të lebrosurin që iu afrua Jezuit, ajo prekje donte të thoshte edhe më shumë. Pas asaj prekjeje, sëmundja që e kishte përjashtuar nga shoqëria u zhduk.

13, 14. (a) Cilin kortezh hasi Jezui kur po i afrohej qytetit të Nainit, dhe çfarë e bënte veçanërisht të trishtueshme këtë situatë? (b) Çfarë u shty të bënte Jezui nga dhembshuria për vejushën e Nainit?

13 I shtyrë për të larguar hidhërimin. Jezui prekej thellë kur i shihte të tjerët të hidhëruar. Për shembull, shqyrto tregimin që gjejmë te Luka 7:11-15. Kjo ngjarje ndodhi aty nga mesi i shërbimit të Jezuit, ndërsa iu afrua rrethinave të qytetit galileas të Nainit. Tek po i afrohej portës së qytetit, hasi një kortezh të përmortshëm. Në atë rast, rrethanat ishin veçanërisht tragjike. Kishte vdekur një i ri, i cili ishte djalë i vetëm dhe nënën e kishte vejushë. Ndoshta ajo kishte qenë edhe një herë tjetër në një kortezh të tillë, kur kishte përcjellë të shoqin. Kësaj radhe ishte i biri, i cili ndoshta kishte qenë e vetmja mbështetje për nënën. Në turmën që e shoqëronte mund të ketë pasur edhe disa vajtues të tjerë që bënin vaje, si dhe muzikantë që luanin melodi të përmortshme. (Jeremia 9:17, 18; Mateu 9:23) Gjithsesi, Jezui e fiksoi shikimin te nëna e hidhëruar jashtë mase, e cila pa dyshim ecte pranë vigut me të cilin po mbartnin trupin e birit të saj.

14 Jezui «u shty nga keqardhja» për nënën e pikëlluar. Me një ton që jepte siguri, i tha: «Mos qaj më!» Pa qenë i ftuar, u afrua dhe preku vigun. Ata që e mbartnin vigun, e ndoshta edhe gjithë turma, ndaluan. Me autoritet, Jezui i foli trupit të pajetë: «Djalosh, ty po të them: Ngrihu!» Ç’ndodhi më tej? «I vdekuri u çua ndenjur e zuri të flasë», sikur të ishte zgjuar nga një gjumë i rëndë! Më pas vijon një fjali prekëse: «Dhe [Jezui] ia dha së ëmës.»

15. (a) Cilën lidhje ndërmjet dhembshurisë dhe veprimit bëjnë të qartë tregimet biblike për Jezuin që ndiente keqardhje? (b) Si mund ta imitojmë Jezuin në këtë drejtim?

15 Çfarë mësojmë nga këto tregime? Në secilin rast, vër re lidhjen ndërmjet dhembshurisë dhe veprimit. Jezui s’mund të mos ndiente keqardhje kur shihte gjendjen e mjeruar të të tjerëve, e ndërkohë që ndiente dhembshuri nuk rrinte dot pa vepruar. Si mund ta ndjekim shembullin e tij? Si të krishterë, ne kemi detyrimin të predikojmë lajmin e mirë dhe të bëjmë dishepuj. Kryesisht motivohemi nga dashuria për Perëndinë. Por, le të mos harrojmë se kjo është edhe një vepër e shtyrë nga dhembshuria. Kur na dhimbsen njerëzit ashtu si i dhimbseshin Jezuit, zemra do të na shtyjë të bëjmë çmos për t’u dhënë lajmin e mirë. (Mateu 22:37-39) Po kur bëhet fjalë për t’u treguar dhembshuri bashkëbesimtarëve që po vuajnë ose që janë të hidhëruar? Nuk i shërojmë dot me ndonjë mrekulli vuajtjet fizike ose të ringjallim të vdekurit. Megjithatë, mund ta shprehim me veprime dhembshurinë, duke qenë të parët për të shprehur interesimin tonë ose për të siguruar ndihmën praktike që nevojitet.​—Efesianëve 4:32.

«Atë, fali»

16. Si u duk gatishmëria e Jezuit për të falur edhe kur ishte në shtyllën e torturës?

16 Jezui e pasqyroi me përsosmëri dashurinë e Atit të tij edhe në një mënyrë tjetër të rëndësishme: ishte ‘gati të falte’. (Psalmi 86:5) Kjo gatishmëri u duk edhe kur ishte në shtyllën e torturës. Çfarë tha Jezui, i detyruar t’i nënshtrohej një vdekjeje të turpshme, me gozhdët që i përshkonin tejpërtej duart e këmbët? A i thirri Jehovait që të ndëshkonte ata që e kishin ekzekutuar? Përkundrazi, ndër fjalët e fundit të Jezuit ishin edhe këto: «Atë, fali se nuk e dinë ç’po bëjnë.»​—Luka 23:34. *

17-19. Në cilat mënyra e tregoi Jezui se e kishte falur apostullin Pjetër, i cili e kishte mohuar tri herë?

17 Ndoshta një shembull edhe më prekës të faljes së Jezuit mund ta shohim në mënyrën se si veproi me apostullin Pjetër. S’ka asnjë dyshim se Pjetri e donte shumë Jezuin. Më 14 nisan, natën e fundit të jetës së Jezuit në tokë, Pjetri i tha: «Zotëri, jam gati të shkoj me ty qoftë në burg, qoftë në vdekje.» E megjithatë, vetëm disa orë pas kësaj Pjetri e mohoi tri herë edhe që e njihte Jezuin! Bibla na thotë se çfarë ndodhi kur Pjetri po mohonte për herë të tretë: «Zotëria u kthye dhe vështroi Pjetrin.» I dërrmuar nga pesha e mëkatit të tij, Pjetri «doli jashtë dhe qau me hidhërim». Kur Jezui vdiq pak më vonë po atë ditë, apostulli mund të ketë pyetur veten: ‘A do të më ketë falur vallë Zotëria im?’​—Luka 22:33, 61, 62.

18 Pjetrit nuk iu desh të priste shumë gjatë për të marrë përgjigjen. Jezui u ringjall mëngjesin e 16 nisanit dhe me sa duket po atë ditë i bëri vizitë Pjetrit personalisht. (Luka 24:34; 1 Korintasve 15:4-8) Pse Jezui i kushtoi një vëmendje të veçantë apostullit që e kishte mohuar me kaq forcë? Jezui mund të ketë dashur ta siguronte Pjetrin e penduar se Zotëria e tij e donte dhe e vlerësonte ende. Por Jezui nuk u mjaftua me kaq për ta qetësuar Pjetrin.

19 Ca kohë më vonë Jezui iu shfaq dishepujve në detin e Galilesë. Në këtë rast, Jezui e pyeti tri herë Pjetrin (i cili e kishte mohuar tri herë Zotërinë e tij) nëse e donte. Herën e tretë, Pjetri u përgjigj: «Zotëri, ti di gjithçka; ti e di mirë se unë të kam për zemër.» Në të vërtetë Jezui, i cili mund të lexonte zemrat, ishte plotësisht në dijeni të dashurisë dhe përzemërsisë që ndiente Pjetri për të. Gjithsesi, i dha Pjetrit një mundësi për ta vërtetuar dashurinë e tij. Përveç kësaj, Jezui e ngarkoi Pjetrin që të ‘ushqente’ dhe të ‘kulloste’ ‘delet e Tij të vogla’. (Gjoni 21:15-17) Më parë Pjetri kishte marrë caktimin për të predikuar. (Luka 5:10) Por tani, duke shfaqur në mënyrë të jashtëzakonshme besimin që kishte tek ai, Jezui i dha një përgjegjësi tjetër të madhe: të kujdesej për ata që do të bëheshin ithtarët e Krishtit. Pak kohë më pas, Jezui i dha Pjetrit një rol të spikatshëm në veprimtarinë e dishepujve. (Veprat 2:1-41) Sa i lehtësuar duhet të jetë ndier Pjetri kur mori vesh se Jezui e kishte falur dhe i besonte ende!

A e ‘njeh dashurinë e Krishtit’?

20, 21. Si mund ‘ta njohim dashurinë e Krishtit’ plotësisht?

20 Është e vërtetë që Fjala e Jehovait e përshkruan shumë bukur dashurinë e Krishtit. Por, si duhet t’i përgjigjemi ne dashurisë së tij? Bibla na nxit ‘të njohim dashurinë e Krishtit, e cila e tejkalon njohurinë’. (Efesianëve 3:19) Siç e kemi parë, tregimet e ungjijve për jetën dhe për shërbimin e Jezu Krishtit na mësojnë shumë për dashurinë e tij. Megjithatë, që të arrijmë ‘të njohim dashurinë e Krishtit’ plotësisht, duhet të bëjmë më shumë sesa vetëm të mësojmë se çfarë thotë Bibla për të.

21 Termi grek i përkthyer ‘të njohësh’ do të thotë të njohësh «në mënyrë praktike, nëpërmjet përvojës». Kur tregojmë dashuri ashtu siç e tregonte Jezui,​—duke shpenzuar vetveten me altruizëm për të tjerët, duke iu përgjigjur me dhembshuri nevojave të tyre, duke i falur nga zemra,​—atëherë mund t’i kuptojmë me të vërtetë ndjenjat e tij. Në këtë mënyrë, nëpërmjet përvojës arrijmë ‘të njohim dashurinë e Krishtit, e cila e tejkalon njohurinë’. Le të mos harrojmë kurrë se sa më shumë të bëhemi si Krishti, aq më shumë do t’i afrohemi atij që Jezui imitoi me përsosmëri, domethënë Perëndisë tonë të dashur, Jehovait.

^ par. 11 Sipas rregullave rabinike, askush nuk duhej të afrohej më shumë se katër kubitë (rreth 2 metra) me një të lebrosur. Por, në qoftë se frynte erë, atëherë i lebrosuri duhej të qëndronte të paktën 100 kubitë (45 metra) larg. Midrash Rabbah flet për një rabin i cili fshihej nga të lebrosurit ose për një tjetër që i gjuante me gurë të lebrosurit për t’i mbajtur larg. Prandaj, të lebrosurit e dinin sa e dhembshme ishte të mos pranoheshe nga të tjerët dhe të ndiheshe i përbuzur e i padëshiruar.

^ par. 16 Disa dorëshkrime të lashta e kanë hequr pjesën e parë të Lukës 23:34. Mirëpo, duke qenë se këto fjalë gjenden në shumë dorëshkrime të tjera të besueshme, janë përfshirë në Përkthimin Bota e Re dhe në shumë përkthime të tjera. Nga sa duket, Jezui po fliste për ushtarët romakë që e kishin vënë në shtyllë. Këta nuk e dinin se çfarë po bënin, duke mos qenë të vetëdijshëm se kush ishte në të vërtetë Jezui. Sigurisht, udhëheqësit fetarë që nxitën atë ekzekutim ishin shumë më tepër fajtorë, sepse vepruan me vetëdije dhe me keqdashje. Për shumë prej tyre s’ishte e mundur falja.​—Gjoni 11:45-53.