Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 2

Letër nga një Perëndi i dashur

Letër nga një Perëndi i dashur

MË THUAJ, cili libër të pëlqen më shumë nga të gjithë? . . . Disa fëmijë pëlqejnë një libër që flet për kafshët, kurse të tjerë librat që kanë shumë figura brenda. Këta libra të kënaqin kur i lexon.

Por librat më të mirë në botë janë ata që na tregojnë të vërtetën për Perëndinë. Njëri nga këta libra është më i çmuari nga gjithë të tjerët. Cili është ky libër? . . . Bibla.

Pse Bibla është një libër kaq i rëndësishëm? . . . Sepse ka ardhur nga Perëndia. Bibla na tregon për Perëndinë dhe për gjërat e mira që ai do të bëjë për ne. Na tregon edhe çfarë duhet të bëjmë ne që t’i pëlqejmë atij. Bibla është si një letër që na e ka dërguar Perëndia.

Vërtet, Perëndia mund ta kishte shkruar të gjithë Biblën në qiell, e pastaj t’ua jepte njerëzve. Por nuk e bëri këtë. Edhe pse mendimet erdhën nga Perëndia, ai përdori shërbëtorët e tij që ishin në tokë për të shkruar pjesën më të madhe të Biblës.

Si e bëri Perëndia këtë? . . . Për ta kuptuar, mendo një shembull. Kur dëgjojmë në radio zërin e dikujt, ky zë mund të vijë nga një njeri që është shumë larg. Kur shohim televizor, mund të shohim madje dhe figurat e njerëzve që janë në shtete të tjera të botës dhe mund të dëgjojmë se çfarë po thonë.

Njerëzit mund të shkojnë edhe deri në hënë me anije kozmike e të dërgojnë mesazhe në tokë që nga hëna. A e dije këtë? . . . Në qoftë se njerëzit mund ta bëjnë këtë, po Perëndia, a mund të dërgojë mesazhe nga qielli? . . . Sigurisht që mundet! Këtë ai e ka bërë shumë kohë përpara se njerëzit të kishin radio ose televizor.

Si e dimë që Perëndia mund të flasë me ne, edhe pse është shumë larg?

Moisiu ishte një njeri që dëgjoi Perëndinë të fliste. Ai s’mund ta shihte Perëndinë, por mund t’i dëgjonte zërin. Kur ndodhi kjo, miliona njerëz gjendeshin aty. Atë ditë Perëndia bëri që një mal i tërë të dridhej dhe përreth kishte bubullima e vetëtima. Njerëzit e dinin se kishte folur Perëndia, por kishin shumë frikë, prandaj i thanë Moisiut: «Të mos na flasë Perëndia, nga frika se mos vdesim.» Më vonë Moisiu i shkroi ato që i kishte thënë Perëndia. Gjërat që shkroi Moisiu janë në Bibël.Dalja 20:18-21.

Moisiu shkroi pesë librat e parë të Biblës. Por s’ishte i vetmi njeri që shkroi Biblën. Për këtë punë Perëndia përdori rreth 40 burra. Këta burra kanë jetuar shumë kohë më parë, dhe u deshën shumë vjet për ta mbaruar Biblën. Po, u deshën rreth 1.600 vjet. Ajo që të mahnit është që edhe pse disa nga këta burra nuk e njohën njëri-tjetrin, të gjitha gjërat që shkruan përputhen midis tyre.

Si e kanë emrin këta shkrimtarë të Biblës?

Disa burra që Perëndia përdori për të shkruar Biblën ishin të famshëm. Moisiu, për shembull, më përpara kishte qenë bari, por u bë udhëheqësi i kombit të Izraelit. Mbreti Solomon ishte njeriu më i mençur dhe më i pasur në botë. Kurse shkrimtarë të tjerë nuk ishin kaq të famshëm. Amosi, për shembull, kujdesej për pemët e fiqve.

Pastaj, një shkrimtar i Biblës ishte mjek. Si e kishte emrin? . . . Luka. Një shkrimtar tjetër kishte qenë taksambledhës. Ai ishte Mateu. Një tjetër kishte qenë avokat, specialist në ligjin fetar judaik. Ai shkroi më shumë libra të Biblës se çdo shkrimtar tjetër. Cili ishte ky? . . . Ishte Pavli. Kurse Pjetri dhe Gjoni, dishepuj të Jezuit që ishin edhe shkrimtarë të Biblës, kishin qenë peshkatarë.

Shumë nga këta shkrimtarë të Biblës shkruan për gjërat që do të bënte Perëndia në të ardhmen. Nga i dinin ata këto gjëra para se të ndodhnin? . . . Ua kishte treguar Perëndia. Ai u kishte thënë çfarë do të ndodhte.

Kur Mësuesi i Madh, Jezui, erdhi në tokë, një pjesë e madhe e Biblës ishte shkruar tashmë. Mos harro se Mësuesi i Madh më parë kishte qenë në qiell. Ai e dinte se çfarë kishte bërë Perëndia. A e besonte ai se Bibla vinte nga Perëndia? . . . Po, e besonte.

Kur u tregonte njerëzve për veprat e Perëndisë, Jezui u lexonte atyre nga Bibla. Nganjëherë e thoshte përmendësh se çfarë ishte shkruar aty. Veç kësaj, Jezui na dha edhe më tepër njohuri që vinte nga Perëndia. Ai tha: «Ato gjëra që dëgjova prej tij, po i them në botë.» (Gjoni 8:26) Jezui kishte dëgjuar nga Perëndia shumë gjëra, sepse kishte jetuar me të. Ku mund t’i lexojmë gjërat që tha Jezui? . . . Në Bibël. Të gjitha gjërat u shkruan aty që t’i lexojmë ne.

Kuptohet se kur Perëndia përdori njerëz për të shkruar, ata shkruan në gjuhën që flitnin çdo ditë. Kështu që pjesa më e madhe e Biblës u shkrua në hebraisht, disa pjesë në aramaisht dhe shumë të tjera në greqisht. Meqenëse sot shumica e njerëzve nuk dinë t’i lexojnë këto gjuhë, Bibla është përkthyer në gjuhë të tjera. Sot, disa pjesë të Biblës mund të lexohen në më shumë se 2.260 gjuhë. Mendo pak për këtë. Bibla është letra që Perëndia u ka dërguar njerëzve kudo që janë. Por edhe pse është kopjuar shumë herë, prapëseprapë mesazhi është mesazhi i Perëndisë.

Gjërat që thotë Bibla kanë rëndësi për ne. Ajo u shkrua shumë kohë më parë, por tregon për gjëra që po ndodhin sot. Gjithashtu, na tregon se çfarë do të bëjë Perëndia së shpejti. Gjërat që thotë ajo na gëzojnë shumë. Bibla na jep një shpresë të mrekullueshme.

Çfarë gjërash mund të mësosh duke lexuar Biblën?

Bibla na tregon edhe se si dëshiron Perëndia që të jetojmë. Na thotë çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Ti duhet ta mësosh këtë, e po ashtu edhe unë. Bibla na tregon për njerëz që bënë gjëra të këqija dhe çfarë u ndodhi atyre. Kështu, ne mund të shmangim problemet që patën ata. Na tregon edhe për njerëz që bënë çfarë ishte e drejtë dhe për gjërat e mira që u ndodhën. Të gjitha u shkruan për të mirën tonë.

Por, që të përfitojmë sa më shumë nga Bibla, duhet të dimë përgjigjen e një pyetjeje. Pyetja është: Kush na e dha Biblën? Si do të përgjigjeshe ti? . . . Po, e gjithë Bibla vjen nga Perëndia. Atëherë, si mund ta tregojmë se jemi vërtet të mençur? . . . Duke e dëgjuar Perëndinë dhe duke bërë atë që thotë ai.

Prandaj, duhet të gjejmë kohë për ta lexuar Biblën bashkë. Kur marrim një letër nga një njeri që e duam shumë, e lexojmë atë shumë herë. E kemi të shtrenjtë atë letër. Kështu duhet të jetë edhe Bibla për ne, sepse është një letër që vjen nga Ai që na do më shumë se të gjithë. Është një letër nga Perëndia ynë i dashur.

Tani, për disa minuta le të lexojmë këto shkrime që tregojnë se Bibla është vërtet Fjala e Perëndisë, e shkruar për të mirën tonë: Romakëve 15:4; 2 Timoteut 3:16, 17 dhe 2 Pjetrit 1:20, 21.