Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 9

Duhet t’u kundërvihemi tundimeve

Duhet t’u kundërvihemi tundimeve

A TË ka kërkuar ndonjëherë dikush që të bësh diçka të gabuar? . . . A të talli duke të thënë se nuk e bëje dot? Apo të tha se do të ishte qejf dhe nuk do të ishte e gabuar? . . . Kur dikush vepron kështu me ne, po përpiqet të na tundojë.

Çfarë duhet të bëjmë kur na tundojnë? A duhet të dorëzohemi dhe të bëjmë gjëra të gabuara? . . . Kjo nuk do t’i pëlqente Perëndisë Jehova. Por, kush do të ishte i lumtur po të vepronim keq? . . . Po, Satana Djalli do të ishte i lumtur.

Satanai është armiku i Perëndisë, prandaj është edhe armiku ynë. Ne s’mund ta shohim, sepse ai është person frymor, por ai mund të na shohë. Një ditë Djalli foli me Jezuin, Mësuesin e Madh, dhe u përpoq ta tundonte. Le të shohim bashkë çfarë bëri Jezui. Atëherë do të dimë se cila është gjëja e duhur që duhet të bëjmë kur na tundojnë.

Çfarë mund të ketë filluar të rikujtojë Jezui kur u pagëzua?

Jezui donte të bënte gjithnjë vullnetin e Perëndisë. E tregoi hapur këtë duke u pagëzuar në lumin Jordan. Menjëherë pas pagëzimit të tij, Satanai u përpoq ta tundonte. Bibla thotë se Jezuit ‘iu hapën qiejt’. (Mateu 3:16) Kjo mund të nënkuptojë që pas pagëzimit Jezuit filloi t’i kujtohej gjithçka për jetën që kishte bërë më parë në qiell me Perëndinë.

Pas pagëzimit, Jezui shkoi në një shkretëtirë që të mendonte për gjërat që kishin filluar t’i kujtoheshin. Kaluan dyzet ditë dhe dyzet net. Gjatë gjithë kësaj kohe Jezui nuk hëngri asgjë, prandaj tani kishte shumë uri. Në këtë kohë Satanai u përpoq ta tundonte Jezuin.

Si i përdori Djalli gurët për të tunduar Jezuin?

Djalli i tha: «Nëse je bir i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë.» Sa mirë do të kishte qenë për Jezuin të hante ca bukë! Por, a i kthente dot Jezui gurët në bukë? . . . Po, mund t’i kthente. Pse? Sepse Jezui, Biri i Perëndisë, kishte fuqi të veçanta.

Po të ta kishte kërkuar ty Djalli, a do ta kishe kthyer një gur në një copë bukë? . . . Jezui kishte uri. Prandaj, a do të ishte gabim po ta kishte bërë vetëm një herë këtë? . . . Jezui e dinte se ishte e gabuar që t’i përdorte fuqitë e tij në këtë mënyrë. Jehovai ia kishte dhënë këto fuqi që t’i tërhiqte njerëzit te Perëndia, jo që t’i përdorte për veten e tij.

Prandaj, në vend që t’i kthente gurët në bukë, Jezui i tha Satanait atë që është shkruar në Bibël: ‘Njeriu nuk duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.’ Jezui e dinte se të bësh atë që i pëlqen Jehovait është edhe më e rëndësishme se të kesh bukë për të ngrënë.

Por Djalli u përpoq prapë. E çoi Jezuin në Jerusalem dhe e vuri në një pjesë të lartë të tempullit. Pastaj Satanai i tha: ‘Po të jesh bir i Perëndisë, hidhu që këtu. Sepse është shkruar që engjëjt e Perëndisë do të të ruajnë, që të mos vritesh.’

Pse e tha Satanai këtë? . . . E tha që ta tundonte Jezuin për të bërë një gjë jo të mençur. Por përsëri ai nuk e dëgjoi Satanain. Jezui i tha: «Është shkruar: ‘Nuk duhet ta vësh në provë Jehovain, Perëndinë tënd.’» Jezui e dinte se ishte e gabuar ta vinte në provë Jehovain, duke e vënë në rrezik jetën e vet.

Por, prapë Satanai nuk u dorëzua. E çoi Jezuin në një mal shumë të lartë. Atje i tregoi të gjitha mbretëritë ose qeveritë e botës dhe lavdinë e tyre. Pastaj Satanai i tha Jezuit: «Të gjitha këto gjëra do të t’i jap, nëse bie përmbys dhe më bën një akt adhurimi.»

Mendo pak për atë që i vuri përpara Djalli. A ishin vërtet të tijat të gjitha këto mbretëri ose qeveri të njerëzve? . . . Jezui s’tha që ato nuk ishin të Satanait. Do ta kishte thënë po të mos kishin qenë vërtet të Satanait. Po, Satanai është vërtet sundimtari i të gjitha kombeve të botës. Bibla madje e quan atë «sundimtari i kësaj bote».Gjoni 12:31.

Pse Satanai mund t’ia vinte përpara Jezuit të gjitha këto mbretëri?

Çfarë do të bëje ti nëse Djalli do të të premtonte diçka po ta adhuroje? . . . Jezui e dinte se do të ishte e gabuar ta adhuronte Djallin, pavarësisht se çfarë mund të merrte nga ai. Prandaj, Jezui i tha: ‘Ik, Satana! Sepse Bibla thotë që vetëm Perëndinë Jehova duhet të adhurosh dhe duhet t’i shërbesh vetëm atij.’Mateu 4:1-10; Luka 4:1-13.

Çfarë do të bësh ti, në qoftë se tundohesh?

Edhe ne kemi tundime. A di disa prej tyre? . . . Ja një shembull. Mamaja mund të bëjë një ëmbëlsirë ose kek të shijshëm për ta ngrënë pas buke. Ndoshta të thotë që nuk duhet të hash prej tij derisa të vijë koha për të ngrënë. Por ti ke shumë uri, prandaj mund të tundohesh për ta ngrënë. A do t’i bindesh mamasë? . . . Satanai do që të mos i bindesh asaj.

Kujto Jezuin. Edhe ai kishte shumë uri, por e dinte që t’i pëlqente Perëndisë ishte më e rëndësishme se të hante ushqim. Kur bën atë që të thotë mamaja, ti po tregon se je si Jezui.

Ndoshta disa fëmijë të tjerë do të të japin që të pish disa ilaçe. Mund të të thonë se këto do të bëjnë të ndihesh shumë i gëzuar. Por këto ilaçe mund të jenë drogë. Ato mund të të sëmurin rëndë, madje mund të vdesësh prej tyre. Ose dikush mund të të zgjatë një cigare (edhe ajo përmban droga të ndryshme), e të të tallë duke thënë se ti nuk e pi dot ngaqë je frikacak. Çfarë do të bësh? . . .

Kujto prapë Jezuin. Satanai u përpoq ta bënte Jezuin që të rrezikonte jetën e tij, duke i thënë që të hidhej nga tempulli. Por Jezui nuk e bëri. Çfarë do të bësh në qoftë se dikush të nxit që të bësh diçka të rrezikshme? . . . Jezui nuk e dëgjoi Satanain. As ti nuk duhet t’i dëgjosh ata që përpiqen të ta mbushin mendjen për të bërë gjëra të gabuara.

Pse është e gabuar të përdoren shëmbëlltyrat në adhurim?

Ndonjë ditë mund të të kërkojnë të bësh një akt adhurimi ndaj një shëmbëlltyre, diçka që Bibla thotë se nuk duhet ta bëjmë. (Dalja 20:4, 5) Kjo mund të jetë pjesë e një ceremonie në shkollë. Mund të të thuhet se po të mos e bësh këtë, nuk të pranojnë më në shkollë. Çfarë do të bësh? . . .

Është e lehtë të bëjmë gjëra të drejta kur të gjithë të tjerët veprojnë po kështu. Por mund të jetë shumë e vështirë kur të tjerët përpiqen të na e mbushin mendjen që të bëjmë gjëra të gabuara. Ata mund të thonë se kjo që po bëjnë nuk është me të vërtetë e keqe. Por pyetja e rëndësishme është: çfarë thotë Perëndia për këtë? Ai i di më mirë gjërat.

Prandaj, çfarëdo që të thonë të tjerët, nuk duhet të bëjmë kurrë gjëra që Perëndia thotë se janë të gabuara. Në këtë mënyrë do ta bëjmë gjithnjë të lumtur Perëndinë dhe nuk do ta kënaqim asnjëherë Djallin.

Për të gjetur më shumë informacion se si t’u kundërvihemi tundimeve për të bërë gjëra të këqija, le të lexojmë Psalmin 1:1, 2; Proverbat 1:10, 11; Mateun 26:41 dhe 2 Timoteut 2:22.