Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 14

Pse duhet t’i falim të tjerët?

Pse duhet t’i falim të tjerët?

A KA bërë ndonjëherë dikush diçka të gabuar ndaj teje? . . . A të lëndoi ose të tha diçka të pakëndshme? . . . A duhet ta trajtosh në të njëjtën mënyrë të pakëndshme që të trajtoi ai? . . .

Në qoftë se i lëndon dikush, shumë njerëz ia kthejnë duke e lënduar njësoj. Por Jezui na mësoi se duhet t’i falim ata që bëjnë diçka të gabuar ndaj nesh. (Mateu 6:12) Po sikur një njeri të sillet keq me ne shumë herë? Sa herë duhet ta falim? . . .

Këtë donte të dinte edhe Pjetri. Prandaj një ditë e pyeti Jezuin: ‘A duhet ta fal dikë deri në shtatë herë?’ Por shtatë herë nuk mjafton. Jezui i tha: ‘Duhet ta falësh deri në shtatëdhjetë e shtatë herë’ nëse ai njeri mëkaton kaq herë kundër teje.

Çfarë donte të dinte Pjetri për faljen?

Aq sa tha Jezui janë shumë herë! As që do t’i mbanim dot mend kaq shumë gabime ose gjëra të këqija që na ka bërë një njeri, apo jo? Pikërisht këtë po na thoshte Jezui: duhet të përpiqemi të mos e kujtojmë numrin e gabimeve që të tjerët mund të bëjnë ndaj nesh. Në qoftë se ata na kërkojnë t’i falim, duhet t’i falim.

Jezui donte t’u tregonte dishepujve sa e rëndësishme është të falim të tjerët. Prandaj, pasi iu përgjigj pyetjes së Pjetrit, ai u tregoi një histori dishepujve të tij. A ke qejf ta dëgjosh? . . .

Dikur, në të kaluarën, jetonte një mbret i mirë. Ai ishte shumë i dashur. U jepte para borxh skllevërve të tij kur kishin nevojë. Por erdhi dita kur mbreti donte që skllevërit që i kishin marrë para borxh t’ia kthenin ato. Kështu, i sollën përpara një skllav që i kishte borxh 60 milionë monedha. Këto janë shumë para.

Çfarë ndodhi kur skllavi iu lut mbretit që t’i linte kohë për të paguar borxhin?

Por skllavi i kishte harxhuar të gjitha paratë e mbretit dhe nuk ia kthente dot. Atëherë mbreti dha urdhër që këtë skllav ta shitnin. Mbreti tha edhe të shitnin gruan e atij skllavi, fëmijët e tij e çdo gjë që kishte. Pastaj, me paratë që do të fitoheshin nga këto shitje do t’i paguhej borxhi mbretit. Si mendon, si u ndie skllavi nga kjo? . . .

Ai ra në gjunjë para mbretit dhe iu lut: ‘Të lutem, më lër edhe ca kohë dhe do të të kthej gjithçka që të kam borxh.’ Po të kishe qenë ti mbreti, çfarë do të kishe bërë me skllavin? . . . Mbretit i erdhi keq për skllavin e tij, prandaj e fali. I tha skllavit që nuk duhej t’i kthente më asgjë, as edhe një nga 60 milionë monedhat që i kishte borxh. Sa i lumtur duhet të jetë ndier skllavi nga kjo!

Por, çfarë bëri më pas ai? Doli përjashta dhe gjeti një skllav tjetër, i cili i kishte borxh vetëm njëqind monedha. Ai e kapi për gryke këtë skllav dhe po e mbyste, duke i thënë: ‘M’i kthe njëqind monedhat që më ke borxh!’ A mendon dot që një njeri të bëjë diçka të tillë, sidomos pasi mbreti i kishte falur një shumë kaq të madhe parash? . . .

Si e trajtoi skllavi shokun e tij që nuk ia paguante dot borxhin?

Skllavi që kishte borxhin prej njëqind monedhash ishte i varfër. Nuk i paguante dot menjëherë paratë. Prandaj i ra ndër këmbë skllavit tjetër dhe iu lut: ‘Të lutem, më lër edhe ca kohë dhe do të t’i kthej ato që të kam borxh.’ A duhej t’i kishte lënë ai njeri edhe ca kohë skllavit tjetër? . . . Çfarë do të kishe bërë ti? . . .

Ky njeri nuk u tregua i mirë, siç ishte treguar mbreti. Ai i donte menjëherë paratë e tij. Duke qenë se skllavi tjetër nuk ia paguante dot, ky e futi në burg. Skllevërit e tjerë e panë gjithçka që ndodhi dhe nuk u pëlqeu. U erdhi keq për skllavin që ishte në burg. Prandaj shkuan dhe i treguan gjithçka mbretit.

As mbretit nuk i pëlqeu ajo që kishte ndodhur. Ai u zemërua shumë me skllavin që nuk e kishte falur shokun e tij. Prandaj e thirri dhe i tha: ‘Ti, skllav i keq, a nuk t’i fala unë ato që më kishe borxh? A nuk duhej ta kishe falur edhe ti shokun tënd, skllavin tjetër?’

Çfarë bëri mbreti me skllavin që s’kishte falur shokun e vet?

Skllavi që nuk falte duhej të kishte mësuar diçka nga mbreti i mirë, por nuk kishte mësuar asgjë. Prandaj, tani mbreti urdhëroi që skllavin ta futnin në burg derisa t’i paguante 60 milionë monedhat. E sigurisht në burg nuk mund t’i fitonte kurrë paratë për t’ia kthyer mbretit. Pra, do të qëndronte atje derisa të vdiste.

Duke mbaruar historinë, Jezui u tha dishepujve të tij: «Në mënyrë të ngjashme do të veprojë edhe Ati im qiellor me ju, po të mos e falni secili vëllanë e tij nga zemra.»Mateu 18:21-35.

Duhet të kuptosh se të gjithë ne i kemi një borxh shumë të madh Perëndisë. Edhe vetë jeta jonë vjen nga Perëndia. Prandaj, kur mendojmë për borxhin që i kemi ne Perëndisë, ai që na kanë njerëzit e tjerë është shumë i vogël në krahasim me të. Borxhi që na kanë ata është si njëqind monedhat që njëri skllav i kishte shokut të tij. Por borxhi që i kemi ne Perëndisë, për shkak të gjërave të gabuara që bëjmë, është si 60 milionë monedhat që skllavi i kishte mbretit.

Perëndia është shumë i mirë. Edhe pse kemi bërë gjëra të gabuara, ai na fal. Nuk na vë të paguajmë duke na e hequr jetën përgjithmonë. Por mësimi që duhet të mbajmë mend është ky: Perëndia na fal vetëm në rast se ne i falim njerëzit që gabojnë ndaj nesh. Kjo është diçka për të cilën duhet të mendohemi mirë, apo jo? . . .

Çfarë do të bësh nëse dikush të kërkon falje?

Prandaj, nëse dikush bën diçka të pakëndshme kundër teje, por pastaj thotë më fal, çfarë do të bësh? A do ta falësh? . . . Po sikur kjo të përsëritet shumë herë? A do ta falësh përsëri? . . .

Në qoftë se do të ishim ne ata që kërkojnë falje, do të donim që personi tjetër të na falte, apo jo? . . . Prandaj, duhet të bëjmë të njëjtën gjë me të. Jo vetëm që duhet të themi se e falim, por duhet që vërtet ta falim me gjithë zemër. Kur veprojmë kështu, tregojmë se duam vërtet të jemi dishepuj të Mësuesit të Madh.

Për të kuptuar sa e rëndësishme është të falim të tjerët, le të lexojmë edhe Proverbat 19:11; Mateun 6:14, 15 dhe Lukën 17:3, 4.