Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 18

A kujtohesh të thuash faleminderit?

A kujtohesh të thuash faleminderit?

A HËNGRE bukë sot? . . . Kush e bëri gjellën, e di? . . . Ndoshta e bëri mamaja ose dikush tjetër, por, përse duhet të falënderojmë Perëndinë për ushqimin? . . . Sepse Perëndia bën që të rriten bimët e të kemi ushqim. Megjithatë, duhet të falënderojmë edhe atë që e përgatiti ushqimin ose atë që na e solli.

A nuk është e vërtetë se nganjëherë ne harrojmë të themi faleminderit kur të tjerët bëjnë gjëra të mira për ne? Kur Mësuesi i Madh ishte në tokë, disa të lebrosur harruan të thoshin faleminderit.

Çfarë është një i lebrosur, a e di? . . . I lebrosuri është ai njeri i cili ka sëmundjen që quhet lebër. Madje nga kjo sëmundje njeriut mund t’i bien disa pjesë të mishit copa-copa. Në kohën kur Jezui ishte në tokë, të lebrosurit duhej të jetonin larg njerëzve të tjerë. E në qoftë se i lebrosuri shihte një njeri tjetër që po vinte, duhej të thërriste për ta paralajmëruar atë njeri që t’i qëndronte larg. Kjo bëhej me qëllim që njerëzit e tjerë të mos afroheshin shumë, e ndoshta të merrnin sëmundjen e lebrës.

Jezui ishte shumë i mirë me të lebrosurit. Një ditë, kur po shkonte në Jerusalem, Jezui duhej të kalonte përmes një fshati të vogël. Kur iu afrua fshatit, dhjetë të lebrosur dolën që ta takonin. Ata kishin dëgjuar që Jezuit i kishte dhënë Perëndia fuqi për të shëruar çdo lloj sëmundjeje.

Të lebrosurit nuk iu afruan Jezuit. Ata qëndruan në njëfarë largësie. Por besonin se Jezui mund t’ua hiqte lebrën. Prandaj, kur e panë Mësuesin e Madh, i thirrën: ‘Jezu, Mësues, na ndihmo!’

A të vjen keq për njerëzit që janë të sëmurë? . . . Jezuit i erdhi keq. Ai e dinte sa shumë vuante një njeri që kishte sëmundjen e lebrës. Prandaj u përgjigj: «Shkoni dhe paraqituni te priftërinjtë.»Luka 17:11-14.

Çfarë po u thotë Jezui këtyre të lebrosurve që të bëjnë?

Pse u tha Jezui të vepronin kështu? Sepse kishte një ligj për të lebrosurit, të cilin Jehovai ia kishte dhënë popullit të Tij. Në këtë ligj thuhej se prifti i Perëndisë duhej ta kontrollonte mishin e një të lebrosuri. Prifti do t’i thoshte të lebrosurit kur i kishte ikur e gjithë sëmundja. Pasi i lebrosuri të ishte shëruar, mund të shkonte të jetonte përsëri me njerëzit që ishin mirë me shëndet.Levitiku 13:16, 17.

Por këta të lebrosur ishin ende sëmurë. Prandaj, a shkuan te prifti, ashtu si u tha Jezui të bënin? . . . Po, shkuan menjëherë. Këta burra duhet të kenë besuar se Jezui do t’ua kishte hequr sëmundjen. Çfarë ndodhi?

Po ja, ndërsa ishin rrugës për të shkuar te prifti, sëmundja u iku dhe mishi i tyre u shërua. Të gjithë u bënë mirë! Besimi i tyre te fuqia e Jezuit u shpërblye. Çfarë gëzimi që ndien ata! Por, tani, çfarë duhej të kishin bërë për të treguar mirënjohjen e tyre? Çfarë do të kishe bërë ti? . . .

Çfarë u kujtua që të bënte ky i lebrosur?

Njëri nga këta burra që ishin shëruar u kthye te Jezui. Ai filloi t’i jepte lavdi Jehovait, duke thënë fjalë të mira për të. Kjo ishte pikërisht ajo që duhej të bënte, sepse në të vërtetë fuqia për ta shëruar kishte ardhur nga Perëndia. Gjithashtu, njeriu i ra në gjunjë Mësuesit të Madh dhe e falënderoi. Ishte shumë mirënjohës për atë që kishte bërë Jezui.

Por, ç’të themi për nëntë burrat e tjerë? Jezui pyeti: ‘Ishin dhjetë të lebrosur që u shëruan, apo jo? Ku janë nëntë të tjerët? Vetëm njëri u kthye për t’i dhënë lavdi Perëndisë?’

Po, është e vërtetë. Vetëm njëri nga të dhjetët i dha lavdi Perëndisë dhe u kthye për të falënderuar Jezuin. Madje ky njeri ishte samaritan, vinte nga një komb tjetër. Nëntë burrat e tjerë nuk e falënderuan Perëndinë, e nuk falënderuan as Jezuin.Luka 17:15-19.

Cilit prej këtyre burrave i ngjan ti? Ne duam të jemi si samaritani, apo jo? . . . Prandaj, kur dikush bën diçka të mirë ndaj nesh, çfarë duhet të kujtohemi të bëjmë? . . . Duhet t’i themi faleminderit. Njerëzit shpesh harrojnë të thonë faleminderit. Por është mirë të themi faleminderit. Kur veprojmë kështu, Perëndia Jehova dhe Biri i tij, Jezui, kënaqen.

Si mund ta imitosh të lebrosurin që u kthye te Jezui?

Po të mendohesh, do të të vijë ndër mend se njerëzit kanë bërë shumë gjëra për ty. Për shembull, a ke qenë ndonjëherë sëmurë? . . . Ndoshta mund të mos kesh qenë kurrë aq i sëmurë sa ata dhjetë të lebrosur, por mund të kesh pasur një grip të fortë ose të ka dhembur barku. A u kujdes dikush për ty? . . . Mund të të ketë dhënë ndonjë ilaç dhe të ketë bërë gjëra të tjera për ty. A ishe i kënaqur që të ndihmoi të shëroheshe? . . .

Samaritani e falënderoi Jezuin që e shëroi, dhe kjo i solli kënaqësi Jezuit. Si mendon, a do të jenë të kënaqur mamaja ose babai yt po t’u thuash faleminderit kur bëjnë diçka për ty? . . . Po, do të jenë të kënaqur.

Pse është e rëndësishme të kujtohemi që të themi faleminderit?

Disa njerëz bëjnë gjëra për ty çdo ditë ose çdo javë. Ndoshta ata e kanë si punë që t’i bëjnë këto gjëra. Mund të jenë edhe të lumtur që i bëjnë ato. Por ndoshta ti mund të harrosh t’u thuash faleminderit. Mësuesja në shkollë mund të punojë shumë që të të ndihmojë të mësosh. Kjo është puna e saj. Por ajo do të jetë e kënaqur po ta falënderosh që po të ndihmon të mësosh.

Nganjëherë njerëzit bëjnë vetëm gjëra të vogla për ty. A ta ka mbajtur dikush derën hapur që të kaloje? Ose a të kalon ndonjëri ushqimin në tryezë kur hani? Është mirë të thuash faleminderit edhe për këto gjëra të vogla.

Në qoftë se kujtohemi t’u themi faleminderit njerëzve që janë këtu me ne, do ta kemi më të lehtë të kujtohemi t’i themi faleminderit Atit tonë që është në qiell. Sa shumë gjëra kemi, për të cilat duhet ta falënderojmë Jehovain! Ai na ka dhënë jetën dhe të gjitha gjërat e mira që e bëjnë jetën të kënaqshme. Prandaj, kemi çdo arsye për t’i dhënë lavdi Perëndisë, duke thënë fjalë të mira për të çdo ditë.

Lidhur me shprehjen e falënderimeve, lexo Psalmin 92:1; Efesianëve 5:20; Kolosianëve 3:17 dhe 1 Selanikasve 5:18.