Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 31

Ku të gjejmë ngushëllim?

Ku të gjejmë ngushëllim?

A NDIHESH ndonjëherë i trishtuar dhe i vetmuar? . . . A e pyet ndonjëherë veten nëse të do njeri? . . . Disa fëmijë e bëjnë këtë pyetje. Por Perëndia premton: «Unë nuk do të të harroj.» (Isaia 49:15) A nuk është e mrekullueshme kjo? . . . Po, Perëndia Jehova na do me të vërtetë!

Çfarë mendon, si ndihet kjo dele e vogël që ka humbur?

Një shkrimtar i Biblës tha: «Në rast se ati im dhe nëna ime do të më linin, vetë Jehovai do të më pranonte.» (Psalmi 27:10) Duke ditur këtë mund të gjejmë shumë ngushëllim, apo jo? . . . Po, Jehovai na thotë: «Mos ki frikë, sepse unë jam me ty. . . . Do të të ndihmoj me të vërtetë.»Isaia 41:10.

Por nganjëherë Jehovai lejon që Satanai të na shkaktojë probleme. Jehovai e lejon Satanain edhe që t’i vërë në provë shërbëtorët e Tij. Një herë, Djalli i shkaktoi kaq shumë vuajtje Jezuit, saqë ky i thirri Jehovait: «Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?» (Mateu 27:46) Edhe pse po vuante, prapëseprapë Jezui e dinte se Jehovai e donte. (Gjoni 10:17) Por ai e dinte edhe se Perëndia e lejon Satanain që t’i vërë në provë shërbëtorët e Tij dhe që t’u shkaktojë vuajtje atyre. Do ta shpjegojmë në një kapitull tjetër pse Perëndia e lejon Satanain që të bëjë këtë.

Kur jemi të vegjël, është e pamundur që të mos kemi frikë nganjëherë. Për shembull, a ke humbur ndonjëherë rrugën? . . . A kishe frikë? . . . Shumë fëmijë do të kishin frikë. Një herë, Mësuesi i Madh tregoi një histori për një që kishte humbur. Po s’ishte një fëmijë që kishte humbur. Ishte një dele.

Në disa gjëra edhe ti je si delet. Po si është e mundur? Delet, për shembull, nuk janë shumë të mëdha ose të forta. Ato kanë nevojë që dikush të kujdeset për to dhe t’i mbrojë. Njeriu që kujdeset për delet quhet bari.

Në këtë histori Jezui tregoi për një bari që kishte njëqind dele. Por njëra nga delet i humbi. Ndoshta ajo kishte dashur të shihte se çfarë kishte prapa kodrës. Mirëpo, s’kaloi shumë dhe delja ishte larguar nga të tjerat. A e mendon dot si është ndier delja kur ka parë rreth e rrotull dhe ka kuptuar që ishte krejt e vetme? . . .

Çfarë do të bënte bariu kur të shihte se i mungonte një dele? A do të thoshte se fajin e kishte delja, prandaj nuk do të shqetësohej për të? Apo do t’i linte 99 delet e tjera në një vend të sigurt e do të shkonte të kërkonte këtë dele? A do t’ia vlente gjithë ky mundim vetëm për një dele? . . . Po të ishe ti delja e humbur, a do të doje që bariu të dilte të të kërkonte? . . .

Kush është si bariu që ka shpëtuar këtë dele?

Bariu i donte shumë të gjitha delet e tij, edhe atë që kishte humbur. Prandaj doli ta kërkonte delen e humbur. Mendo sa e kënaqur duhet të ketë qenë delja e humbur tek shihte bariun që vinte drejt saj! Jezui tha se edhe bariu u gëzua shumë që gjeti delen e tij. U gëzua për të më shumë se për 99 të tjerat që nuk i kishin humbur. Mirë, pra, kush është si ai bari në historinë e Jezuit? Kush kujdeset për ne po aq shumë sa kujdesej ai bari për delet e tij? . . . Jezui tha se Ati i tij në qiell kujdeset. Ati i tij është Jehovai.

Perëndia Jehova është Bariu i Madh i popullit të tij. Ai i do të gjithë ata që i shërbejnë, edhe ata që janë të vegjël si ti. Nuk do që asnjëri nga ne të dëmtohet ose të shkatërrohet. Patjetër që është e mrekullueshme të dimë se Perëndia kujdeset kaq shumë për ne!Mateu 18:12-14.

A është Jehovai një person po aq i vërtetë për ty, sa ç’është babai yt ose ndonjë person tjetër?

A beson vërtet te Perëndia Jehova? . . . A është ai një person i vërtetë për ty? . . . Është e vërtetë që nuk mund ta shohim Jehovain, sepse ai është Frymë. Ai ka një trup që nuk mund ta shohim me sytë tanë. Por ai është një person i vërtetë dhe mund të na shohë ne. E di kur kemi nevojë për ndihmë. Ne mund t’i flasim atij në lutje, ashtu si flasim me një person tjetër në tokë. Jehovai dëshiron që ne të flasim me të në lutje.

Prandaj, po të ndihesh ndonjëherë i trishtuar ose i vetmuar, çfarë duhet të bësh? . . . Fol me Jehovain. Afroju atij dhe ai do të të ngushëllojë e do të të ndihmojë. Mos harro se Jehovai të do, edhe atëherë kur ndihesh sikur je vetëm fare. Le të marrim pak Biblën. Këtu te Psalmi 23, duke filluar me vargun 1, na thuhet: «Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë. Ai më bën të shtrihem në kullota plot bar; më drejton në vende pushimi të ujitura mirë.»

Shiko se çfarë shton shkrimtari në vargun 4: «Edhe pse eci në luginën e hijes së thellë, nuk kam frikë nga asgjë e keqe, sepse ti je me mua; shufra jote dhe shkopi yt janë gjërat që më ngushëllojnë.» Kështu ndihen njerëzit në qoftë se kanë si Perëndi Jehovain. Gjejnë ngushëllim kur kanë probleme. A ndihesh edhe ti kështu? . . .

Ashtu si një bari i dashur kujdeset për delet e tij, po ashtu Jehovai kujdeset shumë për shërbëtorët e tij. Ai u tregon atyre rrugën e drejtë nga duhet të shkojnë, dhe ata e ndjekin me gëzim. Edhe kur ka probleme përreth tyre, nuk kanë pse të kenë frikë. Bariu e përdor shufrën ose shkopin e tij për t’i mbrojtur delet nga kafshët që mund t’i dëmtojnë. Bibla na tregon se si Davidi, një bari i ri, i mbrojti delet e tij nga një luan dhe një ari. (1 Samuelit 17:34-36) Edhe shërbëtorët e Perëndisë e dinë se Jehovai do t’i mbrojë. Ndihen të sigurt sepse Perëndia është me ta.

Ashtu si një bari që mbron delet e tij, kush mund të na ndihmojë kur kemi probleme?

Jehovai i do vërtet delet e tij dhe kujdeset me butësi për to. Bibla thotë: ‘Si një bari ai do t’i drejtojë delet e tij. Me krahët e tij do t’i mbledhë së bashku qengjat.’Isaia 40:11.

A nuk ndihesh mirë tani që e di se Jehovai është i tillë? . . . A dëshiron të jesh një nga delet e tij? . . . Delet e dëgjojnë zërin e bariut të tyre. Ato qëndrojnë pranë tij. A e dëgjon ti Jehovain? . . . A qëndron pranë tij? . . . Atëherë s’ka pse të kesh asnjëherë frikë. Jehovai do të jetë me ty.

Jehovai kujdeset me dashuri për ata që i shërbejnë. Le të lexojmë bashkë çfarë thotë Bibla për këtë, te Psalmi 37:25; 55:22 dhe Luka 12:29-31.