Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 33

Jezui mund të na mbrojë

Jezui mund të na mbrojë

Si e sheh Jezuin: si një Mbret të fuqishëm apo si një bebe të pambrojtur?

KUR Jezui u rrit dhe mori vesh si e kishin mbrojtur kur ishte i vogël, si mendon, a iu lut Jehovait për ta falënderuar? . . . Si thua, çfarë mund t’u ketë thënë më vonë Jezui Marisë dhe Jozefit, kur ka marrë vesh se ata i kishin shpëtuar jetën duke e çuar në Egjipt? . . .

Sigurisht Jezui nuk është më bebe. As nuk jeton më në tokë, ku jetonte dikur. Por, a e ke vënë re që sot disa njerëz duken sikur e mendojnë Jezuin vetëm si bebe në një koritë? . . . Kjo gjë bëhet e qartë në kohën e Krishtlindjeve, kur në shumë vende shihen figura të Jezuit si bebe.

Edhe pse Jezui nuk jeton më në tokë, a beson ti që ai është gjallë? . . . Po, ai u kthye përsëri në jetë dhe tani është një Mbret i fuqishëm në qiell. Si mendon, çfarë mund të bëjë ai për të mbrojtur ata që i shërbejnë? . . . Për shembull, kur ishte në tokë Jezui tregoi se si mund t’i mbronte ata që e donin. Le të shohim si e bëri këtë një ditë kur kishte dalë me barkë me dishepujt e tij.

Është pasdite vonë. Gjithë ditën Jezui ka mësuar njerëzit afër detit të Galilesë, i cili quhet det, por është një liqen i madh rreth 20 kilometra i gjatë dhe 12 kilometra i gjerë. Tani ai u thotë dishepujve: «Le të kalojmë në anën tjetër të liqenit.» Kështu, ata hipin në një barkë dhe fillojnë lundrimin përmes liqenit. Jezui është shumë i lodhur, prandaj shkon në pjesën e prapme të barkës, mbështet kokën në një jastëk, dhe e zë gjumi menjëherë.

Çfarë po u thotë Jezui erës dhe dallgëve?

Dishepujt qëndrojnë zgjuar për ta mbajtur barkën në drejtimin e duhur. Për njëfarë kohe çdo gjë shkon mirë, por pastaj nis të fryjë një erë e fortë. Era bëhet gjithnjë e më e fortë dhe dallgët bëhen gjithnjë e më të mëdha. Këto dallgë përplasen te barka, e cila fillon të mbushet me ujë.

Dishepujt kanë frikë se mos barka fundoset. Por Jezui nuk ka frikë. Ai po fle në pjesën e prapme të barkës. Në fund dishepujt e zgjojnë dhe i thonë: ‘Mësues, Mësues, na shpëto; do të vdesim në këtë stuhi.’ Me të thënë këtë, Jezui ngrihet dhe i flet erës e dallgëve. «Pusho! Hesht!»—thotë ai.

Menjëherë era pushon, nuk fryn më, dhe liqeni qetësohet. Dishepujt mahniten. S’kishin parë kurrë një gjë të tillë. Fillojnë t’i thonë njëri-tjetrit: «Kush është në të vërtetë ky, sepse urdhëron edhe erërat e ujin dhe ato i binden?»Luka 8:22-25; Marku 4:35-41.

Kush është Jezui, e di ti? . . . Ku e merr ai këtë fuqi të madhe që ka? . . . Dishepujt nuk duhej të kishin frikë kur kishin Jezuin aty, sepse Jezui nuk ishte njeri i zakonshëm. Ai mund të bënte gjëra të mrekullueshme që asnjeri tjetër nuk i bënte dot. Dua të të tregoj edhe diçka tjetër që bëri ai një herë kur kishte stuhi në det.

Kjo ndodh ca kohë më vonë, një ditë tjetër. Kur bëhet mbrëmje, Jezui u thotë dishepujve të tij të hipin në një barkë dhe të shkojnë përpara tij në anën tjetër të detit. Pastaj, Jezui ngjitet i vetëm në mal. Aty është një vend i qetë ku ai mund t’i lutet Atit të tij, Perëndisë Jehova.

Dishepujt hipin në barkë dhe fillojnë të lundrojnë në det. Por pas pak fillon të fryjë erë. Era bëhet gjithnjë e më e fortë. Tani është bërë natë. Burrat ulin velat e barkës dhe fillojnë t’u japin rremave. Por nuk po ecin dot shumë, sepse era e fortë fryn kundër tyre. Barka lëkundet sa andej-këtej nga dallgët e mëdha dhe uji futet brenda. Burrat u japin fort rremave që të arrijnë në breg, por nuk ia dalin dot.

Jezui është ende aty në mal, vetëm. Ka qëndruar aty për shumë kohë. Por tani e sheh se dishepujt e tij janë në rrezik, sepse dallgët janë të mëdha. Prandaj zbret nga mali dhe shkon në breg të detit. Jezui dëshiron t’i ndihmojë dishepujt e tij, prandaj fillon të ecë drejt tyre mbi detin e trazuar nga stuhia.

Çfarë do të të ndodhte ty po të përpiqeshe të ecje mbi ujë? . . . Do të fundoseshe dhe mund të mbyteshe. Por Jezui është ndryshe. Ai ka një fuqi të veçantë. Jezuit i duhet të ecë shumë për të arritur te barka. Prandaj, pothuajse ka aguar dita, kur dishepujt e shohin Jezuin që po vjen drejt tyre duke ecur mbi ujë. Por, s’u besojnë dot syve për atë që shohin. Kanë shumë frikë, prandaj fillojnë të thërrasin. Atëherë Jezui u thotë: «Merrni kurajë, jam unë; mos kini frikë.»

Pse bënte mrekulli Jezui?

Sapo Jezui hipën në barkë, stuhia pushon. Dishepujt përsëri mahniten. Ata përkulen para Jezuit dhe i thonë: «Ti je vërtet Biri i Perëndisë.»Mateu 14:22-33; Gjoni 6:16-21.

A nuk do të kishte qenë e mrekullueshme sikur të kishim jetuar në atë kohë e të kishim parë Jezuin që bënte gjëra të tilla? . . . Pse i bëri Jezui këto gjëra të mrekullueshme, e di? . . . Këto gjëra i bëri sepse i donte dishepujt e tij dhe dëshironte t’i ndihmonte. Por i bëri edhe që të tregonte fuqinë e tij të madhe, të cilën do ta përdorte në të ardhmen si Sundimtari i Mbretërisë së Perëndisë.

Si i mbron Jezui dishepujt e tij sot?

Edhe sot Jezui e përdor shpesh fuqinë e tij për t’i mbrojtur dishepujt e vet nga Satanai. Satanai përpiqet t’i pengojë ata që të mos u tregojnë të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë. Por Jezui nuk e përdor fuqinë e tij për t’i mbrojtur dishepujt që të mos sëmuren ose për t’i shëruar kur janë të sëmurë. Edhe apostujt e Jezuit me kalimin e kohës vdiqën që të gjithë. Jakovin, vëllanë e Gjonit, e vranë dhe Gjonin vetë e futën në burg.Veprat 12:2; Zbulesa 1:9.

Njësoj është edhe sot. Pavarësisht nëse i shërbejnë ose jo Jehovait, njerëzit mund të sëmuren dhe të vdesin. Por së shpejti, gjatë sundimit të Jezuit si Mbret i qeverisë së Perëndisë, gjërat do të jenë ndryshe. Në atë kohë askush s’do të ketë më arsye për të pasur frikë, sepse Jezui do ta përdorë fuqinë e tij në dobi të të gjithë atyre që i binden.Isaia 9:6, 7.

Disa shkrime të tjera që tregojnë fuqinë e madhe të Jezuit, të cilin Perëndia e bëri Sundimtar në Mbretërinë e Tij, janë: Danieli 7:13, 14; Mateu 28:18 dhe Efesianëve 1:20-22.