Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 43

Cilët janë vëllezërit tanë dhe motrat tona?

Cilët janë vëllezërit tanë dhe motrat tona?

NJË herë, Mësuesi i Madh bëri një pyetje të habitshme. Pyetja ishte: «Kush është nëna ime dhe cilët janë vëllezërit e mi?» (Mateu 12:48) Ti si do t’i përgjigjeshe kësaj pyetjeje? . . . Ndoshta ti e di që nëna e Jezuit quhej Maria. Por, a i di emrat e vëllezërve të tij? . . . Po motra, a kishte Jezui? . . .

Bibla thotë se vëllezërit e Jezuit quheshin «Jakov, Jozef, Simon dhe Judë». Jezui kishte edhe motra, që jetonin në kohën kur predikonte ai. Meqenëse Jezui ishte fëmija i parë që kishte lindur, të gjithë këta të tjerët ishin më të vegjël se ai.Mateu 13:55, 56; Luka 1:34, 35.

A ishin vëllezërit e Jezuit edhe dishepuj të tij? . . . Bibla thotë se në fillim ata ‘nuk kishin besim tek ai’. (Gjoni 7:5) Por, më vonë, Jakovi dhe Juda u bënë dishepuj të tij dhe madje shkruan libra të Biblës. Cilët libra shkruan ata, e di? . . . Po, letrën e Jakovit dhe letrën e Judës.

Edhe pse në Bibël nuk na jepet emri i motrave të Jezuit, e dimë se ai kishte të paktën dy motra. Por mund të ketë pasur edhe më shumë. A u bënë dishepulle të tij këto motra të Jezuit? . . . Bibla s’thotë gjë, prandaj nuk e dimë. Por, a e di pse Jezui bëri pyetjen: «Kush është nëna ime dhe cilët janë vëllezërit e mi?» . . . Le ta shohim.

Jezui po mësonte dishepujt e tij, kur dikush ia preu fjalën dhe i tha: «Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu po qëndrojnë jashtë, duke kërkuar të të flasin.» Atëherë Jezui e përdori këtë rast për t’u mësuar atyre diçka të rëndësishme. Ai u bëri këtë pyetje të çuditshme: «Kush është nëna ime dhe cilët janë vëllezërit e mi?» Ai shtriu dorën drejt dishepujve dhe iu përgjigj pyetjes me fjalët: «Ja, nëna ime dhe vëllezërit e mi!»

Pastaj Jezui shpjegoi çfarë donte të thoshte me ato fjalë: «Kushdo që bën vullnetin e Atit tim që është në qiell, ky është vëllai im dhe motra e nëna ime.» (Mateu 12:47-50) Kjo tregon sa shumë i donte Jezui dishepujt e tij. Ai po na mësonte neve që dishepujt e tij ishin për të si vëllezër të vërtetë dhe si motra e nëna të vërteta.

Sipas shpjegimit të Jezuit, cilët ishin vëllezërit dhe motrat e tij?

Kur Jezui tha këto fjalë, vëllezërit e tij, Jakovi, Jozefi, Simoni dhe Juda, nuk besonin se Jezui ishte Biri i Perëndisë. Nuk do ta kenë besuar atë që i kishte thënë engjëlli Gabriel nënës së tyre. (Luka 1:30-33) Prandaj mund ta kenë trajtuar keq Jezuin. Kushdo që vepron kështu nuk po tregohet një vëlla i vërtetë ose një motër e vërtetë. A njeh ndonjë që e trajton keq vëllanë ose motrën e tij? . . .

Bibla tregon për Esaun dhe për Jakobin. Ajo thotë se Esau u zemërua kaq shumë, saqë tha: «Do ta vras Jakobin, tim vëlla.» Mamanë e tyre, Rebekën, e zuri një frikë kaq e madhe, saqë e dërgoi larg Jakobin, që Esau të mos e vriste dot. (Zanafilla 27:41-46) Mirëpo, vite më vonë Esau kishte ndryshuar vërtet shumë. Kur u takua me Jakobin ai e përqafoi dhe e puthi.Zanafilla 33:4.

Jakobit i lindën 12 djem. Por djemtë e mëdhenj të Jakobit nuk e donin vëllanë e tyre të vogël, Jozefin. Ata ishin xhelozë për të, sepse ishte djali që babai i tyre e donte më shumë. Prandaj e shitën këtë vëlla te disa tregtarë skllevërish që po shkonin në Egjipt. Pastaj i thanë babait të tyre se Jozefin e kishte ngrënë një kafshë e egër. (Zanafilla 37:23-36) Kjo ishte e tmerrshme, apo jo? . . .

Më vonë vëllezërve të Jozefit u erdhi shumë keq për atë që kishin bërë, prandaj Jozefi i fali. A mund ta kuptosh në ç’mënyrë Jozefi ishte si Jezui? . . . Në rastin e Jezuit, apostujt e tij e braktisën kur ai ishte në vështirësi, e Pjetri madje e mohoi që e njihte. Megjithatë, ashtu si bëri Jozefi, edhe Jezui i fali që të gjithë ata.

Çfarë duhet të mësojmë nga ajo që i bëri Kaini Abelit?

Një shembull tjetër janë dy vëllezër, Kaini dhe Abeli. Mund të mësojmë diçka edhe nga ata. Perëndia pa në zemrën e Kainit se ai nuk e donte me të vërtetë vëllanë e tij. Prandaj Perëndia i tha Kainit se duhej të ndryshonte mënyrën si sillej. Po ta kishte dashur vërtet Perëndinë, Kaini do t’ia kishte vënë veshin. Por ai nuk e donte Perëndinë. Një ditë Kaini i tha Abelit: ‘Hajde të shkojmë në fushë.’ Abeli shkoi me Kainin. Kur ishin atje në fushë vetëm, Kaini e goditi aq fort vëllanë e tij saqë e vrau.Zanafilla 4:2-8.

Bibla na thotë se nga kjo duhet të mësojmë diçka të veçantë. Çfarë duhet të mësojmë, e di? . . . ‘Ky është mesazhi që keni dëgjuar që nga fillimi: duhet të kemi dashuri për njëri-tjetrin, jo si Kaini, që vinte nga i ligu.’ Prandaj vëllezërit dhe motrat duhet të kenë dashuri për njëri-tjetrin. Nuk duhet të jenë si Kaini.1 Gjonit 3:11, 12.

Pse nuk duam të jemi si Kaini? . . . Sepse Bibla thotë që ai «vinte nga i ligu», nga Satana Djalli. Meqenëse Kaini veproi si Djalli, ishte sikur Djalli të ishte babai i tij.

A e kupton pse është e rëndësishme t’i duash vëllezërit e tu dhe motrat e tua? . . . Në qoftë se nuk i do ata, fëmijët e kujt po imiton? . . . Fëmijët e Djallit. Po ti nuk dëshiron të jesh i tillë, apo jo? . . . Atëherë, si mund të tregosh se dëshiron të jesh fëmijë i Perëndisë? . . . Duke i dashur vërtet vëllezërit e tu dhe motrat e tua.

Por, çfarë është dashuria? . . . Dashuria është një ndjenjë e thellë që kemi brenda nesh, e cila na bën të dëshirojmë t’u bëjmë gjëra të mira njerëzve të tjerë. Tregojmë që i duam të tjerët kur kemi ndjenja të përzemërta për ta dhe kur u bëjmë atyre gjëra të mira. Po cilët janë vëllezërit tanë dhe motrat tona që duhet t’i duam? . . . Ti e mban mend që Jezui na mësoi se janë ata që formojnë familjen e madhe të krishterë.

Si mund të tregosh se e do vëllanë tënd?

Sa e rëndësishme është që t’i duam këta vëllezër të krishterë e këto motra të krishtere? . . . Bibla thotë: «Ai që nuk do vëllanë [ose motrën] e tij, të cilin e ka parë, nuk mund të dojë Perëndinë, të cilin nuk e ka parë.» (1 Gjonit 4:20) Prandaj, nuk mund të duam vetëm disa veta në familjen e krishterë. Duhet t’i duam që të gjithë. Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:35) A i do ti të gjithë vëllezërit dhe motrat? . . . Mos harro, nëse nuk i do të gjithë, nuk mund të thuash se e do vërtet Perëndinë.

Si mund të tregojmë se i duam vërtet vëllezërit tanë dhe motrat tona? . . . Po ja, në qoftë se i duam, nuk do t’u rrimë larg ngaqë s’duam të flasim me ta. Do të jemi miqësorë me të gjithë. Do të bëjmë gjithnjë atë që është e mirë ndaj tyre dhe do të jemi gati t’i ndajmë me ta gjërat që kemi. E në qoftë se nganjëherë kanë ndonjë problem, do t’i ndihmojmë sepse jemi vërtet një familje e madhe.

Kur i duam me të vërtetë të gjithë vëllezërit tanë dhe motrat tona, çfarë tregon kjo? . . . Tregon se jemi dishepuj të Jezuit, Mësuesit të Madh. A nuk dëshirojmë të jemi të tillë? . . .

Ka edhe shkrime të tjera ku na thuhet t’u tregojmë dashuri vëllezërve tanë dhe motrave tona, si Galatasve 6:10 dhe 1 Gjonit 4:8, 21. Pse të mos hapësh Biblën tënde dhe t’i lexosh këto shkrime?