Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 44

Miqtë tanë duhet ta duan Perëndinë

Miqtë tanë duhet ta duan Perëndinë

MIQTË janë njerëz me të cilët na pëlqen të flasim dhe të rrimë. Por është e rëndësishme të kemi miqtë e duhur. Si mendon ti, cili është miku më i mirë që mund të kemi? . . . Po, është Perëndia Jehova.

A mund të jemi vërtet ne miq me Perëndinë? . . . Ja për shembull, Bibla thotë se Abrahami, një njeri që jetoi shumë kohë më parë, ishte «miku i Perëndisë». (Jakovit 2:23) Pse ai ishte miku i Perëndisë, a e di? . . . Bibla përgjigjet se Abrahami iu bind Perëndisë. Ai u bind edhe kur iu kërkua të bënte diçka të vështirë. Pra, për të qenë miq të Jehovait, duhet të bëjmë gjërat që i pëlqejnë atij, ashtu siç bëri Abrahami dhe ashtu siç ka bërë gjithnjë Mësuesi i Madh.Zanafilla 22:1-14; Gjoni 8:28, 29; Hebrenjve 11:8, 17-19.

Pse Abrahami ishte «miku i Jehovait»?

Jezui u tha apostujve të vet: «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni atë që po ju urdhëroj.» (Gjoni 15:14) Çdo gjë që Jezui u thoshte njerëzve vinte nga Jehovai, prandaj Jezui po shpjegonte se miqtë e tij ishin njerëz që bënin atë që u kërkonte Perëndia. Po, të gjithë miqtë e tij e donin Perëndinë.

Disa nga miqtë më të ngushtë të Mësuesit të Madh ishin apostujt e tij, figurat e të cilëve mund t’i shohësh në faqen 75 të këtij libri. Ata udhëtonin me të dhe e ndihmonin në veprën e predikimit. Një pjesë të madhe të kohës Jezui e kalonte me këta njerëz. Ata hanin të gjithë bashkë, bisedonin bashkë për Perëndinë e bënin edhe gjëra të tjera së bashku. Por Jezui kishte edhe shumë miq të tjerë. Ai e kishte zakon të rrinte me ta dhe ia kalonin shumë mirë bashkë.

Një familje ku Jezuit i pëlqente të rrinte, jetonte në fshatin e vogël të Betanisë, që gjendej shumë afër qytetit të madh të Jerusalemit. A të kujtohet, cilët ishin ata? . . . Ishin Marta, Maria dhe vëllai i tyre, Lazari. Jezui e quajti Lazarin mikun e tij. (Gjoni 11:1, 5, 11) Jezui e donte këtë familje dhe i pëlqente të rrinte me ta, pikërisht sepse ata e donin Jehovain dhe i shërbenin Atij.

Pse Jezui qëndronte shpesh te kjo familje kur shkonte në Jerusalem? A i di emrat e tyre?

Kjo s’do të thotë se Jezui nuk ishte i mirë me njerëzit që nuk i shërbenin Perëndisë. Ai ishte i mirë edhe me ata. Madje shkonte në shtëpitë e tyre dhe hante me ta. Kjo i bëri disa njerëz të thoshin se Jezui ishte «mik i taksambledhësve dhe i mëkatarëve». (Mateu 11:19) E vërteta është se Jezui nuk shkonte në shtëpitë e këtyre njerëzve se i pëlqente mënyra si jetonin ata. Ai shkonte në shtëpitë e tyre që t’u fliste për Jehovain. Përpiqej t’i ndihmonte që të ndryshonin rrugët e tyre të këqija dhe t’i shërbenin Perëndisë.

Pse ka hipur Zakeu në këtë pemë?

Kjo ndodhi një ditë në qytetin e Jerikosë. Jezui po kalonte nëpër këtë qytet për të shkuar në Jerusalem. Aty kishte një turmë të madhe dhe mes turmës ishte një njeri me emrin Zake. Ky donte ta shikonte Jezuin. Por Zakeu ishte i shkurtër dhe nuk shihte dot, për shkak të turmës. Atëherë vrapoi gjatë rrugës, duke e lënë turmën pas, dhe hipi në një pemë, që të shihte mirë kur të kalonte Jezui.

Kur arriti tek ajo pemë, Jezui ngriti sytë dhe tha: ‘Nxito e zbrit nga pema, sepse sot do të vij në shtëpinë tënde.’ Por Zakeu ishte një njeri i pasur që kishte bërë gjëra të këqija. Pse Jezui donte të shkonte te shtëpia e një njeriu të tillë? . . .

Jezui nuk donte të shkonte se i pëlqente mënyra si jetonte ai njeri. Ai shkoi atje për të folur me Zakeun për Perëndinë. Jezui e vuri re sa shumë ishte përpjekur ai njeri për ta parë. Prandaj e dinte që Zakeu me siguri do ta dëgjonte. Ky ishte një rast i mirë që t’i tregonte se ç’thotë Perëndia për mënyrën si duhet të jetojnë njerëzit.

Pse Jezui është te shtëpia e Zakeut dhe çfarë po premton Zakeu se do të bëjë?

Prandaj, çfarë shohim që po ndodh tani? . . . Zakeut i pëlqejnë mësimet e Jezuit. Atij i vjen shumë keq që i ka mashtruar njerëzit dhe premton t’ua kthejë paratë që ua kishte marrë pa të drejtë. Pastaj bëhet dishepull i Jezuit. Vetëm atëherë Jezui dhe Zakeu bëhen miq.Luka 19:1-10.

Nëse ndjekim shembullin e Mësuesit të Madh, a do t’i vizitojmë njerëzit që nuk janë miqtë tanë? . . . Po. Por, nuk shkojmë te shtëpia e tyre sepse na pëlqen mënyra si jetojnë. Dhe nuk bëjmë gjëra të gabuara bashkë me ta. I vizitojmë që t’u flasim për Perëndinë.

Por miqtë tanë të ngushtë janë ata me të cilët na pëlqen të rrimë më shumë. Për të qenë miqtë e duhur, ata duhet të jenë njerëz që i pëlqejnë Perëndisë. Ka disa njerëz, të cilët ndoshta as që e dinë kush është Jehovai. Por nëse duan të mësojnë për të, ne mund t’i ndihmojmë. Pastaj, kur të vijë koha që ata do ta duan Jehovain siç e duam ne, atëherë mund të bëhemi miq të ngushtë.

Ka edhe një mënyrë tjetër për të zbuluar nëse një njeri do të ishte mik i mirë për ty. Shiko gjërat që bën ai. A bën me dashje gjëra të papëlqyeshme që i mërzitin të tjerët dhe pastaj qesh për atë që ka bërë? Kjo nuk është e drejtë, apo jo? . . . A futet gjithnjë në telashe? Ne nuk duam të futemi edhe vetë në telashe duke qëndruar me të, apo jo? . . . Ose a bën me dashje gjëra të këqija, e pastaj mendon se është i zgjuar ngaqë nuk e zbuluan? Edhe sikur të mos e kenë zbuluar të tjerët, Perëndia e ka parë se çfarë ka bërë ai, apo jo? . . . A mendon se njerëzit që bëjnë këto gjëra do të ishin miq të mirë për ne? . . .

Merre pak Biblën, të lutem. Le të shohim se çfarë thotë ajo për mënyrën si ndikojnë në jetën tonë shokët që kemi. Shkrimi është 1 Korintasve, kapitulli 15, vargu 33. E gjete? . . . Aty lexojmë: «Mos u mashtroni. Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» Kjo do të thotë se nëse rrimë me njerëz të këqij, edhe ne mund të bëhemi të këqij. Po ashtu, është e vërtetë se shokët e mirë na ndihmojnë që të fitojmë zakone të mira.

Të mos e harrojmë kurrë se Personi më i rëndësishëm në jetën tonë është Jehovai. Ne nuk dëshirojmë ta dëmtojmë miqësinë që kemi me të, apo jo? . . . Prandaj, duhet të tregojmë kujdes që të kemi miq vetëm ata që e duan Perëndinë.

Se sa e rëndësishme është të kemi shokët e duhur tregohet te Psalmi 119:115; Proverbat 13:20; 2 Timoteut 2:22 dhe 1 Gjonit 2:15.