Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 46

Një botë shkatërrohet nga uji: A do të ndodhë përsëri?

Një botë shkatërrohet nga uji: A do të ndodhë përsëri?

A KE dëgjuar ndonjëherë dikë të flasë për fundin e botës? . . . Sot shumë veta flasin për këtë. Disa njerëz mendojnë se bota do të shkatërrohet nga një luftë ku njerëzit do të përdorin bomba atomike. A mendon se Perëndia do ta shkatërrojë ndonjëherë tokën tonë të bukur dhe qiellin e mrekullueshëm me yjet e shndritshme? . . .

Siç kemi mësuar, Bibla flet për fundin e botës. «Bota po kalon»,—thotë Bibla. (1 Gjonit 2:17) A mendon se fundi i botës do të thotë fundi i tokës? . . . Jo, Bibla thotë se Perëndia e bëri tokën «për të qenë e banuar», pra që njerëzit të jetojnë në të dhe ta gëzojnë jetën. (Isaia 45:18) Te Psalmi 37:29 thuhet: «Të drejtët vetë do ta zotërojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë mbi të.» Për këtë arsye, Bibla thotë edhe se toka do të qëndrojë përgjithmonë.Psalmi 104:5; Eklisiastiu 1:4.

Prandaj, nëse fundi i botës nuk do të thotë fundi i tokës, çfarë do të thotë atëherë? . . . Mund ta zbulojmë këtë po të shqyrtojmë me kujdes çfarë ndodhi në ditët e Noesë. Bibla shpjegon: «Bota e asaj kohe pësoi shkatërrimin, kur u përmbyt nga uji.»2 Pjetrit 3:6.

A shpëtoi ndonjë njeri nga fundi i botës gjatë asaj Përmbytjeje të madhe në ditët e Noesë? . . . Bibla thotë se Perëndia ‘e ruajti Noenë, një predikues të drejtësisë, bashkë me shtatë të tjerë, kur solli përmbytjen mbi një botë njerëzish të paperëndishëm’.2 Pjetrit 2:5.

Çfarë ishte bota që u shkatërrua në ditët e Noesë?

Atëherë, çfarë ishte bota që mori fund? Ishte toka apo njerëzit e këqij? . . . Bibla thotë se ishte ‘bota e njerëzve të paperëndishëm’. Shiko edhe një gjë tjetër këtu: Noeja quhet «predikues». Si mendon, për çfarë predikonte ai? . . . Noeja po i paralajmëronte njerëzit për fundin e ‘botës së asaj kohe’.

Kur foli për Përmbytjen e madhe, Jezui u tregoi dishepujve të tij se çfarë po bënin njerëzit pikërisht para se të vinte fundi. Ja çfarë u tha ai atyre: «Në ato ditë para përmbytjes, [njerëzit po] hanin e pinin, burrat martoheshin e gratë jepeshin në martesë, deri ditën që Noeja hyri në arkë; dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu tej të gjithë.» Pastaj Jezui tha se njerëzit do të veprojnë po kështu, para se të vijë fundi i kësaj bote.Mateu 24:37-39.

Fjalët e Jezuit na tregojnë se mund të mësojmë gjëra të rëndësishme nga ajo që bënin njerëzit para Përmbytjes. Nga ajo që kemi lexuar në kapitullin e dhjetë të këtij libri, a të kujtohet se çfarë bënin ata njerëz? . . . Disa burra ishin shumë të ligj dhe bënin gjëra të dhunshme. Por, siç tha Jezui, shumë të tjerë nuk bënin të këqija, vetëm se nuk dëgjuan kur Perëndia dërgoi Noenë që t’u predikonte.

Kështu, erdhi dita kur Jehovai i tha Noesë se do t’i shkatërronte njerëzit e këqij me anë të një përmbytjeje. Uji do ta mbulonte të gjithë tokën, madje edhe malet. Jehovai i tha Noesë që të ndërtonte një arkë të madhe. Ishte si një kuti e madhe dhe e gjatë, siç mund ta shohësh po të shkosh te figura në faqen 238.

Perëndia i tha Noesë që ta bënte arkën aq të madhe saqë aty brenda të hynin dhe të ishin të sigurt ai me familjen e tij, si edhe gjithë ato kafshë. Noeja dhe familja e tij punuan fort. Ata prenë pemë të mëdha dhe i përdorën drutë për të ndërtuar arkën. Për këtë iu deshën shumë vite, sepse arka ishte shumë e madhe.

A të kujtohet, çfarë gjëje tjetër po bënte Noeja gjatë gjithë atyre viteve që po ndërtonte arkën? . . . Ai predikonte, duke i paralajmëruar njerëzit për Përmbytjen që do të vinte. A dëgjoi ndonjëri prej tyre? Askush nuk dëgjoi, përveç familjes së Noesë. Pjesa tjetër ishin shumë të zënë me gjëra të tjera. Çfarë tha Jezui se po bënin ata, të kujtohet? . . . Hanin, pinin dhe martoheshin, pra ishin të zënë me këto gjëra. Nuk mendonin se ishin njerëz të këqij dhe nuk kushtuan kohë për të dëgjuar Noenë. Prandaj, le të shohim se çfarë u ndodhi.

Pasi Noeja dhe familja e tij hynë në arkë, Jehovai e mbylli derën. Njerëzit që ishin jashtë arkës ende nuk besonin se Përmbytja do të vinte. Por, papritur, nga qielli filloi të binte shi! Nuk ishte një shi i zakonshëm. Ishte rrebesh i madh! S’kaloi shumë dhe ujërat formuan lumenj të mëdhenj e të zhurmshëm. Këta lumenj shkulnin me rrënjë pemë të mëdha dhe rrokullisnin gurë të mëdhenj sikur këta të ishin guralecë të vegjël. Po me njerëzit që ishin jashtë arkës, ç’ndodhi? . . . Jezui tha: «Erdhi përmbytja dhe i fshiu tej të gjithë.» Të gjithë njerëzit që ishin jashtë arkës vdiqën. Përse vdiqën? . . . Siç tha Jezui, ata «nuk kushtuan vëmendje». Nuk dëgjuan.Mateu 24:39; Zanafilla 6:5-7.

Pse nuk duhet të mendojmë vetëm si e si të kënaqemi?

Por tani, mos harro, Jezui tha se ajo që u ndodhi atyre njerëzve është një mësim për ne sot. Çfarë mësimi? . . . Po ja, njerëzit u shkatërruan jo vetëm sepse ishin të këqij. Shumë prej tyre ishin tepër të zënë e s’lanë kohë për të mësuar për Perëndinë dhe për atë që do të bënte ai. Ne duhet të bëjmë kujdes që të mos jemi si ata, apo jo? . . .

A mendon se Perëndia do ta shkatërrojë prapë botën me përmbytje? . . . Jo, sepse Perëndia premtoi që nuk do ta bënte më këtë. Ai tha: «Po jap ylberin tim në re, i cili ka për të shërbyer si një shenjë.» Jehovai tha se ylberi do të ishte një shenjë që ‘ujërat nuk do të bëheshin më një përmbytje për të shkatërruar çdo mish’.Zanafilla 9:11-17.

Pra, mund të jemi të sigurt që Perëndia nuk do ta shkatërrojë kurrë më botën me përmbytje. Megjithatë, siç e kemi parë, Bibla flet për fundin e botës. Kë do të shpëtojë Perëndia kur të sjellë shkatërrimin e kësaj bote? . . . A do të shpëtojë njerëzit që ishin kaq shumë të interesuar për gjërat e tjera, saqë asnjëherë nuk deshën të mësonin për Perëndinë? Apo do të shpëtojë ata që ishin gjithnjë tepër të zënë e s’gjenin kohë për ta studiuar Biblën? Çfarë mendon ti? . . .

Ne duam të jemi ndër ata që Perëndia do t’i shpëtojë, apo jo? . . . A nuk do të ishte e mrekullueshme që edhe familja jonë të ishte si ajo e Noesë, e kështu Perëndia të na shpëtonte të gjithëve? . . . Nëse duam të mbetemi gjallë kur të vijë fundi i botës, duhet të kuptojmë si do ta shkatërrojë Perëndia botën dhe si do të sjellë botën e tij të re të drejtë. Le të shohim si do ta bëjë këtë.

Bibla na e jep përgjigjen te Danieli, kapitulli 2, vargu 44. Ky shkrim flet për kohën tonë kur thotë: «Në ditët e atyre mbretërve Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri [ose qeveri] që nuk do të shkatërrohet kurrë. Mbretëria nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»

A e kupton këtë shkrim? . . . Bibla thotë se qeveria e Perëndisë do të shkatërrojë të gjitha qeveritë tokësore. Përse? . . . Sepse ato nuk i binden Atij që Perëndia e ka bërë Mbret. Kush është ky? . . . Po, është Jezu Krishti.

Jezu Krishti, Mbreti i zgjedhur nga Perëndia, do ta shkatërrojë këtë botë në Harmagedon

Perëndia Jehova ka të drejtën të vendosë se cila lloj qeverie duhet të sundojë. Ai ka zgjedhur Birin e tij, Jezuin, që të jetë Mbret. Së shpejti, Jezu Krishti, Sundimtari i zgjedhur nga Perëndia, do të marrë drejtimin për të shkatërruar të gjitha qeveritë e kësaj bote. Te Zbulesa, kapitulli 19, vargjet 11 deri në 16, Bibla e përshkruan Jezuin duke bërë këtë gjë, siç tregohet te kjo figurë. Në Bibël lufta e Perëndisë për të shkatërruar të gjitha qeveritë e botës quhet Harmagedon.

Perëndia thotë se Mbretëria e tij do të shkatërrojë qeveritë njerëzore. Por, a na thotë ai që ta bëjmë ne këtë? . . . Jo, në Bibël Harmagedoni quhet ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë të Plotfuqishëm’. (Zbulesa 16:14, 16) Po, Harmagedoni është lufta e Perëndisë, dhe ai do të përdorë Jezu Krishtin për të udhëhequr ushtritë qiellore në luftë. A është afër lufta e Harmagedonit? Le të shohim se si mund ta zbulojmë këtë.

Le të lexojmë së bashku për kohën kur Perëndia do t’i zhdukë të gjithë njerëzit e ligj dhe do të shpëtojë ata që i shërbejnë, te Proverbat 2:21, 22; Isaia 26:20, 21; Jeremia 25:31-33 dhe Mateu 24:21, 22.