Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI I TETË

Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?
  • Çfarë na thotë Bibla për Mbretërinë e Perëndisë?

  • Çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë?

  • Kur do ta përmbushë Mbretëria vullnetin e Perëndisë në tokë?

1. Cila lutje e famshme do të shqyrtohet tani?

MILIONA njerëz në mbarë tokën e njohin lutjen e Zotërisë ose lutjen ‘Ati ynë’, siç e quajnë shumica. Që të dyja këto shprehje kanë të bëjnë me lutjen e famshme që e dha si model vetë Jezu Krishti. Është një lutje shumë domethënëse. Duke shqyrtuar tri kërkesat e para që janë shprehur aty, do të kuptosh më shumë se çfarë mëson vërtet Bibla.

2. Cilat ishin tri nga kërkesat që përmendi Jezui në lutjen model që u mësoi dishepujve?

2 Në fjalët e para të lutjes model, Jezui i udhëzoi dëgjuesit: «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.’» (Mateu 6:9-13) Ç’kuptim kanë këto tri kërkesa?

3. Çfarë duhet të dimë për Mbretërinë e Perëndisë?

3 Tashmë kemi mësuar shumë rreth emrit Jehova, që është emri i Perëndisë. Kemi folur pak edhe për vullnetin e Perëndisë, pra çfarë ka bërë e çfarë do të bëjë për njerëzimin. Por, për çfarë e kishte fjalën Jezui, kur na tha t’i lutemi Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote.» Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Si do ta shenjtërojë emrin e Perëndisë ardhja e kësaj Mbretërie? E si lidhet ardhja e saj me përmbushjen e vullnetit të Perëndisë?

ÇFARË ËSHTË MBRETËRIA E PERËNDISË?

4. Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Kush është Mbreti i saj?

4 Mbretëria e Perëndisë është një qeveri e themeluar nga vetë Perëndia Jehova, i cili ka caktuar edhe Mbretin e saj. Kush është Mbreti i kësaj Mbretërie? Është Jezu Krishti. Si Mbret, Jezui është shumë më i lartë se gjithë sundimtarët njerëzorë, dhe është quajtur «Mbreti i atyre që mbretërojnë dhe Zotëria i atyre që sundojnë si zotërinj». (1 Timoteut 6:15) Ai ka fuqi të bëjë shumë më tepër gjëra të mira se çdo sundimtar njerëzor, qoftë ky edhe më i miri.

5. Nga ç’vend do të sundojë Mbretëria e Perëndisë? Mbi çfarë do të sundojë?

5 Nga ç’vend do të sundojë Mbretëria e Perëndisë? Për t’u përgjigjur, duhet të kuptojmë së pari ku është Jezui tani. Me siguri të kujtohet kur mësove se, pasi vdiq në shtyllën e torturës, ai u ringjall. Pak kohë më pas, u ngjit në qiell. (Veprat 2:33) Pra, pikërisht aty është Mbretëria e Perëndisë, në qiell. Ja pse Bibla e quan ‘mbretëri qiellore’. (2 Timoteut 4:18) Ndonëse është në qiell, Mbretëria e Perëndisë do të sundojë mbi tokën.Zbulesa 11:15.

6, 7. Çfarë e bën të jashtëzakonshëm Jezuin si Mbret?

6 Pse Jezui është i jashtëzakonshëm si Mbret? Pikësëpari, sepse nuk do të vdesë kurrë. Duke e krahasuar Jezuin me mbretërit njerëzorë, Bibla e quan «i vetmi që ka pavdekësinë, që banon në dritë të paafrueshme». (1 Timoteut 6:16) Kjo do të thotë se çdo gjë e mirë që do të bëjë Jezui, nuk do të prishet me kalimin e kohës. E ne jemi të sigurt se ai do të bëjë shumë gjëra të mira për njerëzit.

7 Shqyrto këtë profeci biblike për Jezuin: «Tek ai do të prehet fryma e Jehovait, fryma e mençurisë dhe e kuptueshmërisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës nga Jehovai. Frika nga Jehovai do të jetë kënaqësia e tij. Ai nuk do të gjykojë nga ajo që i shohin sytë dhe as do të qortojë vetëm sipas fjalëve që i kanë rënë në vesh. Do t’i gjykojë të përvuajturit me drejtësi dhe do të qortojë me ndershmëri, në mënyrë që zemërbutët e tokës të nxjerrin dobi.» (Isaia 11:2-4) Këto fjalë tregojnë se Jezui do të jetë vërtet një Mbret i drejtë dhe i dhembshur me njerëzit në tokë. A do të doje të kishe një qeveritar të tillë?

8. Cilët do të sundojnë bashkë me Jezuin?

8 Ka edhe një fakt tjetër për sa i përket Mbretërisë së Perëndisë: Jezui nuk do të sundojë i vetëm, por do të ketë edhe bashkësundimtarë. Për shembull, apostulli Pavël i tha Timoteut: «Nëse vazhdojmë të qëndrojmë, edhe do të mbretërojmë bashkë me të.» (2 Timoteut 2:12) Pra, Pavli, Timoteu dhe shërbëtorë të tjerë besnikë që Perëndia i ka zgjedhur, do të sundojnë me Jezuin në Mbretërinë qiellore. Sa veta do ta kenë këtë privilegj?

9. Sa veta do të sundojnë me Jezuin? Kur filloi t’i zgjidhte Perëndia?

9 Siç u tha në kapitullin e shtatë të këtij libri, apostullit Gjon iu dha një vegim, në të cilin pa «Qengjin [Jezu Krishtin] që qëndronte në malin e Sionit [në pozitën e tij mbretërore në qiell], dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë, që kishin të shkruar në ballë emrin e tij dhe emrin e Atit të tij». Cilët janë këta 144.000? Vetë Gjoni na thotë: «Ata vazhdojnë të ndjekin Qengjin, kudo që të shkojë. Janë blerë nga gjiri i njerëzimit si fryte të para për Perëndinë dhe për Qengjin.» (Zbulesa 14:1, 4) Po, janë dishepujt besnikë të Jezu Krishtit, që janë zgjedhur posaçërisht për të sunduar në qiell bashkë me të. Pasi të ringjallen në jetën qiellore, «ata do të mbretërojnë mbi tokën» bashkë me Jezuin. (Zbulesa 5:10) Për të plotësuar numrin 144.000, Perëndia ka filluar të zgjedhë të krishterë besnikë që në ditët e apostujve.

10. Pse është diçka shumë e dashur zgjedhja e Jezuit dhe e 144.000 të tjerëve që të sundojnë mbi njerëzimin?

10 Zgjedhja e Jezuit dhe e 144.000 të tjerëve që të sundojnë mbi njerëzimin, është diçka shumë e dashur nga ana e Perëndisë. Kjo sepse, në radhë të parë, Jezui e di se ç’do të thotë të jesh njeri e të vuash. Pavli tha se Jezui nuk është dikush ‘që nuk bashkohet dot me ndjenjat tona në dobësitë që kemi, por dikush që është sprovuar në çdo aspekt si ne, por pa mëkat’. (Hebrenjve 4:15; 5:8) Edhe ata që do të sundojnë bashkë me të, si njerëz kanë vuajtur e kanë duruar shumë të këqija. Veç kësaj, kanë luftuar me papërsosmërinë dhe kanë përballuar lloj-lloj sëmundjesh. Me siguri që do t’i kuptojnë problemet që hasin njerëzit!

ÇFARË DO TË BËJË MBRETËRIA E PERËNDISË?

11. Pse Jezui u tha dishepujve të luteshin që të bëhej vullneti i Perëndisë në qiell?

11 Kur i këshilloi dishepujt të luteshin për ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë, Jezui tha se duhej të luteshin edhe që të bëhej vullneti i Perëndisë «si në qiell, edhe mbi tokë». Perëndia është në qiell, ku engjëjt besnikë kanë bërë gjithnjë vullnetin e tij. Por, në kapitullin e tretë të këtij libri, mësuam se një engjëll i lig nuk vazhdoi të bënte vullnetin e Perëndisë, e madje shtyu edhe Adamin dhe Evën që të mëkatonin. Në kapitullin e dhjetë, do të shqyrtojmë më tej se çfarë mëson Bibla për këtë engjëll të lig, që quhet Satana Djall. Satanai dhe krijesat e liga engjëllore që vendosën të merrnin anën e tij, pra demonët, u lejuan të qëndronin në qiell për njëfarë kohe. Prandaj, në atë kohë, jo të gjithë ata që ishin në qiell, bënin vullnetin e Perëndisë. Kjo do të ndryshonte kur Mbretëria e Perëndisë të fillonte sundimin. Mbreti që do të vinte në fron, Jezu Krishti, do të luftonte kundër Satanait.Zbulesa 12:7-9.

12. Cilat janë dy ngjarjet e rëndësishme që përshkruhen te Zbulesa 12:10?

12 Fjalët vijuese profetike tregojnë se çfarë do të ndodhte: «Dëgjova një zë të fortë në qiell që tha: ‘Tani erdhi shpëtimi, fuqia, mbretëria e Perëndisë tonë dhe autoriteti i Krishtit të tij, sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, i cili i padit ata ditë e natë para Perëndisë tonë!’» (Zbulesa 12:10) A i dallove dy ngjarjet e rëndësishme që përshkruhen në këtë varg biblik? Së pari, Mbretëria e Perëndisë, me Mbret Jezu Krishtin, fillon të sundojë. Së dyti, Satanai flaket nga qielli poshtë në tokë.

13. Cilat kanë qenë pasojat e hedhjes së Satanait nga qielli?

13 Cilat kanë qenë pasojat e këtyre dy ngjarjeve? Për atë që ndodhi në qiell lexojmë: «Prandaj, gëzoni, o qiej, dhe ju që banoni në ta!» (Zbulesa 12:12) Po, engjëjt besnikë gëzojnë, sepse, me largimin e Satanait dhe të demonëve, në qiell tani ka vetëm shërbëtorë besnikë të Perëndisë Jehova. Aty ka paqe dhe harmoni të plotë e të pafundme. Tani në qiell po bëhet vullneti i Perëndisë.

Hedhja e Satanait dhe e demonëve të tij nga qielli, i solli mjerime tokës. Këto trazira do të marrin fund së shpejti

14. Çfarë ka ndodhur ngaqë Satanai është hedhur në tokë?

14 Po për tokën? Bibla thotë: «Mjerë ti tokë e ti det, sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!» (Zbulesa 12:12) Satanai është i zemëruar, sepse e kanë hedhur nga qielli dhe i ka mbetur vetëm një periudhë kohe e shkurtër. Nga zemërimi, ai shkakton probleme ose ‘mjerime’ në tokë. Në kapitullin vijues do të mësojmë më shumë për këto ‘mjerime’. Por, tani që kemi mësuar këto gjëra, mund të pyesim: Si do ta përmbushë Mbretëria vullnetin e Perëndisë në tokë?

15. Cili është vullneti i Perëndisë për tokën?

15 Në radhë të parë, le të kujtojmë cili është vullneti i Perëndisë për tokën. Kemi mësuar për këtë në kapitullin e tretë. Në Eden, Perëndia tregoi se vullneti i tij është që toka të bëhet një parajsë e mbushur me njerëz të drejtë që nuk vdesin. Duke qenë se Satanai e shtyu Adamin dhe Evën të mëkatonin, kjo ndikoi në përmbushjen e vullnetit të Perëndisë për tokën, por ama vullneti i tij nuk ndryshoi. Qëllimi i Jehovait është ende që ‘të drejtët të trashëgojnë tokën dhe të banojnë përgjithmonë në të’. (Psalmi 37:29) E Mbretëria e Perëndisë do ta arrijë këtë. Në ç’mënyrë?

16, 17. Çfarë na tregon Danieli 2:44 për Mbretërinë e Perëndisë?

16 Shqyrto profecinë që gjendet te Danieli 2:44. Aty lexojmë: «Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» Çfarë na tregon kjo për Mbretërinë e Perëndisë?

17 Së pari, na tregon se Mbretëria e Perëndisë do të vendosej «në ditët e atyre mbretërve» ose ndërkohë që mbretëritë e tjera ekzistojnë ende. Së dyti, na tregon se kjo Mbretëri do të zgjatë përgjithmonë. Nuk do të mposhtet e nuk do të zëvendësohet me ndonjë qeveri tjetër. Së treti, kuptojmë se do të ketë luftë midis Mbretërisë së Perëndisë dhe mbretërive të kësaj bote, por Mbretëria e Perëndisë do të dalë fitimtare. Në fund, ajo do të jetë e vetmja qeveri që do të sundojë mbi njerëzimin. Atëherë, njerëzit do të kenë sundimin më të mirë që kanë provuar ndonjëherë.

18. Si quhet lufta përfundimtare ndërmjet Mbretërisë së Perëndisë dhe qeverive të kësaj bote?

18 Bibla përmban shumë të dhëna për atë luftë vendimtare ndërmjet Mbretërisë së Perëndisë dhe qeverive të kësaj bote. Për shembull, ajo mëson se, ndërsa afrohet fundi, krijesat e liga frymore do të përhapin gënjeshtra për të mashtruar «mbretërit e mbarë tokës së banuar». Me cilin qëllim? «Që t’i mbledhin [mbretërit] për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm.» Këta mbretër të tokës do të mblidhen në «vendin që në hebraisht quhet Harmagedon». (Zbulesa 16:14, 16) Sipas këtyre dy vargjeve, konflikti përfundimtar ndërmjet qeverive njerëzore dhe Mbretërisë së Perëndisë quhet lufta e Harmagedonit.

19, 20. Pse vullneti i Perëndisë nuk po bëhet në tokë që tani?

19 Çfarë synimesh do të arrijë Mbretëria e Perëndisë me anë të Harmagedonit? Mendo prapë për vullnetin e Perëndisë në lidhje me tokën. Perëndia Jehova vuri si qëllim që toka të mbushet me njerëz të drejtë e të përsosur, që i shërbejnë atij në parajsë. Pse nuk po ndodh që tani kjo, çfarë e pengon? Së pari, ne jemi mëkatarë, sëmuremi dhe vdesim. Por, në kapitullin e pestë mësuam se Jezui vdiq për ne, me qëllim që të jetojmë përgjithmonë. Me siguri të kujtohen fjalët që gjenden në Ungjillin sipas Gjonit: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»Gjoni 3:16.

20 Një problem tjetër është se ka shumë njerëz që bëjnë gjëra të këqija. Gënjejnë, mashtrojnë dhe kryejnë imoralitet. Ata nuk duan të bëjnë vullnetin e Perëndisë. Njerëzit që bëjnë gjëra të liga do të shkatërrohen gjatë luftës së Perëndisë në Harmagedon. (Psalmi 37:10) Një arsye e mëtejshme pse nuk po bëhet vullneti i Perëndisë në tokë, është se qeveritë nuk i nxitin njerëzit që të veprojnë kështu. Shumë qeveri janë treguar të pafuqishme, mizore ose të korruptuara. Bibla e thotë haptazi: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.»Eklisiastiu 8:9.

21. Si do të bëjë të mundur Mbretëria që vullneti i Perëndisë të bëhet në tokë?

21 Pas Harmagedonit, njerëzimi do të ketë vetëm një qeveri, Mbretërinë e Perëndisë. Kjo Mbretëri do të bëjë vullnetin e Perëndisë dhe do të sjellë bekime të mrekullueshme. Për shembull, do të heqë Satanain dhe demonët e tij. (Zbulesa 20:1-3) Do të zbatohet vlera e flijimit të Jezuit, me qëllim që njerëzit besnikë të mos sëmuren më e të mos vdesin. Madje, nën sundimin e Mbretërisë, do të kenë mundësi të jetojnë përgjithmonë. (Zbulesa 22:1-3) Toka do të kthehet në parajsë. Kështu, Mbretëria do të bëjë të mundur që vullneti i Perëndisë të bëhet në tokë dhe do të shenjtërojë emrin e Tij. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se, me kalimin e kohës, nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, të gjithë ata që jetojnë do të nderojnë emrin e Jehovait.

KUR DO TË VEPROJË MBRETËRIA E PERËNDISË?

22. Nga e dimë se Mbretëria e Perëndisë nuk erdhi kur Jezui ishte në tokë ose menjëherë pasi u ringjall?

22 Në kohën kur Jezui u tha ithtarëve të luteshin ‘ardhtë mbretëria jote’, ishte e qartë që kjo Mbretëri s’kishte ardhur ende. A erdhi kjo Mbretëri kur u ngjit Jezui në qiell? Jo, sepse edhe Pjetri, edhe Pavli, thanë se, pasi Jezui u ringjall, tek ai u përmbush profecia që gjendet në Psalmin 110:1, ku thuhet: «Jehovai i thotë Zotërisë tim: ‘Ulu në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.’» (Veprat 2:32-35; Hebrenjve 10:12, 13) Do të kishte një periudhë pritjeje.

Nën sundimin e Mbretërisë, vullneti i Perëndisë do të bëhet në tokë, siç po bëhet në qiell

23. (a) Kur filloi të sundojë Mbretëria e Perëndisë? (b) Çfarë do të shqyrtohet në kapitullin vijues?

23 Sa do të zgjaste kjo pritje? Gjatë shekullit të 19-të dhe të 20-të, studentët e sinqertë të Biblës kuptuan gradualisht se periudha e pritjes do të mbaronte në vitin 1914. (Në lidhje me këtë datë, shih Shtojcën «Viti 1914—Një vit domethënës në profecitë biblike».) Ngjarjet botërore që filluan në vitin 1914 vërtetojnë se kuptueshmëria e këtyre studentëve të sinqertë të Biblës ishte e saktë. Përmbushja e profecive të Biblës tregon se në vitin 1914, Krishti u bë Mbret dhe Mbretëria qiellore e Perëndisë filloi të sundojë. Prandaj, ne po jetojmë në ‘periudhën e shkurtër’ që i ka mbetur Satanait. (Zbulesa 12:12; Psalmi 110:2) Po ashtu, mund ta themi me plot gojën se së shpejti, Mbretëria e Perëndisë do të veprojë në mënyrë që vullneti i Perëndisë të bëhet në tokë. A nuk të duket i mrekullueshëm ky lajm? A beson se është i vërtetë? Kapitulli tjetër do të të ndihmojë të shohësh se Bibla i mëson vërtet këto gjëra.