Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI I TREMBËDHJETË

Të kemi pikëpamjen e Perëndisë për jetën

Të kemi pikëpamjen e Perëndisë për jetën
  • Si e konsideron Perëndia jetën?

  • Si e konsideron Perëndia abortin?

  • Si tregojmë respekt për jetën?

1. Kush i krijoi të gjitha gjërat e gjalla?

«JEHOVAI është me të vërtetë Perëndi. Ai është Perëndia i gjallë»,—tha profeti Jeremia. (Jeremia 10:10) Jo vetëm kaq, por Perëndia Jehova është Krijuesi i çdo gjëje të gjallë. Krijesat qiellore i thoshin atij: «Ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» (Zbulesa 4:11) Mbreti David i këndoi Perëndisë këto fjalë lavdie: «Ti je burimi i jetës.» (Psalmi 36:9) Pra, jeta është dhuratë nga Perëndia.

2. Çfarë bën Perëndia për të na mbajtur në jetë?

2 Jehovai jo vetëm që na ka dhënë jetën, por edhe na mban në jetë. (Veprat 17:28) Prej tij vjen ushqimi që hamë, uji që pimë, ajri që thithim dhe toka ku jetojmë. (Veprat 14:15-17) Këtë Jehovai e ka bërë në një mënyrë që e bën të kënaqshme jetën. Por, që ta gëzojmë plotësisht jetën, duhet të mësojmë cilat janë ligjet e Perëndisë dhe t’u bindemi atyre.Isaia 48:17, 18.

TREGO RESPEKT PËR JETËN

3. Si e konsideroi Perëndia vrasjen e Abelit?

3 Perëndia do që ne ta respektojmë jetën, qoftë jetën tonë, qoftë jetën e të tjerëve. Për shembull, në kohën kur jetonin Adami dhe Eva, djali i tyre, Kaini, u nxeh me vëllanë e vogël, Abelin. Jehovai e paralajmëroi Kainin se, po të vazhdonte në këtë gjendje të nxehur, mund të mëkatonte rëndë. Por ai e shpërfilli paralajmërimin, «e sulmoi Abelin dhe e vrau». (Zanafilla 4:3-8) Jehovai e ndëshkoi Kainin për vrasjen e të vëllait.Zanafilla 4:9-11.

4. Si e theksoi Perëndia në Ligjin e Moisiut pikëpamjen e duhur për jetën?

4 Mijëra vjet më vonë, Jehovai i dha popullit të Izraelit ligje, për t’i ndihmuar që t’i shërbenin në mënyrë të pranueshme. Meqë ato ligje u dhanë nëpërmjet profetit Moisi, quhen edhe Ligji i Moisiut. Një nga ato ligje thoshte: «Mos vrit.» (Ligji i përtërirë 5:17) Kjo u tregonte izraelitëve se Perëndia e vlerëson jetën njerëzore dhe se njerëzit duhet ta vlerësojnë jetën e të tjerëve.

5. Ç’pikëpamje duhet të kemi për abortin?

5 Po jeta e një fëmije që ende s’ka lindur, a ka vlerë? Sipas Ligjit të Moisiut, ishte e gabuar të shkaktoje vdekjen e një foshnje që ishte në barkun e nënës. Po, edhe kjo jetë është e çmuar në sytë e Jehovait. (Dalja 21:22, 23; Psalmi 127:3) Kjo do të thotë se aborti është i gabuar.

6. Pse nuk duhet t’i urrejmë të tjerët?

6 Të kemi respekt për jetën do të thotë edhe të kemi pikëpamjen e duhur për njerëzit e tjerë. Bibla thotë: «Kush urren vëllanë e tij është vrasës, dhe ju e dini se tek asnjë vrasës nuk mbetet jeta e përhershme.» (1 Gjonit 3:15) Në qoftë se duam jetën e përhershme, duhet të çrrënjosim krejtësisht nga zemra çfarëdo urrejtjeje për njerëzit e tjerë, sepse urrejtja lind dhunën. (1 Gjonit 3:11, 12) Është e domosdoshme të mësojmë të duam njëri-tjetrin.

7. Cilat janë disa praktika që tregojnë se nuk kemi respekt për jetën?

7 Por, si mund të tregojmë respekt për jetën tonë? Normalisht njerëzit nuk duan të vdesin, por ama, disa s’mendojnë shumë dhe e rrezikojnë jetën e tyre vetëm për hir të kënaqësive. Për shembull, shumë veta pinë duhan ose marrin drogë thjesht për t’u argëtuar. Këto substanca e dëmtojnë trupin dhe shpesh u shkaktojnë vdekjen atyre që i përdorin. Një njeri që e bën zakon përdorimin e këtyre substancave, nuk e konsideron të shenjtë jetën. Këto praktika janë të papastra në sytë e Perëndisë. (Romakëve 6:19; 12:1; 2 Korintasve 7:1) Për t’i shërbyer në mënyrë të pranueshme Perëndisë, duhet të heqim dorë nga këto praktika. Edhe pse kjo mund të jetë shumë e vështirë, Jehovai do të na japë ndihmën e nevojshme. Ai i vlerëson shumë përpjekjet që bëjmë për ta konsideruar jetën tonë si një dhuratë të çmuar prej tij.

8. Pse duhet të interesohemi gjithnjë për sigurinë?

8 Po të kemi respekt për jetën, do të interesohemi gjithnjë për sigurinë. Nuk do të jemi të shkujdesur e nuk do të rrezikojmë thjesht për hir të ndonjë kënaqësie ose për të provuar emocione të forta. Nuk do ta ngasim makinën si të çmendur, e nuk do të merremi me sporte të dhunshme a të rrezikshme. (Psalmi 11:5) Në ligjin që Perëndia i dha Izraelit të lashtë, thuhej: «Nëse ndërton një shtëpi të re [me çati të sheshtë], bëj edhe një parmak [ose mur të ulët] për tarracën, që të mos e bësh shtëpinë tënde me faj gjaku, nëse dikush bie prej saj.» (Ligji i përtërirë 22:8) Në përputhje me parimin që gjendet këtu, duhet ta mbash në gjendje të mirë shtëpinë, e sidomos disa pjesë të saj, si shkallët, që të mos pengohet, të bjerë e të dëmtohet njeri. Po të kesh makinë, duhet të sigurohesh se është në gjendje të mirë pune. Mos lejo që shtëpia ose makina jote të përbëjë rrezik për jetën tënde ose të të tjerëve.

9. Si do t’i trajtojmë kafshët, në qoftë se kemi respekt për jetën?

9 Po jetën e kafshëve, si duhet ta konsiderojmë? Edhe kjo është e shenjtë për Krijuesin. Perëndia lejon të vriten kafshë për ushqim e për veshje, ose kur vihet në rrezik jeta e njerëzve. (Zanafilla 3:21; 9:3; Dalja 21:28) Por, të sillesh mizorisht me kafshët ose t’i vrasësh për sport, është e gabuar dhe tregon se nuk ke fare respekt për shenjtërinë e jetës.Proverbat 12:10.

TREGO RESPEKT PËR GJAKUN

10. Si e ka treguar Perëndia se jeta dhe gjaku janë të lidhura me njëra-tjetrën?

10 Pasi Kaini vrau të vëllanë, Abelin, Jehovai i tha: «Gjaku i vëllait tënd po më thërret nga toka.» (Zanafilla 4:10) Duke përmendur gjakun e Abelit, Perëndia po i referohej jetës së tij. Kaini i kishte marrë jetën Abelit, e për këtë do të ndëshkohej. Ishte sikur gjaku ose jeta e Abelit t’i thërriste Jehovait duke kërkuar drejtësi. Lidhja midis gjakut dhe jetës doli përsëri në pah në kohën e Përmbytjes që ndodhi në ditët e Noesë. Para Përmbytjes, njerëzit hanin vetëm fruta, perime e drithëra. Por, pas Përmbytjes, Jehovai u tha Noesë dhe djemve të tij: «Çdo kafshë e gjallë që lëviz, do t’ju shërbejë si ushqim. Ashtu si ju dhashë bimësinë e gjelbër, po jua jap edhe të gjitha këto.» Po, megjithatë, Perëndia vuri këtë kufizim: «Vetëm mos e hani mishin me shpirtin [ose jetën] e tij, domethënë me gjakun e tij.» (Zanafilla 1:29; 9:3, 4) Është e qartë se, për Jehovain, jeta dhe gjaku i një krijese janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën.

11. Çfarë ka ndaluar Perëndia që në ditët e Noesë, për sa i përket përdorimit të gjakut?

11 Tregojmë respekt për gjakun duke mos e ngrënë atë. Në Ligjin që u dha izraelitëve, Jehovai urdhëroi: «Nëse dikush . . . zë një kafshë a shpend që mund të hahet, do ta derdhë gjakun e presë dhe do ta mbulojë me dhé. . . . U them bijve të Izraelit: ‘Mos hani gjakun e asnjë gjallese.’» (Levitiku 17:13, 14) Urdhri për të mos e ngrënë gjakun e kafshëve, që Perëndia ia kishte dhënë për herë të parë Noesë rreth 800 vjet më parë, ishte ende në fuqi. Pikëpamja e Jehovait ishte e qartë: shërbëtorët e tij mund të hanin mishin e kafshëve, por jo gjakun. Duhej ta derdhnin në tokë gjakun, me fjalë të tjera, duke ia kthyer Perëndisë jetën e asaj krijese.

12. Cili urdhër për gjakun u dha me anë të frymës së shenjtë në shekullin e parë dhe është ende i vlefshëm sot?

12 Edhe të krishterët kanë një urdhër të ngjashëm. Në shekullin e parë, apostujt dhe burrat e tjerë që merrnin drejtimin ndër dishepujt e Jezuit, u mblodhën për të vendosur cilëve urdhra duhej t’u bindeshin të gjithë në kongregacionin e krishterë. Ja në ç’përfundim arritën: «Frymës së shenjtë dhe neve na u duk mirë të mos ju shtonim asnjë barrë tjetër, përveç këtyre gjërave të nevojshme: të vazhdoni të rrini larg nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga kafshët e mbytura [të cilave u ka mbetur gjaku brenda] dhe nga kurvëria.» (Veprat 15:28, 29; 21:25) Pra, duhet ‘të vazhdojmë të rrimë larg nga gjaku’. Në sytë e Perëndisë, kjo është po aq e rëndësishme, sa edhe shmangia e idhujtarisë dhe e imoralitetit seksual.

Në qoftë se mjeku do të të thoshte të mos përdorje alkool, a do ta futje me gjilpërë nga venat?

13. Ilustro pse urdhri për t’u përmbajtur nga gjaku përfshin edhe transfuzionin e gjakut.

13 A e përfshin edhe transfuzionin e gjakut urdhri që të rrimë larg nga gjaku? Po. Le ta ilustrojmë. Ta zëmë se mjeku të thotë të mos përdorësh më pije alkoolike. A do të thotë kjo vetëm që nuk duhet të pish alkool, por mund ta futësh me gjilpërë nga venat? Natyrisht që jo! Po kështu, të rrish larg nga gjaku do të thotë të mos e futësh fare në trup. Prandaj, urdhri që të rrimë larg nga gjaku, do të thotë të mos lejojmë askënd të na futë gjak nga venat.

14, 15. Si do të reagojë një i krishterë, nëse mjekët i thonë që duhet të bëjë transfuzion gjaku, e përse?

14 Po sikur një i krishterë të dëmtohet rëndë ose të duhet të bëjë një operacion të vështirë? Ta zëmë se mjekët i thonë që duhet të bëjë se s’bën transfuzion gjaku, përndryshe do të vdesë. Sigurisht, i krishteri nuk dëshiron të vdesë. Ai dëshiron ta ruajë jetën, këtë dhuratë të çmuar që i ka dhënë Perëndia, kështu që i pranon llojet e tjera të mjekimit, që nuk përfshijnë keqpërdorimin e gjakut. Prandaj, do të kërkojë këto lloje mjekimi, nëse ekzistojnë, dhe do të pranojë mundësi të ndryshme që s’kanë të bëjnë me gjakun.

15 A do ta shkelte një i krishterë ligjin e Perëndisë, vetëm e vetëm për të mbetur gjallë edhe për pak kohë në këtë sistem? Jezui tha: «Kushdo që dëshiron ta shpëtojë shpirtin [ose jetën] e vet, do ta humbasë, por kushdo që e humbet shpirtin e vet për hirin tim, do ta gjejë.» (Mateu 16:25) Ne nuk duam të vdesim. Por, po të përpiqeshim ta shpëtonim jetën tani duke shkelur ligjin e Perëndisë, do të rrezikonim të humbnim jetën e përhershme. Prandaj, gjëja më e mençur është të kemi besim te drejtësia e ligjit të Perëndisë, plotësisht të sigurt se, nëse na ndodh që të humbim jetën, Jetëdhënësi ynë do të na kujtojë e do të na ringjallë, duke na e rikthyer dhuratën e çmuar të jetës.Gjoni 5:28, 29; Hebrenjve 11:6.

16. Për çfarë janë të vendosur shërbëtorët e Perëndisë, në lidhje me gjakun?

16 Sot, shërbëtorët besnikë të Perëndisë janë plotësisht të vendosur të ndjekin urdhërimet e tij lidhur me gjakun. Ata nuk hanë gjak në asnjë formë. As pranojnë gjak për arsye mjekësore. * Janë të sigurt se Perëndia që ka krijuar gjakun, e di çfarë është më mirë për ta. A je edhe ti po kaq i sigurt?

I VETMI PËRDORIM I DUHUR I GJAKUT

17. Në Izraelin e lashtë, cili ishte i vetmi përdorim i gjakut që pranonte Perëndia Jehova?

17 Në Ligjin e Moisiut theksohej se cili ishte i vetmi përdorim i përshtatshëm i gjakut. Për sa i përket adhurimit që kërkohej nga izraelitët e lashtë, Jehovai urdhëroi: «Shpirti [ose jeta] i gjallesës është në gjak, dhe unë e kam caktuar të vihet mbi altar për të bërë shlyerjen për shpirtrat tuaj, sepse gjaku bën shlyerjen.» (Levitiku 17:11) Kur izraelitët mëkatonin, mund t’u faleshin mëkatet nëse flijonin një kafshë dhe vinin ca nga gjaku i saj mbi altarin që ndodhej në tabernakull e më vonë në tempullin e Perëndisë. I vetmi përdorim i duhur i gjakut ishte në flijime të tilla.

18. Çfarë dobish e çfarë bekimesh mund të marrim nga gjaku që ka derdhur Jezui?

18 Të krishterët e vërtetë nuk janë nën Ligjin e Moisiut, prandaj nuk flijojnë kafshë për t’ua vënë gjakun mbi ndonjë altar. (Hebrenjve 10:1) Megjithatë, vënia e gjakut mbi altar në kohën e Izraelit të lashtë, paraqiste flijimin e çmuar që bëri Biri i Perëndisë, Jezu Krishti. Siç e mësuam në kapitullin e pestë të këtij libri, Jezui dha jetën e tij njerëzore për ne, duke lejuar që gjaku i tij të derdhej si flijim. Pastaj u ngjit në qiell dhe i paraqiti një herë e mirë Perëndisë vlerën e gjakut të tij të derdhur. (Hebrenjve 9:11, 12) Kjo hodhi bazën që të na falen mëkatet dhe hapi rrugën që të fitojmë jetën e përhershme. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16) Sa i rëndësishëm që ka qenë ky përdorim i veçantë i gjakut! (1 Pjetrit 1:18, 19) Vetëm duke pasur besim në vlerën e gjakut që ka derdhur Jezui, mund të marrim shpëtimin.

Si mund të tregosh respekt për jetën e për gjakun?

19. Çfarë duhet të bëjmë për të qenë ‘të pastër nga gjaku i të gjithë njerëzve’?

19 Duhet t’i jemi shumë mirënjohës Perëndisë Jehova që na ka dhënë jetën, këtë dhuratë të çmuar! A nuk duhet të na motivojë kjo, që t’u flasim të tjerëve për mundësinë që të marrin jetën e përhershme në bazë të besimit te flijimi i Jezuit? Nëse kemi të njëjtin interesim që ka Jehovai për jetën e njerëzve të tjerë, do të ndihemi të nxitur t’u flasim atyre me zell e gatishmëri. (Ezekieli 3:17-21) Në qoftë se e përmbushim me zell këtë përgjegjësi, do të mund të themi si apostulli Pavël: «Jam i pastër nga gjaku i të gjithë njerëzve, sepse nuk ndenja pa jua treguar gjithë qëllimin e Perëndisë.» (Veprat 20:26, 27) T’u flasim njerëzve për Perëndinë e për qëllimet e tij, është një mënyrë e shkëlqyer për të treguar se e vlerësojmë shumë jetën dhe gjakun.

^ par. 16 Për informacione rreth mundësive të tjera përveç transfuzionit të gjakut, shih artikullin me titull «Alternativa me cilësi ndaj transfuzionit» të broshurës Si mund t’jua shpëtojë gjaku jetën?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.