Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SHTOJCA

Emri i Perëndisë: Si përdoret dhe ç’kuptim ka?

Emri i Perëndisë: Si përdoret dhe ç’kuptim ka?

SI ËSHTË përkthyer Psalmi 83:18 në Biblën tënde? Te Shkrimet e Shenjta, Përkthimi Bota e Re, ky varg është kështu: «Që ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.» Ka dhe disa përkthime të tjera të Biblës që e kanë shprehur në mënyrë të ngjashme këtë varg. Mirëpo, në shumë përkthime emri Jehova është hequr dhe është zëvendësuar me tituj të tillë, si «Zot» dhe «I Përjetshëm». Çfarë duhet përdorur në këtë varg, një titull apo emri Jehova?

Emri i Perëndisë me germa hebraike

Ky varg flet për një emër. Në hebraishten e lashtë, në të cilën u shkrua një pjesë e mirë e Biblës, në këtë vend shfaqet një emër i përveçëm që është shumë i veçantë. Shkruhet יהוה (YHWH) me germat hebraike. Në shqip, përkthimi më i zakonshëm i këtij emri të përveçëm është «Jehova». A del ky emër vetëm në një varg të Biblës? Jo. Në tekstin origjinal të Shkrimeve Hebraike del gati 7.000 herë!

Sa i rëndësishëm është emri i Perëndisë? Shqyrto lutjen model që dha Jezu Krishti. Lutja fillon kështu: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Më vonë, Jezui iu lut Perëndisë: «O Atë, jepi lavdi emrit tënd!» Duke iu përgjigjur që nga qielli, Perëndia tha: «I dhashë lavdi dhe do t’i jap lavdi përsëri.» (Gjoni 12:28) Kuptohet qartë se emri i Perëndisë është tepër i rëndësishëm. Po atëherë, pse disa përkthyes e kanë hequr këtë emër nga përkthimet e tyre të Biblës dhe e kanë zëvendësuar me tituj?

Duket se ka dy arsye kryesore. Së pari, shumë thonë që ky emër nuk duhet përdorur, ngaqë sot nuk dihet se si është shqiptuar fillimisht. Hebraishtja e lashtë shkruhej pa zanore. Prandaj, sot asnjë s’mund ta thotë me siguri se si e shqiptonin njerëzit emrin YHWH në kohët biblike. Mirëpo, a duhet të na pengojë kjo që ta përdorim emrin e Perëndisë? Në kohët biblike, emri Jezu mund të jetë shqiptuar Jeshua ose ndoshta edhe Jehoshua, por askush s’mund ta thotë me siguri. E megjithatë, sot në gjithë botën njerëzit përdorin forma të ndryshme të emrit Jezu, duke e shqiptuar siç është e zakonshme në gjuhën e tyre. Nuk e kanë problem ta përdorin emrin meqë s’e dinë si shqiptohej në shekullin e parë. Po ashtu, në qoftë se shkon në një vend të huaj, ndoshta do të vësh re se emri yt tingëllon ndryshe në një gjuhë tjetër. Prandaj, pse s’jemi të sigurt si shqiptohej në lashtësi emri i Perëndisë, kjo nuk është arsye për të mos e përdorur.

Një arsye e dytë që përdoret shpesh për të justifikuar heqjen e emrit të Perëndisë nga Bibla, ka të bëjë me një zakon të lashtë të judenjve. Shumë prej tyre besojnë se emri i Perëndisë nuk duhet shqiptuar kurrë. Kjo bindje, me sa duket, bazohet në interpretimin e gabuar të një ligji të Biblës që thotë: «Mos e zër në gojë kot emrin e Jehovait, Perëndisë tënd, sepse Jehovai nuk do ta lërë pa ndëshkuar atë që e zë në gojë kot emrin e tij.»Dalja 20:7.

Ky ligj ndalon përdorimin vend e pa vend të emrit të Perëndisë. Por, a e ndalon përdorimin e tij me respekt? Aspak. Shkrimtarët e Biblës Hebraike («Besëlidhjes së Vjetër») ishin që të gjithë shërbëtorë besnikë, të cilët jetonin sipas Ligjit që u kishte dhënë Perëndia izraelitëve të lashtë. E megjithatë, e përdorën shpesh emrin e Perëndisë. Për shembull, e përfshinë në shumë psalme, që pastaj i këndonin me zë të lartë një shumicë adhuruesish. Madje Perëndia Jehova i udhëzoi adhuruesit që ta thërritnin emrin e tij, e ata që ishin besnikë iu bindën. (Joeli 2:32; Veprat 2:21) Prandaj, sot të krishterët nuk ngurrojnë ta përdorin me respekt emrin e Perëndisë, siç bëri, me siguri, edhe Jezui.Gjoni 17:26.

Duke e zëvendësuar emrin e Perëndisë me tituj, përkthyesit e Biblës bëjnë një gabim të madh. E bëjnë Perëndinë të duket i largët dhe i ftohtë, kurse Bibla i nxit njerëzit që të zënë ‘miqësi të ngushtë me Jehovain’. (Psalmi 25:14) Mendo për një shok të ngushtë që ke. Sa të ngushtë do të ishit me të vërtetë, në qoftë se kurrë nuk do t’ia mësoje emrin? Po kështu, kur njerëzve qëllimisht nuk u thuhet emri i Perëndisë, Jehova, si mund t’i afrohen Perëndisë dhe të kenë një miqësi të ngushtë me të? Për më tepër, kur njerëzit nuk e përdorin emrin e Perëndisë, nuk e dinë as kuptimin e tij të mrekullueshëm. Ç’kuptim ka emri i Perëndisë?

Vetë Perëndia ia shpjegoi domethënien e emrit të vet Moisiut, një shërbëtori besnik. Kur Moisiu pyeti për emrin e Perëndisë, Jehovai iu përgjigj: «Unë do të bëhem çdo gjë që dua të bëhem.» (Dalja 3:14) Në përkthimin e Rotherhamit, gjejmë këto fjalë: «Do të bëhem çfarëdo që të më pëlqejë.» Pra, Jehovai mund të bëhet çfarëdo të jetë e nevojshme, që të përmbushë qëllimet e tij.

Ta zëmë se ti mund të bëheshe çfarë të doje. Çfarë do të bëje për miqtë e tu? Po të sëmurej rëndë njëri prej tyre, mund të bëheshe një mjek i zoti dhe të gjeje një kurë për të. Nëse një tjetër do të kishte probleme financiare, mund të bëheshe një bamirës i pasur që t’i vije në ndihmë. Por e vërteta është se ti, ashtu si të gjithë ne, s’mund të bëhemi çfarë të duam, jemi të kufizuar. Ndërsa, gjatë studimit të Biblës, do të mahnitesh kur të kuptosh se si Jehovai bëhet çfarëdo që të jetë e nevojshme, për të përmbushur premtimet e tij. Jo vetëm kaq, por atij i pëlqen ta përdorë fuqinë në dobi të atyre që e duan. (2 Kronikave 16:9) Ata që nuk e dinë emrin e Jehovait, nuk kanë si t’i kuptojnë këto aspekte të bukura të personalitetit të Tij.

Është e qartë se emri Jehova duhet përdorur në Bibël. Kur e dimë kuptimin e këtij emri dhe e përdorim lirshëm në adhurim, kjo na ndihmon për t’iu afruar gjithnjë e më shumë Atit tonë qiellor, Jehovait. *

^ par. 3 Për më shumë informacion rreth emrit të Perëndisë, kuptimit të këtij emri dhe arsyeve pse duhet përdorur në adhurim, shih broshurën Emri hyjnor që do të qëndrojë përgjithmonë, botuar në disa gjuhë nga Dëshmitarët e Jehovait.