Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SHTOJCA

E vërteta rreth Atit, Birit dhe frymës së shenjtë

E vërteta rreth Atit, Birit dhe frymës së shenjtë

NJERËZIT që besojnë doktrinën e Trinitetit, thonë se Perëndia përbëhet nga tre persona: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Thonë që secili prej këtyre tre personave është i barabartë me dy të tjerët, i plotfuqishëm dhe pa fillim. Pra, sipas doktrinës së Trinitetit, Ati është Perëndi, Biri është Perëndi dhe shpirti ose fryma e shenjtë është Perëndi, e megjithatë, ka vetëm një Perëndi.

Shumë veta që besojnë te Triniteti e pranojnë se nuk dinë ta shpjegojnë këtë doktrinë. Megjithatë, ndoshta mendojnë se kështu mëson Bibla. Është e rëndësishme të dimë se fjala «Trinitet» nuk gjendet në asnjë vend në Bibël. Po ideja për një Trinitet, a gjendet? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të shohim një shkrim që e përmendin shpesh përkrahësit e Trinitetit për të mbrojtur këtë doktrinë.

«FJALA ISHTE PERËNDI»

Te Gjoni 1:1 thuhet: «Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë dhe Fjala ishte Perëndi.» (Diodati i Ri) Më poshtë në të njëjtin kapitull, apostulli Gjon e tregon qartë se «Fjala» është Jezui. (Gjoni 1:14) Por, meqë këtu Fjala është quajtur Perëndi, disa nxjerrin përfundimin se Biri dhe Ati duhet të jenë pjesë e të njëjtit Perëndi.

Duhet mbajtur parasysh se kjo pjesë e Biblës u shkrua fillimisht në greqisht. Më vonë, përkthyesit e kthyen tekstin nga greqishtja në gjuhë të tjera. Megjithatë, disa përkthyes nuk përdorën shprehjen «Fjala ishte Perëndi». Pse? Duke u bazuar në njohurinë për gjuhën greke në të cilën u shkrua Bibla, këta përkthyes nxorën si përfundim se shprehja «Fjala ishte Perëndi» duhej përkthyer ndryshe. Si duhej përkthyer? Ja disa shembuj: «Logosi [Fjala] ishte hyjnore.» (A New Translation of the Bible) «Fjala ishte një perëndi.» (The New Testament in an Improved Version) «Fjala ishte me Perëndinë dhe kishte të njëjtën natyrë me të.» (The Translator’s New Testament) Sipas këtyre përkthimeve, Fjala nuk është vetë Perëndia. * Por, për shkak të pozitës së lartë që ka ndër krijesat e tjera të Jehovait, Fjala quhet «një perëndi». Këtu, «perëndi» ka kuptimin «i fuqishëm».

SHQYRTO MË SHUMË FAKTE

Shumë njerëz nuk e dinë greqishten në të cilën u shkrua Bibla. Atëherë, si mund ta dish se çfarë donte të thoshte vërtet apostulli Gjon? Mendo për këtë ilustrim. Një mësues u shpjegon mësimin nxënësve të tij, por më pas, nxënësit kanë mendime të ndryshme se si duhet kuptuar ky shpjegim. Si ta zgjidhin këtë problem? Mund të pyesin mësuesin që t’u japë më shumë informacione. Me siguri, po të mësojnë edhe fakte të tjera, do ta kuptojnë më mirë mësimin. Po kështu, për të kuptuar domethënien e Gjonit 1:1, mund të kontrollosh në ungjillin sipas Gjonit për të gjetur më shumë informacione për pozitën e Jezuit. Duke mësuar më shumë fakte për këtë argument, do të arrish në përfundimin e duhur.

Për shembull, shqyrto çfarë shkruan më tej Gjoni, në kapitullin e parë, vargu 18: «Askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë [e Plotfuqishëm].» Kurse Jezuin, pra Birin, njerëzit e kanë parë, sepse Gjoni thotë: «Fjala [Jezui] u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij.» (Gjoni 1:14, Dio) Pra, si mund të ishte Biri pjesë e Perëndisë së Plotfuqishëm? Gjoni thotë edhe se Fjala ishte «pranë Perëndisë». Po si mund të jetë dikush pranë një personi tjetër, e njëkohësisht të jetë po ai person? Për më tepër, siç lexojmë te Gjoni 17:3, Jezui bën një dallim të qartë ndërmjet vetes dhe Atit të tij qiellor. Ai e quan Atin e tij «të vetmin Perëndi të vërtetë». Pastaj, aty nga fundi i ungjillit të tij, Gjoni bën një përmbledhje, duke thënë: «Këto janë shkruar që të besoni se Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë.» (Gjoni 20:31) Siç e shikon, ai e quan Jezuin Birin e Perëndisë, jo Perëndinë. Këto informacione të tjera që gjejmë në ungjillin sipas Gjonit, tregojnë se si duhet kuptuar Gjoni 1:1. Jezui, pra Fjala, është «një perëndi» në kuptimin që ka një pozitë të lartë, por s’është i njëjtë me Perëndinë e Plotfuqishëm.

VERIFIKOJI FAKTET

Të mendojmë prapë për ilustrimin me mësuesin dhe nxënësit. Ta zëmë se disa nxënës prapë kanë dyshime, edhe pse e kanë dëgjuar mësuesin që u ka dhënë informacione të tjera. Ç’mund të bëjnë akoma? Mund të shkojnë te një mësues tjetër e ta pyesin për të njëjtin argument. Në qoftë se mësuesi i dytë mbështet shpjegimin e mësuesit të parë, shumica e nxënësve s’do të kenë më dyshime. Po kështu, në qoftë se nuk je i sigurt se çfarë po thoshte vërtet shkrimtari Gjon për marrëdhënien që ekziston ndërmjet Jezuit dhe Perëndisë së Plotfuqishëm, mund të shkosh te një shkrimtar tjetër i Biblës, për të marrë më shumë informacione. Për shembull, shiko çfarë shkroi Mateu. Ai citoi fjalët e Jezuit, që tha për fundin e këtij sistemi: «Atë ditë dhe atë orë s’e di askush, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.» (Mateu 24:36) Si e vërtetojnë këto fjalë se Jezui nuk është Perëndia i Plotfuqishëm?

Jezui thotë se Ati di më shumë sesa Biri. Por, në qoftë se Jezui do të ishte pjesë e Perëndisë së Plotfuqishëm, do të dinte të njëjtat gjëra si Ati i tij. Prandaj, Ati dhe Biri s’mund të jenë të barabartë. Po disa do të thonë: «Jezui kishte dy natyra. Këtu ai po flet si njeri.» Edhe sikur të ishte kështu, ç’të themi për frymën e shenjtë? Në qoftë se ajo është pjesë e të njëjtit Perëndi si edhe Ati, pse Jezui nuk thotë se ajo di gjërat që di Ati?

Duke vazhduar studimin e Biblës, do të lexosh shumë vargje të tjera biblike që lidhen me këtë argument. Ato mbështetin të vërtetën rreth Atit, Birit dhe frymës së shenjtë.Psalmi 90:2; Veprat 7:55; Kolosianëve 1:15.

^ par. 3 Për një shqyrtim të mëtejshëm të Gjonit 1:1, shih artikullin «Fjala ishte «Perëndi» apo «një perëndi»?» në Kullën e Rojës 1 nëntor 2008, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.