Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SHTOJCA

«Shpirti» dhe «fryma»: Ç’kuptim kanë vërtet këto fjalë?

«Shpirti» dhe «fryma»: Ç’kuptim kanë vërtet këto fjalë?

ÇFARË të vjen në mendje kur dëgjon fjalët «shpirt» dhe «frymë»? Shumë njerëz besojnë se këto fjalë përshkruajnë diçka të padukshme e të pavdekshme, që banon brenda nesh. Mendojnë se, kur vdes njeriu, kjo pjesë e padukshme del nga trupi dhe vazhdon të jetojë. Meqë ky mendim është mjaft i përhapur, shumë veta habiten kur shohin se kjo gjë nuk mësohet fare në Bibël. Po atëherë, çfarë është shpirti e çfarë është fryma, sipas Fjalës së Perëndisë?

PËRDORIMI I FJALËS «SHPIRT» NË BIBËL

Së pari, të flasim për shpirtin. Ndoshta të kujtohet që kryesisht Bibla u shkrua në gjuhët hebraike dhe greke. Shkrimtarët e Biblës përdorën fjalën hebraike nefesh ose fjalën greke psihé kur shkruan për shpirtin. Këto dy fjalë gjenden më shumë se 800 herë në Shkrime, dhe në Përkthimin Bota e Re janë përkthyer gjithnjë «shpirt». Kur shqyrton mënyrën si përdoren në Bibël fjalët «shpirt» dhe «shpirtra», del qartë se kryesisht kanë të bëjnë me (1) njerëzit, (2) kafshët ose (3) jetën e njeriut a të kafshës. Le të shqyrtojmë disa shkrime që i bëjnë të qarta këto tri kuptime.

Njerëzit. «Në ditët e Noesë . . . pak njerëz, domethënë tetë shpirt, shpëtuan nëpërmjet ujit.» (1 Pjetrit 3:20) Këtu është e qartë se fjala «shpirt» përdoret për njerëzit, pra për Noenë, gruan dhe tre bijtë e tij, me bashkëshortet e tyre. Te Dalja 16:16 përmenden udhëzimet që iu dhanë izraelitëve për mbledhjen e manës. Ja çfarë iu tha: «Secili të mbledhë . . . për aq shpirt sa ka secili në tendën e tij.» Pra, sasia e manës që mblidhej, bazohej në numrin e njerëzve që përbënin çdo familje. Disa shembuj të tjerë biblikë, ku fjala «shpirt» është përdorur për njerëzit, gjenden te Zanafilla 46:18; Josiu 11:11; Veprat 27:37 dhe Romakëve 13:1.

Kafshët. Në tregimin e Biblës për krijimin, lexojmë: «Perëndia vazhdoi të thoshte: ‘Le të gëlojnë ujërat nga një mori me shpirtra të gjallë dhe krijesat fluturuese le të fluturojnë mbi tokë, në hapësirën e qiejve.’ Perëndia vazhdoi të thoshte: ‘Le të dalin nga toka shpirtra të gjallë, sipas llojeve të tyre: kafshë të buta, kafshë të tjera që lëvizin dhe kafshët e egra të tokës, sipas llojit të vet.’ Dhe kështu u bë.» (Zanafilla 1:20, 24) Në këtë pjesë, fjala «shpirtra» përdoret për peshqit, kafshët e buta dhe kafshët e egra. Shpendët dhe kafshët e tjera janë quajtur shpirtra edhe te Zanafilla 9:10; Levitiku 11:46 dhe Numrat 31:28.

Jeta e njeriut. Nganjëherë, fjala «shpirt» i referohet jetës së njeriut. Jehovai i tha Moisiut: «Gjithë njerëzit që kërkonin shpirtin tënd, kanë vdekur.» (Dalja 4:19) Çfarë kërkonin armiqtë e Moisiut? Donin t’i merrnin jetën. Më parë, ndërsa Rakela po lindte Beniaminin, «po jepte shpirt (sepse vdiq)». (Zanafilla 35:16-19) Kështu, Rakela humbi jetën. Shqyrto edhe fjalët e Jezuit: «Unë jam bariu i shkëlqyer, dhe bariu i shkëlqyer jep shpirtin për delet.» (Gjoni 10:11) Jezui dha shpirtin ose jetën e tij për njerëzimin. Në këto pjesë të Biblës, fjala «shpirt» i referohet në mënyrë të qartë jetës së njeriut. Shembuj të tjerë të këtij kuptimi të fjalës «shpirt» do t’i gjesh te 1 Mbretërve 17:17-23 (shënimi); Mateu 10:39; Gjoni 15:13 dhe Veprat 20:10 (shënimi).

Një studim i mëtejshëm i Fjalës së Perëndisë do të të tregojë se, në asnjë vend të Biblës, termat «i pavdekshëm» ose «i përjetshëm» nuk janë së bashku me fjalën «shpirt». Në vend të kësaj, Shkrimet thonë se shpirti vdes. (Ezekieli 18:4, 20) Prandaj, dikë që ka vdekur, Bibla e quan thjesht ‘shpirt të vdekur’.Levitiku 21:11.

ÇFARË ËSHTË «FRYMA»?

Le të shqyrtojmë tani si e përdor Bibla fjalën «frymë». Disa njerëz mendojnë se fjala «frymë» është thjesht sinonim i fjalës «shpirt». Por, nuk është kështu. Bibla e bën të qartë se fjalët «shpirt» e «frymë» kanë të bëjnë me dy gjëra të ndryshme. Si ndryshojnë?

Shkrimtarët e Biblës përdorën fjalën hebraike ruah ose fjalën greke pneuma kur shkruan për «frymën». Vetë Shkrimet e tregojnë se çfarë kuptimi kanë këto fjalë. Për shembull, te Psalmi 104:29 thuhet: «[O Jehova] po t’ua heqësh frymën [ruah], ato marrin fund, e kthehen në pluhur.» Dhe te Jakovi 2:26 thuhet se «trupi pa frymë [pneuma] është i vdekur». Pra, në këto vargje, «fryma» i referohet asaj që i jep jetë një trupi. Pa frymë, trupi është i vdekur. Prandaj në Bibël fjala ruah përkthehet jo vetëm «frymë», por edhe «forcë» ose forca e jetës. Për shembull, për Përmbytjen e kohës së Noesë, Perëndia tha: «Do të derdh në tokë ujërat e përmbytjes, që të shkatërroj çdo mish që gjendet nën qiej dhe në të cilin vepron forca [ruah] e jetës.» (Zanafilla 6:17; 7:15, 22) Kështu, «fryma» i referohet një force të padukshme (shkëndijës së jetës) që u jep jetë gjithë krijesave të gjalla.

Shpirti dhe fryma nuk janë e njëjta gjë. Trupi ka nevojë për frymën pak a shumë ashtu si një radio ka nevojë për rrymën elektrike, që të punojë. Për ta ilustruar më tej, le të mendojmë për një radio dore. Kur i vë bateritë kësaj radioje dhe e ndez, energjia e baterive i jep jetë radios, nëse mund të thuhet kështu. Por, pa bateri, radioja s’punon. Edhe me radion që punon me energji elektrike, ndodh e njëjta gjë kur hiqet nga priza. Po kështu, fryma është forca që i jep jetë trupit tonë. Dhe, ashtu si energjia elektrike, fryma s’ka ndjenja dhe nuk mendon. Nuk ka personalitet. Por, pa këtë frymë ose forcë jete, trupat tanë «marrin fund, e kthehen në pluhur», siç tha psalmisti.

Duke folur për vdekjen e njeriut, Eklisiastiu 12:7 thotë: «Pluhuri [i trupit të tij] kthehet në tokë, aty ku ishte më parë, dhe fryma kthehet te Perëndia i vërtetë që e dha.» Kur fryma ose forca e jetës ikën nga trupi, trupi vdes dhe kthehet nga kishte ardhur, pra në tokë. Njësoj, forca e jetës kthehet andej nga erdhi, domethënë te Perëndia. (Jobi 34:14, 15; Psalmi 36:9) Kjo nuk do të thotë që, në kuptimin e mirëfilltë, forca e jetës shkon në qiell. Jo, do të thotë se, për një njeri që vdes, shpresa për jetën e ardhshme varet nga Perëndia Jehova. Jeta e tij është në duart e Perëndisë, në kuptimin që, vetëm me fuqinë e Perëndisë, fryma ose forca e jetës së atij njeriu mund të kthehet prapë, dhe ai të jetojë.

Sa ngushëlluese është të dimë se, pikërisht këtë do të bëjë Perëndia për të gjithë ata që pushojnë «në varre». (Gjoni 5:28, 29) Në kohën e ringjalljes, Jehovai do të formojë një trup të ri për atë që është në gjumin e vdekjes dhe do ta sjellë në jetë, duke vënë në të frymën ose forcën e jetës. Sa kohë e gëzueshme që do të jetë!

Nëse dëshiron të mësosh më shumë për fjalët «shpirt» dhe «frymë», siç janë përdorur në Bibël, do të gjesh informacione të vlefshme në broshurën Çfarë ndodh me ne kur vdesim?, si edhe në librin Të arsyetojmë nga Shkrimet, faqet 144-148, 387-392, botuar në disa gjuhë nga Dëshmitarët e Jehovait