Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SHTOJCA

Viti 1914—Një vit domethënës në profecitë biblike

Viti 1914—Një vit domethënës në profecitë biblike

DISA dhjetëvjeçarë më përpara, studentët e Biblës shpallën se në vitin 1914 do të ndodhnin ngjarje të rëndësishme. Çfarë ishin këto ngjarje dhe cilat fakte tregojnë se viti 1914 është një vit kaq i rëndësishëm?

Te Luka 21:24 lexojmë fjalët e Jezuit: «Jerusalemin do ta shkelin kombet, derisa të përmbushen kohët e caktuara të kombeve [«kohët e paganëve», Dio].» Jerusalemi kishte qenë kryeqyteti i kombit judaik, selia e mbretërve që ishin nga linja gjenealogjike e mbretit David. (Psalmi 48:1, 2) Por, ata mbretër nuk ishin si gjithë udhëheqësit e kombeve të tjera. Ata uleshin në «fronin e Jehovait» si përfaqësues të vetë Perëndisë. (1 Kronikave 29:23) Pra, Jerusalemi ishte simbol i sundimit të Jehovait.

Por, si dhe kur filluan ta ‘shkelnin kombet’ sundimin e Perëndisë? Kjo ndodhi në vitin 607 p.e.s., kur Jerusalemin e pushtuan babilonasit. ‘Froni i Jehovait’ mbeti bosh dhe linja e mbretërve që ishin pasardhës të Davidit, u ndërpre. (2 Mbretërve 25:1-26) A do të vazhdonte përgjithmonë kjo ‘shkelje’? Jo, sepse në profecinë e Ezekielit iu tha kështu Zedekisë, mbretit të fundit të Jerusalemit: «Hiqe çallmën, hiqe kurorën. . . . Nuk do t’i jepet askujt, gjersa të vijë ai që ka të drejtën ligjore, dhe atij do t’ia jap.» (Ezekieli 21:26, 27) Ai që ka «të drejtën ligjore» për të marrë kurorën e Davidit, është Krishti Jezu. (Luka 1:32, 33) Pra, ‘shkelja’ do të mbaronte kur Jezui të bëhej Mbret.

Kur do të ndodhte kjo ngjarje e shënuar? Jezui tregoi se paganët do të sundonin për një periudhë kohe të caktuar. Tregimi që gjejmë në kapitullin e katërt të librit të Danielit, përmban informacionet që na duhen për të ditur sa do të zgjaste kjo periudhë. Aty tregohet për një ëndërr profetike që pa mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori. Ai pa në ëndërr një pemë gjigante që u pre. Kërcuri i pemës nuk mund të rritej, sepse ishte lidhur me rrathë hekuri dhe bakri. Një engjëll tha: «Le të kalojnë shtatë kohë.»Danieli 4:10-16.

Nganjëherë, në Bibël, pemët përdoren për të paraqitur sundimin. (Ezekieli 17:22-24; 31:2-5) Pra, prerja e pemës simbolike paraqet ndërprerjen e sundimit të Perëndisë, të shprehur nëpërmjet mbretërve në Jerusalem. Megjithatë, në vegim u tha që ‘shkelja e Jerusalemit’ nga kombet do të ishte e përkohshme, do të zgjaste ‘shtatë kohë’. Sa e gjatë është kjo periudhë?

Zbulesa 12:6, 14 tregon që tre kohë e gjysmë janë të barabarta me «një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë». Kështu, «shtatë kohë» do të ishin sa dyfishi, 2.520 ditë. Por, kombet pagane nuk pushuan së ‘shkeluri’ mbi sundimin e Perëndisë 2.520 ditë pasi kishte rënë Jerusalemi. Kështu, me sa duket, kjo profeci përfshin një periudhë kohe shumë më të gjatë. Në bazë të Numrave 14:34 dhe Ezekielit 4:6, ku përmendet «një ditë për një vit», ‘shtatë kohët’ do të ishin 2.520 vjet.

Këto 2.520 vjet filluan në tetor të vitit 607 p.e.s., kur Jerusalemi u pushtua nga babilonasit dhe mbreti i linjës së Davidit u hoq nga froni, dhe përfunduan në tetor të vitit 1914. Atëherë mbaruan «kohët e caktuara të kombeve» dhe Jezu Krishti u vendos si Mbreti qiellor i Perëndisë. *Psalmi 2:1-6; Danieli 7:13, 14.

Siç paratha Jezui, ‘prania’ e tij si Mbret qiellor është karakterizuar nga zhvillime të jashtëzakonshme në botë: luftëra, zi buke, tërmete dhe murtaja. (Mateu 24:3-8; Luka 21:11) Këto zhvillime janë dëshmi e fuqishme se viti 1914 shënoi vërtet lindjen e Mbretërisë qiellore të Perëndisë dhe fillimin e ‘ditëve të fundit’ të këtij sistemi të lig.2 Timoteut 3:1-5.

^ par. 4 Nga tetori i vitit 607 p.e.s. deri në tetor të vitit 1 p.e.s. janë 606 vjet. Meqë nuk ka vit zero, nga tetori i vitit 1 p.e.s. deri në tetor të vitit 1914 të e.s. janë 1.914 vjet. Duke mbledhur 606 vjet me 1.914 vjet, dalin 2.520 vjet. Për të marrë informacione rreth rënies së Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., shih zërin «Kronologjia» në librin Mendjehollësi mbi Shkrimet, dhe faqen 285 të librit «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm», botuar në disa gjuhë nga Dëshmitarët e Jehovait.