Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 1

«Kjo është dashuria për Perëndinë»

«Kjo është dashuria për Perëndinë»

«Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.»​—1 GJONIT 5:3.

1, 2. Çfarë të shtyn ta duash Perëndinë Jehova?

A E DO Perëndinë? Në qoftë se i je kushtuar Perëndisë Jehova dhe je shërbëtor i tij, sigurisht që përgjigjesh me një po të fortë dhe me të drejtë! Është më se e natyrshme ta duam Jehovain. Por në të vërtetë, dashuria që tregojmë për të, vjen si përgjigje ndaj dashurisë që ka ai për ne. Ja si e shpjegon Bibla: «Nga ana jonë, ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari.»​—1 Gjonit 4:19.

2 Jehovai e ka shprehur i pari dashurinë e tij për ne. Na ka pajisur me një shtëpi të bukur, tokën, dhe kujdeset për nevojat tona fizike e materiale. (Mateu 5:​43-48) Për më tepër, kujdeset për nevojat tona frymore dhe për këtë na ka dhënë Fjalën e tij, Biblën. Gjithashtu, na fton t’i lutemi, të sigurt se ai do të na dëgjojë e do të na japë frymën e tij të shenjtë si ndihmë. (Psalmi 65:2; Luka 11:13) Ç’është më e rëndësishmja, dërgoi Birin e tij të shtrenjtë si Shpërblyesin tonë, që të na çlironte nga mëkati dhe vdekja. Sa shumë na do Jehovai!​—Lexo Gjonin 3:16; Romakëve 5:8.

3. (a) Ç’duhet të bëjmë që të mos e humbasim dashurinë e Perëndisë? (b) Cila pyetje e rëndësishme shtrohet, dhe ku gjendet përgjigjja?

3 Jehovai do që ta kemi përgjithmonë dashurinë e tij. Por në fund të fundit kjo varet nga ne. Bibla na nxit: «Ruani veten në dashurinë e Perëndisë... me sytë nga jeta e përhershme.» (Juda 21) Shprehja «ruani veten» tregon se duhet të bëjmë diçka që të mos e humbasim dashurinë e Perëndisë. Duhet t’i përgjigjemi në mënyrë konkrete dashurisë së tij. Kjo shtron një pyetje të rëndësishme: ‘Si ta tregoj dashurinë për Perëndinë?’ Përgjigjja gjendet në fjalët e frymëzuara të apostullit Gjon: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjonit 5:3) Meqë dëshirojmë t’i tregojmë Perëndisë sa shumë e duam, duhet ta zbërthejmë kuptimin e këtyre fjalëve.

«KJO ËSHTË DASHURIA PËR PERËNDINË»

4, 5. Përshkruaj si të lindi në zemër dashuria për Jehovain.

4 Ç’donte të thoshte apostulli Gjon me shprehjen «dashuria për Perëndinë»? E kishte fjalën për ndjenjën e thellë që na lidh me Perëndinë. A të kujtohet kur të lindi në zemër dashuria për Jehovain?

Me kushtimin dhe pagëzimin nisim një jetë që karakterizohet nga bindja me gjithë zemër ndaj Jehovait

5 Mendo pak kohën kur mësove të vërtetën për Jehovain e për qëllimet e tij dhe nise të besoje tek ai. Kuptove se, ndonëse linde si mëkatar i larguar nga Perëndia, ai me anë të Krishtit të hapi rrugën që të arrish përsosmërinë që humbi Adami dhe të trashëgosh jetën e përhershme. (Mateu 20:28; Romakëve 5:12, 18) Fillove të kuptoje çfarë sakrifice të madhe bëri Jehovai kur dërgoi në tokë Birin e tij të shtrenjtë që të vdiste për ty. Kjo të preku zemrën dhe nise të ndieje dashuri për Perëndinë që tregoi kaq shumë dashuri për ty.​​—Lexo 1 Gjonit 4:​9, 10.

6. Si shprehet dashuria e vërtetë, dhe çfarë të ka nxitur të bësh dashuria për Perëndinë?

6 Por ky ishte vetëm fillimi i dashurisë së vërtetë për Jehovain, sepse dashuria nuk është thjesht një emocion ose diçka që mund të shprehet vetëm me fjalë. Nuk mjafton të themi: «Unë e dua Jehovain.» Ashtu si besimi, edhe dashuria e vërtetë bëhet e dukshme nga veprimet që nxit. (Jakovi 2:26) Konkretisht, e shprehim dashurinë me veprime që i pëlqejnë atij që duam. Prandaj, kur dashuria për Atin tonë qiellor, Jehovain, zuri rrënjë në zemrën tënde, të lindi dëshira të jetoje siç i pëlqen atij. Nëse je Dëshmitar i pagëzuar, atëherë kjo dashuri dhe ky përkushtim i thellë të shtynë të merrje vendimin më të rëndësishëm të jetës sate. Iu kushtove Jehovait për të bërë vullnetin e tij dhe e simbolizove këtë me pagëzimin. (Lexo Romakëve 14:​7, 8.) Për të përmbushur këtë premtim solemn që i bëre Jehovait, duhet të bësh atë që përmendi më tej apostulli Gjon.

«TË ZBATOJMË URDHËRIMET E TIJ»

7. Cilat janë disa urdhërime të Perëndisë dhe ç’do të thotë t’i zbatosh ato?

Gjoni shpjegon ç’do të thotë ta duam Perëndinë, me fjalët: «Të zbatojmë urdhërimet e tij.» Cilat janë urdhërimet e Perëndisë? Ai na jep disa urdhërime specifike në Fjalën e tij, në Bibël. Për shembull, ndalon gjëra të tilla si: dehja, imoraliteti seksual, idhujtaria, vjedhja dhe gënjeshtrat. (1 Korintasve 5:11; 6:18; 10:14; Efesianëve 4:28; Kolosianëve 3:9) Të zbatosh urdhërimet e Perëndisë do të thotë të jetosh në përputhje me normat e qarta morale të Biblës.

8, 9. Nga ta kuptojmë ç’i pëlqen Jehovait edhe kur hasim situata për të cilat s’ka ndonjë ligj specifik në Bibël? Jep një shembull.

8 Megjithatë, për t’i pëlqyer Jehovait, nuk mjafton vetëm t’u bindemi disa urdhrave. Jehovai nuk na e zë frymën me ligje për çdo aspekt të jetës së përditshme. Kështu që, çdo ditë mund të hasim situata të shumta për të cilat nuk ka ndonjë urdhër specifik në Bibël. Si ta dimë në këto raste se çfarë do t’i pëlqejë Jehovait? Bibla ka dëshmi të qarta që tregojnë mënyrën si mendon ai. Kur e studiojmë atë, mësojmë çfarë pëlqen dhe çfarë urren Jehovai. (Lexo Psalmin 97:10; Proverbat 6:​16-19) Dallojmë qëndrimet dhe veprimet që vlerëson. Sa më shumë të mësojmë për personalitetin e Jehovait dhe për mënyrën si vepron, aq më shumë mendimet e tij do të ndikojnë në vendimet dhe veprimet tona. Kështu, edhe kur hasim situata për të cilat s’ka ndonjë ligj specifik në Bibël, shpesh mund ta dallojmë qartë «cili është vullneti i Jehovait».​​—Efesianëve 5:17.

9 Për shembull në Bibël nuk ka ndonjë urdhër të drejtpërdrejtë që të mos shohim filma ose programe televizive ku ka shumë dhunë ose imoralitet. Por, a kemi vërtet nevojë për ndonjë ligj që të na i ndalojë këto gjëra? Ne e dimë pikëpamjen e Jehovait për çështje të tilla, pasi në Fjalën e tij thuhet shkoqur: «Atë që do dhunën, shpirti i [Jehovait] e urren.» (Psalmi 11:5) Po ashtu lexojmë: «Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.» (Hebrenjve 13:4) Kur meditojmë për këto fjalë të frymëzuara, dallojmë qartë cili është vullneti i Jehovait. Prandaj vendosim të mos zbavitemi me skena që tregojnë deri në hollësi gjëra që Perëndia ynë i urren. E dimë se Jehovai kënaqet kur shmangim ndyrësinë morale që kjo botë orvatet ta maskojë si zbavitje të padëmshme. *

10, 11. Pse kemi zgjedhur t’i bindemi Jehovait dhe ç’lloj bindjeje kërkohet?

10 Cila është arsyeja kryesore pse i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë? Pse duam të jetojmë çdo ditë në përputhje me mënyrën si mendon Perëndia? E bëjmë këtë jo thjesht për t’i shpëtuar ndëshkimit ose pasojave të këqija që ka kush shpërfill vullnetin e Perëndisë. (Galatasve 6:7) Bindjen ndaj Jehovait e shohim si një mundësi të çmuar për t’i treguar sa e duam. Ashtu si një fëmijë që bën çmos të ketë miratimin e të atit, edhe ne dëshirojmë të kemi miratimin e Jehovait. (Psalmi 5:12) Ai është Ati ynë që e duam shumë. S’ka gëzim e kënaqësi më të madhe sesa të dimë se po jetojmë në një mënyrë që ka «miratimin e Jehovait».​​—Proverbat 12:2.

11 Pra, nuk bindemi nga zori, as vetëm kur duam ne ose me kushte. * Nuk bëjmë naze, duke u bindur vetëm kur na vjen për mbarë ose kur nuk na krijon asnjë vështirësi. Përkundrazi, jemi «të bindur nga zemra». (Romakëve 6:17) Ndihemi si psalmisti që shkroi: «Do të tregoj se urdhërimet e tua i kam në zemër dhe i dua.» (Psalmi 119:47) Po, ne duam t’i bindemi Jehovait, sepse e kuptojmë që ai meriton, si dhe kërkon, bindjen tonë të plotë e të pakushtëzuar. (Ligji i përtërirë 12:32) Duam që Jehovai të thotë për ne atë që thuhet për Noenë në Fjalën e Tij. Për këtë patriark besnik që e tregoi dashurinë për Perëndinë duke u bindur për dhjetëvjeçarë të tërë, Bibla thotë: «Noeja veproi në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Perëndia. Ai bëri pikërisht ashtu.»​​—Zanafilla 6:22.

12. Kur ia gëzon zemrën Jehovait bindja jonë?

12 Si ndihet Jehovai kur i bindemi me dëshirë? Në Fjalën e tij thuhet se kjo ‘ia gëzon zemrën’. (Proverbat 27:11) A ka mundësi që bindja jonë t’i gëzojë zemrën Zotërisë Sovran të universit? Po. Jehovai ka arsye të gëzohet. Ai na krijoi me vullnet të lirë, domethënë kemi lirinë të zgjedhim nëse do t’i bindemi ose jo. (Ligji i përtërirë 30:​15, 16, 19, 20) Ati ynë i dashur qiellor kënaqet e gëzohet jashtë mase kur zgjedhim vullnetarisht t’i bindemi dhe kur motivohemi nga një zemër plot dashuri për të. (Proverbat 11:20) Kështu zgjedhim edhe jetën më të mirë.

«URDHËRIMET E TIJ NUK JANË TË RËNDA»

13, 14. Pse themi se ‘urdhërimet e Perëndisë nuk janë të rënda’, e si mund ta ilustrojmë?

13 Apostulli Gjon tha diçka shumë ngushëlluese për urdhërimet e Jehovait: «Urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» Ato nuk janë të paarsyeshme dhe as shtypëse. * Për njerëzit e papërsosur nuk është e pamundur t’u binden ligjeve të Jehovait.

14 Të bëjmë një ilustrim. Ta zëmë se shoku yt i ngushtë të kërkon ndihmë, sepse do të transferohet në një shtëpi tjetër. Ka shumë kuti për të transportuar, disa të lehta që mund t’i mbajë një njeri pa problem, të tjera të rënda dhe duhen dy veta për t’i mbajtur. Shoku të thotë cilat kuti të mbash. Si mendon, a do të të kërkonte që të mbaje kuti tepër të rënda për ty? Jo. Ai nuk do që të vritesh duke i mbajtur vetëm. Po kështu, Perëndia ynë i dashur dhe i mirë nuk na jep urdhërime tepër të vështira për ne. (Ligji i përtërirë 30:​11-14) Kurrsesi nuk do të na kërkonte të mbanim një barrë kaq të rëndë. Jehovai i kupton kufizimet tona, sepse «e di mirë se si jemi formuar, dhe nuk harron që jemi pluhur».​—Psalmi 103:14.

15. Pse mund të jemi të sigurt se urdhërimet e Jehovait janë për të mirën tonë?

15 Urdhërimet e Jehovait jo vetëm që s’janë të rënda, por janë edhe për të mirën tonë. (Lexo Isainë 48:17.) Prandaj Moisiu i tha Izraelit të lashtë: «Zoti na urdhëroi të zbatonim në praktikë të gjitha këto statute duke pasur frikë nga Zoti, Perëndia ynë, që të kemi gjithnjë mirëqenie dhe që ai të na mbante të gjallë.» (Ligji i përtërirë 6:​24, Diodati i Ri) Edhe ne mund të jemi të sigurt se Jehovai na i jep ligjet duke mbajtur parasysh mirëqenien tonë afatgjatë, madje të përhershme. E si mund të ishte ndryshe?! Jehovai ka mençuri të pafund. (Romakëve 11:33) Prandaj, e di ç’është më e mira për ne. Gjithashtu, ai është personifikimi i dashurisë. (1 Gjonit 4:8) Kjo cilësi, që është vetë natyra e tij, ndikon në çdo gjë që thotë dhe bën. Tek ajo bazohen të gjitha urdhërimet që u jep shërbëtorëve të vet.

16. Pse mund të bindemi pavarësisht nga ndikimet e botës së zvetënuar dhe nga papërsosmëria jonë?

16 Mirëpo, kjo nuk do të thotë se është e lehtë t’i bindemi Perëndisë. Duhet të luftojmë kundër ndikimeve të kësaj bote të zvetënuar që «dergjet nën pushtetin e të ligut». (1 Gjonit 5:19) Duhet të luftojmë edhe me papërsosmërinë tonë, për shkak të së cilës kemi prirjen të shkelim ligjet e Perëndisë. (Romakëve 7:​21-25) Por dashuria për Perëndinë mund t’i mposhtë këto. Jehovai i bekon ata që i binden të motivuar nga dashuria që kanë për të. Ai u jep frymën e shenjtë «atyre që i binden si sundimtar». (Veprat 5:32) Kjo frymë prodhon te ne fryte të shkëlqyera, cilësi të mira që na ndihmojnë t’i bindemi gjithnjë Perëndisë.​—Galatasve 5:​22, 23.

17, 18. (a) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë botim dhe çfarë duhet të mbajmë parasysh? (b) Për çfarë do të flitet në kapitullin vijues?

17 Në këtë botim do të shqyrtojmë disa parime dhe norma morale të Jehovait, si dhe dëshmi të tjera të shumta të vullnetit të tij. Ndërkaq, duhet të mbajmë parasysh disa gjëra të rëndësishme. Së pari, të mos harrojmë se Jehovai nuk na detyron t’u bindemi ligjeve dhe parimeve të tij. Ai do një bindje me dëshirë, që vjen nga zemra. Gjithashtu, të mos harrojmë se Jehovai po na kërkon të jetojmë në një mënyrë që do të na sjellë shumë bekime tani dhe jetën e përhershme në të ardhmen. E së fundi, bindjen nga zemra duhet ta konsiderojmë ashtu siç është në të vërtetë: një mundësi e çmuar për t’i treguar Jehovait sa fort e duam.

18 Që të na ndihmojë të dallojmë të drejtën nga e gabuara, me dashuri Jehovai na ka dhënë ndërgjegjen. Megjithatë, që të jetë udhërrëfyese e besueshme, ajo duhet stërvitur. Për këtë do të flitet në kapitullin vijues.

^ par. 9 Shih kapitullin 6 të këtij botimi, ku shqyrtohet se si të zgjedhim zbavitje të mira.

^ par. 11 Edhe engjëjt e ligj mund të binden nga zori. Kur Jezui i urdhëroi demonët të dilnin nga njerëzit që kishin zaptuar, ata u detyruan ta pranonin autoritetin e tij dhe t’i bindeshin, ndonëse pa dëshirë.​—Marku 1:27; 5:​7-13.

^ par. 13 Fjala greke e përkthyer «të rënda» te 1 Gjonit 5:​3, përkthehet «shtypës» te shënimi për Veprat 20:​29, 30, ku e ka fjalën për apostatët e ashpër që ‘thoshin gjëra të shtrembëruara’ dhe përpiqeshin të ngatërronin të tjerët. Po ashtu, te Mateu 23:4 është përdorur për të përshkruar ‘ngarkesat e rënda’, domethënë rregullat e imëta dhe traditat njerëzore që skribët e farisenjtë i impononin popullit të thjeshtë.