Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 3

Duaj ata që do Perëndia

Duaj ata që do Perëndia

«Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur.»​​—PROVERBAT 13:20.

1-3. (a) Cilën të vërtetë të pamohueshme përmban Bibla? (b) Si të zgjedhim miq që do të ndikojnë për mirë te ne?

NE NJERËZIT jemi pak a shumë si sfungjeri, domethënë kemi prirjen të thithim gjithçka që na rrethon. Prandaj është e lehtë të përvetësojmë, qoftë edhe pa dashje, qëndrimet, normat dhe cilësitë e atyre me të cilët kemi shoqëri të ngushtë.

2 Bibla përmban këtë të vërtetë të pamohueshme: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» (Proverbat 13:20) Këtu s’bëhet fjalë për takime të rastit. Shprehja «ecën me» nënkupton një shoqërim të vazhdueshëm. Një vepër biblike referimi e komenton kështu vargun: «Të ecësh me një njeri do të thotë ta duash e të lidhesh ngushtë me të.» A nuk je dakord edhe ti se zakonisht ne i imitojmë njerëzit që duam? Ngaqë lidhemi emocionalisht, ata mund të ndikojnë shumë te ne, për mirë a për keq.

3 Që ta ruajmë veten në dashurinë e Perëndisë, duhet të gjejmë patjetër miq që do të ndikojnë për mirë te ne. Si ta bëjmë këtë? Me pak fjalë, duke dashur ata që do Perëndia, duke i bërë miqtë e tij miqtë tanë. Mendo pak, a mund të zgjedhim miq më të mirë se ata që kanë cilësitë që kërkon Jehovai te miqtë e tij? Atëherë, le të shqyrtojmë ç’lloj njerëzish do Jehovai. Pastaj, duke pasur qartë në mendje pikëpamjen e tij, do të kemi më shumë mundësi të zgjedhim shokë që ndikojnë për mirë te ne.

KË DO PERËNDIA?

4. Pse Jehovai me të drejtë i zgjedh me kujdes miqtë dhe përse e quajti Abrahamin ‘miku im’?

4 Jehovai i zgjedh me shumë kujdes miqtë e tij, dhe me të drejtë. Fundja është Zotëria Sovran i universit dhe miqësia me të është nderi më i madh për një njeri. Kë zgjedh ai si mik? Jehovai i afrohet atij që ka besim të plotë tek ai. Mendo për patriarkun Abraham, i cili njihej për besimin e jashtëzakonshëm që kishte. Nuk ka sprovë besimi më të madhe për një baba njerëzor sesa t’i kërkohet që të flijojë të birin. * E megjithatë, Abrahami «pothuaj e flijoi Isakun», me besim të plotë se «Perëndia ishte në gjendje ta ngrinte atë nga të vdekurit». (Hebrenjve 11:​17-19) Falë besimit dhe bindjes që tregoi Abrahami, Jehovai e quajti me përzemërsi ‘miku im’.​​—Isaia 41:8; Jakovi 2:​21-23.

5. Si i konsideron Jehovai ata që i binden me besnikëri?

5 Jehovai e vlerëson jashtë mase bindjen me besnikëri. Ai i do shumë ata që zgjedhin besnikërinë ndaj tij mbi çdo gjë tjetër. (Lexo 2 Samuelit 22:26.) Siç e pamë në kapitullin e parë të librit, Jehovai kënaqet me ata që zgjedhin t’i binden ngaqë e duan. Te Proverbat 3:32 thuhet: «Të drejtët gëzojnë miqësi të ngushtë me Të.» Kush i plotëson me besnikëri kërkesat e Perëndisë Jehova, merr një ftesë të përzemërt nga ai​​—të jetë mysafir në «tendën» e tij, pra i mirëpritur që ta adhurojë e t’i lutet në çdo kohë.​​—Psalmi 15:​1-5.

6. Si e tregojmë se e duam Jezuin dhe si ndihet Jehovai për ata që duan Birin e tij?

6 Gjithashtu, Jehovai do ata që duan Jezuin, Birin e tij të vetëmlindur. Jezui tha: «Nëse dikush më do, ai do ta zbatojë fjalën time, dhe Ati im do ta dojë e ne do të vijmë tek ai e do të bëjmë banesën tonë pranë tij.» (Gjoni 14:23) Si e tregojmë dashurinë për Jezuin? Patjetër duke iu bindur urdhërimeve të tij, ndër të cilat është edhe caktimi për të predikuar lajmin e mirë e për të bërë dishepuj. (Mateu 28:​19, 20; Gjoni 14:​15, 21) E tregojmë dashurinë për Jezuin edhe kur ‘ndjekim me kujdes gjurmët e tij’, duke e imituar sa më shumë në fjalë dhe veprime, edhe pse jemi të papërsosur. (1 Pjetrit 2:21) Jehovai preket thellë kur sheh përpjekjet e njerëzve që e duan Birin e tij dhe ecin në gjurmët e tij.

7. Pse është e mençur të zëmë miq ata që janë miq të Jehovait?

7 Besimi, besnikëria, bindja dhe dashuria për Jezuin e për normat e tij, janë ndër cilësitë që kërkon Jehovai te miqtë e vet. Secili nga ne duhet të pyesë veten: ‘A i kanë shokët e mi të ngushtë këto cilësi dhe norma? A kam bërë miq ata që ka miq Jehovai?’ Kjo është e mençur pasi njerëzit që zhvillojnë cilësitë që pëlqen Perëndia dhe e predikojnë me zell lajmin e mirë për Mbretërinë, ndikojnë për mirë te ne. Ata mund të na nxitin që të jemi gjithnjë të vendosur t’i pëlqejmë Perëndisë.​​—Shih kutinë « Kush është shok i mirë?»

TË MËSOJMË NGA SHEMBUJT BIBLIKË

8. Ç’të bën përshtypje për lidhjen mes: (a) Naomit dhe Ruthës? (b) tre të rinjve hebrenj? (c) Pavlit dhe Timoteut?

8 Në Bibël ka shumë shembuj të njerëzve që nxorën dobi ngaqë zgjodhën miq të mirë. Aty lexojmë për lidhjen e Naomit me nusen e djalit, Ruthën; për lidhjen mes tre hebrenjve që s’u ndanë nga njëri-tjetri në Babiloni, si dhe për lidhjen mes Pavlit e Timoteut. (Rutha 1:16; Danieli 3:​17, 18; 1 Korintasve 4:17; Filipianëve 2:​20-22) Por do të përqendrohemi te një shembull tjetër i pashoq, miqësia e Davidit me Jonatanin.

9, 10. Mbi ç’baza u lidh miqësia mes Davidit dhe Jonatanit?

9 Bibla thotë se, pasi Davidi vrau Goliadin, «shpirti i Jonatanit u lidh me shpirtin e Davidit dhe Jonatani filloi ta donte si shpirtin e vet». (1 Samuelit 18:1) Kështu, pavarësisht nga diferenca e madhe në moshë, mes tyre nisi një miqësi e çeliktë që vazhdoi derisa Jonatani vdiq në fushëbetejë. * (2 Samuelit 1:26) Mbi ç’baza u krijua kjo lidhje e fortë mes këtyre dy miqve?

10 Davidin e Jonatanin i lidhte dashuria për Perëndinë dhe dëshira e fortë që t’i qëndronin besnikë atij. I bashkonte synimi që t’i pëlqenin Perëndisë. Me cilësitë që shfaqnin, i hynin më shumë në zemër njëri-tjetrit. Me siguri Jonatanit i bënin përshtypje guximi dhe zelli i të riut që e mbronte emrin e Jehovait pa iu dridhur qerpiku. Kurse Davidi pa dyshim e respektonte këtë burrë që mbështeste me besnikëri vendimet e Jehovait dhe me altruizëm mendonte më tepër për Davidin sesa për veten. Për shembull, në një rast Davidi ishte ligështuar, sepse po jetonte i arratisur në shkretëtirë, për t’i shpëtuar zemërimit të mbretit Saul, babait të Jonatanit. Duke treguar besnikëri të pashembullt, Jonatani e mori rrezikun në sy dhe «shkoi te Davidi... që ta forconte në emër të Perëndisë». (1 Samuelit 23:16) Mendo si duhet të jetë ndier Davidi kur i erdhi miku i tij i dashur që ta mbështeste e t’i jepte zemër! *

11. Çfarë të mëson për miqësinë shembulli i Jonatanit dhe i Davidit?

11 Ç’mësojmë nga shembulli i Jonatanit dhe i Davidit? Para së gjithash, shohim se gjëja më e rëndësishme që duhet të kenë të përbashkët dy shokë, është karakteri frymor. Kur afrohemi me njerëzit që kanë të njëjtat bindje e norma morale si ne dhe dëshirën për t’i qëndruar besnikë Perëndisë, mund të shprehim ndjenjat e të shkëmbejmë mendime dhe përvoja që na inkurajojnë e na forcojnë. (Lexo Romakëve 1:​11, 12.) Miq të tillë që interesohen për gjërat frymore, i gjejmë mes bashkadhuruesve. Por, a do të thotë kjo se kushdo që vjen në mbledhje është shok i mirë? Jo medoemos.

SI T’I ZGJEDHIM SHOKËT E NGUSHTË

12, 13. (a) Pse duhet ta përzgjedhim shoqërinë edhe mes të bashkëkrishterëve? (b) Cilën sfidë hasën kongregacionet e shekullit të parë e ç’paralajmërim të fortë dha Pavli për këtë?

12 Edhe brenda kongregacionit duhet të jemi përzgjedhës, që të zëmë miq ata që do të na ndihmojnë të forcojmë marrëdhënien me Perëndinë. A duhet të na habitë kjo? Aspak. Disa të krishterëve në kongregacion mund t’u duhet më shumë kohë që të piqen frymësisht, ashtu si frutat në një pemë që nuk piqen të gjitha njëherësh. Pra, në çdo kongregacion ka të krishterë që janë në faza të ndryshme të rritjes frymore. (Hebrenjve 5:12–6:3) Natyrisht, me atë që është i ri në të vërtetën ose më i dobët, jemi të durueshëm e të dashur, sepse duam ta ndihmojmë që të rritet frymësisht.​​—Romakëve 14:1; 15:1.

13 Nganjëherë në kongregacion lindin situata që kërkojnë të kemi kujdes me shoqërinë. Disa individë mund të kenë sjellje të diskutueshme. Të tjerë mund të zhvillojnë frymën e pakënaqësisë ose të ankimit. Edhe në shekullin e parë të erës sonë, kongregacionet hasën një sfidë të ngjashme. Ndonëse shumica ishin besnikë, disa pjesëtarë nuk silleshin siç duhet. Në kongregacionin e Korintit kishte nga ata që nuk i përkrahnin disa mësime të krishtere, kështu që apostulli Pavël paralajmëroi: «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1 Korintasve 15:​12, 33) Pavli e paralajmëroi Timoteun se edhe mes të krishterëve do të kishte disa që nuk do të silleshin siç duhet. Ai i tha Timoteut t’u rrinte larg atyre e të mos i bënte shokë të ngushtë.​​—Lexo 2 Timoteut 2:​20-22.

14. Si ta zbatojmë parimin që gjejmë te paralajmërimet e Pavlit për shoqërinë?

14 Si ta zbatojmë parimin që gjejmë te paralajmërimet e Pavlit? Lypset të shmangim shoqërinë e ngushtë me këdo që mund të ndikojë për keq te ne, Dëshmitar ose jo. (2 Selanikasve 3:​6, 7, 14) Duhet të mbrojmë marrëdhënien që kemi me Jehovain. Siç thamë më lart, ne jemi si sfungjer dhe i përvetësojmë kollaj qëndrimet dhe normat e shokëve tanë të ngushtë. Një sfungjer s’mund ta zhytim në uthull e të presim që të thithë ujë. Po njësoj, s’mund të shoqërohemi me njerëz negativë dhe të presim që të marrim prej tyre ndonjë gjë të mirë.​—1 Korintasve 5:6.

Mund të gjesh shokë të mirë mes bashkadhuruesve

15. Si të gjesh në kongregacion miq që janë të përqendruar në gjërat frymore?

15 Lumturisht, mes bashkadhuruesve kemi plot mundësi të gjejmë miq të mirë. (Psalmi 133:1) Si mund të gjesh në kongregacion miq që janë të përqendruar te gjërat frymore? Ndërsa zhvillon cilësi dhe norma që i pëlqejnë Perëndisë, me siguri do t’u biesh në sy atyre që po bëjnë të njëjtat përpjekje. Njëkohësisht, ndoshta duhet të bësh edhe ti disa hapa praktikë për të zënë miq. (Shih kutinë « Si kemi zënë miq») Kërko ata që shfaqin cilësitë që dëshiron t’i kesh edhe ti. Zbato këshillën e Biblës për ‘t’u zgjeruar’ dhe kërko miqësi mes bashkëbesimtarëve pavarësisht nga raca, kultura ose kombësia. (2 Korintasve 6:13; lexo 1 Pjetrit 2:17.) Mos u kufizo vetëm me moshatarët e tu. Kujto që Jonatani ishte goxha më i madh se Davidi. Shumë të moshuar mund ta pasurojnë miqësinë me përvojën dhe mençurinë që kanë.

KUR LINDIN VËSHTIRËSI

16, 17. Pse s’duhet të shkëputemi nga kongregacioni, në qoftë se na fyen një bashkëbesimtar?

16 Pjesëtarët e kongregacionit kanë karaktere e formime nga më të ndryshmet, prandaj hera-herës mund të lindin vështirësi. Ndoshta një bashkëbesimtar thotë ose bën diçka që na lëndon. (Proverbat 12:18) Nganjëherë problemet krijohen nga përplasjet e karaktereve, nga keqkuptimet ose nga ndryshimet në pikëpamje. A do të pengohemi e të lëmë që këto probleme të na shkëputin nga kongregacioni? Jo, nëse kemi dashuri të sinqertë për Jehovain e për ata që do ai.

17 Jehovai që na ka krijuar e na mban në jetë, meriton ta duam e t’i përkushtohemi plotësisht. (Zbulesa 4:11) Gjithashtu, kongregacioni që atij i pëlqen ta përdorë, meriton ta përkrahim me besnikëri. (Hebrenjve 13:17) Prandaj nëse një bashkëbesimtar na lëndon ose na zhgënjen, nuk do të largohemi nga kongregacioni në shenjë proteste. As që bëhet fjalë, sepse nuk është Jehovai ai që na ka fyer. Dashuria për Të nuk do të na lejonte kurrë t’i kthenim shpinën e të dilnim nga populli i Tij.​​—Lexo Psalmin 119:165.

18. (a) Ç’mund të bëjmë për të ruajtur paqen në kongregacion? (b) Ç’bekime do të kemi në qoftë se falim kur është me vend?

18 Dashuria për bashkadhuruesit na nxit të ruajmë e të forcojmë paqen në kongregacion. Jehovai nuk pret përsosmëri nga ata që do, dhe as ne nuk duhet të presim një gjë të tillë. Dashuria na nxit t’i anashkalojmë gabimet e vogla dhe që të mos harrojmë se të gjithë jemi të papërsosur e gabojmë. (Proverbat 17:9; 1 Pjetrit 4:8) Ajo na ndihmon të vazhdojmë ‘të falim bujarisht njëri-tjetrin’. (Kolosianëve 3:13) Mirëpo s’është gjithmonë e lehtë ta zbatojmë këtë këshillë. Në qoftë se lejojmë të na pushtojnë ndjenjat negative, prirja mund të jetë të mbajmë mëri duke menduar se kështu po e ndëshkojmë disi atë që na ka fyer. Por në të vërtetë, duke mbajtur mëri dëmtojmë veten. Nëse falim kur është me vend, do të kemi shumë bekime. (Luka 17:​3, 4) Do të kemi paqe në mendje e në zemër, do të ruajmë paqen në kongregacion e, mbi të gjitha, do të ruajmë marrëdhënien me Jehovain.​​—Mateu 6:​14, 15; Romakëve 14:19.

KUR DUHET NDËRPRERË SHOQËRIA

19. Në cilat situata duhet ta ndërpresim shoqërinë me dikë?

19 Disa herë mund të na kërkohet ta ndërpresim shoqërinë me dikë që ka qenë pjesëtar i kongregacionit. Kjo ndodh kur një individ shkel ligjin e Perëndisë, nuk pendohet dhe përjashtohet ose kur dikush e mohon besimin duke mësuar doktrina të rreme a duke u vetëpërjashtuar. Në Fjalën e Perëndisë na thuhet hapur që ‘të mos përzihemi më në shoqëri’ me këta njerëz. * (Lexo 1 Korintasve 5:​11-13; 2 Gjonit 9-11) Mund të jetë shumë e vështirë të shmangim dikë që e kemi pasur mik ose e kemi të afërm. A do të qëndrojmë të patundur, duke treguar kështu se mbi të gjitha për ne ka rëndësi besnikëria ndaj Jehovait e ndaj ligjeve të tij të drejta? Të mos harrojmë se Jehovai i vlerëson jashtë mase besnikërinë dhe bindjen.

20, 21. (a) Pse përjashtimi është një masë e dashur? (b) Pse është jetësore t’i zgjedhim me mençuri shokët?

20 Përjashtimi është një masë e dashur nga Jehovai. Përse e themi këtë? Përjashtimi i një mëkatari të papenduar tregon dashuri për emrin e shenjtë të Jehovait dhe për gjithçka që përfaqëson ky emër. (1 Pjetrit 1:​15, 16) Gjithashtu, mbron kongregacionin. Mbron pjesëtarët besnikë të tij nga ndikimi i dëmshëm i mëkatarëve të vullnetshëm. Kështu, mund të vazhdojnë ta adhurojnë të qetë Perëndinë, duke e ditur se kongregacioni është një liman i sigurt në këtë botë të ligë. (1 Korintasve 5:7; Hebrenjve 12:​15, 16) Disiplina e fortë tregon dashuri për atë që ka gabuar. Ajo mund të jetë pikërisht shkundja që i duhet për të ardhur në vete, që të bëjë hapat e nevojshëm për t’u kthyer te Jehovai.​​—Hebrenjve 12:11.

21 S’e mohojmë dot që shokët e ngushtë mund të ndikojnë shumë te ne e të na bëjnë si veten. Prandaj, është jetësore që t’i zgjedhim me mençuri. Duke bërë miq ata që janë miq të Jehovait, duke dashur ata që do ai, do të rrethohemi me shokët më të mirë që mund të gjenden. Gjërat që përvetësojmë nga ata, do të na ndihmojnë të mbetemi të vendosur t’i pëlqejmë Jehovait.

^ par. 4 Duke i kërkuar këtë gjë Abrahamit, Jehovai ilustroi sakrificën që do të bënte ai vetë kur të paraqiste si flijim Birin e tij të vetëmlindur. (Gjoni 3:16) Në rastin e Abrahamit, Jehovai ndërhyri dhe i dha një dash që ta flijonte në vend të Isakut.​​—Zanafilla 22:​1, 2, 9-13.

^ par. 9 Kur vrau Goliadin, Davidi ishte i ri, «veçse një djalosh», dhe kur vdiq Jonatani, ishte rreth të 30-ave. (1 Samuelit 17:33; 31:2; 2 Samuelit 5:4) Jonatani ishte afro 60 vjeç kur vdiq, pra me sa duket ishte rreth 30 vjet më i madh se Davidi.

^ par. 10 Te 1 Samuelit 23:​17, shohim pesë gjëra që tha Jonatani për t’i dhënë zemër Davidit: (1) E nxiti të mos kishte frikë. (2) E siguroi se Sauli nuk do t’ia dilte mbanë. (3) I kujtoi se do ta merrte mbretërinë, siç kishte premtuar Perëndia. (4) Iu betua se do t’i qëndronte besnik. (5) I tha se Sauli e dinte për besnikërinë e tij ndaj Davidit.

^ par. 19 Për më shumë informacione se si duhet të sillemi me të përjashtuarit ose të vetëpërjashtuarit, shih Shtojcën «Si duhet të sillemi me një të përjashtuar?».