Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 8

Perëndisë i pëlqejnë njerëzit e pastër

Perëndisë i pëlqejnë njerëzit e pastër

«Me atë që ruhet i pastër, do të tregohesh i pastër.»​​—PSALMI 18:26.

1-3. (a) Pse një nënë sigurohet që i biri të jetë i pastër dhe i rregullt? (b) Pse Jehovai do që adhuruesit e tij të jenë të pastër dhe çfarë na motivon që të jemi gjithnjë të tillë?

MAMAJA e bën gati djalin e vogël për të dalë. Sigurohet që të jetë i larë dhe rrobat t’i ketë të pastra e të rregullta. Ajo e di se pastërtia është e domosdoshme për shëndetin e mirë të të birit. Gjithashtu, e kupton se paraqitja e tij do t’i nderojë ose do t’i turpërojë si prindër.

2 Ati ynë qiellor, Jehovai, do që shërbëtorët e tij të jenë të pastër. Në Fjalën e tij thuhet: «Me atë që ruhet i pastër, do të tregohesh i pastër.» * (Psalmi 18:26) Jehovai na do dhe e di se pastërtia është gjëja më e mirë për ne. Gjithashtu, pret që ne, si Dëshmitarët e tij, ta nderojmë para të tjerëve. Pra, paraqitja jonë e pastër dhe sjellja e shkëlqyer nuk do t’i sjellin sharje Jehovait dhe emrit të tij të shenjtë, por lavdi.​​—Ezekieli 36:22; lexo 1 Pjetrit 2:12.

3 Duke ditur se Perëndisë i pëlqejnë njerëzit e pastër, jemi të motivuar të mbetemi të tillë. Dëshirojmë që me jetën tonë t’i sjellim nder atij, sepse e duam. Veç kësaj, duam të qëndrojmë në dashurinë e tij. Prandaj, le të shqyrtojmë pse duhet të jemi gjithnjë të pastër, ç’përfshin të jemi të pastër dhe si mund të mbetemi të tillë. Ky shqyrtim do të na ndihmojë të shohim nëse ka ndonjë aspekt ku duhet të përmirësojmë.

PSE DUHET TË JEMI TË PASTËR?

4, 5. (a) Cila është arsyeja kryesore pse duhet të mbetemi të pastër? (b) Si shihet qartë pastërtia e Jehovait në gjërat e dukshme që ka bërë?

4 Ndër të tjera Jehovai na udhëheq me anë të shembullit. Kështu, në Fjalën e tij nxitemi që ‘të bëhemi imitues të Perëndisë’. (Efesianëve 5:1) Ja ku kemi arsyen kryesore pse duhet të mbetemi të pastër: Jehovai, Perëndia që adhurojmë, është i pastër e i shenjtë në çdo aspekt.​​—Lexo Levitikun 11:​44, 45.

5 Ashtu si edhe shumë cilësi e norma të tjera të Jehovait, pastërtia e tij shihet qartë në gjërat e dukshme që ka bërë. (Romakëve 1:20) E përgatiti tokën që të jetë një shtëpi e pastër për njerëzit. Krijoi cikle natyrore që na pastrojnë ajrin dhe ujin. Disa baktere veprojnë si njëfarë reparti pastrimi, duke transformuar mbeturinat në produkte të padëmshme. Shkencëtarët i kanë përdorur disa nga këta mikroorganizma të uritur, që të pastrojnë derdhjet e naftës dhe ndotjet e tjera të shkaktuara nga egoizmi dhe lakmia e njeriut. Pra, s’ka dyshim se ‘Bërësit të tokës’ i intereson pastërtia. (Jeremia 10:12) Duhet të na interesojë edhe neve.

6, 7. Si e theksonte Ligji i Moisiut se nga ata që adhuronin Jehovain, kërkohej pastërti?

6 Një arsye tjetër pse duhet të mbetemi të pastër është se Jehovai, Sundimtari ynë Sovran, kërkon pastërti nga adhuruesit e tij. Në Ligjin që i dha Izraelit, pastërtia dhe adhurimi ishin dy gjëra të pandashme. Ligji thoshte në mënyrë specifike se ditën e shlyerjes, kryeprifti duhej të lahej dy herë, jo vetëm një. (Levitiku 16:​4, 23, 24) Kur shërbenin në tempull, priftërinjtë duhej të lanin duart e këmbët para se t’i paraqitnin flijime Jehovait. (Dalja 30:​17-21; 2 Kronikave 4:6) Ligji rendiste rreth 70 shkaqe për papastërtinë fizike dhe ndotjen ceremoniale. Kur ishte i papastër, një izraelit s’mund të merrte pjesë në adhurim. Në disa raste ndëshkohej edhe me vdekje po ta bënte këtë. (Levitiku 15:31) Kushdo që nuk ndiqte procedurën e detyrueshme të pastrimit, ku përfshihej larja e trupit dhe e rrobave, duhej ‘të shfarosej nga gjiri i kongregacionit’.​​—Numrat 19:​17-20.

7 Edhe pse nuk jemi nën Ligjin e Moisiut, nëpërmjet tij dallojmë pikëpamjen e Perëndisë për gjërat. Ligji e theksonte qartë se nga ata që adhuronin Perëndinë kërkohej pastërti. Jehovai s’ka ndryshuar. (Malakia 3:6) Ai e pranon adhurimin tonë vetëm nëse është «i pastër dhe i pandotur». (Jakovi 1:27) Prandaj, duhet të dimë çfarë pret prej nesh në këtë aspekt.

Ç’DO TË THOTË TË JESH I PASTËR NË SYTË E PERËNDISË

8. Në cilat fusha Jehovai pret që të mbetemi të pastër?

8 Në Bibël, koncepti i pastërtisë nuk përfshin vetëm anën fizike. Duhet të jemi të pastër në sytë e Jehovait në çdo fushë të jetës. Ai pret që ne të mbetemi të pastër në katër fusha kryesore: në adhurimin tonë, nga ana morale, në mendime dhe nga ana fizike. Le të shohim ç’përfshin secila prej këtyre.

9, 10. Ç’do të thotë të mbetemi të pastër në adhurim e çfarë shmangim si të krishterë të vërtetë?

9 Pastërtia në adhurim. Me pak fjalë, të mbetemi të pastër në adhurim do të thotë të mos e përziejmë adhurimin e vërtetë me atë të rremë. Izraelitët që dolën nga Babilonia për t’u kthyer në Jerusalem, duhej t’i vinin veshin kësaj thirrjeje të frymëzuar: «Dilni që andej e mos prekni asgjë të papastër;... qëndroni të pastër.» (Isaia 52:11) Izraelitët po ktheheshin në atdhe kryesisht për të rivendosur adhurimin e Jehovait. Ky adhurim duhej të ishte i pastër, i pandotur me asnjë nga mësimet, praktikat e zakonet e turpshme të feve babilonase.

10 Sot, ne si të krishterë të vërtetë duhet të bëjmë kujdes që të mos ndotemi me adhurimin e rremë. (Lexo 1 Korintasve 10:21.) Duhet të jemi shumë të vëmendshëm, pasi feja e rreme ka depërtuar kudo me ndikimin e vet. Pothuajse në çdo vend ka tradita, aktivitete e rite të lidhura me mësime të rreme fetare, siç është ideja se diçka që ndodhet brenda njeriut vazhdon të jetojë pas vdekjes. (Eklisiastiu 9:​5, 6, 10) Si të krishterë të vërtetë, shmangim zakonet që lidhen me bindje të rreme fetare. * Nuk do të lejojmë që për shkak të presionit nga të tjerët, të shkelim normat biblike të adhurimit të pastër.​​—Veprat 5:29.

11. Çfarë përfshin pastërtia morale, dhe pse është jetësore të mbetemi të pastër në këtë drejtim?

11 Pastërtia morale. Që të mbetemi të pastër moralisht, duhet të ruhemi nga çdo lloj imoraliteti seksual. (Lexo Efesianëve 5:5.) Kjo lloj pastërtie është jetësore për ne. Siç do ta shohim në kapitullin vijues, që të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë, duhet ‘të ikim nga kurvëria’. Ata që praktikojnë imoralitetin seksual pa u penduar, «nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». (1 Korintasve 6:​9, 10, 18) Në sytë e tij, janë «të neveritshëm me ndyrësinë e tyre». Po të mos pastrohen nga ana morale, «do të përfundojnë» në atë që quhet «vdekje e dytë».​​—Zbulesa 21:8.

12, 13. Ç’lidhje ka mes mendimeve dhe veprimeve, e si mund të mbetemi të pastër në mendime?

12 Pastërtia në mendime. Mendimet çojnë në veprime. Po t’i lëmë mendimet e gabuara të zënë rrënjë në mendje e në zemër, herët a vonë do të kryejmë se s’bën vepra të papastra. (Mateu 5:28; 15:​18-20) Por, nëse e mbushim mendjen me mendime të pastra e të kulluara, do të motivohemi që të kemi sjellje të pastër. (Lexo Filipianëve 4:8.) Si të qëndrojmë të pastër në mendime? Pikësëpari, duhet të shmangim çdo lloj zbavitjeje që mund të na ndotë mendjen. * Gjithashtu, mund ta mbushim mendjen me mendime të pastra duke studiuar rregullisht Fjalën e Perëndisë.​​—Psalmi 19:​8, 9.

13 Nëse duam të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë, është thelbësore të mbetemi të pastër në adhurim, nga ana morale dhe në mendime. Këto aspekte të pastërtisë do të shqyrtohen më hollësisht në kapituj të tjerë të këtij libri. Por tani le të shqyrtojmë aspektin e katërt, pastërtinë fizike.

SI TË QËNDROJMË TË PASTËR FIZIKISHT?

14. Pse pastërtia fizike nuk është thjesht çështje personale?

14 Pastërti fizike do të thotë të mbajmë pastër trupin dhe mjedisin që na rrethon. A është kjo një çështje personale që s’duhet t’i interesojë askujt tjetër? Për adhuruesit e Jehovait, jo. Siç e thamë edhe më lart, pastërtia jonë fizike i intereson Jehovait jo vetëm se është në të mirën tonë, por edhe sepse ne përfaqësojmë Atë. Mendo për ilustrimin që përmendëm në fillim. Po të shikosh një fëmijë që është gjithnjë pis e i çrregullt, me siguri do të mendosh se ç’prindër ka, apo jo? Kështu, nuk duam që diçka në paraqitjen a në jetën tonë t’i sjellë sharje Atit tonë qiellor ose t’ia ulë vlerën mesazhit që predikojmë. Në Fjalën e Perëndisë thuhet: «Në asnjë mënyrë nuk po japim asnjë shkak për pengesë, që në shërbimin tonë të mos gjendet e metë. Por në çdo mënyrë e rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë.» (2 Korintasve 6:​3, 4) Atëherë, si të mbetemi të pastër fizikisht?

15, 16. Cilat janë disa rregulla të mira higjienike dhe në ç’gjendje duhet të jenë patjetër rrobat tona?

15 Higjiena vetjake dhe paraqitja e jashtme. Edhe pse kultura dhe kushtet e jetesës ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, zakonisht mund të gjejmë ujë e sapun sa për t’u larë rregullisht e për t’u siguruar që të jemi të pastër si ne, edhe fëmijët tanë. Disa rregulla të mira higjienike janë: të lajmë duart me ujë e sapun para se të hamë ose të prekim ushqimet, pasi të kemi shkuar në banjë dhe pasi të kemi larë ose ndërruar një foshnjë. Larja e duarve me ujë e sapun parandalon sëmundjet dhe faktikisht të shpëton jetën. Parandalon përhapjen e viruseve dhe baktereve të dëmshme, duke i mbrojtur njerëzit nga sëmundjet diarreike. Në vende ku zakonisht shtëpitë nuk janë të lidhura me sistemin e ujërave të zeza, ndoshta mbeturinat mund të groposen, siç bëhej në Izraelin e lashtë.​​—Ligji i përtërirë 23:​12, 13.

16 Edhe rrobat duhet t’i lajmë rregullisht, që të jenë të pastra e të paraqitshme. Rrobat e një të krishteri nuk duhet të jenë medoemos të kushtueshme ose të modës së fundit. E rëndësishme është të jenë të rregullta, të pastra e modeste. (Lexo 1 Timoteut 2:​9, 10.) Pavarësisht ku jemi, duam që paraqitja jonë ‘të stolisë mësimin e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë’.​​—Titit 2:10.

17. Pse shtëpia dhe mjedisi rreth saj duhet të jenë të pastër e të paraqitshëm?

17 Shtëpia dhe mjedisi përreth saj. Ndoshta s’kemi ndonjë shtëpi të bukur a luksoze, por duhet të jetë sa më e pastër dhe e paraqitshme, sipas rrethanave. Gjithashtu, nëse përdorim makinën për të shkuar në mbledhje e në shërbim, të bëjmë çmos për ta mbajtur sa më pastër, jashtë e brenda. Të mos harrojmë se një shtëpi e pastër dhe mjedisi përreth saj, janë në vetvete dëshmi. Në fund të fundit, ne u mësojmë njerëzve se Jehovai është Perëndi i pastër, se ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’ dhe se Mbretëria e tij së shpejti do ta kthejë tokën në parajsë. (Zbulesa 11:18; Luka 23:43) Natyrisht, duam që shtëpia dhe mjedisi përreth saj t’u tregojnë të tjerëve se që tani po e bëjmë zakon pastërtinë, duke u përgatitur për botën e re që po vjen.

Pastërtia fizike do të thotë të mbajmë pastër trupin dhe mjedisin që na rrethon

18. Si të tregojmë respekt për Sallën e Mbretërisë?

18 Vendi i adhurimit. Dashuria për Jehovain na shtyn të tregojmë respekt për Sallën tonë të Mbretërisë, që është qendër e adhurimit të vërtetë në zonën ku jetojmë. Kur njerëzit të vijnë për herë të parë në sallë, duam që të krijojnë përshtypje të mira për vendin ku mblidhemi. Salla duhet pastruar e mirëmbajtur rregullisht, që të jetë gjithnjë tërheqëse. Tregojmë respekt për Sallën e Mbretërisë duke bërë gjithçka që mundemi për ta mbajtur në gjendje të mirë. Është një privilegj të punojmë vullnetarisht për të pastruar, si edhe për të ‘ndrequr e meremetuar’ vendin tonë të adhurimit. (2 Kronikave 34:10) Të njëjtat parime vlejnë edhe për Sallën e Asambleve ose për ndërtesat e tjera që përdorim për asambletë e kongreset.

TË SHMANGIM ZAKONET DHE PRAKTIKAT QË NA NDOTIN

19. Ç’duhet të shmangim që të mbetemi të pastër fizikisht dhe si na ndihmon Bibla për këtë?

19 Për t’u ruajtur të pastër fizikisht, duhet të shmangim zakonet e praktikat që e ndotin njeriun, si: pirja e duhanit, teprimi me alkoolin dhe përdorimi jomjekësor i substancave që shkaktojnë varësi ose ndikojnë në gjendjen mendore. Bibla nuk i rendit një më një të gjitha zakonet dhe praktikat e papastra e të neveritshme që lulëzojnë sot, por ka parime nga të cilat kuptojmë si duhet të ndihet Jehovai për gjëra të tilla. Meqë dimë pikëpamjen e Jehovait, dashuria për të na nxit të ndjekim rrugën që na sjell miratimin e tij. Le të shqyrtojmë pesë parime biblike.

20, 21. Nga cilat praktika do Jehovai që të heqim dorë dhe ç’arsye të fortë kemi për të vepruar kështu?

20 «O të dashur, meqë kemi këto premtime, le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, dhe ta përsosim shenjtërinë në frikën e Perëndisë.» (2 Korintasve 7:1) Jehovai do që të heqim dorë nga praktikat që na ndotin trupin dhe na dëmtojnë frymën, domethënë qëndrimin mendor mbizotërues. Prandaj, s’duhet të jepemi pas gjërave që dihet se dëmtojnë shëndetin fizik e mendor.

21 Bibla jep një arsye të fortë pse duhet «të pastrohemi nga çdo ndotje». Në qoftë se e vure re, 2 Korintasve 7:1 fillon me fjalët: «Meqë kemi këto premtime.» Cilat premtime? Në vargjet e mësipërme, Jehovai premton: «Unë do t’ju pranoj. Unë do të jem për ju një atë.» (2 Korintasve 6:​17, 18) Mendo, Jehovai të premton se do të të mbajë në krahët e tij mbrojtës dhe do të të dojë siç do një baba djalin ose vajzën e vet. Por, këto premtime do t’i përmbushë vetëm nëse ti nuk e ndot ‘mishin dhe frymën’. Do të ishte vërtet e pamend që për shkak të një zakoni a vesi të pështirë, të humbje këtë marrëdhënie të ngushtë e të çmuar me Jehovain!

22-25. Cilat parime biblike mund të na ndihmojnë të ruhemi nga zakonet dhe praktikat e papastra?

22 «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:37) Këtë urdhërim Jezui e veçoi si më të madhin nga gjithë të tjerët. (Mateu 22:38) Jehovai e meriton që ta duam kështu. Por, që ta duam me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen, duhet t’u rrimë larg praktikave që mund të na e shkurtojnë jetën ose të na mpijnë aftësitë mendore që na ka dhënë Perëndia.

23 «[Jehovai] u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka.» (Veprat 17:​24, 25) Jeta është dhuratë nga Perëndia. Ngaqë e duam Dhuruesin, tregojmë respekt edhe për dhuratën. Shmangim zakonet e praktikat që na dëmtojnë shëndetin, sepse e kuptojmë që tregojnë haptas mungesë respekti për dhuratën e jetës.​​—Psalmi 36:9.

24 «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Mateu 22:39) Shpesh, zakonet dhe praktikat e papastra nuk ndikojnë vetëm tek ai që i bën, por edhe te të tjerët që e rrethojnë. Për shembull, edhe ai që s’pi duhan dëmtohet nëse rri në një ambient me tym duhani. Kush dëmton të tjerët që ka përreth, po shkel kërkesën e Perëndisë që të dojë të afërmin. Me veprimet e tij tregon se gënjen kur thotë se e do Perëndinë.​​—1 Gjonit 4:​20, 21.

25 «Vazhdo t’u kujtosh atyre që të jenë të nënshtruar e të bindur ndaj qeverive dhe autoriteteve.» (Titit 3:1) Në shumë vende, të kesh në pronësi ose të përdorësh disa droga përbën shkelje të ligjit. Ne si të krishterë të vërtetë nuk duam të kemi ose të përdorim droga të paligjshme.​​—Romakëve 13:1.

26. (a) Ç’duhet të bëjmë që të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë? (b) Pse mënyra më e mirë për të jetuar është të mbetemi të pastër në sytë e Perëndisë?

26 Që të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë, duhet të mbetemi të pastër jo vetëm në një a dy fusha, por në çdo fushë të jetës. Mund të mos jetë e lehtë të heqësh dorë dhe të rrish larg nga zakonet dhe praktikat që të ndotin, por s’është e pamundur. * Nuk ka mënyrë më të mirë për të jetuar, sepse Jehovai gjithnjë na mëson si të nxjerrim dobi për vete. (Lexo Isainë 48:17.) Ç’është më e rëndësishmja, duke mbetur të pastër, mund të provojmë kënaqësinë që vjen kur dimë se po nderojmë Perëndinë që duam, e kështu po qëndrojmë në dashurinë e tij.

^ par. 2 Në gjuhën origjinale, fjala e përkthyer «i pastër» ndonjëherë përshkruan pastërtinë fizike, por më shpesh atë morale ose të adhurimit.

^ par. 67 Nuk është emri i saj i vërtetë.