Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 13

Festime që fyejnë Perëndinë

Festime që fyejnë Perëndinë

«Vazhdoni të siguroheni se çfarë është e pranueshme para Zotërisë.»​​—EFESIANËVE 5:10.

1. Ç’lloj njerëzish tërheq Jehovai dhe pse duhet të vazhdojnë të jenë syçelë frymësisht?

JEZUI tha: «Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë, sepse Ati po kërkon adhurues të tillë.» (Gjoni 4:23) Kur gjen njerëz të tillë, siç të gjeti edhe ty, Jehovai i tërheq drejt vetes dhe drejt Birit të tij. (Gjoni 6:44) A s’është ky një nder i jashtëzakonshëm? Por ata që e duan të vërtetën biblike, duhet ‘të vazhdojnë të sigurohen se çfarë është e pranueshme para Zotërisë’, pasi Satanai është mjeshtër i mashtrimeve.​​—Efesianëve 5:10; Zbulesa 12:9.

2. Shpjego si i konsideron Jehovai ata që përpiqen ta përziejnë fenë e vërtetë me fenë e rreme.

2 Mendo se ç’ndodhi pranë malit Sinai kur izraelitët i kërkuan Aaronit t’u bënte një perëndi. Aaroni u dorëzua dhe u bëri një viç të artë, por la të nënkuptohej se ky viç paraqiste Jehovain. «Nesër do të ketë një festë për Jehovain»,​​—u tha. A ishte problem për Jehovain që ata e përzien fenë e vërtetë me atë të rreme? Natyrisht. Për këtë arsye, shkaktoi vrasjen e rreth tre mijë idhujtarëve. (Dalja 32:​1-6, 10, 28) Cili është mësimi? Nëse duam ta ruajmë veten në dashurinë e Perëndisë, s’duhet ‘të prekim asgjë të papastër’ dhe duhet ta mbrojmë me xhelozi të vërtetën nga çdo lloj ndotjeje.​​—Isaia 52:11; Ezekieli 44:23; Galatasve 5:9.

3, 4. Pse duhet t’u kushtojmë shumë vëmendje parimeve biblike kur shqyrtojmë zakonet dhe festat e përhapura?

3 Mjerisht, pas vdekjes së apostujve që vepronin si forcë frenuese ndaj apostazisë, të krishterët e rremë që s’kishin dashuri për të vërtetën, nisën të përvetësonin zakone, festa dhe ditë «të shenjta» ose të shënuara pagane, të cilat i maskuan si të krishtere. (2 Selanikasve 2:​7, 10) Ndërsa shqyrton disa nga këto festime, shiko se si pasqyrojnë frymën e botës, jo të Perëndisë. Në përgjithësi, festat e botës kanë një temë të përbashkët: u mëshojnë dëshirave të mishit dhe përkrahin bindjet e rreme fetare e spiritizmin, që janë shenjat dalluese të ‘Babilonisë së Madhe’. * (Zbulesa 18:​2-4, 23) Mbaj parasysh edhe se Jehovai ka qenë dëshmitar okular i praktikave të rreme e të pështira pagane nga të cilat kanë ardhur shumë zakone të përhapura në ditët tona. Pa dyshim edhe sot ai i konsideron po kaq fyese këto festime. A nuk duhet të jetë pikëpamja e tij më e rëndësishme se gjithçka tjetër për ne?​​—2 Gjonit 6, 7.

4 Si të krishterë të vërtetë, e dimë se disa festime nuk i pëlqejnë Jehovait. Por duhet ta kemi vendosur në zemër të mos përfshihemi fare në to. Duke shqyrtuar pse e fyejnë ato Jehovain, do të jemi edhe më të vendosur të shmangim gjithçka që mund të na pengojë të qëndrojmë në dashurinë e tij.

KRISHTLINDJET​​—RIEMËRTIM I ADHURIMIT TË DIELLIT

5. Pse mund të jemi të sigurt se Jezui s’ka lindur më 25 dhjetor?

5 Bibla nuk përmend ndonjë rast që t’i kenë festuar ditëlindjen Jezuit. Madje nuk dihet as data e saktë e lindjes së tij. Por mund të jemi të sigurt se s’ka lindur më 25 dhjetor, që ishte kulmi i dimrit në atë pjesë të botës. * Një arsye është se, sipas Ungjillit të Lukës, «disa barinj që jetonin jashtë», po ruanin kopetë kur lindi Jezui. (Luka 2:​8-11) Po ta kishin zakon të «jetonin jashtë» gjithë vitin, s’do të kishte qenë aq e rëndësishme për t’u përmendur. Mirëpo, për shkak të shirave të ftohtë dhe dëborës, në Betlehem në dimër kopetë mbaheshin brenda dhe barinjtë me siguri nuk «jetonin jashtë». Veç kësaj, Jozefi dhe Maria shkuan në Betlehem sepse Cezar Augusti kishte urdhëruar të regjistrohej popullsia. (Luka 2:​1-7) Duket shumë e vështirë që Cezari ta ketë urdhëruar një popull që e urrente sundimin romak, të udhëtonte nëpër qytetet e lindjes në kulmin e dimrit.

6, 7. (a) Ku i kanë rrënjët shumë zakone të Krishtlindjeve? (b) Ç’kontrast vërejmë mes dhuratave të Krishtlindjeve dhe dhuratave që japin të krishterët?

6 Krishtlindjet nuk i kanë rrënjët në Shkrime, por në festat e lashta pagane, siç ishin Saturnalet romake, një festë për nder të Saturnit, perëndisë së të mbjellave. Gjithashtu, sipas llogaritjeve të tyre, më 25 dhjetor besimtarët e perëndisë Mitra festonin «ditëlindjen e diellit të pamposhtur», siç thotë edhe një enciklopedi (New Catholic Encyclopedia). Ajo vazhdon: «Krishtlindjet nisën të festoheshin në një kohë kur kulti i diellit ishte jashtëzakonisht i fortë në Romë», rreth tre shekuj pas vdekjes së Krishtit.

Të krishterët e vërtetë japin dhurata nga dashuria

7 Gjatë festimeve, paganët shkëmbenin dhurata dhe hanin ushqime të zgjedhura, praktika që janë ruajtur edhe në Krishtlindje. Por, ashtu si edhe sot, shumë nga dhuratat e Krishtlindjeve në kohën e romakëve nuk bëheshin me moton e 2 Korintasve 9:7: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me pahir a me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.» Të krishterët e vërtetë japin dhurata nga dashuria, jo të detyruar nga një datë e caktuar, dhe nuk presin ndonjë dhuratë në këmbim. (Luka 14:​12-14; lexo Veprat 20:35.) Jo vetëm kaq, por janë shumë mirënjohës që janë çliruar nga periudha stresuese e Krishtlindjeve dhe janë lehtësuar nga barra e rëndë e borxheve që mund të merren në atë periudhë të vitit.​—Mateu 11:​28-30; Gjoni 8:32.

8. A i dhanë astrologët dhurata për ditëlindje Jezuit? Shpjego.

8 Por disa mund të kundërshtojnë: a nuk i dhanë astrologët dhurata për ditëlindje Jezuit? Jo. Dhuratat e tyre ishin thjesht një mënyrë për t’i bërë nderime një njeriu të shquar, siç ishte zakon në kohët biblike. (1 Mbretërve 10:​1, 2, 10, 13; Mateu 2:​2, 11) Madje nuk vajtën tek ai natën kur lindi. Në kohën kur shkuan ata, Jezui nuk ishte një foshnjë në grazhd, por disa muajsh dhe jetonte në shtëpi.

Ç’THOTË BIBLA PËR DITËLINDJET?

9. Çfarë vlen të thuhet për festimet e ditëlindjeve që përmenden në Bibël?

9 Lindja e një fëmije ka sjellë gjithnjë shumë gëzim, por Bibla nuk përmend ndonjë rast që t’i kenë festuar ditëlindjen një shërbëtori të Perëndisë. (Psalmi 127:3) Mos ka qenë thjesht një harresë? Jo, sepse përmenden dy festime ditëlindjesh, ajo e faraonit të Egjiptit dhe e Herod Antipës. (Lexo Zanafillën 40:​20-22; Markun 6:​21-29.) Por që të dyja paraqiten në dritë negative, sidomos e dyta, gjatë së cilës iu pre koka Gjon Pagëzorit.

10, 11. Si i konsideronin të krishterët e hershëm festat e ditëlindjeve dhe përse?

10 «Të krishterët e hershëm e konsideronin një zakon pagan festimin e lindjes së dikujt»,​​—thotë një enciklopedi (The World Book Encyclopedia). Për shembull, grekët e lashtë besonin se çdo njeri kishte një frymë të mbinatyrshme që e mbronte, e cila ishte e pranishme kur lindte ai dhe e ruante gjithnjë. Kjo frymë «kishte lidhje mistike me perëndinë që kishte lindur në të njëjtën ditë me individin»,​​—thuhet në librin Traditat e ditëlindjeve (anglisht). Veç kësaj, prej kohësh ditëlindjet kanë qenë të lidhura ngushtësisht me astrologjinë e me horoskopin.

11 Shërbëtorët e lashtë të Perëndisë jo vetëm që nuk i pranonin zakonet e ditëlindjes për shkak të rrënjëve pagane e spiritiste, por nuk i pranonin as në parim. Përse? Sepse ishin burra e gra modestë, të përulur, që nuk mendonin se lindja e tyre ishte diçka kaq e rëndësishme sa duhej festuar. * (Mikea 6:8; Luka 9:48) Përkundrazi, ata i jepnin lavdi Jehovait dhe e falënderonin për dhuratën e çmuar të jetës. *​—Psalmi 8:​3, 4; 36:9; Zbulesa 4:11.

12. Në ç’kuptim dita e vdekjes mund të jetë më e mirë se dita e lindjes?

12 Të gjithë ata që vdesin besnikë, janë të sigurt në kujtesën e Perëndisë dhe e ardhmja e tyre është e garantuar. (Jobi 14:​14, 15) Tek Eklisiastiu 7:1 thuhet: «Një emër është më i mirë se vaji i çmuar dhe dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes.» ‘Emri’ është opinioni i mirë që kemi krijuar para Perëndisë me anë të shërbimit besnik. Vlen të përmendim se i vetmi rast që të krishterët urdhërohen ta kujtojnë, është një vdekje, jo një lindje. Bëhet fjalë për vdekjen e Jezuit, ‘emri’ i shkëlqyer i të cilit është çelësi i shpëtimit tonë.​—Hebrenjve 1:​3, 4; Luka 22:​17-20.

PASHKËT​​—MASKIM I ADHURIMIT TË PJELLORISË

13, 14. Cilat janë rrënjët e zakoneve të përhapura të Pashkëve?

13 Edhe pse reklamohen si festimi i ringjalljes së Krishtit, në të vërtetë Pashkët i kanë rrënjët në fenë e rreme. Vetë emri i kësaj feste në disa gjuhë «Easter» lidhet me Eostren ose Ostarën, perëndeshën anglo-saksone të agimit e të pranverës. Si u fut ideja e përdorimit të vezëve dhe lepujve për Pashkë? Vezët «janë të famshme si simbole të jetës së re dhe të ringjalljes»,​—thotë një enciklopedi (Encyclopædia Britannica), kurse lepuri ka qenë prej kohësh simbol i pjellorisë. Prandaj, në të vërtetë Pashkët janë një rit pjellorie i maskuar hollë-hollë si festim i ringjalljes së Krishtit. *

14 A do ta miratonte Jehovai një rit të pështirë pjellorie vetëm se përdoret për të kujtuar ringjalljen e Birit të tij? Kurrën e kurrës! (2 Korintasve 6:​17, 18) Në fakt, Shkrimet as na urdhërojnë e as na autorizojnë të kujtojmë ringjalljen e Jezuit. Kështu që të festosh këtë ngjarje e për më tepër nën emrin Pashkët, do të thotë të jesh dyfish jobesnik.

HALLOUINI S’ËSHTË ASPAK I SHENJTË

15. Cila është origjina e Hallouinit dhe ç’domethënie ka data e zgjedhur për këtë festë?

15 Hallouini ose Mbrëmja e të Gjithë të Shenjtëve, i njohur për shtrigat, djajtë dhe zbukurimet e tjera groteske, i ka rrënjët te keltët e lashtë të Britanisë dhe Irlandës. Natën me hënë të plotë që ishte më afër me 1 nëntorin, ata kremtonin festën e Samainit, që do të thotë «Fundi i Verës». Sipas besimit të tyre, gjatë Samainit hapej perdja që ndante botën njerëzore nga ajo e mbinatyrshme dhe frymërat e mira e të liga shëtitnin nëpër tokë. Mendohej se shpirtrat e të vdekurve ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe familjet nxirrnin ushqim e pije për fantazmat që i vizitonin, me shpresën se do t’i qetësonin. Kështu, kur fëmijët e veshur si fantazma e shtriga shkojnë sot shtëpi më shtëpi duke i kërcënuar njerëzit se do të bëjnë ndonjë prapësi po të mos i qerasin, pa dashje përsëritin ritet e Samainit.

DITA E DASMËS TË JETË E PASTËR

16, 17. (a) Pse çiftet e krishtere që po planifikojnë të martohen, duhet t’i analizojnë zakonet vendëse sipas parimeve biblike? (b) Ç’duhet të marrin parasysh të krishterët për zakone të tilla si hedhja e orizit ose e gjërave të tjera?

16 Së shpejti, «asnjë zë dhëndri e nuseje nuk do të dëgjohet më te [Babilonia e Madhe]». (Zbulesa 18:23) Pse? Pjesërisht për shkak të praktikave të saj spiritiste, të cilat mund ta ndotin një martesë që ditën e dasmës.​​—Marku 10:​6-9.

17 Zakonet ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Disa zakone duken të pafajshme, por mund t’i kenë rrënjët në praktika babilonase që supozohet se i sjellin ‘fat’ çiftit ose të ftuarve. (Isaia 65:11) Një nga këto zakone është hedhja e orizit ose e gjërave të tjera. Kjo praktikë mund të ketë lindur nga besimi se ushqimi qetësonte frymërat e liga e kështu nuk dëmtonin dhëndrin dhe nusen. Gjithashtu, prej kohësh orizi ka pasur lidhje mistike me pjellorinë, lumturinë dhe jetëgjatësinë. Është e qartë se të gjithë ata që duan të qëndrojnë në dashurinë e Perëndisë, do t’i shmangin këto zakone të ndotura.​​—Lexo 2 Korintasve 6:​14-18.

18. Cilat parime biblike duhet të drejtojnë çiftin që planifikon dasmën dhe ata që janë të ftuar?

18 Po ashtu, shërbëtorët e Jehovait shmangin çdo praktikë të botës që mund t’i heqë dasmës dinjitetin e krishterë ose që mund të lëndojë ndërgjegjen e disave. Për shembull, nuk mbajnë fjalime me sarkazma lënduese ose nënkuptime seksuale, si dhe nuk kurdisin ndonjë rreng e nuk bëjnë komente që mund të vënë në siklet çiftin e ri dhe të tjerët. (Proverbat 26:​18, 19; Luka 6:31; 10:27) Gjithashtu, shmangin dasmat madhështore si në përralla, që nuk pasqyrojnë modesti, por ‘kapardisje për t’u dukur me të mirat materiale’. (1 Gjonit 2:16) Nëse po planifikon dasmën, mos harro kurrë se Jehovai dëshiron që këtë ditë të veçantë të mund ta kujtosh gjithnjë me gëzim, jo me keqardhje. *

DOLLIA​​—GJEST FETAR?

19, 20. Ç’thotë për origjinën e dollive një burim referimi dhe pse nuk është i pranueshëm për të krishterët ky zakon?

19 Një zakon i përhapur nëpër dasma dhe në raste të tjera, është dollia. Në Manualin ndërkombëtar për alkoolin dhe kulturën, për vitin 1995 (anglisht), thuhet: «Dollia... ka shumë gjasa të jetë një mbetje shekullare e libacioneve të lashta gjatë të cilave perëndive u paraqitej një lëng i shenjtë,... në këmbim të një dëshire, një lutjeje të përmbledhur me fjalët ‘jetë të gjatë!’ ose ‘për shëndetin tënd!’»

20 Vërtet, shumë njerëz sot mund të mos e konsiderojnë dollinë si gjest fetar ose besëtytni. Gjithsesi, zakoni i ngritjes së gotave drejt qiellit mund të shihet si kërkesë që i bëhet «qiellit», domethënë një fuqie të mbinatyrshme, për një bekim, por në një mënyrë që s’është në përputhje me çka thuhet në Shkrime.​​—Gjoni 14:6; 16:23. *

«JU QË DONI JEHOVAIN, URRENI TË KEQEN»

21. Ç’festa të përhapura shmangin të krishterët, edhe nëse nuk kanë tema fetare, e përse?

21 Në botën e sotme normat morale po bien me një ritëm të rrufeshëm dhe kjo prirje nxitet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Babilonia e Madhe. Duke pasqyruar këtë prirje, disa vende organizojnë karnavale vjetore me rastin e javës së bardhë, festime me kërcime të shthurura e që madje mund të ngrenë lart stilet e jetesës së homoseksualëve ose të lezbikeve. A do të ishte e përshtatshme për dikë që ‘do Jehovain’ të merrte pjesë në këto festime ose t’i shihte ato? A do të tregonte kështu se e urren vërtet të keqen? (Psalmi 1:​1, 2; 97:10) Është shumë më mirë të kemi pikëpamjen e psalmistit, që u lut: «M’i largo sytë nga gjërat e kota.»​​—Psalmi 119:37.

22. Kur mund të vendosë një i krishterë sipas ndërgjegjes, nëse do ta bëjë një festë apo jo?

22 Në ditët e festimeve të botës, një i krishterë do të bëjë kujdes që me sjelljen e tij të mos u japë përshtypjen të tjerëve se po feston edhe ai. Pavli shkroi: «Nëse hani, nëse pini apo nëse bëni diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.» (1 Korintasve 10:31; shih kutinë « Si të marrim vendime të mençura», në faqet 158-159.) Nga ana tjetër, nëse është e qartë se një zakon a festë nuk ka lidhje me fenë e rreme, nuk është pjesë e një ngjarjeje politike a patriotike dhe nuk shkel asnjë parim biblik, çdo i krishterë duhet të vendosë vetë nëse do të marrë pjesë ose jo. Në të njëjtën kohë, do të marrë parasysh edhe ndjenjat e të tjerëve, që të mos bëhet shkak pengese.

JEPI LAVDI PERËNDISË ME FJALË E ME VEPRA

23, 24. Si mund të japim dëshmi të mirë për normat e drejta të Jehovait?

23 Ditët e disa festave të përhapura, shumica e njerëzve i konsideron kryesisht si mundësi për të ndenjur bashkë me miqtë dhe familjen. Prandaj, nëse dikush gabimisht mendon se qëndrimi ynë sipas Biblës është i ftohtë ose ekstrem, mund t’i shpjegojmë me dashamirësi se ne Dëshmitarët e Jehovait i vlerësojmë rastet e gëzuara kur mblidhemi me miqtë e familjarët. (Proverbat 11:25; Eklisiastiu 3:​12, 13; 2 Korintasve 9:7) E gëzojmë shoqërinë e njerëzve tanë të dashur gjatë gjithë vitit, por, ngaqë duam Perëndinë dhe normat e tij të drejta, nuk dëshirojmë t’i njollosim këto raste të gëzuara me zakone që e fyejnë atë.​​—Shih kutinë « Adhurimi i vërtetë sjell më shumë gëzim».

24 Disa Dëshmitarë kanë pasur rezultate të mira kur u kanë shpjeguar atyre që pyesnin sinqerisht, disa pika nga kapitulli 16 i librit Çfarë mëson vërtet Bibla? * Por mos harro se synimi ynë është të fitojmë zemrën e njerëzve, jo debatet. Prandaj, trego respekt, ruaj qetësinë dhe ‘fjala jote të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë’.​—Kolosianëve 4:6.

25, 26. Ç’mund të bëjnë prindërit që t’ua forcojnë fëmijëve besimin dhe dashurinë për Jehovain?

25 Si shërbëtorë të Jehovait, ne jemi të mirinformuar. Dimë pse i besojmë dhe i praktikojmë disa gjëra e pse nuk i bëjmë disa të tjera. (Hebrenjve 5:14) Prandaj, ju prindër, mësojini fëmijët të arsyetojnë rreth parimeve biblike. Kështu u forconi besimin, i ndihmoni t’u japin përgjigje nga Bibla atyre që i pyesin për bindjet dhe i siguroni se Jehovai i do.​​—Isaia 48:​17, 18; 1 Pjetrit 3:15.

26 Të gjithë ata që e adhurojnë Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë», jo vetëm që shmangin festimet jobiblike, por edhe përpiqen të jenë të ndershëm në çdo fushë të jetës. (Gjoni 4:23) Sot shumë vetave nuk u duket praktike të jesh i ndershëm. Por, siç do ta shohim në kapitullin vijues, drejtimi i Perëndisë është gjithnjë më i miri.

^ par. 3 Shih kutinë « A duhet ta festoj edhe unë?». Disa festa dhe ditë të shënuara renditen në Treguesin e Botimeve Watch Tower, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 5 Në bazë të kronologjisë biblike dhe të historisë botërore, ka të ngjarë që Jezui të ketë lindur në vitin 2 p.e.s., në muajin judaik të ethanimit që përkon me periudhën shtator-tetor në kalendarin e sotëm.​​—Shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 2, faqet 56-57, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 11 Në besëlidhjen e Ligjit kërkohej që një grua, pasi të lindte fëmijën, t’i paraqiste Perëndisë një blatim për mëkatin. (Levitiku 12:​1-8) Kjo kërkesë ligjore ishte një përkujtues i trishtueshëm për izraelitët, që u theksonte se njerëzit u transmetojnë mëkatin fëmijëve të tyre. Veç kësaj, i ndihmonte të kishin një pikëpamje të ekuilibruar për lindjen e fëmijëve dhe i frenonte që të përvetësonin zakonet pagane të ditëlindjeve.​​—Psalmi 51:5.

^ par. 13 Eostre (ose Eastre) ishte edhe perëndesha e pjellorisë. Sipas një fjalori, «ajo kishte një lepur në hënë që i pëlqenin shumë vezët dhe ndonjëherë paraqitej si me kokë lepuri».​​—The Dictionary of Mythology.

^ par. 18 Shih tre artikujt për dasmat dhe grumbullimet shoqërore në Kullën e Rojës, 15 tetor 2006, faqet 18-31.

^ par. 20 Shih Kullën e Rojës, 15 shkurt 2007, faqet 30-31.

^ par. 24 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.